Megjithëse në muajin mars iu dha statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, vetëm pak është bërë nga ana e Serbise në vitin 2012 për të përmirësuar të dhënat për sa i përket të drejtave të njeriut. Gjendja e minoriteteve etnike mbetet e pasigurtë, veçanërisht sa i përket Romëve. Gazetarët vazhdojne të përballen me një ambient armiqësor, megjithë progresin e shënuar në nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve të krimit dhe sulmeve. Sistemi i azilit vazhdon të mbetet i dobët dhe i mbingarkuar. Marrëdhëniet me Kosovën mbeten të tensionuara, si për shëmbull lidhur me arrestimet e ndërsjellta nga ana e policisë Kosovare dhe Serbe të zyrtarëve të zgjedhjeve serbe apo të aktivistëve Shqiptarë të Kosovës gjatë periudhës përgatitore të zgjedhjeve serbe të 6 majit.
Llogaridhënia për krimet e luftës
Ka pasur progres të vazhdueshëm sa i përket përndjekjes së brëndshme ndaj krimeve të luftës. Në muajin shtator Dhoma e Krimeve të Luftës në Beograd dënoi 11 anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) “Grupi i Gjilanit” me një total të përmbledhur prej 116 vitesh burg për krime, të kryera gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 ndaj personave civilë, kryesisht Romë dhe Ashkalinjë. Në muajin qershor e njëjta Dhomë dënoi 14 ish anëtarë të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) me një total të përmbledhur prej 126 vitesh burg për krime lufte ndaj personave civilë Kroatë në fshatin Kroat të Lovasit në vitin 1991. Prokurori serb i krimeve të luftës paditi tre persona për krime ndaj personave civilë gjatë vitit 2012. Në momentin e shkrimit të këtij teksti 16 raste vazhdojnë të jenë pezull.
Megjithatë në raportin e qershorit Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Ish –Jugosllavi (ICTY) Serge Brammertz kritikoi Serbinë për mungese përpjekjesh në zbulimin e rrjeteve që ndihmonin personat në arrati të akuzuar për krime lufte dhe të kërkuar nga “ICTY” për shmangje të drejtësisë. Më pas zyra e prokurorit për krimet e luftës në Serbi filloi hetimin e 13 të dyshuarve, përfshirë këtu edhe një ish – nëpunës sigurie të nivelit të lartë. Në raportin e tij Brammertz gjithashtu kritikoi dështimin e Serbisë për të nënshkruar protokollin e propozuar të bashkëpunimit në krimet e luftës mes prokurorit serb dhe homologut të tij në Bosnje.
Liria e Medias
Gazetarët vazhdojne të përballen me një ambient armiqësor, megjithëse autoritet nxorrën përpara drejtësisë disa nga autorët e sulmeve ndaj gazetarëve.
Në muajin shkurt një kameraman i televizionit “Studio B” u qëllua më grushta dhe shkelma në kryeqytetin Beograd. Autori i sulmit u arrestua nga policia dhe u akuzua ne qershor për agresion. Po në muajin shkurt gjykata e apelit në Beograd shtoi dënimin me burgim për dy persona për sulmin e vitit 2008 ndaj gazetarit Bosko Brankovic, ndërkohë që ky i fundit po raportonte mbi demonstratën në mbështetje të Radovan Karadzic, presidenti Serbo- Boshnjak i kohës së luftës, aktualisht në gjykim nga ana e “ICTY” për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Për dy persona të tjerë gjykata aprovoi dënimet.
Megjithë mbrojtjen 24 – orë nga ana e policisë që nga muaji tetor i vitit 2005, Vladimir Mitric, një gazetar i specializuar për zbulimin e korrupsionit, vazhdoi të kërcënohëj. Në muajin shtator Mitric u kërcënua dy herë nga i njëjti person duke iu kërkuar që të mos raportonte për persona të veçantë. Herën e dytë personi kërcënues shoqërohej nga një polic i cili ishte përgjegjës për mbrojtjen e Mitric. Në muajin shtator personi kërcënues u akuzua për krim ordiner, ndërsa deri në momentin e këtij shkrimi ndaj policit nuk është marrë asnjë masë disiplinore.
