Skip to main content

Serbi/Kosovë

Ngjarjet e vitit 2024

Një protestues ka veshur një bluzë ku shkruan "Nuk do të të lë të helmosh" gjatë një tubimi kundër planeve për të filluar minierat e litiumit në Serbi, në Beograd, Serbi, 10 gusht 2024. 

© 2024 ANDREJ CUKIC/EPA-EFE/ Shutterstock

Sulmet ndaj gazetarëve, ndjekjet penale të vonuara dhe joefikase për krimet e luftës, një sistem azili me të meta dhe intoleranca dhe dhuna ndaj personave LGBT mbetën shqetësime të rëndësishme në Serbi në vitin 2024.

Reagimi i shtetit ndaj protestave dhe kritikave për minierat e planifikuara të litiumit në korrik dhe gusht nxori në pah dobësinë në sundimin e ligjit, me arrestime të aktivistëve dhe fushata shpifëse kundër mediave të pavarura nga media shtetërore.

Liria e medias

Gazetarë të pavarur ishin subjekt i sulmeve, kërcënimeve, duke përfshirë kërcënime me vdekje dhe shpifje nga media pro-qeveritare dhe zyrtarë të lartë publikë.

Në periudhën ndërmjet janarit dhe shtatorit, Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur regjistroi 108 incidente kundër gazetarëve dhe mediave të ndryshme, nga të cilat 8 ishin sulme fizike, 2 ishin sulme në pronë dhe 55 përfshinin kërcënime, kanosje dhe ngacmim.

Në mars, dy krerët e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës, Dinko Gruhonjic dhe Ana Laliç Hegedish, ishin subjekt i kërcënimit dhe kanosjes pasi folën në një konferencë në Kroaci. Gazetari investigativ Gruhonjic në muajin mars ishte shënjestër e një videoje virale deepfake , në të cilën ai shfaqej sikur ishte i lumtur që kishte të njëjtin emër me kriminelin e luftës fashist kroat Dinko Sakić, gjë e cila solli dy kallëzime penale kundër Gruhonjic dhe disa kërcënime me vdekje. Gazetarja Laliç Hegedish mori mijëra kërcënime, duke përfshirë kërcënime me vdekje dhe kërcënime për dhunë seksuale. Të dy gazetarët i raportuan incidentet në polici dhe policia ishte duke i hetuar rastet në momentin e shkrimit.

Në shkurt, redaksia N1 Belgrade denoncoi tek autoritetet disa kërcënime me vdekje kundër stafit të saj të redaksisë. N1 Belgrade ka marrë kërcënime të panumërta, duke përfshirë kërcënime me vdekje, gjatë dekadës së fundit, vetëm disa prej të cilave janë ndjekur penalisht.

Gjatë vitit, pati një rritje të rasteve të ashtuquajtura SLAPP (padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike) kundër gazetarëve.

Që nga shtatori, Krik, një media investigative, qe objekt i 14 padive për shpifje, për të cilat pretendon se të gjitha kanë si qëllim të heshtin punën e saj.

Në prill, një gjyqtare e Gjykatës së Apelit të Beogradit dhe bashkëshorti i saj ngritën padi civile dhe padi penale kundër Krik dhe gazetarëve të saj. Çifti pretendonte se media kishte shkelur të drejtat e tyre të privatësisë kur publikoi një profil të tyre në një bazë të dhënash gjyqtarësh që kishte si qëllim të evidentonte rastet dhe asetet kryesore për qëllime transparence. Të gjitha rastet ishin në pritje në kohën e shkrimit.

Në qershor, Gjykata e Apelit e Beogradit la në fuqi një vendim për shpifje kundër Krik për një artikull të publikuar në dhjetor të vitit 2021, ku renditeshin ata që kishin paditur gazetën dhe për një koment nga kryeredaktori në të njëjtin numër që thoshte se Krik ishte në shënjestër të padive SLAPP që synojnë të heshtin gazetarët.

Llogaridhënia për krimet e luftës

Në periudhën ndërmjet janarit dhe gushtit, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nisi shtatë hetime të reja për krime lufte që përfshinin tetë të dyshuar dhe tre kundër autorëve të panjohur. Deri në gusht, 19 raste kundër 37 të pandehurve ishin në pritje në gjykatat serbe. Procedurat u shoqëruan nga vonesa të konsiderueshme.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në maj emëroi një udhëheqës të përkohshëm të prokurorive të krimeve të luftës pas skadimit të mandatit shtatëvjeçar të Kryeprokurores në detyrë për Krimet e Luftës Snezana Stanojkovic. Një grup i shoqërisë civile që përndjek rastet e krimeve të luftës kritikoi mungesën e përparimit në llogaridhënien për krimet e luftës nën udhëheqjen e Stanojkovicit.

