Skip to main content

Kosovë: Europa po Kthen Romët për tu Përballur me Mjerimin

Europa Perëndimore Duhet të Ndalojë Dëbimet dhe ti Ndihmojë Romët e Detyruar të Kthehen në Kosovë

(Prishtinë, më 28 tetor 2010) - Romët dhe grupet e tjera që i përkasin minoriteteve të dëbuar nga Europa Perëndimore për në Kosovë, po përballen me diskriminim dhe mohim të theksuar që rezulton në shkeljen e të drejtave të njeriut, u shpreh organizata për të drejtat e njeriut "Human Rights Watch" në një raport të publikuar ditën e sotme.

Raporti me  77-faqe, "Zhvendosja e të Drejtave: Rikthimet e Detyruara të Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve nga Europa Perëndimore drejt Kosovës, " dokumenton problemet serioze të lidhura me të drejtat e njeriut me të cilat përballen personat të cilët u larguan nga Kosova drejt Europës Perëndimore por më vonë u dëbuan në Kosovë. Ato përballen me probleme në paisjen me dokumenta identifikimi, si edhe në rimarrjen në zotërim të ndonjë prone që ato zotërojnë. Ato gjithashtu kanë vështirësi në gjetjen e strehimit, në shërbimin shëndetësor në punësim dhe në shërbimet e mirëqënjes sociale. Shmw prej tyre pwrfundojnw në vende të ndarë nga anëtarët e familjes. Dëbimet janë veçanërisht të vështira për fëmijët, ku vetëm një pjesë e vogël e të cilëve e vazhdojnë shkollën, për shkak të mungesës së aftësive gjuhësore, ndryshimet në programet mësimore dhe varfërisë.

"Europa po i kthen njerëzit më të cënueshëm të Kosovës sërish drejt diskriminimit, përjashtimit, varfërisë dhe zhvendosjes, " u shpreh Wanda Troszczynska-van Genderen, hulumtuese mbi Ballkanin Perëndimor pranë "Human Rights Watch". "Nëse udhëheqësit e BE - së duan seriozisht që të përmirësohet gjëndja e vështirë e Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve, ato duhet të ndalojnë dëbimet për në Kosovë dhe të garantojnë mbështetje të përshtatshme për personat të cilët tashmë janë dëbuar drejt Kosovës. "

Rreth 50,000 Romë, shumica e të cilëve serbisht - folës, si edhe dy minoritete shqip -folëse - Ashkalinjtë dhe Egjiptianët, të cilët pretendojnë se e kanë origjinën nga Egjipti i lashtë - janë dëbuar për në Kosovë që nga viti 1999. Këto shifra duket sikur po shtohen, ku vetëm nga Gjermania po përballen me dëbime rreth 12,000 persona. Mungesa e ndihmës për personat e dëbuar nga ana e donatorëve ndërkombëtarë si edhe e qeverisë së Kosovës, nënkupton që barra për ti ndihmuar ato në momentin që arrijnë në Kosovë, bie mbi shpatullat e komuniteteve të Kosovës, të Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve, shumica e të cilëve jetojnë në varfëri të thellë.

Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët e Kosovës janë historikisht minoriteti më i varfër dhe i nënvleftësuar si ekonomikisht ashtu edhe politikisht dhe në aspektin social. Në vitet e fundit shumë prej tyre janë zhvendosur si rezultat i luftës, konflikteve etnike, varfërisë ekstreme dhe destabilitetit politik. Numri i tyre është ulur nga 200,000 persona përpara luftës së vitit 1999 në 38,000 persona në ditët e sotme. Shpesh herë Romët kanë qënë në shënjestër të sulmeve të dhunshme, të hedhura poshtë nga disa shqiptarë të Kosovës - grupi më i madh etnik në vend - duke i cilësuar si "bashkëpunëtorë" të popullatës që i përket minoritetit serb.

Disa prej tyre kanë përfituar statusin e refugjatit jashtë shtetit, ndërkohë që të tjerët ndodhen nën mekanizmat e mbrojtjes së përkohshme. Gjatë banimit në Europën Perëndimore, Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët kanë kushte jetese të pakrahasueshme më të mira sesa ato në Kosovë. Fëmijët e tyre, shpeshherë të lindur jashtë shtetit, mësojnë gjuhën dhe i përshtaten kulturës dhe stilit të jetesës në vendet pritëse të Europës Perëndimore. Shpeshherë ato rriten pa e folur gjuhën e nënës së prindërve të tyre.