Në muajin tetor u sulmuan shtëpitë e tre gazetarëve, gjithsesi nuk është e qartë nëse sulmet kishin lidhje me raportimet e tyre. Autorë të panjohur hodhëm kokteile Molotovi në shtëpitë në Beograd të Biljana Vujovic, prezantuese pranë TV Kopernikus, si edhe të Damir Dragic, drejtor i gazetës tabloid “Informer” në Beograd. Askush nuk mbeti i dëmtuar por makina e Dragic u shkatërrua nga zjarri. Nuk është e qartë nëse këto incidente kishin lidhje me raportimet e tyre. Një paisje shpërthyese, e cila nuk shpërtheu, u vendos pranë shtëpisë së Tanja Jankovic, një gazetare investiguese pranë TV B92 në Vranje në jug të Serbisë. Në momentin e shkrimit këtij teksti të tre incidentet ishin nën hetim policor.
Në muajin korrik gjykata e apelit në Beograd dënoi gazetarin e pavarur Laszlo Szasz me 120 ditë burg për një koment të vitit 2007 ku kritikonte kryetarin e Lëvizjes Rinore nacionaliste Hungareze të 64 Kontéve. Szasz u lirua pasi përfitoi falje presidenciale më 3 gusht.
Në muajin shtator Ministri i Informacionit Bratislav Petkovic deklaroi se qeveria po përgatiste legjislacionin i cili do të garantonte lirinë dhe pavarësinë e medias. Në të njëjtin muaj qeveria deklaroi që do të krijonte një komision ndërkombëtar për të hetuar mbi vrasjet e pazbardhura të tre gazetarëve të njohur të kryera më shumë se para dhjetë vjetësh.
Trajtimi i Minoriteteve
Romët vazhduan të përballeshin me ngacmime, kërcënime dhe diskriminim në arsim si dhe dëbime problematike të detyruara.
Në muajin prill rreth 1000 Romë u dëbuan forcërisht nga strehimi informal i Belvil në Beograd. Këto familje Rome Kosovare të ardhura në kryeqytetin serb, si edhe të tjera me rezidence të përhershme në Beograd u ristrehuan në konteniera metalikë në zonat periferike të Beogradit. Familjet me residence të regjistruar në pjesë të tjera të Serbisë u rikthyen sërish në vendin e prejardhjes, përfshirë këtu 4 familje të rikthyera në Nish, në jug të Serbisë, ku ato u strehuan në një supermarket të braktisur pa ujë e energji elektrike.
Më 1 maj, 15 deri 20 persona të maskuar të armatosur me shkopa bejzbolli iu afruan strehimit në kontenierin e Jabucki Rit të zaptuar nga Romët. Ato bërtisnin me slogane raciste si edhe vizatuan një svastika naziste në një kontenier metali. Në momentin e shkrimit këtij teksti policia kishte bërë vetëm një arrestim dhe çështja mbetet akoma nën hetim.
Është shënuar progres në zgjidhjen e problemit të personave pa dokumenta, shumë nga të cilët janë Romë. Ligji i ri i miratuar në muajin shtator eliminon barrierat administrative dhe lehtëson procedurat e regjistrimit të çertifikatave të lindjes.
Janë shtuar tensionet në rajonin e Vojvodinës, në verilindje të Serbisë, mes anëtarëve të mazhorancës serbe dhe pakicëz hungareze. Në muajin shtator rreth 20 Serbë të armatosur me shufra hekuri sulmuan tetë femijë dhe fëmijë Hungarezë në qytetin e Suboticës me sa duket sepse viktimat ishin duke folur Hungarisht. Në momentin e shkrimit të këtij teksti policia është duke hetuar ngjarjen.
