Skip to main content
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë më 9 nëntor të vitit 2020. © 2020 JERRY LAMPEN/EPA-EFE/Shutterstock

(Hagë) – Procesi gjyqësor ndaj  ish-liderit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre të akuzuarve të tjerëve në akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, nxjerr në pah nevojën e vazhdueshme për drejtësi 24 vjet pas luftës në Kosovë, tha sot Human Rights Watch. Gjykimi, i cili zhvillohet para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, fillon më 3 prill të vitit 2023.

Thaçi, ish-president dhe ish-kryeministër i Kosovës, akuzohet së bashku me tre anëtarë të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të gjithë politikanë të lartë në Kosovë, për krime të kryera gjatë dhe menjëherë pas konfliktit të Kosovës në vitet 1998-1999, përfshirë edhe Shqipërinë veriore. UÇK-ja luftoi forcat serbe dhe jugosllave derisa një fushatë ajrore 78-ditore e NATO-s i detyroi ato forca të largoheshin nga Kosova. Thaçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit pas ngritjes së akuzave kundër tij në nëntor të vitit 2020 dhe u transferua menjëherë në Hagë.

"Ky gjykim është për katër persona të akuzuar për kryerjen e krimeve të tmerrshme gjatë dhe pas luftës, kur luftimet ishin ndalur, duke përfshirë kundër njerëzve nga grupe të ndryshme etnike", tha Hugh Williamson, drejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Watch. “Gjykimiofron një mundësi që pas kaq shumë vitesh  viktimat  të mësojnë se çfarë ndodhi, dhe nxjerr në pah pandëshkueshmërinë e përhapur që ende qëndron pezull mbi konfliktin e Kosovës, dhe më gjerësisht mbi luftërat në ish-Jugosllavi.”

Konflikti i Kosovës u shënua nga një sërë krimesh lufte, shumica dërrmuese nga forcat serbe dhe jugosllave, duke përfshirë vrasje, përdhunime, tortura, zhvendosje të detyruara dhe transferimin e organizuar të më shumë se 1,000 trupave në Serbi, ku u hodhën në varre masive. Qeveria serbe ka refuzuar vazhdimisht të zbulojë vendndodhjet e të gjitha varreve. Vetëm një numër i vogël udhëheqësish ushtarakë dhe politikë serbë janë  gjykuar për krime lufte në konfliktin e Kosovës, përfshirë ish-presidentin serb dhe jugosllav Sllobodan Millosheviç.

Dhomat e Specializuara të Kosovës burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës i vitit 2010 nga senatori zviceran Dick Marty, i cili mbuloi krime të rënda gjatë dhe menjëherë pas luftës që dyshohet se janë kryer nga disa anëtarë të UÇK-së, përfshirë Thaçin. Bashkimi Evropian krijoi një Task Forcë Speciale Hetimore për t’i shqyrtuar këto pretendime.  Në vitin 2014 erdhi në përfundim se kishte baza për aktakuza dhe BE-ja punoi për të krijuar Dhomat e Specializuara. Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka mbështetur përpjekjen dhe kryeprokurorët, deri më sot, kanë qenë shtetas amerikanë.

Gjykata unike është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, pasi Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj të ri dhe ndryshoi Kushtetutën e tij, por ndodhet në Holandë për shkak të historisë së kërcënimeve dhe dhunës ndaj dëshmitarëve në raste të tjera kundër anëtarëve të UÇK-së, duke përfshirë të paktën një vdekje. Ajo është e përbërë nga një staf ndërkombëtar, si dhe gjyqtarë, prokurorë dhe nëpunës për shkak të shqetësimeve rreth rrjedhjeve dhe kanosjes të dëshmitarëve.

Të pandehurit akuzohen për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë. Prokurori pretendon se Thaçi, Kadri Veseli, ish-shefi i shërbimit informativ të UÇK-së, Rexhep Selimi, shef i Drejtorisë Operative të UÇK-së, dhe Jakup Krasniqi, anëtar i drejtorisë politike të UÇK-së, ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale për të kontrolluar Kosovën nëpërmjet “kanosjes së paligjshme, keqtrajtimit, ushtrimit të dhunës dhe largimit të atyre që konsiderohen kundërshtarë”. Viktimat e këtyre krimeve të pretenduara përfshijnë serbë, romë dhe shqiptarë etnikë që konsideroheshin bashkëpunëtorë me forcat serbe ose kundërshtarë politikë të UÇK-së.

