Skip to main content

Gjykata Speciale e Kosovës mund të promovojë drejtësi në të gjitha anët

Published in: Balkan Insight
Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë një konference për shtyp në Prishtinë, 21 janar 2019. ©2019 Visar Kryeziu/AP Photo

Ndërsa sytë ishin drejtuar nga zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, një president në Europë dha dorëheqjen për t’u përballur me gjyqin për krime mizore të kryera më shumë se 20 vjet më parë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës akuzoi zyrtarisht presidentin Hashim Thaçi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën e Kosovës 1998-1999, së bashku me tre anëtarë të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, grupi rebel që u krijuar pas vitesh persekutimi dhe abuzimi nga qeveria serbe.

Thaçi dha dorëheqjen menjëherë dhe u dërgua në Hagë, ku janë vendosur Dhomat e Specializuara të Kosovës, dhe ku ai bëri daljen e tij të parë në gjyq të hënën.

Gjykata, e financuar nga BE-ja me një amerikan si kryeprokuror, u krijua në 2016 për të gjykuar krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas konfliktit në Kosovë, shumë prej të cilëve u dokumentuan gjithashtu në një raport të Këshillit të Europës në vitin 2010. Gjykata është zyrtarisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por është e vendosur në Holandë dhe ka staf ndërkombëtar, si dhe gjyqtarë, prokurorë dhe kryesekretar.

Kritikët e gjykatës e përshkruajnë përpjekjen si një fushatë të njëanshme, antishqiptare. Por akuzat përfshijnë vrasjen e shqiptarëve etnikë të cilët ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së. Shumë nga rreth 100 viktima shqiptare, serbe dhe rome të krimeve që po gjykohen u zhdukën pas luftës, kështu që këto krime nuk kishin lidhje me armiqësitë.

Në të vërtetë, shumë prej këtyre krimeve nuk u mbuluan nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte për ish Jugosllavinë, GJPNJ, e cila përfshiu vetëm krime të kryera deri në fund të luftës në qershor 1999, ndërsa gjykata speciale e Kosovës ka juridiksion deri më 31 dhjetor 2000.

Tre hapa janë thelbësorë tani. Së pari, gjykata, BE-ja dhe mbështetësit e tjerë duhet të vazhdojnë të sigurojnë mbrojtje të fuqishme të dëshmitarëve, mungesa kjo që ka minuar çështjet kundër ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së, përfshirë në GJPNJ.

Së dyti, prokuroria dhe gjykata duhet t’u sigurojnë këtyre dhe çdo të pandehuri të ardhshëm gjykime të drejta, me të gjitha të drejtat e një procesi të rregullt ligjor.

Së treti, Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë europiane duhet ta përdorin këtë zhvillim për të avancuar drejtësinë në Serbi për krime në Kosovë dhe në të gjithë ish-Jugosllavinë për abuzime në luftën e gjerë.

Shumica dërrmuese e krimeve të luftës në Kosovë u kryen nga forcat serbe dhe jugosllave, për të cilat askush nuk është mbajtur përgjegjës, duke përfshirë transferimin e organizuar të qindra trupave në Serbi, ku ata u hodhën në varre masive.

GJPNJ ndoqi penalisht presidentin jugosllav Slobodan Millosheviç dhe gjashtë zyrtarë të tij të lartë për krime të rënda të kryera në Kosovë, duke dënuar pesë dhe duke shpallur të pafajshëm një (Millosheviçi vdiq gjatë gjykimit).

Por gatishmëria e vetë qeverisë serbe për të vendosur drejtësi për këto krime ka qenë e dobët.

Ndjekjet penale në Serbi Serbi për krime mizorie janë shumë të ngadalta dhe kanë shmangur si zyrtarë të lartë të policisë ashtu edhe të ushtrisë. Qeveria i ka mirëpritur si heronj ata të dënuar nga gjykata e Kombeve të Bashkuara, të cilët janë lënë të lirë pasi kanë vuajtur dënimin.

Duke bashkëpunuar me gjykatën speciale, Kosova jep një shembull të lavdërueshëm të respektit për sundimin e ligjit dhe një gatishmëri për t’u përballur me të kaluarën. Ajo ndihmon gjithashtu të ushtrohet presion mbi Serbinë për t’i dhënë fund kulturës së mosndëshkimit që ka mbretëruar atje që nga fundi i luftës.

Your tax deductible gift can help stop human rights violations and save lives around the world.

Region / Country