Orientimi Seksual dhe Identiteti Gjinor
Serbia ka shënuar progres në mbrojtjen e të drejtave të personave homoseksualë, lesbike, biseksualë dhe transseksualë (LGBT). Në muajin shkurt Simo Vladicic u dënua me tre muaj burgim për akuzën e kërcënimit ndaj personave LGBT nëpërmjet një grupimi në “Facebook” të quajtur “500,000 Serbë kundër Paradës së Homoseksualëve.” Në muajin mars një vendim gjykate në Beograd dënoi Mladen Obradovic, kryetarin e lëvizjes së kahut të djathtë ekstremist Obraz, me 10 muaj burgim nën akuzën e kërcënimit të homoseksualëve dhe nxitjes së urrejtjes gjatë periudhës përgatitore të Paradës së Krenarisë Homoseksuale të vitit 2009, e cila më pas u anullua për arsye sigurie. Me një tjetër vendim gjykate Obradovic u dënua në muajin prill të vitit 2011 me dy muaj burgim me akuzën e nxitjes së dhunës gjatë Paradës së Krenarisë Homoseksuale të vitit 2010, dënim ky i cili në momentin e shkrimit të këtij teksti ndodhet në gjykatën e apelit. Ministria e Brendshme e Serbisë e ndaloi paradën e 6 tetorit si edhe tubime të tjera publike duke theksuar si arsye çështjen e sigurisë, por nga ana tjetër nuk mori asnjë masë në përpjekje të mundësimit të paradës në prani të kërcënimeve për dhunë. Autoritetet serbe gjithashtu ndaluan Paradën e Krenarisë në Beograd të vitit 2011 për shkak të incidenteve të dhunshme gjatë dhe pas evenimentit të vitit 2010 në të cilin u plagosën policë e pjesëmarrës.
Azilkërkuesit dhe Personat e Zhvendosur
Zyra e Komisionerit të Lartë për Refugjatët pranë Kombeve të Bashkuara (UNHCR) deklaroi në muajin shtator që mangësitë në sistemin e azilit në Serbi dëshmojnë se ky vend nuk mund të konsiderohet si i sigurt për azil apo si një vend i tretë i sigurt, si edhe që vendet e tjera duhet të shmangin kthimin mbrapsht të azilkërkuesve në Serbi. Hungaria, Greqia dhe Turqia janë ndër vendet që kthejnë azil-kërkuesit mbrapsht në Serbi. Gjatë tetë muajve të parë të vitit 2012, 1,454 azilkërkues ishin të rregjistruar në Serbi, duke e ulur numrin prej 2,134 të rregjistruarve gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2011.
Ka pasur shqetësime sa i përket kapaciteteve të papërshtatshme në dy prej qendrave të azilit në Serbi, të cilat mund të strehojnë vetëm një total prej 280 personash. Zyra e azilit, e cila merr vendimet fillestare mbi kërkesat për azil, nuk i ka dhënë statusin e azilpërfituesit apo mbrojtjes së përkohshme asnjë aplikuesi që nga momenti kur ka marrë përsipër përgjegjësinë për procedurat e azilit në vitin 2008.
Progres i ulët është shënuar në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për refugjatët dhe personat që janë zhvendsosur në Serbi si pasojë (PZHB –të) e luftërave në Ballkan. Sipas UNHCR – së në muajin korrik në Serbi ka pasur 66,563 refugjatë, shumica nga të cilët nga Kroacia, si edhe 228,215 PZHB nga të cilët 210,146 vijnë nga Kosova. Një konferencë ndërkombëtare e sukseshme donatorësh që u mbajt në Sarajevë në muajin prill mblodhi ndihmë financiare për nevojat e strehimit të 74,000 personave PZHB më në nevojë nga Serbia, Bosnja dhe Hercekovina, Kroacia dhe Mali i Zi.
