Skip to main content

(Bruksel) – Gazetarët në Ballkanin Perëndimor janë të detyruar të punojnë në një mjedis armiqësor, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në aftësinë e tyre për të zhvilluar një gazetari kritikuese dhe të pavarur, pjesë thelbësore kjo e një shoqërie demokratike, tha Human Rights Watch në një raport të lëshuar sot. Autoritetet në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Malin e Zi dhe Serbi duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të krijuar një mjedis të sigurtë për veprimtarinë e mediave dhe t’i japin fund mosdënimit të krimeve kundër gazetarëve.

Raporti prej 69-faqesh “Një Profesion i Vështirë: Liria e Medias Nën Sulm”, dokumenton sulme fizike dhe kërcënime, duke përfshirë edhe kërcënime për vdekje, ndërshkime në formën e paditjeve në gjykatë dhe fushata përgojuese kundër gazetarëve në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Malin e Zi  dhe Serbi. Raporti bazohet në intervista me 86 gazetarë, të cilët raportojnë mbi çështje delikate si krimet e luftës dhe korrupsioni, nga të katër vendet e Ballkanit Perëndimor. Human Rights Watch dokumentoi edhe disa raste sulmesh nëpërmjet Internetit kundër mediave online që kanë mbajtur pozicione kritike ndaj qeverive. Asnjë nga vendet nuk janë duke i hetuar apo kaluar në proçes penal sulmet kundër gazetarëve në fjalë, përcaktoi Human Rights Watch.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë  reklamuar me zhurmë progresin e tyre drejt demokracisë këto dy  dekada, por kërcënimet dhe sulmet mbi gazetarët e njollosin këtë demokraci” tha Lydia Gall, studiuese për Ballkanin dhe Europën Lindore pranë Human Rights Watch. “Bashkimi Europian duhet të nxitë vendet e Ballkanit Perëndimor t’i thonë ndal kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe të ndjekin penalisht krimet kundër tyre, si pjesë e procesit të negociatave për anëtarësim në BE.”

Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë reklamuar me zhurmë progresin e tyre drejt demokracisë këto dy dekada, por kërcënimet dhe sulmet mbi gazetarët e njollosin këtë demokraci
Lydia Gall

studiuese për Ballkanin dhe Europën Lindore

Autoritetet në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë detyrimin të mbrojnë gazetarët dhe të krijojnë një ambient  të sigurtë, ku ata të mund të raportojnë të lirë dhe pa ndërhyrjen e qeverisë, tha Human Rights Watch. Kjo është veçanërisht thelbësore, në një rajon të brishtë si kjo pjesë e Ballkanit, me historinë e tij të luftrave të dhunshme kohëve të fundit, ku autoritetet përdorën mediat si mjete propagandistike. Edhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar, atmosfera për mediat në shumë vende të Ballkanit    Perëndimor ende karakterizohet nga rreziku dhe armiqësia, më shumë se sa nga përmirësimi si pjesë e zhvillimit demokratik të rajonit, tha Human Rights Watch.

Shtefica Galliq, kryeredaktore e një agjencie lajmesh online në jug të Bosnjë Hercegovinës, u sulmua dhunshëm në rrugë në 2012 ndërsa po përgatitej të shfaqte një dokumentar mbi burrin e saj të ndjerë, bashkë me të cilin kishte shpëtuar muslimanë boshnjakë nga deportimi nëpër kampet e përqëndrimit gjatë luftës. Para sulmit, Galliq kishte marrë kërcënime vdekjeje. Por policia i ishte përgjigjur të mos i merrte ato seriozisht.

Autoritetet e hetuan sulmin, vetëm pas ndërhyrjes së organizatave ndërkombëtare. Një grua e punësuar në qeverisjen lokale u dënua si pasojë në tetor 2013, dhe iu dha një sentencë pezullimi tre mujor. Rasti është në fazën e apelit. Galliq vazhdon të marrë kërcënime të shpeshta.

Human Rights Watch dokumentoi një model të vepruari, në Bosnjë Hercegovinë, Malin e Zi dhe Serbi, të zyrtarëve të lartë, duke përfshirë edhe kryeministrin Millo Djukanovq, dhe presidentin Millorad Dodik të Republika Srpska në Bosnjë Hercegovinë, të paditurit të gazetarëve dhe mediave për përgojim në gjykatën civile. Këto masa duken një përpjekje për të ndëshkuar mediat kritikuese financiarisht dhe për të mbajtur gazetarët në gjykatë, duke mos i lënë të dalin jashtë për të zhvilluar punën e tyre, tha Human Rights Watch.

Gazetarët që kanë raportuar mbi çështje delikate kanë pësuar fushata përgojimi nga ana e mediave pro-qeveritare. Një gazetë e përditshme pro-qeveritare akuzoi një gazetare nga Kosova si spiune serbe dhe tha se ajo “ia kishte shkurtuar vetes” pasi kishte raportuar mbi mbajtur apo jo premtimet elektorale nga ana e qeverisë lokale. 

Gratë gazetarë kanë qenë në shënjestra e artikujve ofendues, që përdorin një gjuhë të theksuar seksuale. Një gazetë pro-qeveritare në Malin e Zi cilësoi një gazetare si “prostitutë”. Human Rights Watch dokumentoi raste ku një TV talk show aktualiteti në Serbi, nuk pati zgjedhje tjetër veç daljes nga transmetimi pas atyre që gazetarët  i cilësuan si presion nga ana e elitës politike. Në Serbi, Bosnjë Hercegovinë, ndërhyrja politike përfshin gjithashtu edhe inspektime financiare dhe administrative arbitrare ndaj mediave që raportojnë në mënyrë kritike.

Katër vendet e Ballkanit perëndimor janë në faza të ndryshme negocimi për anëtarësim. Për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, këto vende duhet të përmbushin disa kritere anëtarësimi, ndër të cilat përfshihet edhe respektimi i lirisë së shprehjes.

“Nëse Bashkimi Europian i merr seriozisht kriteret e veta të anëtarësimit, duhet ta kthejë në prioritet respektimin e lirisë së mediave gjatë negocimeve me Bosnjë Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë” tha Gall. “Nëse këto vende kanë dëshirë t’i bashkohen BE-së, gazetarët e tyre nuk duhet të jenë duke rrezikuar jetën dhe reputacionin për të kryer punën e tyre”.

Your tax deductible gift can help stop human rights violations and save lives around the world.