(Bruksel, më 24 janar 2011) - Përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për integrimin europian po pengohen nga problemet e vazhdueshme që lidhen me të drejtat e njeriut, u shpreh sot "Human Rights Watch". Në Raportin e tij Botëror 2011 "Human Rights Watch" dokumenton shqetësimet rreth të drejtave të njeriut në Bosnje Hercekovinjë, Kroaci, Serbi dhe Kosovë përgjatë vitit 2010.
Raporti me 649 - faqe, i cili përbën pasqyrën e 21-të vjetore rreth praktikave që lidhen me të drejtat e njeriut në mbarë botën, përmbledh tendencat më të rëndësishme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut në më tepër se 90 vende dhe territore në mbarë botën, duke reflektuar kështu punën e gjërë investigative të kryer nga stafi i "Human Rights Watch". Kapitujt mbi Ballkanin Perëndimor hedhin dritë mbi progresin e përzierë të rajonit sa i përket përgjegjësisë për krimet e luftës, abuzimet ndaj minoriteteve etnike Rome, mungesën e progresit në mbështetjen dhe ndihmën ndaj refugjatëve dhe të zhvendosurve, ngacmimet e gazetarëve, të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuata, si edhe çështjeve specifike për secilin vend.
"Gjithkush mund të jetë dakort që Ballkani Perëndimor e ka integrimin europian për qëllim," u shpreh Benjamin Ward, zevendës - drejtori i "Human Rights Watch" për Europën dhe Azinë Qendrore. "Por qeveritë në rajon duhet të kuptojnë që një përkushtim më i madh lidhur me të drejtat e njeriut është një përbërës thelbësor i atyre aspiratave europiane."
Përgjegjësia e pamjaftueshme për krimet e luftës mbetet një çështje e rëndësishme në Ballkanin Perëndimor, shprehet raporti, si në aspektin e bashkëpunimit me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) ashtu edhe me ndjekjet penale të krimeve të luftës në vend:
- Kroacia ka shtuar numrin e hetimeve mbi krimet e luftës të kryera kundër serbëve nga ana e Forcave të Armatosura të Kroacisë gjatë luftës së vitit 1995 në vend. Por janë serbët ata të cilët përbëjnë shumicën e të pandehurve në ndjekjet penale të krimeve të luftës, shumica e të cilëve në mungesë, ndërsa vazhdojnë të mbeten prezente shqetësimet mbi paragjykimet.
- Gjyqet për krimet e luftës në Bosnje Hercekovinjë vazhduan si në dhomën e krimeve të luftës në Sarajevë ashtu edhe në gjykatat vendore, por ato përballen me një numër të madh pengesash, përfshirë këtu edhe mungesën e stafit dhe të financimit.
- Serbia arriti të shënoi progres në çështjet përpara gjykatave të veta, përfshirë këtu edhe gjyqin e nëntë burrave të akuzuar për vrasjen e më tepër se 40 civilëve, që i përkisnin etnisë shqiptare në fshatin Qyshk të Kosovës (Cuska në Serbisht), nga ana e forcave serbe të sigurisë gjatë bobardimeve të NATO - s në Jugosllavi në vitin 1999. Më shumë se 1000 shqiptarë etniktë të Kosovës vazhdojnë të mbeten të humbur që nga koha e luftës.
Por progresi në gjykatat e Serbisë ka mbetur në hije nga dështimi i vazhdueshëm për të arrestuar udhëheqësin ushtarak të kohës së luftës Ratko Mladic i paditur për genocidin e Srebrenicës, megjith zotimin e përsëritur për ta arrestuar atë. Më tepër se 7,000 burra dhe djem të rinj u vranë përreth këtij qyteti nga Forcat Serbe në vitit 1995, barbarizmi më i egër në Europe që nga Lufta e Dytë Botërorë.
- Në Kosovë hetimet dhe ndjekjet penale të krimeve të luftës dhe të krimit të organizuar vazhdojnë të mbeten të avashta dhe të parregullta, megjith misionin e Bashkimit Europian për të ndihmuar në zhvillimin e institucioneve ligjore dhe për të mbështetur shtetin ligjor (EULEX). Misioni i BE - së duhet të hetojë me rrënjë pohimet e besueshme rreth rrëmbimeve, trasferimeve drejt Shqipërisë, ekzekutimeve, dhe trafikimin e mundshëm të organeve nga ana e disa anëtarëve me përvoje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përfundim të luftës, siç përshkruhet në raportin e Dick Marty, raportuesi special i Këshillit të Europës, i cili do të votohet më 25 janar 2011 në Asamblenë Parlamentare të këshillit. Për të garantuar efektivitetin e hetimeve, EULEX - i duhet të emërojë një prokuror të ri, special dhe me përvojë si edhe të ripërtërij programin për mbrojtjen e dëshmitarëve.