Në muajin tetor BE –ja i ribëri thirrje autoriteteve serbe për të ndalur fluksin e azilkërkuesve, kryesisht Romë, drejt vendeve të BE –së, duke shtuar këtu se në rast se Serbia dështon në ndalimin e këtij fluksi,qytetarët Serbë rrezikojnë të humbasin të drejtën për të udhëtuar drejt BE –së pa viza. Ka pasur raporte të besueshme nga ana e OJQ – ve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut përgjatë gjithë vitit 2012 që rojet e kufirit Serb kanë ndaluar persona, të konsideruar me prejardhje Rome, për të kaluar kufirin nga Serbia drejt Hungarisë.
Aktorët e Rëndësishëm Ndërkombëtarë
Më 1 mars kryetarët e shteteve të BE – së i dhanë Serbisë statusin e vendit kandidat në vijim të rekomandimeve të 28 shkurtit nga ana e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, i cili bëri të qartë se vendimi kishte të bënte me progresin e Serbisë në bashkëpunimin me Kosovën, përfshirë këtu edhe menaxhimin e kufinjve të tyre, por nuk i referohej të drejtave të njeriut. Raporti vjetor i progresit i Komisionit Europian për Serbinë theksoi nevojën për të forcuar shtetin ligjor, për të garantuar reformat ligjore si edhe për të mbrojtur kategoritë në nevojë, veçanërisht romët. Komisioni u shpreh se Serbia duhej të rriste përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur lirinë e të shprehurit në media.
Vizita e përbashkët SHBA – BE në vendet e Ballkanit e drejtuar nga Sekretarja e Shtetit në SHBA –ve Hillary Clinton dhe Përfaqësueses së Lartë të BE –së Catherine Ashton në fund të tetorit dhe fillim nëntori, dështoi në theksimin e rëndësisë për përmirësimin e mbrojtes së të drejtave të njeriut në Serbi dhe në vend të kësaj u përqëndrua në dialogun politik mes autoriteteve në Beograd e Prishtinë.
Në vijim të vizitës së vitit 2011 në Serbi, në muajin qershor Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës (CPT) publikoi raportin, ku shprehte shqetësime rreth pohimeve për keqtrajtim të të dënuarve nga forcat e rendit si edhe rreth mbipopullimit të të gjitha burgjeve të vizituar.
Në raportin e saj global të shkurtit raportuesja speciale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut pranë OKB –së shprehu shqetësime mbi pohimet për kërcënim të mbrojtësve të të drejtave të njeriut të LGBT –ve në Serbi.
Në muajin prill të vitit 2012 Serbia nënshkroi Konventën e Këshillit të Europës (KE) për mbrojtjen dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Kosova
Nuk ka pasur ndonjë përmirësim domethënës sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë vitit 2012. Tensionet në veriun e ndarë nganjëherë u përshkallëzuan në dhunë. Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët (grup shqip –folës i cili pohon se i ka rrënjët në Egjipt) vazhdojnë të margjinalizohen dhe të vuajnë nga diskriminimi. Sistemi i drejtësisë vazhdon të mbetet i dobët me një numër të madh çështjes të prapambetura. Mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut vazhdojnë të mbeten të dobëta.
Më 10 shtator vendet që përbëjnë Grupin Ndërkombëtar të Drejtimit, i cili mbikqyrte Kosovën pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Serbia në vitin 2008, deklaruan fundin e mbikqyrjes së vetëqeverisjes së Kosovës. Vendimi sinjalizoi uljen e përfshirjes ndërkombëtare.
Mbrojtja e Minoriteteve
Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët (RAE) mbeten mes kategorive më të cënueshme të Kosovës. Ata vazhdojnë të përballen me diskriminimin në fusha si strehimi, arsimimi dhe përfitimi i shërbimeve publike. Raporti i Programit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) në qershor të vitit 2012 arriti në përfundimin se rreth tre të katërtave të RAE –ve u mungon punësimi formal, krahasuar me rreth 45 përqind të popullatës në tërësi. Shumë prej tyre janë të zhvendosur dhe nuk kanë mundësi të rindërtojnë apo të kthehen në shtëpitë e tyre fillestare.
