Javën e kaluar Kristi Pinderi, drejtori ekzekutiv i grupit shqiptar PRO LGBT, deklaroi se organizata e tij do të dorëzojë një padi për të kërkuar njohjen e çifteve të së njëjtit seks. 

Kristi Pinderi, the executive director of the Albanian group PRO LGBT.

© PRO LGBT

Për më shumë se dhjetë vjet Pinderi ka qenë mbrojtës i përkushtuar dhe i vendosur i të drejtave të njeriut, gjithashtu i angazhuar me të drejtat e njerëzve me prirje seksuale lezbike, homoseksuale, biseksuale dhe transgender (LGBT). Në Shqipëri, për këtë veprimtari, nevojitet shumë durim dhe këmbëngulje.

Intervista e Pinderit më solli ndër mend kujtime nga vizita ime e parë në Shqipëri në 2009.

Në atë kohë, disa mbrojtës të së drejtave të njeriut në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ishin skeptikë kur u thashë se isha ftuar nga kryeministri i atëhershëm, Sali Berisha, për të folur rreth kësaj teme. “Përse, do të më dëgjonte?”, - pyetën ata. Megjithatë, Pinderi dhe aktivistat e tjerë LGBT përcaktuan pesë kërkesa që duhej t’i paraqisja në emrin e tyre, përfshirë këtu edhe njohjen ligjore të çifteve të të njëjtit seks. Në atë kohë Kodi i Familjes njihte vetëm të drejtat e çifteve me sekse të ndryshme.

Atë ditë, Berisha më mirëpriti në zyrë dhe unë i prezantova atij Parimet e Yogyartës, një udhëzues i ligjeve ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut në lidhje me orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Berisha njohu parimet e barazisë dhe jo diskriminimit dhe tha se dëshironte të përmirësontë të drejtat e njerëzve LGBT, duke përfshirë rishikimin e Kodit të Familjes. Në korrik 2009 ai organizoi një konferencë shtypi në të cilën premtoi se do të ndërmerrte legjislacionin e duhur për të vendosur barazinë mes martesave. Kjo ishte diçka e papritur. Asnjë nga aktivistët shqiptarë, e as unë në takimin me kryeministrin, nuk kishim kërkuar barazi të martesave. Por, siç u pa më vonë, asgjë nuk ndodhi vërtetë pavarësisht premtimit.

Sidoqoftë, disa përmirësime ligjore janë shënuar që nga koha e vizitës sime. Në 2010 hyri në fuqi një ligj kundër diskriminimit që përshin edhe orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Një amendament i vitit 2013 të Kodit Penal, krimet e urrejtjes  në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor u vendosën në të njëjtin rang si fyerjet kundër gjinisë, racës, etnisë, besimit fetar dhe aftësive të kufizuara. Githashtu, parlamenti miratoi një ligj i cili dënon shpërndarjen e informacioneve homofobe.

Megjithatë, deri më sot, Kodi i Familjes nuk i jep asnjë të drejtë çifteve të të njëjtit seks. Tani ka ardhur koha të bëhet presion për arritjen e kësaj njohjeje të rëndësishme. Le të shpresojmë se iniciativa e Pinderit për t´i  kërkuar Gjykatës shqiptare të ndihmojë në njohjen e të drejtave të marrëdhënieve mes sekseve të njëjta, do të sjellë përmbushjen e premtimit të vonuar shumë gjatë.