Gjykimi për krime lufte kundër shtatë ish-policëve serbë të Bosnjës të akuzuar për vrasjen e 1,313 boshnjakëve nga Srebrenica gjatë gjenocidit të vitit 1995, rifilloi në shtator pas një vonese 18-mujore. Gjykimi në Gjykatën e Lartë të Beogradit është shtyrë në mënyrë të përsëritur që nga fillimi i tij në vitin 2017. Që nga shtatori, janë zhvilluar, në fakt, vetëm dy nga tetë seanca dëgjimore të planifikuara për vitin 2024.

Gjykimi i Jovan Radanit, ish-anëtar i forcave të Mbrojtjes Territoriale të udhëhequr nga serbët i akuzuar për përdhunim gjatë kohës së luftës në zonën e Vukovarit të Kroacisë në vitin 1991, filloi në Gjykatën e Lartë të Beogradit në korrik.

Gjykata e Lartë e Beogradit, në një rigjykim në korrik, dënoi me nëntë vjet burg Danko Vladicicin për vrasjen e një çifti të moshuarish boshnjak në Brod na Drini në gusht të vitit 1992.

Pas një rigjykimi që zgjati më shumë se tetë vjet, Gjykata e Lartë e Beogradit në prill dënoi shtatë dhe liroi nga akuzat dy ish-anëtarë të një njësie të Ushtrisë Jugosllave për krime lufte për përfshirjen e tyre në sulmet vdekjeprurëse kundër civilëve në zonën e Pejës të Kosovës ndërmjet prillit dhe majit të vitit 1999. Komandanti u dënua me 20 vjet burg dhe të tjerët me dënime më të vogla.

Refugjatët, Azilkërkuesit dhe Emigrantët

Sistemi i azilit mbeti me mangësi, me azilkërkuesit që përballeshin me vështirësi në qasjen në procedura, norma të ulëta njohjeje dhe vonesa të gjata. Ndërmjet janarit dhe gushtit, Serbia u dha statusin e refugjatit ose mbrojtje shtesë vetëm dy personave. Serbia u siguroi mbrojtje të përkohshme 880 personave, të gjithë nga Ukraina.

Ndërmjet janarit dhe gushtit, Serbia regjistroi 511 azilkërkues dhe lejoi paraqitjen e 156 kërkesave për azil.

Deri në gusht, 38 fëmijë emigrantë të pashoqëruar ishin regjistruar tek autoritetet serbe për vitin e deritanishëm. Serbisë i mungojnë procedurat zyrtare të vlerësimit të moshës për fëmijët e pashoqëruar, gjë e cila i vë fëmijët më të rritur në rrezik për t'u trajtuar si të rritur në vend që të marrin mbrojtje të veçantë.

Orientimi Seksual dhe Identiteti Gjinor

Personat LGBT vazhduan të përballen me intolerancë, kërcënime dhe dhunë. Ndërmjet janarit dhe shtatorit, Da Se Zna! regjistroi 82 incidente të motivuara nga urrejtja ndaj personave LGBT, duke përfshirë 28 sulme fizike. Parada e Krenarisë e Beogradit u zhvillua pa incidente në shtator.

Personat me Aftësi të Kufizuara

Fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara vazhdojnë të vendosen në përkujdesje institucionale dhe pothuajse 30 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara që jetojnë në institucione nuk janë të regjistruar në shkollë.

Kosova

Njerëzit marrin pjesë në Paradën e Krenarisë të komunitetit LGBTQ në Prishtinë më 8 qershor 2024, për të kërkuar "liri" dhe "të drejta të barabarta" në Kosovë. © 2024 ARMEND NIMANI/AFP nëpërmjet Getty Images

Tensionet vazhduan në veri pas mbylljes të institucioneve financiare, zyrave postare dhe pesë "institucioneve paralele" të lidhura me Beogradin, nga autoritetet e Kosovës duke shkaktuar protesta midis serbëve vendas dhe kritika ndërkombëtare.

Njëzet e pesë vjet pas luftës, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhanë dy vendime dhe vazhduan procedurat gjyqësore kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe gjykatat e Kosovës vazhduan të ndjekin penalisht rastet e krimeve të luftës.

Gazetarët vazhduan të përballen me sulme, ngacmime dhe kërcënime, me një reagim të dobët nga autoritetet.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në prill rekomandoi që Kosova të bëhet anëtare.

Llogaridhënia për krimet e luftës

Në shkurt, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi ish-policin serb Dushko Arsiq për rolin e tij në keqtrajtime policore dhe paraushtarake, dëbime dhe vrasje të banorëve shqiptarë të Kosovës në Prishtinë në vitin 1999. Arsiq u dënua me 13 vjet burg.