Katër të akuzuarit u arrestuan dhe u transferuan në Hagë më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020. Para Dhomave të Specializuara të Kosovës, të akuzuarit kanë të drejtë për një sërë garancish për gjykim të drejtë, duke përfshirë prezumimin e pafajësisë, të drejtën për avokat, të drejtën për paraqitje provash, të drejtën për t'u përballur me dëshmitarët dhe të drejtën për ankesë.

Mbrojtja e dëshmitarëve është veçanërisht e rëndësishme për këtë gjyq duke pasur parasysh sfidat me kanosjen e dëshmitarëve në rastet e tjera kundër ish-anëtarëve të UÇK-së, tha Human Rights Watch. Gjykata gjithashtu duhet të mbajë kontakte të qëndrueshme në Kosovë dhe Serbi për ta mbajtur publikun të informuar rregullisht për rastin dhe parimin e përgjegjësisë penale individuale.

Përveç Thaçit dhe tre të akuzuarve të tjerë, gjykata ka raste edhe ndaj dy ish-anëtarëve të UÇK-së, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala, si dhe dy anëtarëve të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët janë gjykuar dhe dënuar për rrjedhjen e emrave të dëshmitarëve në raste të tjera. Mustafa u shpall fajtor në dhjetor 2022 për krime lufte kundër të burgosurve shqiptarë të Kosovës dhe u dënua me 26 vjet burg; çështja e tij është në ankim. Gjyqi i Shalës filloi në shkurt.

Më shumë se 1,600 persona mbeten ende të zhdukur nga konflikti i Kosovës, sipas Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Më shumë se 400 nga këto raste kanë të bëjnë me zhdukjet pas përfundimit të luftës në qershor 1999 dhe pasi forcat e NATO-s kishin hyrë në Kosovë, rreth 100 prej tyre shqiptarë etnikë dhe të tjerët kryesisht romë dhe serbë. OKB-ja dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjithashtu ngritën misione të mëdha në Kosovë gjatë kësaj kohe, me OKB-në që administroi Kosovën për disa vite.

Më 18 mars të vitit 2023, Kosova dhe Serbia ranë dakord të zbatojnë një marrëveshje të mbështetur nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, e cila përfshin një zotim për të punuar së bashku për fatin e personave të zhdukur.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) nuk mbuloi shumë nga krimet që po dëgjohen tani para Dhomave të Specializuara të Kosovës, sepse ato ndodhën pas përfundimit të armiqësive më 12 qershor 1999. Gjykata Penale Ndërkombëtare nuk ekzistonte ende kur pretendohet se kanë ndodhur krimet.

GJPNJ-ja ndoqi penalisht Sllobodan Millosheviçin dhe gjashtë zyrtarë të lartë të tij për krime të rënda të kryera në Kosovë, duke dënuar pesë dhe liruar njërin  nga akuzat. Millosheviçi vdiq gjatë gjykimittë tij përpara se të jepej  vendimi.

GJPNJ-ja gjykoi gjithashtu gjashtë shqiptarë etnikë për krime lufte në Kosovë, me dy të dënuar dhe katër të liruar nga akuzat.

Qeveria serbe i ka pritur si heronj tre serbët e dënuar nga GJPNJ-ja për krime lufte në Kosovë, të cilët u liruan pas vuajtjes së dy të tretave të dënimeve të tyre. Një tjetër nga të dënuarit, ish-shefi i policisë serbe Vlastimir Djordjeviç, po vuan  dënimin me 18 vjet burg në Gjermani pasi u dënua, mes krimeve të tjera, për drejtimin e "operacionit sekret, transportit dhe rivarrimit të trupave". Kërkesat e tij për lirim të parakohshëm janë refuzuar.

Në Serbi, një gjykatë për krime lufte ka gjykuar 60 persona për krime në Kosovë, duke dënuar 23 prej tyre. Por qeveria serbe nuk ka treguar vullnet politik për të ndjekur penalisht askënd mbi forcat e nivelit të ulët, dhe disa nga këto raste janë zvarritur me vite.

“Gjykimi i Thaçit mund të ndihmojë në vendosjen e Kosovës në një rrugë më të qartë drejt drejtësisë dhe sundimit të ligjit pas një historie shtypjeje”, tha Williamson. “Dhe e vë në qendër të vëmendjes qeverinë serbe që të mbajë forcat e veta para përgjegjësisë pas vitesh mbrojtjeje të atyre që janë përgjegjës për krime të rënda.”

 

Your tax deductible gift can help stop human rights violations and save lives around the world.