Tensionet mes minoritetit serb dhe shumicës shqiptare vazhduan të mbeten të larta në vitin 2012, veçanërisht në qytetin e ndarë të Mitrovicës në veri të Kosovës. Në muajin prill një shpërthim në lagjen “Tre Kullat” me shumicë serbe të qytetit vrau një shqiptar etnik dhe plagosi dy nga fëmijët e tij. Policia vazhdon hetimet në momentin e shkrimit të këtij teksti. Në muajin korrik një aktivist i komunitetit serb Milovan Jevtic së bashku me gruan e tij u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në jug të Prishtinës. Jevtic punonte për rikthimin e familjeve serbe të Kosovës dhe për bashkëjetesën paqësore me Shqiptarët e Kosovës, duke shtuar kështu shqetësimin se vdekja e tyre mund të ketë pasur për qëllim çinkurajimin e rikthimeve të tilla. Misioni i Bashkimit Europian për Shtetin Ligjor (EULEX) së bashku me autoritetet vendore po kryejnë një hetim të përbashkët në momentin e shkrimit të këtij teksti.
Në vijim të përplasjeve të qershorit mes anëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës (ShPK) dhe serbëve etnikë në katër pikëkalime kufitare, persona të paidentifikuar në Prishtinë gjuajtën me kokteile Molotov dhe gurë dy autobusë ku udhëtonin fëmijë serbë të moshës nga 8 në 16 vjeç. Gjashtëmbëdhjetë fëmijë u plagosën lehtë.
Pavarësisht nga këto ngjarje ShPK -ja rregjistroi vetëm 16 incidente ndër - etnike gjatë tetë muajve të parë të vitit, duke raportuar ulje të rasteve krahasuar me vitin 2011 kur u regjistruan 60 incidente ndër - etnike. Këtu përfshiheshin dy raste që rezultuan me plagosje serioze, pesë me plagosje të lehta, ndërsa shtatë të tjera përbënin sulme fizike të papërcaktuara si edhe dy raste me dëmtim prone. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësimin se shumë nga incidentet ndër - etnike kanë mbetur të paraportuara, të paregjistruara dhe të klasifikuara gabim.
Rikthimi i Refugjatëve dhe Personave të Zhvendosur
Gjatë 10 muajve të parë të vitit Zyra e Komisionerit të Lartë për Refugjatët pranë Kombeve të Bashkuara (UNHCR) regjistroi 785 rikthime vullnetare, përfshirë këtu edhe ato jashtë Kosovës si edhe personat e zhvendosur brenda Kosovës (PZHB) krahasuar me 989 te rikthyer gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2011.
Dëbimet drejt Kosovës nga vendet e Europës Perëndimore vazhduan ndërsa ndihma e dhënë për të rikthyerit ka qnë e kufizuar. Mes muajit janar - shtator UNHCR regjistroi 1,717 rikthime të detyruara në Kosovë, përfshirë këtu 546 dëbime nga rradhët e minoriteteve, kryesisht nga Suedia (235) dhe Gjermania (196): 327 Rom, 105 Ashkalinj, 2 Egjiptianë, 21 Serbë, 8 Shqiptarë, 32 Boshnjakë, 44 Goranë dhe 7 Turq drejt zonave me shumicë serbe.
Të rikthyerit me detyrim me prejardhje Rome, Ashkalinj dhe Egjiptian vazhduan të përballeshin me një situatë të mjerueshme pas rikthimit, përfshirë këtu akses të vështirësuar në shërbime publike. Në një raport të marsit 2012 nga Fondacioni i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) deklaroi se tre në katër fëmijë të dëbuar nga Gjermania e braktisin shkollën për shkak të pengesave gjuhësore.
Progres i ulët është shënuar në zbatimin e dy strategjive kombëtare të përpiluara për të lehtësuar integrimin e të rikthyerve (Strategjia për Reintegrimin e Personave të Riatdhesuar) dhe në përgjithësi për ata me prejardhje Rome (Strategjia e Integrimit për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët) përfshirë këtu edhe dështimin e autoriteteve qëndrore dhe lokale për të vënë në dizpozicion ndihmën e duhur si edhe të autoriteteve lokale shpeshherë jo të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre.