Sidoqoftë, disa prej atyre që largohen drejt vendeve të tjera dështojnë në marrjen e azilit ose u përfundon afati nën mbrojtje dhe përballen kështu me dëbimin. Disa nga të rikthyerit me detyrim nuk janë në gjendje të paisen me dokumentet kosovare të identitetit dhe nuk zotërojnë dokumenta identiteti jugosllave apo serbe përpara se të vendosen në Kosovë, gjë që i bën ato të jenë de facto pashtetësi, shpeshherë për periudha të tejzgjatura.

Në prill, Sekretari i Përgjithshëm i OKB - së Ban Ki - Moon kritikoi dëbimet, duke u shprehur se ato destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë dhe ashpërsojnë problemet me të cilat përballen këto grupe të minoritetit në Kosovë. Gjithashtu edhe komisioneri për të drejtat e njeriut pranë Këshillit të Europës, Thomas Hammarberg, dhe Parlamenti Europian kanë bërë thirrje këtë vit që të ndërpriten rikthimet deri në përmirësimin e situatës.

Udhëzimet e agjensisë për refugjatët pranë Kombeve të Bashkuara u bëjnë thirrje shteteve që të mos dëbojnë Romët dhe shprehen se Ashkalinjtë dhe Egjiptianët duhet të kthehen vetën pasi të jetë bërë një vlerësim individual i rreziqeve dhe rikthimet të parashikohen në faza, duke marrë parasysh kapacitetet e kufizuara të Kosovës për absorbimin e tyre.

"Ekziston një konsensus gjithnjë e më i madh që këto dëbime po rrezikojnë Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët dhe po përkeqësojnë jetën e atyre që tashmë ndodhen në Kosovë, " u shpreh Troszczynska-van Genderen. "Përgjegjësitë e qeverive të BE - së nuk mbarojnë tek kufinjtë e tyre. Ato dhe donatorët e tjerë duhet të përqëndrohen në përmirësimin e kushteve në terren, në vend që të kthejnë njerëzit në Kosovë për tu përballur me dëshpërimin."

Duke filluar që nga viti 2009, qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje ripranimi me Gjermaninë, Belgjikën, Francën, Zvicrën dhe Norvegjinë dhe marrëveshje të tjera janë në negocim e sipër. Kosova është e vendosur për të forcuar marrëdhëniet me BE - në dhe vendet e tjera Europiane. Këto marrëveshje dhe mungesa e `skanimit` nga ana e Kosovës përpara se të ndodhin rikthimet e detyruara, u hapin derën numrit gjithnjë e më të larta të dëbimeve, krijojnë një rrezik real për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shtojnë kushtet e krizës për të dëbuarit, familjet e tyre, si edhe për komunitetin e Kosovës në tërësi.


Raporti vlerëson se qeveria e Kosovës është kontribuese në problemet e të rikthyerve Romë e të tjerë, duke dështuar në këmbënguljen që qeveritë dëbuese të ndihmojnë në krijimin e kushteve të përshtatshme në Kosovë për personat të cilët detyrohen të kthehen. Gjithashtu Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të akomoduar të rikthyerit dhe për të ndihmuar të rikthyerit për tu riintegruar në shoqëri.

Strategjia e krijuar në vitin 2007 për riintegrimin e të rikthyerve me detyrim dhe të tjerëve nuk është zbatuar. Qeveria e Kosovës ka shënuar pak progres në strategjinë e saj të gjerë, gjithashtu të krijuar në vitin 2007, për të përmirësuar të drejtat e komuniteteve të Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve në tërësi.

Raporti rekomandon:

  • Shtyrjen e menjëhershme të rikthimeve të detyruara derisa të përmirësohen kushtet;
  • Iniciativa urgjente për tu ofruar ndihmë atyre që janë rikthyer;
  • Zbatimin e plotë të strategjisë së qeverisë së Kosovës për integrimin e të rikthyerve me detyrim dhe të komuniteteve të Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve në tërësi;

Dëbimet nga Gjermania kanë rezultuar veçanërisht të kundërshtueshme, ku në një seancë të fundit të `Bundestag - ut` partitë opozitare dhe organizatat joqeveritare kanë dënuar këtë politikë.

Ndryshimi së fundmi i politikave mbi dëbimet drejt Kosovës nga një nga shtetet e Gjermanisë, Nordrhein Westfallen, ku jetojnë thuajse 40 për qind e Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve në Gjermani, sugjeron që reformat janë të mundshme. Në shtator Ministria e Brendshme e këtij shteti (Nordrhein Westfallen) lëshoi një dekret, i cili ndërkohë që përveç se ndalon dhe pezullon plotësisht dëbimet, njeh nevojën për mbrojtje të veçantë të grupeve nga Kosova, kërkon një `skanim` individual përpara rikthimit dhe rekomandon që fëmijët në moshën e shkollës të mos kthehen.

 

Your tax deductible gift can help stop human rights violations and save lives around the world.