Skip to main content

Kosova: Krijimi i gjykatës speciale

Kosova: Krijimi i gjykatës speciale Nevojitet drejtësi për krimet e pasluftës

(Bruksel, 16 dhjetor 2014) Parlamenti i sapoformuar i Kosovës duhet të ndërmarrë menjëherë ndryshimet legjislative dhe kushtetuese, që nevojiten për funksionimin e gjykatës speciale për krimet e kobshme të periudhës së pasluftës, tha sot Human Rights Watch. Në Kosovë u mbajtën zgjedhje parlamentare në 8 qershor 2014, por rezultat e marra penguan krijimin e qeverisë dhe  nisjen e punimeve të parlamentit deri në 9 dhjetor.

Parlamenti i mëparshëm i Kosovës, aprovoi në prill krijimin e një gjykate speciale për hetimin e krimeve serioze të kryera pas luftës në Kosovë 1998-1999. Ligjvënësit ia lanë parlamentit të ri aprovimin e statutit dhe kalimin e amendamenteve kushtetuese dhe statutore për paraqitjen e paditjeve dhe fillim të proçeseve gjyqësore.

“Aktivizimi i gjykatës speciale duhet të jetë një prioritet kyç për parlamentin e ri të Kosovës”- tha Lotte Leicht, drejtoreshë e Bashkimit Europian pranë Human Rights Watch. “Vetëm një gjykatë speciale e besueshme dhe e pavarur, me mbrojtje efektive të dëshmitarëve, mund të shqyrtojë  paditjet  serioze të krimeve të tmerrshme të pasluftës.”

Gjykata speciale do të gjykojë çështjet kundër individëve në bazë të një raporti të Këshillit të Europës të 2010 hartuar nga senatori zviceran Dick Marty. Raporti akuzoi anëtarë të kryengritjes etnike shqiptare, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për rrëmbim , rrahje, ekzekutime në grup, dhe në disa raste heqje organesh me forcë, në territorin e Shqipërisë gjatë dhe pas luftës së Kosovës.

Për të investiguar krimet e denoncuara në raportin e Marty-t, në 2011 Bashkimi Europian përcaktoi një trup hetues të bazuar jashtë Kosovës të quajtur Special Investigative Task Force.

Prokurori i parë i task-forcës Clint Williamson, deklaroi në 29 korrik 2014, se ai kishte mjaft prova për të ngritur akuza ndaj disa ish oficerëve kryesorë të UÇK-së të cilët, tha ai, janë përgjegjës për një fushatë rrëmbimesh, pengmarrjesh ilegale, vrasjesh të kundraligjshme, dhe dhunë seksuale. Ai tha se pjesa më e madhe e viktimave i përkisnin pakicave etnike serbe, rome dhe të tjerë, por kishte edhe shqiptarë të Kosovës të konsideruar si bashkëpunëtorë të serbëve apo kundërshtarë të liderëve të UÇK.

Kryeprokurori tha se zbulimet e tij përputheshin gjerësisht më raportin e senatorit Marty, duke përfshirë edhe denoncimin e një grup rastesh trafikimi organesh, por ai nuk siguroi mjaftueshëm prova që të mundësonin paditjen për krimin në fjalë.

Paditjet për krime të tjera, duke përfshirë krime kundër njerëzimit, mund të dorëzohen pas përcaktimit të gjykatës speciale, tha ai.

Gjykata speciale do të operojë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por do të ketë një dhomë jashtë vendit për të përforcuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe  sigurinë e përgjithshme. Partnerët nga BE-ja dhe ndërkombëtarë të tjerë, duke përfshirë edhe  SHBA-në, do të përcaktojnë gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë.

Në 11 dhjetor, BE emëroi David Schwendiman si kryeprokuror pranë Taskë Forcës Hetuese Speciale.

Qeveritë e BE-së dhe SHBA-ve kanë theksuar me forcë publikisht rëndësinë e një proçesi gjyqësor transparent dhe të besueshëm për të gjykuar denoncimet në raportin Marty.

Në 9 dhjetor, përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë sigurie, Federica Mogherini, bëri thirrje për kalimin e amendamenteve që do të mundësojnë aktivizimin e gjykatës. Në të njëjtën ditë, Sekretari amerikan i shtetit John Kerry, shprehu mbështetjen e SHBA-së për angazhimin e Kosovës në krijimin e gjykatës speciale për shqyrtimin e denoncimeve të hetuara nga task forca.

“Të gjithë i kemi sytë nga liderët e rinj të Kosovës, duke pritur që ata të përmbushin detyrat e tyre dhe të vënë drejtësi pa vonesa të mëtejshme” tha Leicht. “Është koha të ndërpritet cikli i padënueshmërisë dhe për të krijuar në të ardhmen një Kosovë të ngritur mbi drejtësi, kundrejt këtyre krimeve serioze“

Your tax deductible gift can help stop human rights violations and save lives around the world.