Në momentin e shkrmit të këtij teksti kampi me ndotje plumbi i Osterodes jashtë Mitrovicës vazhdonte të ishte i hapur dhe kishte akoma pesë familje rome që prisnin shpërnguljen. Puna për ndërtimin e apartamenteve në veri për strehimin e këtyre familjeve ka filluar.
Pandëshkueshmëria, Llogaridhënia dhe Qasja në Drejtësi
Më 29 nëntor Gjykata Penale Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Ish - Jugosllavi (ICTY) la të lirë Ramush Haradinajn, ish Kryeministrin e Kosovës dhe dy bashkë - të akuzuarit e tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, komandantë të ish –Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas rigjykimit të tyre për krime kundër njerëzimit kundër romëve serbëve dhe civilëve shqiptarë në kampin e burgimit në Jabllanicë në vitin 1998.
Skuadra e posaçme e hetimit të EULEX –it vazhdoi hetimin e saj në lidhje me pohimet se disa anëtarë të UÇK –së, përfshirë këtu edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, të kenë qenë të përfshirë në rëmbime të periudhës së pas - luftës, zhdukje personash, vrasjen e serbëve si edhe trafikimin e organeve.
Nënte muajt e pare të vitit 2012 gjykatësit e EULEX - it dorëzuan gjykimet për tre raste krimesh lufte, përfshirë këtu edhe dënimin e muajit maj të Zoran Kolic me 14 vjet burg për krime të periudhës së luftës kundër të burgosurve në burgun e Lipjanit në maj të vitit 1999, si edhe konfirmuan një padi të re për krime lufte në tetor. Nga janari në shtator gjykatësit vendorë mbyllën 20 vendime të tjera. Deri në tetor, 78 çështje të krimeve të luftës ishin nën hetim, ndërsa në nëntor policia e EULEX- it arrestoi tre ish - anëtarë të UÇK - së të dyshuar për krime lufte kundër civilëve gjatë përiudhës 1998 -1999. Deri në momentin e shkrimit të këtij teksti çështja po hetohet nga Zyra e Prokurorit Special e cila nuk dha shpjegime për akuzat.
Në muajin nëntor, Gjykata e Lartë e Kosovës urdhëroi rigjykimin e Fatmir Limajt dhe tre ish - anëtarëve të tjerë të UÇK - së me akuzën e krimeve të luftës kundër civilëve dhe të burgosurve te luftës serbë e shqiptarë, të mbajtur në një kamp burgimi në fshatin e Kleçkës në vitin 1999. Në muajin maj këta të katërt ishin lënë të lirë nga një gjykatë e rrethit e Prishtinës, përfshirë këtu edhe një gjykatës të EULEX - it. Në muajin mars e njëjta gjykatë la të lirë gjashtë të pandehur të tjerë të çështjes.
Liria e Medias
Asambleja Kombëtare e Kosovës miratoi një kod të ri penal në muajin prill, i cili përmban dizpozita të cilat kriminalizojnë përgojimin dhe detyrojnë gazetarët të deklarojnë burimin e informacionit, duke shtuar kështu shqetësimet për lirinë e medias. Në suazën e këtyre shqetësimeve Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në muajin maj e ktheu mbrapsht këtë kod për rikonsiderim në Asamblenë Kombëtare. Por, në muajin qershor Asambleja e miratoi kodin penal pa ndryshuar dispozitat e diskutueshme. Në muajin shtator më në fund u miratua me amendamente qeveritare që shfuqizonin dizpozitat e diskutueshme të cilat do t’i hiqen kodit penal në momentin kur ky i fundit do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2013.
