Skip to main content

Kosovë: Shteti i ri të ndërtohet mbi baza ligjore

Mbrojtja e të Drejtave të Minoriteteve është Çelsi për të Ardhmen e Kosovës

Duke marrë parasysh që Kosova është gati për të shpallur pavarësinë, qeverija e re dhe partnerët e saj ndërkombëtarë duhet të ndërtojne një shtet baza e të cilit të jenë principet demokratike dhe ligji, kështu u shpreh “Human Rights Watch” në publikimin e sotëm të axhendës me shtatë pika mbi të drejtat e njeriut. Misioni i drejtuar nga Bashkimi Evropian i ngarkuar me detyrën e stabilizimit të provincës së shkëputur, sapo të ndahet nga Serbia, duhet të ndërmarrë hapa urgjente për të parandaluar shkeljen e së drejtave të njeriut, veçanërisht kundër minoriteteve dhe grave.

"Ndërhyrja ushtarake e vitit 1999 në Kosovë kishte si kusht paraprak mbrojtjen e së drejtave të njeriut të Shqipëtarëve të cilat shkeleshin atëherë nga qeverija Serbe", u shpreh Holly Cartner, drejtoresha e “Human Rights Watch” në departamentin e “Evropës dhe Azisë Qëndrore”. "Kështu që është krejtësisht e domosdoshme që Kosova e re të respektojë të drejtat e njeriut për të gjitha komunitetet prezente"

Memorandumi i Human Rights Watch, “Axhenda për të Drejtat e Njeriut në Kosovën e Re, ” identifikon shtatë nga shqetësimet më urgjente të së drejtave të njeriut në Kosovë:

  • Sistemin e papërshtatshëm të së drejtës penale;

  • Dhunën në familje dhe shkeljet e tjera ndaj grave;

  • Dhunën ndaj minoriteteve etnike;

  • Pamundësinë e refugjatëve dhe personave të zhvendosur për tu kthyer të sigurtë në shtëpitë e tyre;

  • Gjëndja e vështirë e komuniteteve Rome, Ashkalinj dhe Egjiptiane;

  • Mbikqyrja e papërshtatshme e institucioneve ndërkombëtare; dhe

  • Mungesa e pajtimit ndëretnik

Për identifikimin e shqetësimeve kyçe “Human Rights Watch” u konsultua me organizata mbi të drejtat e njeriut në komunitetet e ndryshme etnike të Kosovës.

Kryesorja në axhendë është forcimi i sistemit të së drejtës penale, i cili nuk ka qënë në gjëndje të luftojë krimin që ndikon të gjithë banorët e Kosovës, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre etnike. Disa nga mangësitë kyçe përfshijnë bashkëpunimin e dobët ndërmjet policisë, prokurorëve dhe gjykatësve vendas dhe ndërkombëtarë, si edhe mbrojtjen e papërshtatshme të dëshmitarëve. Shtetet Perëndimore nuk janë të gatshëm për të shvendosur dhe mbrojtur dëshmitarët në rrezik. Misioni policor dhe gjyqësor i Bashkimit Evropian me një kontingjent prej rreth 2000 personave do të jetë elementi kryesor i misionit të ri ndërkombëtar të drejtuar nga Bashkimi Evropian.

Është e domosdoshme që autoritetet Kosovare dhe misioni i drejtuar nga Bashkimi Evropian të mbrojnë minoritetet nga dhuna që ka zotëruar vazhdimisht në historinë e mbasluftës në Kosovë. Mbrojtjes fizike nga ana e Policisë së Kosovës, Policisë së Bashkimit Evropian dhe forcave të NATO-s duhet ti shtohet edhe mbyllja e qarkut të dhunës, që do të thotë që përgjegjësit e krimeve duhet të përndiqen penalisht.

