(Bruksel, më 19 Janar 2011) - Misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit në Kosovë duhet të emërojë një prokuror të pavarur të nivelit të lartë për të hetuar rreth krimeve të hamendësuara nga ana e ish- udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shpreh sot organizata për të drejtat e njeriut "Human Rights Watch". Për hetime të besueshme është gjithashtu e nevojshme që në mbrojtjen dhe shpërnguljen e dëshmitarëve të ketë një programim më të mirë, theksoi "Human Rights Watch".
Pohime të paprovuara për rrëmbime, grabitje, zhdukje, ekzekutime, trafik organesh si edhe krime të tjera serioze të koordinuara nga politikanët që drejtojnë Kosovën, u prezantuan në një raport për Këshillin e Europës të pregatitur nga senatori zviceran Dick Marty në dhjetor të vitit 2010.
"Misioni i BE- së në Kosovë do të përballet me pengesa të mëdha në drejtimin e hetimeve të besueshme mbi këto pohime serioze," u shpreh Lotte Leicht, drejtoresha e "Human Rights Watch" për Bashkimin Europian. "Është e një rëndësie të veçantë që të ketë një prokuror të pavarur dhe me përvojë, një program efikas për mbrojtjen e dëshmitarëve - përfshirë këtu edhe aftësinë për të shpërngulur dëshmitarët jashtë Ballkanit - si edhe sigurinë e nevojshme për hetime kaq delikate."
Asambleja e Këshillit të Europës do ta marrë raportin e Marty't nën shqyrtim më datë 25 janar 2011.
Qeveritë e Kosovës, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara e kanë mirëpritur hetimin e Misionit të BE- së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, për pohimet e paprovuara që përmban raporti i Marty't. Policia ndërkombëtare, prokurorët dhe gjykatësit të cilët përbëjne EULEX - in bashkëpunojnë me interlokutorët vendas në përforcimin dhe zhvillimin e mekanizmave vendor në fushën e drejtësisë dhe përgjegjshmërisë.
Qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe BE - së duhet të kërkojnë emërimin e një prokurori special të pavarur dhe një skuadre investigative, u shpreh "Human Rights Watch", dhe ti japin kësaj njësie mbështetjen e nevojshme në nivel të lartë politik për të garantuar që puna e tyre të jetë e sukseshme.
Një hetim i besueshëm nga ana e EULEX - it, i drejtuar nga një prokuror special i pavarur, duhet të përmbushë shtatë kritere, theksoi "Human Rights Watch":
•1. Hetimi duhet të drejtohet nga një prokuror special i nivelit të lartë, i cili duhet të jetë i pavarur dhe të ketë eksperiencë në hetimin e çështjeve komplekse. Ai gjithashtu duhet të ketë autoritet për ta caktuar vetë skuadrën e tij/e saj investigative.
•2. Selitë qëndrore investigative duhet të ndodhen jashtë Kosovës apo Shqipërisë për të garantuar ruajtjen e provave dhe për të mbrojtur stafin nga kërcënime të mundshme.
•3. Duhet të ketë të drejtën për të marrë pjesë në një program funksional për mbrojtjen e dëshmitarëve, me angazhimin e BE- së, SHBA- së dhe qeverive të tjera për të pranuar dëshmitarët dhe anëtarët e familjes, për sigurinë e të cilëve është e domosdoshme zhvendosja e tyre.
•4. Duhet të ketë të instaluara sisteme të sigurta për ruajtjen dhe mbrojtjen e integritetit të provave, si edhe sisteme të teknologjisë së informacionit, hyrja në të cilin të jetë e kufizuar vetëm për personelin e njësisë speciale investigative.
•5. Duhet të ketë përkthyes plotësisht të kualifikuar për të gjitha gjuhët vendase.
•6. Duhet të ketë një buxhet të garantuar për ndjekjen e hetimeve të shumëllojshme dhe komplekse.
•7. Hetimi ka nevojë për bashkëpunimin e plotë të autoriteteve përkatëse - në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi, ndër të tjera - të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe EULEX -in; Misionin e Administratës së Përkohshme të OKB -së në Kosovë, UNMIK; si edhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY).
Gjithashtu SHBA - ja dhe BE - ja duhet ti ushtrojnë presion qeverive të Kosovës, Shqipërisë Serbisë dhe vendeve të tjera të bashkëpunojnë plotësisht me hetimet, u shpreh "Human Rights Watch." Kjo përfshin pranimin e kërkesave për prova apo dëshmi të zyrtarëve si edhe kryerjen e arrestimeve.
Raporti i Këshillit të Europës, i miratuar me unanimitet nga Komisioni i Asamblesë Parlamentare për të drejtat e njeriut më 16 dhjetor 2010, pohon që një grup ish - anëtarësh të UÇK - së, përfshirë këtu edhe Kryeministrin në ikje të Kosovës Hashim Thaci, janë përgjegjës për rrëmbimin, rrahjet, ekzekutimet masive dhe në disa raste heqjen me dhunë të organeve njerëzore në territorin e Shqipërisë mbas përfundimit të luftës së Kosovës më 12 qershor 1999. Ky raport i përshkruan viktimat si kryesisht Serbë dhe Romë të Kosovës por gjithashtu shqiptarë etnik të dyshuar për bashkëpunim me qeverinë serbe përpara luftës dhe gjatë saj, ose anëtarë të grupeve rivale të armatosura.
Raporti gjithashtu hedh dritë mbi gjendjen e vështirë të rreth 1,900 personave të cilët mbeten të zhdukur si pasojë e luftës ne Kosovë, dy - të tretat e të cilëvë me prejardhje etnike shqiptare.
"Ndërkohë që mbështesin hetimet e plota të EULEX - it mbi krimet e supozuara të UÇK - së, qeveritë e SHBA - së dhe ato Europiane duhet ti ushtrojnë presion Serbisë të rrëfehet plotësisht mbi fatin e të zhdukurve, përfshirë këtu edhe trupat që janë zhvendosur, shkatërruar, apo rivarrosur në Serbi," u shpreh Leicht.