Skip to main content

Serbia/Kosova: Mundësi historike për të Drejtat e Njeriut

Treguesi kyç për marrëveshjen e re, ndërmjetësia e BE-së

(Budapest) - Marrëveshja e 19 Prillit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ofron një mundësi historike për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të dyja vendet, deklaroi sot Human Rights Watch.

Mungesa e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka penguar marrjen e përgjegjesisë për krimet e luftës dhe abuzime të tjera të rënda, si edhe ka bllokuar lëvizjen e  lirë, shprehet Human Rights Watch. Gjithashtu, të dyja qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të mbrojtur të drejtat e pakicave, të sigurojnë të gjitha garancitë e shtetit të së drejtës, si në territorin e Serbisë edhe në atë të Kosovës, dhe të përmirësojnë lirinë e medias, vazhdon me tutje deklarata e Human Rights Watch.

“Marrëveshja e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një hap pozitiv drejt paqes dhe pajtimit në rajon”, - tha Lydia Gall, analiste për Europën Lindore dhe Ballkanin pranë Human Rights Watch. “Me angazhimin e të dyja qeverive dhe mbështetjen e partnerëve të Bashkimit Europian, do ishte i mundur përmirësimi i të drejtave të njeriut për të gjithë në Kosovë dhe në Serbi”.

Në 19 Prill 2013, Serbia dhe Kosova firmosën marrëveshjen e parë të ndërmjetësuar nga BE të Parimeve Rregulluese të Normalizimit të Marrëdhënieve. Marrëveshja u aprovua nga kuvendi i Kosovës në 21 Prill dhe pritet të aprovohet nga parlamneti serb më vonë këtë javë.

Marrëveshja e përbërë nga 15 nene ka të bëjë së pari me statusin e pjesës së kontrolluar nga serbët në veriun e Kosovës. U siguron autonomi të konsiderueshme  katër komunave të kontrolluara prej serbëve në veriun e Kosovës – Mitrovica e veriut, Leposavic, Zvecan dhe Zubin Potok – por, zgjedhjet në këto komuna do të mbahen sipas legjislacionit të Kosovës.

Marrëveshja gjithashtu u jep të drejtën serbëve të zgjedhin një shef policie rajonal dhe siguron që shumica e gjykatësve nëpër gjykata në veri  të jenë serbë. Policia dhe gjykatat do të integrohen në policinë dhe në sistemin gjyqësor të Kosovës. Kjo do të eliminojë institucionet paralele serbe të lidhura me Beogradin që kanë operuar që prej vitit 1999 kur Kosova u vendos nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.

Në 22 prill, Komisioni Europian rekomandoi pranë shteteve anëtare që, në bazë të marrëveshjes, Serbisë t’i lejohet fillimi zyrtar i negociatave të anëtarësimit në BE dhe Kosovës t’i jepet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, hapi i parë drejt integrimit të mëvonshëm. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe shteti i së drejtës janë kushtet kyçe për anëtarësimin në BE.

Pavarësisht aspiratave në lidhje me BE, Serbia dhe Kosova ende përballen me abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, shprehet Human Rights Watch. Në Kosovë, proceset gjyqësore në lidhje me krimet e luftës dhe abuzimet e rënda të periudhës së pas luftës, janë duke përparuar ngadalë, dhe shteti i së drejtës pengohet nga probleme që kanë të bëjnë me mbrojtjen e dëshmitarëve, dhe tejzgjatjen e proceseve gjyqësore. Ndjekja e proceseve të krimeve të luftës në territorin e Serbisë është përngadalësuar.

Mungesa e bashkëpunimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës pengon daljen përpara drejtësisë të krimeve të luftës dhe ka bllokuar lëvizjen e lirë përmes kufirit të përbashkët. Komunitet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë – një pakicë shqip-folëse – në Kosovë përballen me diskriminim në strehim, arsim, dhe punësim, ndërsa Romët në Serbi përjetojnë diskrimin dhe shpërgulje të detyruara.  Lezbiket, homoseksualet, biseksualët dhe personat tranxhender  (LGBTT) përballen me diskriminim si në Serbi edhe në Kosovë. Liria e mediave është shqetësuese në të dyja vendet, duke përfshirë këtu edhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Sistemi i azilit në Serbi është i mangët përsa i përket kapaciteteve për mbrojtjen kundër kthimeve mbrapsh në rrethana të rrezikshme të azilkërkuesve.

“Nëse Beogradi dhe Prishtina angazhohen të ecin drejt anëtarësimit në BE, duhet të tregojnë se i marrin seriozisht detyrimet e tyre në lidhje me të drejtat e njeriut” tha Gall. “Kjo do të thotë se duhet punuar së bashku për vënien përpara drejtësisë të krimeve të luftës dhe abuzimeve të rënda të pas luftës, sikurse përmirësimin e situatës së të drejtave në territoret e dy vendeve, sipas standardeve europiane.”

Kosova deklaroi pavarësinë në shkurt 2008, pas nëntë vjet administrimi nga ana e Kombeve të Bashkuara, të mbështetur nga forcat paqeruajtëse të kryesuara nga NATO-ja. Forcat serbe u tërhoqën na Kosova në qershor 1999. Pavarësia e Kosovës është njohur formalisht prej më shumë se 90 vende, duke përfshirë SHBA dhe 22 shtete anëtare të BE-së, por jo nga Serbia.

Your tax deductible gift can help stop human rights violations and save lives around the world.