Sistemi i drejtësisë penale ende nuk po u del zot viktimave në Kosovë, edhe pse tani shtatë vite Kosova është nën administrim ndërkombëtar, vlerëson Human Rights Watch në një raport të ri të publikuar sot. Në ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare këto ditë është duke negociuar me intensitet të madh statusin e ardhshëm të Kosovës.
Raporti 78 faqesh “Askund në agjendë: Dështimi i vazhdueshëm që të kërkohet përgjegjësi në Kosovë pas marsit 2004” hedh dritë mbi reagimin e sistemit të drejtësisë penale ndaj dhunës së marsit 2004 në Kosovë. Atëbotë, trazirat që shpërthyen gjithandej nëpër provincë, e në të cilat morën pjesë më shumë se 50.000 njerëz, lanë qindra pjesëtarë të pakicave të plagosur dhe mijëra të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
“Sot, përgjegjësia për krimet e kryera në të kaluarën nuk është në agjendën për Kosovën”, shprehet Holly Cartner, drejtoreshë për Evropë dhe Azi Qendrore në Human Rights Watch. “Por, të vendosësh për statusin e Kosovës pa gjetur zgjidhje për sistemin e drejtësisë do të thotë të helmosh të ardhmen e saj”.
Përparimi në proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me trazirat e marsit mbetet i kufizuar, edhe pse u është dhënë prioritet në kuadër të sistemit të drejtësisë penale. Më shumë se dy vite më vonë, janë vetëm 426 individë të akuzuar për pjesëmarrje në trazira, të akuzuar kryesisht për shkelje të lehta të ligjit siç janë vjedhjet dhe vetëm gjysma e këtyre rasteve kanë rezultuar me aktvendime përfundimtare.
Reagimi i sistemit të drejtësisë penale ndaj marsit 2004 është një kut matës i mirë me të cilin mund të matet përparimi i përgjithshëm në përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi për krimet. Pas gati shtatë vite të instalimit të administratës ndërkombëtare, autoritetet kanë pasur mjaft kohë që të merren me mangësitë në kornizën ligjore, në polici, në prokurori dhe në gjyqe. Për më tepër, menjëherë pas dhunës së marsit, bashkësia ndërkombëtare u zotua qartë se ata që janë përgjegjës do të dalin para drejtësisë.
Raporti analizon dështimin që të sillen para drejtësisë ata që janë përgjegjës për dhunën. Faktorët kryesorë janë:
- Përgatitja e pamjaftueshme për ndërrimet që do të sillnin reformat e mëdha të sistemit të drejtësisë penale e që hynë në fuqi tri javë pas trazirave të marsit. Për shembull, reformat u dhanë prokurorëve rol qendror në procedurën e hetimeve, një kalim ky i përgjegjësive për të cilin asnjë nga aktorët nuk ishte i përgatitur sa duhet.
- Krijimi i një operacioni special nga ana e policisë ndërkombëtare për të hetuar rastet e marsit, që ishte joadekuat, i ndarë nga hetimet kryesore dhe që në fund dështoi.
- Angazhimi joefikas i policisë, përfshirë këtu mos-përfundimin e hetimeve, koordinimi i dobët mes policisë ndërkombëtare e vendore si dhe bashkëpunimi i pamjaftueshëm me prokurorët.
- Masat joadekuate për mbrojtjen e dëshmitarëve.
- Mbikëqyrja dhe prioritetizimi joadekuat i sistemit të drejtësisë penale nga ana e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
“Askush nuk bën të sillet sikur vënia e rendit dhe ligjit në Kosovë është gjë e lehtë”, thotë Cartner. “Por, ka mjaftë hapa që mund të ndërmerren—të sigurohemi që prokurorët marrin përgatitjet e duhura dhe se institucionet bashkëpunojnë—e që mund të sjellin përmirësime që sot”.
Reagimi joadekuat i sistemit të drejtësisë penale ndaj dhunës së marsit 2004 simbolizon një prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet Kosova sot: mosndëshkimi i krimit, veçanërisht atëherë kur ka ngjyrime politike apo etnike. Regjistrat e hetimeve dhe ndjekjeve penale për krime të luftës apo për krime me motive etnike para marsit 2004 janë të varfër.
Kjo ka krijuar një qark të mbyllur të mosndëshkimit dhe ka forcuar bindjen ndër të gjitha komunitet e Kosovës—te komuniteti shumicë dhe ato pakicë—se sistemi i drejtësisë penale as nuk është i besueshëm e as nuk është në shërbim të popullit. Pakicat, sidomos serbët e Kosovë, më shumë se kurdoherë më parë, nuk besojnë se mund të jetojnë të sigurt në Kosovë.
“Askund në agjendë” tërheq vërejtjen edhe në mungesën e një strategjie për të informuar komunitetet e prekura për të arriturat e hetimeve dhe procedurave penale për dhunën e marsit 2004 si dhe për mungesën e transparencës në kuadër të sistemit. Kjo e bën të vështirë për qytetarët që të marrin informata për procedurat penale e për shoqërinë civile të monitorojë sistemin në tërësi.
Raporti u bën thirrje aktorëve kryesorë në Kosovë, përfshirë Kombet e Bashkuara, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, policinë, Institucionet e Përkohshme të Vet-Qeverisjes, që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale. Kjo nënkupton: mbikëqyrjen adekuate të gjyqeve; zhvillimin e një plani veprues për themelimin e degës së policisë gjyqësore që do të punojë drejtpërdrejtë me prokurorët hetues; shtimin e bashkëpunimit mes policisë ndërkombëtare dhe asaj vendore, prokurorëve dhe gjyqtarëve; si dhe ngritjen e një sistemi më efikas për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Raporti kërkon nga Grupi i Kontaktit dhe Bashkimi Evropian që në kuadër të politikave për Kosovën t’i jepet prioritet çështjes së përgjegjësisë dhe që ekzistimi i një sistemi funksional të drejtësisë penale të pranohet nga të gjithë si pjesë integrale e zgjidhjes së suksesshme të statusit të Kosovës, si dhe të ofrohet mbështetja e nevojshme materiale për krijimin e një sistemi efikas për mbrojtjen dhe rilokimin e dëshmitarëve.