Skip to main content

Serbi/Kosovë

Ngjarjet e vitit 2020

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Holandë, e mërkurë 11 nëntor 2020. 

© 2020 Eva Plevier përmes AP Photo, Pool.

Serbi

Në Serbi, në vitin 2020, pati një përmirësim të kufizuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gazetarët u përballën me kërcënime, dhunë, kanosje dhe ata që janë përgjegjës rrallë japin llogari për këtë. Përpjekjet për të ndjekur penalisht krimet e luftës vazhduan të përqendroheshin tek autorët e nivelit të ulët. Personat me aftësi të kufizuara vazhduan të sistemohen dhe të qëndrojnë për një kohë të gjatë në institucione. Sulmet dhe kërcënimet kundër lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT) vazhduan.

Liria e medias

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve vazhduan të jenë  shqetësim dhe u përballën me përgjigje joadekuate nga autoritetet serbe.

Ndërmjet janarit dhe fundit të gushtit, Shoqata e gazetarëve të pavarur të Serbisë (NUNS) regjistroi 28 sulme fizike dhe 33 kërcënime ose kanosje kundër gazetarëve.

Në shtator, Gjykata e Apelit në Beograd rrëzoi dënimet e vitit 2019 për të pandehurit e akuzuar për vrasjen e gazetarit dhe redaktorit të njohur Slavko Curuvija në vitin 1999.

Ndërsa raportonte për një protestë kundër masave kufizuese për shkak të Kovid-19 në korrik, gazetari i agjencisë së lajmeve BETA Zikica Stevanoviç u rrah nga disa oficerë policie, të cilët e qëlluan me shkop gome në kokë pavarësisht se ai u tregoi atyre kartën identifikuese të gazetarit, sipas NUNS. Rrahja e Stevanoviçit ishte nën hetim e sipër në kohën e shkrimit. NUNS raportoi gjithashtu se përderisa po mbulonte të njëjtën protestë, gazetari Igor Stanojeviç u rrah nga policia dhe u arrestua pavarësisht se u tregoi atyre kartën identifikuese të gazetarit. Ai u akuzua se kishte qëlluar me gurë policinë dhe se i kishte bërë rezistencë arrestimit.

Llogaridhënia për krimet e luftës

Ndërmjet janarit dhe gushtit, Prokuroria e krimeve të luftës nisi dy hetime të reja dhe nxori dy aktakuza kundër gjithsej  katër personave. Një gjykatë apeli në Beograd dënoi një zyrtar të rangut të ulët për krime lufte. Gjykata e shkallës së parë në Beograd dënoi tre persona për krime lufte në të njëjtën periudhë kohore. Që nga gushti, 34 raste kundër 188 individëve kanë qenë nën hetime dhe 14 raste kundër 36 të pandehurve ishin në pritje para gjykatave serbe.

Në shtator, një gjykatë në Beograd lëshoi  urdhër arresti për një ish-ushtar të liruar me kusht të quajtur Rajko Kozlina, pasi ai nuk u paraqit në shtator për të vuajtur dënimin e tij me 15 vjet burg për vrasjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë 1998-1999. Dënimi i tij me burg në dhjetor 2019 u lanë në fuqi në apel në qershor.

Në mars, Gjykata e Apelit në Beograd la në fuqi dënimin e Nikola Vida Lujic, një ish-anëtar i njësisë së forcave speciale “Beretat e Kuqe” të Serbisë, duke e dënuar atë me tetë vjet burg për një përdhunimin e një gruaje gjatë kohës së luftës në fshatin Brçko në Bosnjë në vitin 1992.

Një gjykatë në Beograd në korrik dënoi një ish-ushtar me katër vjet burg për një vrasje dhe dy përpjekje për vrasje të civilëve në Bosanski Petrovac, Bosnjë, në vitin 1992. Në të njëjtin muaj, e njëjta gjykatë dënoi një ish-ushtar të Ushtrisë Serbe të Bosnjës me dy vjet burg për rrahjen dhe keqtrajtimin e civilëve boshnjakë në komunën e Kljucit në vitin 1992.

Gjyqi i parë në Serbi për krime lufte në Srebrenicë u shoqërua me vonesa të mëtejshme, sepse të pandehurit, të cilët nuk po mbahen në paraburgim gjatë procedurave gjyqësore, nuk u paraqitën në gjykatë. Tetë ish-oficerë policie serbë të Bosnjës, banorë të Serbisë, janë akuzuar për vrasjen e më shumë se 1,300 civilëve boshnjakë në korrik të vitit 1995. Që nga fillimi i gjyqit në dhjetor 2016, gjyqi është shtyrë 18 herë sepse të akuzuarit pretendojnë se kanë probleme shëndetësore.

Pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti në korrik, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ofroi të bashkëpunojë me qeverinë e Kosovës për të identifikuar vendndodhjen e personave të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Emigrantë, përfshirë azilkërkues, dhe persona të zhvendosur afatgjatë e refugjatë

Ndërmjet janarit dhe gushtit, Serbia regjistroi 2,084 azilkërkues, dukshëm më pak nga 6,156 azilkërkues që ajo regjistroi gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2019. Afganët përbënin grupin më të madh kombëtar në vitin 2020. Vlerësimet e UNHCR-së për numrin e azilkërkuesve dhe emigrantëve në qendrat e ngritura nga shteti u ulën gjithashtu në 4,050 në gusht nga 5,420 që ishin vitin e kaluar.

Sistemi i azilit vazhdoi të jetë me të meta, me vështirësi për azilkërkuesit që kërkojnë qasje në procedura, nivele të ulëta njohjeje krahasuar me mesataret e BE-së dhe vonesa të gjata para marrjes së vendimeve. Ndërmjet janarit dhe gusht, Serbia regjistroi 56 kërkesa për azil, duke i dhënë statusin e refugjatit 9 personave dhe mbrojtje plotësuese 7 të tjerëve. Gjatë dekadës së kaluar, Serbia i ka dhënë statusin e refugjatit një totali prej vetëm 78 personash dhe mbrojtje plotësuese për 96 të tjerë. Në mes të tetorit, 6 nga 16 kampe të drejtuara nga qeveria ishin të mbipopulluar.

Në fund të korrikut, tek autoritetet serbe u regjistruan 37 fëmijë të pashoqëruar, shumica nga Afganistani, krahasuar me 437 të tillë që u regjistruan gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2019. Serbia ende nuk ka procedura zyrtare për vlerësimin e moshës për fëmijët e pashoqëruar, duke i vënë fëmijët më të rritur në rrezik të trajtohen si të rritur në vend që të marrin mbrojtje të veçantë.

Pati pak progres përsa i takon zgjidhjeve të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit nga luftërat Ballkanike që jetojnë në Serbi. Numri i njerëzve të regjistruar si refugjatë dhe persona të zhvendosur nga ato konflikte në vitin 2020 mezi ndryshoi në krahasim me vitin e kaluar.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Sulmet, kërcënimet dhe fushatat e shpifjeve kundër personave dhe aktivistëve LGBT vazhduan. Ndërmjet janarit dhe shtatorit, organizata serbe e të drejtave LGBT - DA SE ZNA! regjistroi 17 incidente urrejtjeje kundër personave LGBT, përfshirë 8 sulme fizike dhe 9 kërcënime.

Të drejtat e grave

Në raportin e tij të parë mbi Serbinë, grupi i ekspertëve përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Konventës së Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje vuri në dukje mangësitë  e vazhdueshme në shërbime dhe pengesat për të pasur qasje në ndihmë për të mbijetuarit e dhunës ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht për përdhunim dhe sulm seksual, dhe i bëri thirrje qeverisë të ndërmarrë masa urgjente për të adresuar stereotipet gjinore dhe për të promovuar barazinë.

Personat me aftësi të kufizuara

Mijëra të rritur dhe fëmijë me aftësi të kufizuara mbetën në institucione në të gjithë Serbinë. Qeveria nuk arriti të miratojë një plan deinstitucionalizimi për t’i nxjerrë personat me aftësi të kufizuara nga institucionet dhe për t’i sistemuar ata në qendra afër komunitetit. Qeveria nuk dha të dhëna se sa persona me aftësi të kufizuara ndërruan jetë në këto institucione për shkak të ndërlikimeve nga Kovid-19. Shkollimi në distancë dhe mësimi online, i vendosur kur u mbyllën shkollat në mars, nuk qe i arritshëm për shumë fëmijë me aftësi të kufizuara.

Aktorët kryesorë ndërkombëtarë

Në korrik, Serbia dhe Kosova rifilluan dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike, të bllokuar që nga nëntori 2018, por nuk arritën të bëjnë angazhime specifike për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatovic, në korrik u bëri thirrje autoriteteve serbe të hetojnë dhunën e policisë kundër protestuesve gjatë protestave të korrikut në Beograd kundër kufizimeve të qeverisë për Kovid-19.

Pas një ndërhyrje në prill nga Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e medias, Harlem Désir, qeveria serbe tërhoqi menjëherë një vendim të marsit për të kufizuar qasjen e medias në informacione gjatë pandemisë Kovid-19.

