Skip to main content

Serbia: 9 të arrestuar për krimet e luftës në Kosovë

Hap drejt drejtësisë për 41 shqiptarë etnikë të vrarë në vitin 1999

(Nju Jork, 16 mars, 2010) - Arrestimi i nëntë meshkujve në Serbi të dyshuar për vrasjen e 41 shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999 është hap i mirëseardhur për arritjen e drejtësisë ndaj viktimave, deklaroi sot Human Rights Watch. Nuk është identifikuar kush janë këta nëntë meshkuj.  

Më 13 mars 2010,  prokurori i Serbisë për Krimet e Luftës ka deklaruar se policia i ka arrestuar nëntë meshkuj të cilët janë të përfshirë në vrasjen e shqiptarëve etnikë në fshatin Qyshk më 14 maj të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë. Gjithsej 26 meshkuj janë nën hetime për vrasje dhe plaçkitje, ka deklaruar prokurori.

"Pas 11 vjetësh autoritetet serbe kanë ndërmarrë hap pozitiv për arritjen e drejtësisë për këtë krim të tmerrshëm," ka thënë Holly Cartner, Drejtori për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Watch. "Tani është me rëndësi të vazhdohen hetimet ashtu që të dyshuarit të përgjigjen në një gjykim të paanshëm."

Human Rights Watch e ka publikuar raportin e plotë për rastin Qyshk në tetor të vitit 1999 dhe vazhdimisht i ka ftuar shkelësit të paraqiten para bankës së drejtësisë. Raporti "Fshati i shkatërruar" gjithashtu e dokumenton vrasjen e 19 shqiptarëve të Kosovës në fshatin e afërt Zahaq dhe 10 personave në fshatin Pavlan në të njëjtën ditë.

Hetimi i bërë nga Human Rights Watch ka zbuluar se në Qyshk forcat serbe të sigurisë kanë shkuar në fshat rreth orës 7:30 paradite më 14 maj të vitit 1999, i kanë ndarë femrat dhe fëmijët nga meshkujt, sistematikisht e kanë plaçkitur pronën private dhe i kanë shkatërruar dokumentet e identifikimit. Këto forca pastaj i kanë marrë tri grupe me rreth dhjetë meshkuj në tri shtëpi të ndryshme dhe kanë shtuar armë zjarri me armë automatike. Në njërën nga shtëpitë, personi me armë ka vazhduar të hedhë me pistoletë në meshkujt që gjendeshin te shtrirë në tokë. Secilës shtëpie pastaj i është vënë zjarri dhe shtëpitë janë lënë të digjen. Në secilën prej këtyre tri shtëpive ka mbijetuar një mashkull. Në të tri këto shtëpi ka mbijetuar vetëm një mashkull.  

Dëshmitarët e sulmit i kanë identifikuar në fotografi dy anëtarë të forcave serbe të sigurisë dhe kanë pohuar se ata gjendeshin në Qyshk më 14 maj - Zvonimir Cvetkoviq dhe Sreçko Popoviq - dhe personi i tretë i cili gjendej në Zahaq, Slavisha Kastratoviq.  Për asnjërin nga këta meshkuj nuk dihet nëse ata kanë hapur zjarr kundër shqiptarëve etnikë.  

Dëshmitarët gjithashtu e kanë identifikuar në fotografi Nebojsha Miniqin i cili është i përfshirë në vrasjen e shtatë shqiptarëve etnikë në Pejë më 12 qershor të vitit 1999. Miniqi vdiq në Argjentinë në vitin 2005.

Sipas prokurorit serb të krimeve të luftës nëntë meshkujt e arrestuar ishin anëtarë të grupit paramilitar i quajtur Shakalët,  si edhe rezervistë policorë dhe anëtarët e mbrojtjes territoriale. Të gjithë ata dyshohen se janë të përfshirë në "fushatën e terrorit e cila ka përfshirë sulmet me armë zjarri dhe veprime të dhunshme individuale kundër civilëve, si edhe kërcënime me dhunë, vrasje dhe shkatërrim të pronës civile."  Këto krime kishin për qëllim "të shkaktojnë terror te banorët për të krijuar gjendjen që ata të ikin nga shtëpitë e tyre dhe të shpërngulën në Republikën e Shqipërisë."  Prokurori nuk i ka deklaruar emrat e personave të arrestuar ose të personave që janë nën hetime.

Sipas raporteve të mediave, këta nëntë persona do të mbahen në paraburgim deri në 30 ditë. Dy persona të dyshuar janë në liri në Serbi dhe 15 persona tjerë gjenden jashtë Serbisë.


Serbia e ka themeluar Kolegjin e saj për Krimet e Luftës në vitin 2003 për t'i hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e luftës të bëra në ish-Jugosllavi që nga viti 1991. Kolegji ka arritur përparim të dukshëm drejt përgjegjësisë për abuzimet gjatë luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje përkundër financimit të kufizuar, përkrahjes politike joadekuate dhe vetëdijes së vogël publike për punën e saj. Në qershor të vitit 2009 Kolegji i ka dënuar katër anëtarë të njësisë paramilitare "Shkorpionët" me dënim burgu midis 15 dhe 20 vjetësh për krimet e luftës kundër civilëve shqiptarë të kryer në vitin 1999.

Bashkëpunimi i Serbisë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) mbetet i ndërlikuar. Krahas bashkëpunimit të përmirësuar Beogradit ende i ka mbetur të arrestojë të dyshuarin më të madh të gjykatës, gjeneralin serb nga Bosnja Ratko Mladiqin i akuzuar për gjenocid në Srebrenicë ose të dyshuarin e akuzuar gjithashtu nga Bosnja Goran Haxhiqin. Sipas prokurorit të Gjykatës për të dytë besohet se gjenden në Serbi dhe se janë nën jurisprudencën e autoriteteve të Serbisë.

Your tax deductible gift can help stop human rights violations and save lives around the world.