" Raporti i Këshillit të Europës nënvizon nevojën për një hetim ndërkombëtar efikas dhe të besueshëm, me bashkëpunimin e plotë të autoriteteve të Kosovës dhe të Shqipërisë, si edhe me mbështetjen e qeverive të SHBA - së dhe BE - së," u shpreh Ward. "Por Serbia gjithashtu duhet të japë siguri që do të ndihmojë në gjetjen e të gjithë personave të humbur dhe që viktimave të Srebrenicës nuk do ti duhet të presin edhe një vit tjetër për drejtësi. Kjo kërkon presion të vazhdueshëm nga Brukseli dhe Washingtoni."
Nëpër rajon, Romët dhe minoritetet e tjera vazhdojnë të mbeten të mënjanuar dhe nën cënimin e diskriminimit. Në Beograd qeveria i dëbon Romët nga vendbanimet informale, por nuk u siguron atyre mundësi të tjera për strehim ose informacion se ku mund të marrin asistencë.
Në Kosovë, Romët, Egjiptianët dhe Ashkalinjtë që flasin shqip gjithashtu përballen me diskriminim të vazhdueshëm dhe me përqindjet më të larta të papunësinë dhe të vdekjeve foshnjore në rajon. Gjendja e tëre e vështirë ashpërsohet nga dëbimet e vazhdueshme të Romëve, Ashkalinjvë dhe Egjiptianëve, nga Europa Perëndimore për në Kosovë, ku për të kthyerit parashikohet vetëm një asistencë e vogël.
Shumë Romë ndodhen në Gjermani, ku shteti i Vestfalisë së Renit Verior ka pezulluar përkohësisht rikthimet gjatë dimrit.
" Rikthimet me forcë, veçanërisht në mungesë të asistencës konkrete, janë duke e përkeqësuar situatën për minoritetet e cënueshme, veçanërisht ato të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve të Kosovës, " u shpreh Ward: " Autoritetet në Gjermani dhe në vende të tjera në Europën Perëndimore duhet të ndalin rikthimet me forcë të minoriteteve drejt Kosovës derisa atje të ketë pritje dhe kushte të përshtatshme riintegruese. "
Pak progres është shënuar për zgjidhjet e qëndrueshme sa i përket personave të zhvendosur dhe refugjatëve në Ballkanin Perëndimor gjatë vitit 2010, shprehet në raport. Numri i refugjatëve të rikthyer vullnetarisht ka vazhduar të pakësohet dhe ka pasur pengesa domethënëse për riintegrimin. Këtu përfshihen edhe rimarrja nën kontroll e pronës, diskriminimi kundër minoriteteve etnike në punësimin pranë sektorit publik si edhe ngacmime e dhunë kundër minoriteteve.
Mbyllja e një kampi të ndotur nga plumbi në tetor në Kosovën Veriore, i cili kish qënë i zënë per një dekadë nga Romët e zhvendosur dhe hapat drejt sigurimit të strehimit të mundshëm të tyre, mundësitë për punësim, si edhe trajtimet mjekësore, kanë treguar se çfare mund të sjellin një angazhim më i lartë dhe një përqasje e integruar, u shpreh "Human Rights Watch."
Gjithashtu pak progres është shënuar në trajtimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, tha Human Rights Watch. Në Kroaci, më shumë se 9,000 persona me aftësi të kufizuara mendore apo intelektuale jetojnë në institucione të cilat u privojnë atyre autonominë dhe mundësinë për të jetuar një jetë të kompletuar. Numri i individëve të institucionalizuar është rritur, pavarësisht angazhimit të Kroacisë ndaj Kombeve të Bashkuara dhe BE- së për t'ju siguruar atyre strehim në komunitet dhe shërbime përkrahëse. Në Serbi autoritetet u kanë bllokuar të drejtën e përqasjes organizatave që synojnë të monitorojnë dhe të raportojnë mbi kushtet e institucioneve për personat me aftësi të kufizuara.
Ngacmimi i gazetarëve të pavarur mbetet një shqetësim serioz, theksoi "Human Rights Watch," me incidente dhe ngacmime fizike dhe verbale kundrejt gazetarëve të regjistruara në Bosnje, Kroaci, Serbi dhe Kosovë gjatë vitit 2010.
Shqetësime të tjera specifike të identifikuara në raport përfshijnë:
- Dështimin e Kroacisë për të përmbushur e përgjigjur kërkesave të emigrantëve dhe kërkuesve të azilit duke përfshirë këtu edhe mungesën e mbrojtjes së përshtatshme për fëmijët e pashoqëruar të emigrantëve;
- Politikbërjen e Bosnjes për të mbajtur të dyshuarit për vepra terroriste nën arrest pa afat dhe përpjekjet për ti dëbuar ata në vende ku mund të përballen me rrezikun e torturës; si edhe
- Mungesën e vazhdueshme të tolerancës ndaj lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve, dhe personave transeksualë në rajon, e vënë në dukje nga protestat e dhunshme që rrethuan Paradën e Krenarisë në Beogragd (Belgrade Pride Parade) në kryeqytetin serb në tetor.