(New York, më 26 janar, 2011) - Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha nuk duhet të ndërhyjë në ndjekjen penale rreth të shtënave vdekjeprurëse me armë zjarri të tre protestuesve anti - qeveritarë më 21 janar 2011, u shpreh sot organizata për të drejtat e njeriut "Human Rights Watch."
Tre protestuesit u vranë gjatë demonstratave të dhunshme, në kryeqytetin e Tiranës, të organizuara nga Partia opozitare Socialiste për të protestuar ndaj supozimeve për korrupsion dhe mashtrimit elektoral.
Në lidhje me të shtënat vdekjeprurëse me armë zjarri prokurorja e përgjithshme e Shqipërisë Ina Rama urdhëroi arrestimin e gjashtë oficerëve të Gardës së Republikës, e cila mbron zyrtarët qeveritar dhe institucionet. Berisha reagoi duke akuzuar Ina Ramën si mbështetëse të grushtit të shtetit dhe duke thënë se arrestimet "nuk do të zbatohen në mënyrë absolute."
"Komentet dhe kritikat e kryeministrit ndaj prokurores së përgjithshme cënojnë hetimin e pavarur rreth vdekjes së protestuesve," u shpreh Benjamin Ward, zevendës - drejtori i "Human Rights Watch" për Europën dhe Azinë Qendrore. "Të gjitha forcat politike duhet të lejojnë prokuroren që të kryejë një hetim të saktë mbi sjelljen e protestuesve dhe forcave të sigurisë."
Gjithashtu partitë opozitare politike të Shqipërisë duhet të jenë të kujdesshme për të mos nxitur dhunën, theksoi "Human Rights Watch." Përpara protestës disa nga udhëheqësit e opozitës kishin bërë deklarata të forta kundër qeverisë dhe Kryeministrit Berisha.
Në protestën e 21 janarit protestuesit anti - qeveritarë u ndeshën me policinë. Lajmet e mediave dhe sekuencat filmike të demonstratës tregojnë se protestuesit qëlluan mbi policinë me shkopinj dhe gurë, ndërkohë që policia iu përgjigj me gaz lotsjellës, plumba gome, topa uji dhe me armë zjarri. Lajmet e mediave bëjnë me dije se janë plagosur nga 60 deri në 150 policë, gardianë dhe protesues. Policia ka kryer më tepër se 100 arrestime.
Më 24 janar Kryeministri Berisha u takua publikisht me anëtarët e Gardës së Republikës dhe mbrojti sjelljen e tyre gjatë demonstratave. Ai i cilësoi urdhër - arrestet kundër gjashtë oficerëve një mesazh që ata që mbrojnë Këshillin e Ministrave do të arrestohen.
Deri më 25 janar policia nuk e kishte zbatuar urdhërin e prokurores së përgjithshme për të arrestuar gjashtë anëtarët e Gardës së Republikës, përfshirë këtu komandantin e saj dhe dy oficerë të tjerë të lartë. Sipas ligjit mbi të drejtat e njeriut, zyrtarët për zbatimin e ligjit mund të ushtrojnë forcë kundër demostruesve që përdorin dhunë. Por ato mund të përdorin forcën dhe armët e zjarrit vetëm në qoftë se mjetet e tjera nuk mund të jenë efektive ose nuk premtojnë arritjen e rezultateve të pritshme. Gjatë ushtrimit të forcës zyrtarët për zbatimin e ligjit duhet të tregohen të përmbajtur dhe të veprojnë në raport me seriozitetin e sulmit. Veçanërisht kur pasojat nga përdorimi i armëve të zjarrit nga ana e zyrtarëve për zbatimin e ligjit janë vdekjeprurëse, ligji për të drejtat e njeriut kërkon që hetimi mbi vdekjet të jetë i shpejtë, i paanshëm dhe efektiv, me qëllim që të vlerësohet nëse vrasjet ishin në përputhje me ligjin.
Duke filluar që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 shqipëria është përballur me një tension të vazhdueshëm politik, ndërkohë që Partia Socialiste e opozitës ka akuzuar Berishën dhe Partinë e tij Demokratike për përvetësim të votave. Që nga ai moment, opozita ka kritikuar qeverinë për dështimin në luftën kundër korrupsionit epidemik.
Më 14 janar, Zevendës - Kryeministri Ilir Meta dha dorëheqjen mbas publikimit të videos në një stacion televiziv lokal, ku mesa duket ai shfaqet në tentativë për të influencuar një tender qeveritar.
Partia Socialiste ka bërë thirrje për një demonstratë tjetër më datë 28 janar. Qeveria bëri me dije se të shtunën do të ketë një "miting kundër dhunës."
Bashkimi Europian, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe qeveria e SHBA - së e kanë dënuar dhunën e protestuesve dhe të forcave të qeverisë dhe kanë bërë thirrje për "dialog konstruktiv dhe kompromis për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike ekzistuese." OSBE - ja ka shtuar se hetimi mbi ngjarjet e dhunshme duhet të vazhdojë "pa asnjë lloj ndërhyrjeje."
Në një deklaratë më 25 janar, ambasadori i SHBA - së në Shqipëri deklaroi se "Shtetet e Bashkuara mbështesin tërësisht dhe në mënyrë tepër të plotë Zyrën e Prokurores."
"Qeveria, partia në pushtet dhe opozita duhet të punojnë të gjithë sëbashku drejt zgjidhjes paqësore të konflikteve politike si edhe të shmangin veprimet që rrezikojnë të nxisin më tepër dhunë" theksoi Ward.