Gjykata Themelore e Prishtinës në prill, në një rigjykim të pjesërishëm në rastin “Drenica 1”, liroi Sylejman Selimin dhe Jahir Demakun nga akuzat se kishin rrahur një të burgosur në qendrën e paraburgimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në fshatin Likovc në vitin 1998. Dënimet e tyre të tjera për krime lufte ende qëndrojnë.

Në korrik, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi Muhamet Alidemajn, një ish-oficer policie serb, me 15 vjet burg për krime lufte për pjesëmarrje në masakrën e 130 personave në Izbicë në mars të vitit 1999.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në korrik e shpallën ish-anëtarin e UÇK-së Pjetër Shala fajtor për krime lufte, duke përfshirë vrasjen e një të burgosuri dhe arrestim arbitrar dhe torturimin e të paktën 18 të burgosurve në Fabrikën e Metalit në Kukës, Shqipëri, ndërmjet majit dhe qershorit të vitit 1999. Gjykata e dënoi Shalën me 18 vjet burg.

Në shtator, Kolegji i Gjykatës së Apelit pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e uli dënimin e komandantit të UÇK-së Salih Mustafa për herë të dytë, në 15 vjet burg. Mustafa u dënua në dhjetor të vitit 2022 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime lufte ndërmjet viteve 1998 dhe 2000, duke përfshirë vrasje, torturë dhe arrestimin arbitrar.

Llogaridhënie për dhunë politike

Gjykata Themelore e Prishtinës në qershor dënoi katër serbë të Kosovës—Nedeljko Spasojeviq, Marko Rosiq, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq—për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në vitin 2018, një politikan opozitar serb i Kosovës nga Mitrovica e Veriut. Dënimet varionin nga katër deri në 10 vjet burg. Policia vonoi në kryerjen e arrestimeve pasi dënimi i lejoi Rosiqit t'i shmangej drejtësisë.

Liria e medias

Gazetarët vazhduan të jenë subjekt isulmeve fizike, kërcënimeve dhe pengesave në punën e tyre. Në periudhën janar-shtator, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) regjistroi 38 incidente kundër gazetarëve, duke përfshirë dy sulme, pesë kërcënime me vdekje dhe 14 raste ngacmimi, gjuhë urrejtjeje ose fushatë shpifëse.

Stafi i medias investigative online Insajderimori kërcënime me vdekje pas një artikulli në qershor që identifikonte një person të arrestuar nga Policia e Kosovës për mashtrim të dyshuar dhe pastrim parash.

Gjykata Themelore e Mitrovicës në shtator dënoi një burrë me katër muaj burg për kërcënimin e një ekipi nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese që raportonte mbi një propozim për të ndërtuar një kishë katolike në fshatin Klinë e Epërme në shkurt.

Të drejtat e grave

Një komision i krijuar për t'u dhënë statusdhe qasje në pagesa mujore të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës, pati përparim të ngadaltë, me vetëm 2,083 nga rreth 20,000 të mbijetuar që kishin aplikuar deri në qershor.

Një raport i publikuar në qershor nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë që monitoron rastet e dhunës në familje kritikoi vonesat e gjykatave dhe mosrespektimin e afateve procedurale si dhe dënime të buta, me 78 për qind të të pandehurve që marrin maksimumi një gjobë ose dënim me kusht. Raporti rekomandoi trajnime për të gjithë aktorët e sistemit gjyqësor, duke përfshirë trajnime të specializuara për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët.

Orientimi Seksual dhe Identiteti Gjinor

Duda Balje, deputete e parlamentit të Kosovës dhe kryetare e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, bëri komente diskriminuese për personat LGBT gjatë një takimi parlamentar në shkurt. Organizatat lokale LGBT dhe të të drejtave të njeriut bënë thirrje për shkarkimin e saj si kryetare. Në maj, qeveria njoftoi planet për të legalizuar martesat civile të së njëjtës gjini. Legjislacioni nuk ishte miratuar ende në kohën e shkrimit.

Azilkërkuesit dhe personat e zhvendosur

Ndërmjet janarit dhe gushtit, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës regjistroi 358 kthime të detyruara në Kosovë, shumica nga Gjermania. Gjashtëdhjetë e një ishin fëmijë. Nga të gjithë të kthyerit me forcë, nëntë ishin romë, një boshnjak dhe të tjerët shqiptarë etnikë. Gjatë të njëjtës periudhë raportuese, ministria regjistroi 33 kthime vullnetare në Kosovë dhe 144 kërkesa për azil, shumica e këtyre të fundit individë nga Siria.

Llogaridhënia e institucioneve ndërkombëtare

Nuk pati përparim në sigurimin e dëmshpërblimeve apo kërkim falje për romët e Kosovës të zhvendosur nga OKB-ja në kampet e kontaminuara, tani të mbyllura, me plumb pas luftës së vitit 1999. Një mekanizëm i OKB-së i krijuar për të ofruar kompensim nuk ka filluar punë ende.