Gjatë hetimeve mbi krimet e luftës, është e pazakontë të marrësh emra. Viktimat dhe dëshmitarët në përgjithësi nuk arrijnë të dallojnë mes forcave të ndryshme - policisë, policisë speciale, forcave speciale – e të mos përmendim njësitë e ndryshme. Identiteti i një individi është gjë e rrallë.
Kështu erdhi befasuese një seri fotosh në Kosovë, pak pas luftës në vitin 1999 që tregojnë paramilitarë serbë nga afër: burra duke mbajtur armë dhe duke pozuar përpara një ndërtesë në flakë. Madje, shqiptarët e Kosovës në atë zonë njihnin disa prej tyre me emër. Ata ishin prej asaj zone, ish fqinj në zonën e përzjerë etnikisht përreth Pejës.
Krimet rreth Pejës ishin të kobshme. Një ditë gjatë bombardimit të Jugosllavisë nga Nato-ja në 14 maj 1999 një grup paramilitarësh serbë ekzekutuan 41 burra shqiptarë në Qyshk, 19 në Zahaq dhe 10 në Pavlan. Tre të mbijetuar thanë se i kishin rreshtuar për t’i pushkatuar por arritën tu shpëtonin plumbave, duke u fshehur nën trupat e të afërmeve dhe shokëve.
Pas verifikimeve të suksesshme, raporti ynë, Një fshat i shkatërruar, përmend tre prej tyre. Raporti i vendos ata në hapësirën e përmendur në ditën e atyre krimeve. Nuk e dimë nëse kanë shkrepur armët, por shumë dëshmitarë i vendosin ata në atë skenë.
Pas 15 vjetësh, një gjykatë krimesh luftë në Beograd mori verdiktin e saj. Nëntë pjesëtarë të njësisë, të identifikuar si “Çakenjtë” u dënuan javën e kalur, dhe morën dënime mes 2 dhe 20 vitesh burgim. Mes tyre janë dy prej burrave të identifikuar në raportin tonë (I treti vdiq në 2005 në Argjentinë).
Është shumë çliruese të shohësh drejtësinë të shkojë në vend, edhe pas 15 vjetësh. Gjithashtu, është e rëndësishme që këto dënime vijnë nga një institucion serb. Kjo do të bëjë që të kenë më shumë rezonancë në rajon dhe do të forcojë efektin e dëshiruar: parandalimin e krimeve të ardhshme.
Por nëntë paramilitarët e dënuar janë peshq të vegjël. Ata ishin ushtarë të thjeshtë në një fushatë të mirëkoordinuar nëpër Kosovë për të vrarë dhe për të shpërngulur me forcë shqiptarët etnikë . Qyshku është vetëm një prej shumë fshatrave që forcat serbe ndryshuan me dhunë.
Presidenti jugosllav i atëhershëm Sllobodan Millosheviq dhe pesë liderë kryesorë të tjerë u përballën me proceset për krime lufte të kryera në Kosovë pranë Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krime lufte në Hagë (katër prej tyre u dënuan, ndërsa Millosheviqi vdiq gjatë procesit). Por çfarë u bë me policët dhe komandantët e ushtrisë që ishin protagonistë të ngjarjes në Pejë dhe në vende të tjera? Hetuesit dhe gjykatat në Serbi dhe kudo tjetër në rajon përveç tyre duhet të fokusohen edhe në fillimin dhe në fundin e këtij zinxhiri.