Kërcënimet ndaj gazetarëve vazhduan të mbeteshin një problem serioz. Në muajin mars gazetarët e gazetës Ekspres morën telefonata kërcënuese në vijim të një artikulli mbi korrupsionin në industrinë e karburanteve. Halil Matoshi, një gazetar që raporton hapur mbi korrupsionin, u sulmua në muajin korrik në Prishtinë nga tre persona të paidentifikuar, njëri nga të cilët ishte i armatosur më një thikë. Matoshi arriti të largohej me dëmtime të lehta ndërkohë që policia vazhdon hetimet në momentin e shkrimit të këtij teksti.
Në muajin maj një gjykatës i EULEX - it pranë gjykatës komunale të Prishtinës konfirmoi paditë kundër Rexhep Hotit dhe katër anëtarëve të tjerë të të përditshmes së Kosovës Infopres si edhe ndaj kryebashkiakut të Skënderajt Sami Lushtaku për kërcënime të bëra në vitin 2009 në adresë të Jeta Xharrës, drejtoreshë për Kosovën pranë Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative BIRN (grup rajonal i lajmeve). Në muajin tetor Zyra e Prokurorit Special të Kosovës nisi një hetim paralel kundër Lushtakut për kërcënime të bëra në muajt mars, maj, gusht dhe shtator në adresë të Adem Metit, korespondent i gazetës së përditshme kryesore Koha Ditore për shkak të raportimeve të këtij të fundit mbi korrupsionin.
Aktorët e Rëndësishëm Ndërkombëtarë
Fundi i pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës më 10 shtator çoi në mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare. Mandati i EULEX - it u shty deri më 2014 - tën.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB –së Ban Ki-moon u shpreh i merakosur në korrik mbi përshkallëzimin e tensioneve etnike në veri të Kosovës dhe theksoi se nevojat dhe të drejtat themelore të komuniteteve të prekura në veri duhet të përfaqësohen në mënyrë demokratike.
Raporti i Komisionit Europian i tetorit rekomandoi hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) me Kosovën, kuadër ligjor ky për marrëdhënie më të ngushta me BE-në dhe i konsideruar si faza paraardhëse e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, i kushtëzuar nga progresi i shtetit ligjor, përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me grupin e punës së EULEX –it dhe respektin për të drejtat e pakicave. Vlerësimi i Komisionit bëri të qartë që nënshkrimi i marrëveshjes do të kushtëzohej nga luftimi i pandëshkueshmërisë, qasja në drejtësi, përmirësimi i lirisë së së medias, zbatimi i programeve që garantojnë të drejtat e romëve si dhe marrja e masave për të lehtësuar rikthimin e serbëve të zhvendosur.
Në vijim të takimit të korrikut me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, Presidenti i Këshillit të Europës Herman Van Rompuy theksoi nevojën për progres të shtetit ligjor, reformava në administratën publike, reformës zgjedhore si edhe marrëdhënieve miqësore me komunitetet e pakicave.
Në muajin tetor Ministri Gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maiziere u shpreh se EULEX –i është në “rrugë të gabuar” dhe dështimi i tij - së bashku me atë të Shërbimit Policor të Kosovës – për tu përballur me dhunën etnike, po krijon një pengesë të paarsyeshme për forcat e NATO’s. Një raport i OSBE –së në tetor theksoi ndër të tjera se autoritetet duhet të ndërmarrin aksione konkrete për të zbatuar ligjet kundër diskriminimit dhe në favor të mbrojtjes nga dhuna në familje.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Thorbjorn Jagland theksoi në tetor rëndësinë e një hetimi efikas mbi pohimet që përmban raporti i vitit 2010 i KE nga ana e senatorit zviceran Dick Marty, ku supozohet që disa anëtarë të UÇK –së, përfshirë këtu edhe zyrtarë të lartë të Kosovës në periudhën e pas-luftës, janë përfshirë në rrëmbime gjatë përiudhës së pas –luftës, zhdukje te imponuar personash, vrasjen e serbëve si edhe në trafikimin e supozuar të organeve dhe në krimin e organizuar, përfshirë këtu edhe kontrabandën e armëve dhe të drogës.