Progres raporti i Komisionit Evropian në tetor tha se Serbia duhet të sigurojë pavarësinë e institucioneve të saj të të drejtave të njeriut. Raporti vuri në dukje shqetësime serioze në lidhje me kanosjen, kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe komunitetit LGBT dhe u bëri thirrje autoriteteve të hetojnë dhe penalizojnë menjëherë autorët e këtyre krimeve.

Kosovë

Pjesa e parë e aktakuzave të ngritura nga prokurorët e caktuar nga Gjykata e specializuar për krime lufte për Kosovën me seli nëHagë shënoi progresin e shumëpritur drejt drejtësisë për shkelje të rënda të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe ligjit humanitar, si dhe të ligjeve të luftës. Gazetarët u përballën me kërcënime dhe kanosje dhe ndjekjet penale të krimeve kundër gazetarëve kanë qenë të ngadalta. Tensionet midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës vazhduan, veçanërisht në veri. Komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane të Ballkanit vazhduan të përballen me diskriminim.

Llogaridhënia për krimet e luftës

Në nëntor, presidenti Hashim Thaçi ishte midis katër ish-anëtarëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që u paditën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Akuzat - të cilat lidhen me periudhën gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës të vitit 1999 - u ngritën nga Zyra e prokurorit të specializuar me seli në Hagë. Thaçi dha dorëheqje dhe të katër u transferuan në mjediset e paraburgimit në Hagë dhe patën paraqitjen e tyre të parë në gjykatë, ku u vetëdeklaruan të pafajshëm. Prokuroria e akuzoi Thaçin dhe të pandehurit e tjerë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për kanosje të dëshmitarëve dhe akuzoi dy burra nga Organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së për zbulimin e emrave të dëshmitarëve. Në shtator, një komandant tjetër i UÇK-së, Salih Mustafa, u akuzua dhe u arrestua për krime lufte.

Një gjykatë në Prizren në qershor një ish-polic rezervist serb e shpalli fajtor për krime lufte kundër shqiptarëve etnikë në fshatin Krushë e Vogël në mars 1999 dhe e dënoi  me 22 vjet burg.

Përgjegjësia e institucioneve ndërkombëtare

Eksperti i Kombeve të bashkuara për të drejtat e njeriut mbi Mbetjet e rrezikshme në shtator i tërhoqi vëmendjen Kombeve të Bashkuara se ka dështuar vazhdimisht në trajtimin e viktimave të helmuara nga plumbi në kampet për personat e zhvendosur të drejtuar nga Misioni i kombeve të bashkuara në Kosovë (UNMIK). Paneli këshillëdhënës për të drejtat e njeriut (HRAP), një organ ndërkombëtar i pavarur i ngritur për të shqyrtuar ankesat për abuzime nga UNMIK-u, në vitin 2016 gjeti shkelje ndaj anëtarëve të komuniteteve të zhvendosura dhe rekomandoi që Kombet e bashkuara të paguajnë kompensim individual dhe t'u kërkojnë falje viktimave. Kombet e bashkuara nuk kanë bërë asnjërën nga këto. Që nga themelimi i tij në 2017, vetëm një shtet ka kontribuar në fondin vullnetar të mirëbesimit të Kombeve të bashkuara të ngritur për projekte për ndihmë të komunitetit që nuk kanë të bëjnë në mënyrë specifike me helmimin nga plumbi. Viktimat janë anëtarë të zhvendosur të komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptianë të Ballkanit.

Trajtimi i pakicave

Një studim gjithëpërfshirës i romëve, ashkalive dhe egjiptianëve të Ballkanit në Kosovë, i botuar nga Organizata për siguri dhe bashkëpunim në janar, arriti në përfundimin se shumica e anëtarëve të këtyre komuniteteve përballen me papunësi të lartë, strehim të dobët dhe përvojë diskrimini,sidomos gratë. Janë raportuar disa përmirësime në qasjen në arsim, qëli tradicionalisht ka qenë i joadekuate.

Gjyqi kundër gjashtë të pandehurve të akuzuar për vrasjen në janar të vitit 2018 të politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç filloi në shkurt. Katër të pandehur akuzohen se kanë qenë pjesë e një grupi kriminal që organizoi vrasjen e Ivanoviçit. Dy të pandehur ishin policë të Kosovës. Të gjithë pretenduan pafajësi. Ivanoviç u qëllua për vdekje nga persona të panjohur jashtë zyrës së tij në Mitrovicë, në veri të Kosovës.

Të drejtat e grave

Dhuna në familje mbeti problem në Kosovë me një përgjigje joadekuate nga ana e policisë, disa ndjekje penale dhe dështim të vazhdueshëm nga ana e gjyqtarëve për të lëshuar urdhra ndalimi ndaj partnerëve abuzivë.

