(Bruksel) – Parlamenti i Kosovës mund të aprovojë krijimin e një gjykate speciale, të vendosur jashtë shtetit, për krimet e luftës dhe krime të tjera të rënda të kryera pas luftës së Kosovës gjatë viteve 1998-1999, tha sot Human Rights Watch.. Gjithashtu, parlamenti mund të aprovojë zgjatjen e mandatit të misionit EULEX dhe t’i lejojë të vazhdojë hetimindhe ndjekjen e krimeve të rënda dhe atyre me sfond politik në Kosovë.
BE është duke u përpjekur të zgjasë mandatin e EULEX dhe të përcaktojë një gjykatë të specializuar brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por me një dhomë të veçantë të vendosur në një nga vendet anëtare të BE-së. Parlamenti i Kosovës planifikon të rishikojë propozimin përpara se të shpërndahet para zgjedhjeve që priten të mbahen në maj 2014.
“Propozimi për të krijuar një gjykatë të veçantë dhe për të zgjatur misionin e EULEX-it në Kosovë është një mundësi për Kosovën për të përmirësuar përgjegjësinë individuale para ligjit dhe drejtësinë për krime shumë të rënda” tha Lotte Leicht, drejtoreshë e BE pranë Human Rights Watch. “Parlamenti duhet ta aprovojë, për të treguar se e merr seriozisht shtetin e së drejtës dhe angazhohet të gjyqësojë abuzimet e rënda”.
Sipas propozimit përpara parlamentit, gjykata e specializuar do të ketë një seli në Kosovë, por proceset do të zhvillohen në një dhomë të veçantë jashtë shtetit. Dhomat e veçanta gjyqësore do të mbajnë dosje dhe arkiva të rëndësishëme dhe në to do të punojë një staf ndërkombëtar. EULEX do të përcaktojë gjykatësit dhe prokurorët. Nëse parlamenti aprovon gjykatën, do t’i duhet gjithashtu të adoptojë ligje të reja, sikurse edhe të amendojë kushtetutën për të lejuar krijimin dhe funksionimin e dhomave gjyqësore speciale.
Sipas propozimit, gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë në misionin e zgjeruar të EULEX-it, do t'u bashkangjiten institucioneve të Kosovës. Gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it nuk do të marrin përsipër çështje te reja, me disa përjashtime. Kur gjykatësit e EULEX-it të jenë në seanca të përzjera, gjykatësit e Kosovës duhet të jenë në shumicë, gjithashtu me disa ndryshime. Përjashtimet nuk janë përpunuar në propozim, por duhet të përfshijnë gjithë rastet që kanë të bëjnë me krime lufte, terrorizëm, krimin e organizuar, korrupsion e lartë, tha Human Rights Watch.
Me gjithë përparimin e shënuar sistemi gjyqësor në Kosovë mbetet i dobët, dhe me siguri të papërshtatshme për gjykatësit, stafin e gjykatës, prokurorët dhe paditësit. Mungesa e masave të duhura për të mbrojtur dëshmitarët është veçanërisht shqetësuese dhe e bën të domosdoshme nevojën për një bosht të dhomave më bazë në BE.
Paaftësia e sistemit gjyqësor të Kosovës në mbrojtjen e dëshmitarëve në raste delikatedhe me përfshirje ndërkombëtare, bëri që BE të krijojë në 2011 një task forcë të veçantë hetuese për të drejtuar një hetim kriminal mbi krimet e supozuara të identifikuara në një raport të Këshillit të Europës në 2010 të përgatitur nga senatori zviceran Dick Marty.
Çështjet e mëparshme të krimeve të luftës në Kosovë, dhe në Tribunalin Kriminal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë (ICTY), janë dëmtuar nga kërcënimet e madje edhe vdekjet e dëshmitarëve.
Për të mbrojtur dëshmitarët dhe informacionin, task forca bazoi operacionet e saj në Bruksel dhe punësoi vetëm staf ndërkombëtar.
Raporti i Martyt akuzoi disa anëtarë të UÇK-së, grupi rebel etnik shqiptar gjatë kohës së luftës, për pengmarrje, rrahje, ekzekutime në grup, dhe në disa raste heqje organesh njerëzore në territorin e Shqipërisë. Viktimat, sipas raportit të Martyt ishin kryesisht serbë dhe romë nga Kosova, por përfshinin edhe shqiptarë etnikë të dyshuar për bashkëpunim me qeverinë serbe përpara dhe gjatë luftës, ose anëtarë të grupeve të armatosura rivale. Pas luftës, disa liderë të grupit rebel hynë në politikë dhe tani mbajnë poste të larta politike.