Shqetësim te veçantë paraqesin komunitetet Rome, Ashkalinj dhe Egjiptiane, theksoi “Human Rights Watch”. Të pafuqishëm politikisht dhe të përjashtuar ekonomikisht, ata janë të ekspozuar ndaj diskriminimit dhe kërcënimeve. Komunitetet e Ashkalinjve dhe Egjiptianëve ndikohen disproporcionalisht prej kthimeve të detyruara nga Evropa Perëndimore (ndërsa Romët e Kosovës që flasin Serbisht dhe që konsiderohen në një rrezik më të madh, dërgohen për në Serbi). Ndihma e kufizuar për të rikthyerit është një pengesë për komunitetet tashmë të margjinalizuara.

"Vendimi i Bashkimit Evropian për të fokusuar përpjekjet e tyre në sistemin juridik është i drejtë", u shpreh Cartner. "Por për aq kohë sa shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të mos tregojnë gadishmëri për të zhvendosur dëshmitarët ne rrezik, do të jetë thuajse e pamundur të vendoset drejtësia për disa nga krimet më serioze".

Prioritete të mëtejshme janë gjithashtu lufta ndaj dhunës familjare, trafikimit dhe abuzimeve të tjera ndaj grave të çfarëdolloj komuniteti. “Human Rights Watch” rekomandon që autoritetet duhet të përmirësojnë mundësitë e grave të keqtrajtuara për të trokitur në dyert e drejtësisë dhe të shpërndajnë ndihma të mjaftueshme për të bërë të mundur që çdo bashki të ketë shtëpija të sigurta banimi për viktimat e dhunës familjare.

Qeverija e Kosovës dhe agjensitë ndërkombëtare duhet të punojnë gjithashtu në krijimin e kushteve për kthimin vullnetar dhe me perspektivë të refugjatëve dhe personave të zhvendosur. Duke filluar që nga qershori i vitit1999 dhe deri më sot janë kthyer më pak sesa 18 000 nga 250 000 Serb, Roma dhe të zhvendosur të tjerë. Pasigurija, dështimi për të nxjerrë para drejtësisë shkaktarët e sulmeve ndaj minoriteteve dhe diskriminimi në mundësitë që ofrojnë shërbimet sociale, janë vetëm disa nga arsyet për këtë.

Misioni në Kosovë i drejtuar nga Bashkimi Evropian do të përballet me një sfidë madhore për të ndihmuar autoritetet e Kosovës në këto çështje të vështira. Për të drejtuar në mënyre shëmbullore dhe për të rritur legjitimitetin e tyre në popull, misioni duhet ti trajtojë çështjet e së drejtave të njeriut me kujdes dhe përgjegjësi tepër më të madhe sesa paraardhësit e tyre të Kombeve të Bashkuara. Në veçanti misioni policor dhe gjyqësor i Bashkimit Evropian duhet ti nënshtrohet mbikqyrjes së pavarur mbi të drejtat e njeriut nga ana e Avokatit të Popullit të Kosovës.

Vetëm në momentin kur ankesat e të dyja palëve, si Shqipëtareve ashtu edhe komuniteteve minoritare të Kosovës, të adresohen mjaftueshëm, mund të krijohet besimi bazë dhe mund te fillojë pajtimi, u shpreh “Human Rights Watch”. Vendosja e individëve përpara përgjegjësisë penale për krimet e së kaluarës dhe drita që duhet hedhur mbi fatin e më shumë se 2000 personave të humbur – shumica e të cilëve me origjinë etnike Shqipëtare – jane hapa thelbësore në këte proces.

“Banoret e Kosovës – Shqipëtaret, Serbët, Romët dhe te tjerët – kanë vuajtur nga shkeljet serioze të së drejtave të njeriut për shumë vite me rradhë” theksoi Cartner. “Me përkushtimin e nevojshëm dhe vëmendjen e duhur nga Bashkimi Evropian tashmë shfaqet një mundësi reale për të krijuar një Kosovë ku shkeljet e të drejtave të njeriut të jenë përjashtim dhe jo rend i ditës”.

Your tax deductible gift can help stop human rights violations and save lives around the world.