Një mekanizëm i vitit 2018, i ngritur për të ndihmuar në sigurimin e kompensimit financiar për rreth 20,000 të mbijetuara të dhunës seksuale të kohës së luftës, vazhdoi të ketë shtrirje të kufizuar. Ndërmjet shkurtit 2018 dhe qershorit të vitit 2020, rreth 1,239 të mbijetuara kërkuan kompensim financiar, me 800 raste të aprovuara, 239 të refuzuara dhe pjesa tjetër e rasteve ende në pritje në kohën e shkrimit.

Azilkërkuesit dhe personat e zhvendosur

Gjatë 9 muajve të parë të vitit, Komisioneri i lartë i kombeve të bashkuara për refugjatët regjistroi 245 kthime vullnetare të anëtarëve të pakicave etnike në Kosovë nga vendet e tjera, nga 115 që pati gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2019.

Ministria e punëve të brendshme në Kosovë regjistroi 304 deportime në Kosovë ndërmjet janarit dhe shtatorit, shumica nga Gjermania. Ministria e punëve të brendshme pretendoi se nuk kishte të dhëna për përkatësinë etnike të të kthyerve. Autoritetet u siguruan të kthyerve ndihmë të kufizuar

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut

Në qershor, 40 organizata lokale të shoqërisë civile dënuan kërcënimet dhe fushatat e shpifjeve kundër aktivistit të të drejtave të njeriut Shkëlzen Gashi, të pushuar nga detyra e tij si këshilltar i kryeministrit të atëhershëm Albin Kurti, pasi ky i fundit u shpreh se anëtarë individualë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin kryer krime gjatë dhe pas luftës.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale kundër aktivistëve të të drejtave të lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT) vazhdoi. Qendra për barazi dhe liri e komunitetit LGBT në Kosovë (CEL) në tetor shprehu shqetësim rreth shpeshtisë së komenteve homofobike dhe gjuhës së urrejtjes kundër personave LGBT nga politikanë të rangut të lartë, veçanërisht në mediat sociale.

Liria e medias

Gazetarët vazhduan të jenë shënjestër e kanosjeve, kërcënimeve në rrjetet sociale dhe sulmeve fizike. Hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalta.

Ndërmjet janarit dhe shtatorit, Shoqata e gazetarëve të Kosovës regjistroi tetëmbëdhjetë raste kërcënimesh dhe dhune ndaj gazetarëve dhe medieve, duke përfshirë pesë sulme fizike ndaj gazetarëve dhe dhjetë kërcënime. Në kohën e shkrimit, policia po hetonte katër nga rastet e regjistruara.

Në prill, drejtori i TV Plus, Nenad Milenkovic, u sulmua fizikisht në Mitrovicën e Veriut nga katër sulmues të maskuar, të panjohur, dhe mendohet se ky sulm ka lidhje me punën e tij si raportues. Policia po e hetonte rastin në kohën e shkrimit.

Aktorët kryesorë ndërkombëtarë

Qeveria e SHBA-ve dhe ato evropiane e mbështetën vazhdimisht Gjykatën speciale të Kosovës të financuar nga BE-ja, por përpjekjet e qeverisë amerikane për të ndërmjetësuar një marrëveshje stabilizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk i adresuan shqetësimet që kanë të bëjnë me të drejtave të njeriut. Komisionerja e Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviç, u bëri thirrje shteteve të ish-Jugosllavisë që ta marrin seriozisht mbrojtjen e dëshmitarëve të krimeve të luftës dhe të sigurohen që asnjë dëshmitar të mos ketë frikë për jetën e tij kur dëshmon në një çështje krimesh lufte.

Në korrik, sundimi i ligjit të EULEX-it  e zgjati mandatin e tij edhe me një vit për shkak të pandemisë së COVID-19. Në prill, EULEX përforcoi angazhimin për të përcaktuar fatin e mbi 1,640 personave që u zhdukën gjatë luftës dhe që nuk janë gjetur ende.

Komisioneri për zgjerimin e  BE-së Oliver Varhelyi i tha qeverisë së re të Kosovës se nevojiten përpjekje reformuese për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin, por nuk ngriti shqetësime të tjera që kanë lidhje me të drejtat e njeriut.

Progres raporti i Komisionit Evropian në tetor deklaroi se sistemi gjyqësor mbetej i ndjeshëm ndaj presionit politik dhe se mekanizmat për mbrojtjen e dëshmitarëve përballen me sfida të mëdha, pasi njerëzit kanë shumë pak besim se autoritetet do t’i mbajnë ata të sigurt. Raporti ngriti shqetësime për kërcënimet dhe kanosjet e vazhdueshme ndaj personave LGBT dhe për masat e e papërshtatshme për integrimin e komuniteteve rome, ashkali dhe të egjiptianëve të Ballkanit.