Gjykata e veçantë e propozuar do të gjykojë hetimet e krimeve të dala prej punës së task forces speciale. Task forca thotë se hetimi i saj është duke iu afruar fundit, por nuk ka lajmëruar nëse do të lëshojë dënime. Dënimet varen pjesërisht nga krijimi i një gjykate që operon jashtë Kosovës, por nën juridiksionin e Kosovës, ku dëshmitarët do të ndihen të sigurt të dëshmojnë. Disa prej politikanëve më të rëndësishëm mund të jenë mes të paditurve.
Përveç BE, SHBA ka shprehur mbështetjen e saj për krijimin e gjykatës speciale me seli jashtë shtetit, duke thënë se kjo do të ndihmojë Kosovën të ndërtojë “kredibilitetin e saj ndërkombëtar”. SHBA ndihmoi në themelimin e task-forcës hetuese speciale dhe dërgoi një ish zyrtar të lartë për të punuar si prokuror në të. Diplomatët amerikanë dhe nga BE thanë se nëse parlamenti i Kosovës e refuzon gjykatën speciale, Këshilli i Sigurisë pranë OKB do të marrë përsipër çështjen.
“Krijimi i kësaj gjykate speciale jashtë Kosovës është diçka kritike për integritetin dhe kredibilitetin e procesit” tha Leicht. “Duke pasur parasysh rastet e regjistruara të kërcënimeve dhe vdekjeve të dëshmitarëve, ka gjasa që gjithkush që ka informacione të ndihet i pasigurt të dëshmojë në Kosovë”.
Human Rights Watch dokumentoi krime lufte të vazhdueshme nga ana e forcave serbe dhe jugosllave gjatë luftës së 1998-1999, duke përfshirë shpërngulje, përdhunime, dhe vrasje. Ndërsa disa raste i janë kaluar ICTY-t ose gjykatës serbe për krime lufte, duhet bërë më shumë për të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit për krimet më të rënda të periudhës së luftës, tha Human Rights Watch.
Që me krijimin e EULEX-it në 2008, prokurorët e tij ndërkombëtarë dhe gjykatësit kanë luajtur një rol kyç në paditjen, hetimin dhe gjykimin mbi rastet që përfshijnë zyrtarët publikë, krimet e luftës dhe korrupsionit në Kosovë. Por pasi mandati i misionit do të skadojë në qershor, zyrtarët e qeverisë së Kosovës dhe të BE-së debatuan se misioni duhet të reduktojë veprimtarinë e tij, duke iu larguar përgjegjësisë së drejtëpërdrejtë për hetimet dhe proceset dhe duke marrë një rol më tepër me funksion konsultues.
Në janar, 17 gjykatës ndërkombëtarë nga misioni i EULEX thanë sidoqoftë, se juristët ndërkombëtarë mund të merren me krimet e luftës, krimin e organizuar, dhe rastet e korrupsionit në Kosovë. “Ne besojmë se nuk kemi arritur ende fazën ku çështjet më komplekse dhe shumë delikate si krimet e luftës, korrupsioni i rëndë, dhe krimi i organizuar mund t’i kalohen plotësisht gjyqësorit lokal” i shkruajnë grupi i gjykatësve kreut të Divizioni ekzekutiv të EULEX-it.
Human Rights Watch gjithashtu beson se rastet që përfshijnë krimet e luftës, krimin e organizuar, dhe korrupsionin e lartë, duhet të bëjnë pjesë në përjashtimet “jo raste të reja” dhe panelet me shumicë gjyqtarësh kosovarë në propozimet përpara parlamentit. Prokurorët e EULEX-it duhet të vazhdojnë të hetojnë këto raste përpara paneleve në të cilat gjykatësit e EULEX-it përbëjnë shumicën.
Si pjesë e marrëveshjes për mandatin e ardhshëm të EULEX-it në Kosovë, qeveria dhe BE duhet të ketë prioritet imediat rritjen e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe sigurinë në sistemin gjyqësor si pjesë e forcimit të përgjithshëm të shtetit të së drejtës në Kosovë, tha Human Rights Watch.
“Kosova ka bërë një rrugë të gjatë 15 vjet pas luftës” tha Leicht. “Por kur gjykatësit ndërkombëtarë thonë se sistemi gjyqësor nuk është gati të marrë përsipër çështje delikate, kuvendi i Kosovës duhet të dëgjojë dhe të veprojë në emër të popullit të Kosovës për të përparuar mbrojtjen dhe drejtësinë”.