Gazetarët e pavarur vazhduan të jenë subjekt i kërcënimeve dhe kanosjeve në vitin 2023. Ndjekjet penale të krimeve të luftës mbetën të ngadalta, joefikase dhe të shoqëruara nga vonesa. Sulmet dhe kërcënimet ndaj personave lezbike, homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) dhe organizatave vazhduan. Serbia dhe Kosova nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur në muajin maj si pjesë e një procesi normalizimi të ndërmjetësuar nga BE-ja, por marrëdhëniet u përkeqësuan pas përleshjeve në Kosovën veriore më vonë atë muaj të lidhura me zgjedhjet e kontestuara.
Liria e medias
Gazetarët e pavarur mbeten nën presion me reagim joadekuat të shtetit.
Në gjysmën e parë të vitit, Grupi i Përhershëm për Sigurinë e Gazetarëve regjistroi 42 raste kërcënimesh ndaj gazetarëve dhe Shoqata e Gazetarëve të Pavarur regjistroi tre sulme deri në fund të marsit.
Në mars, Stevan Dojçinoviq, gazetar investigativ dhe redaktor i portalit të pavarur të lajmeve KRIK, mori një kërcënim me vdekje në TikTok pas një podkasti ku ai përmendi se çmimi për vrasjet me pagesë kishte rënë në mënyrë drastike. Autoritetet e hetonin rastin në kohën e shkrimit.
Gjatë një proteste në Beograd në mars që denonconte planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, reporteri i agjencisë së lajmeve FoNet, Marko Dragoslaviq u kap me forcë, iu vu një kapuç në kokë dhe u godit me grushte në fytyrë kur u largua nga protesta. Dragoslaviqi e denoncoi sulmin në polici dhe rasti ishte nën hetim në kohën e shkrimit.
Gazetarët mbetën një shënjestër i të ashtuquajturave padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).
Në maj, Gjykata e Lartë në Beograd vendosi kundër KRIK-ut për botimin e një artikulli në vitin 2021 ku renditeshin ata që kishin paditur median për shpifje, duke përfshirë një shef policie dhe dy punonjës nga Njësia e Policisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Gjykata urdhëroi heqjen e artikullit dhe caktoi 374,200 dinarë serb (rreth 3,643 dollarë amerikanë) si dëmshpërblim për paditësit. KRIK ka apeluar vendimin. Deri në maj, KRIK ishte shënjestër e12 padive për shpifje.
Në shtator, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se Serbia shkeli lirinë e shprehjes së kanalit televiziv B92 kur ndihmës ministrja e shëndetësisë e paditi stacionin për raportime që pretendonin se ajo kishte shpërdoruar detyrën e saj në procesin e prokurimit për vaksinat e gripit të derrit. Gjykata u shpreh se B92 kishte vepruar me "mirëbesimin dhe me zellin që pritej nga gazetaria e përgjegjshme".
Në mars, filloi rigjykimi i Ratko Romiq dhe Milan Radonjicq, dy oficerëve të sigurimit shtetëror serb të akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e gazetarit Slavko Çuruvija në vitin 1999. Në prill, Gjykata e Apelit e Beogradit i liroi të dyshuarit nga arresti shtëpiak, pas një vendimi të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në fillim të prillit, i cili deklaroi se Serbia kishte shkelur të drejtat e tyre duke i mbajtur në paraburgim për një kohë të gjatë.
Mediat pro-qeveritare vazhduan fushatat shpifëse kundër gazetarëve të pavarur që raportojnë në mënyrë kritike për qeverinë.
Llogaridhënia për krimet e luftës
Midis janarit dhe gushtit, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nisi tre hetime të reja për krime lufte që përfshinin shtatë të dyshuar. Deri në gusht, 24 raste kundër 41 të pandehurve ishin ende pezullnë gjykatat serbe. Procedurat në vazhdim u shoqëruan nga vonesa të konsiderueshme.
Në shkurt, pas një rigjykimi, Gjykata e Lartë e Beogradit e shpalli fajtor ish-ushtarin serb të Bosnjës Dalibor Krstoviq për krime kundër civilëve, duke përfshirë përdhunim në Kalinovik, Bosnjë dhe Hercegovinë, në gusht 1992, dhe e dënoi Krstoviqin me nëntë vjet burg.
Në prill, gjyqi kundër Lazar Murlak, një ish-oficer policie serb i Bosnjës i kohës së luftës dhe anëtar i Mbrojtjes Territoriale të Sprsko Gorazdes, nisi në Gjykatën e Lartë të Beogradit. Murlak akuzohet për përdhunim të një gruaje boshnjake në vitin 1992 në Lozje, Bosnje dhe Hercegovinë.
Në shkurt, Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi katër ish-luftëtarë serbë me gjithsej 35 vjet burg për pjesëmarrje në rrëmbimin e vitit 1993 në Strpci, Bosnjë dhe Hercegovinë, të 20 pasagjerëve jo-serbë të një treni, të cilët më pas u vranë.
Në korrik, Gjykata e Apelit në Beograd urdhëroi rigjykim dhe rrëzoi dënimin e nëntorit të vitit 2022 të serbit të Bosnjës Danko Vladiçicq për vrasjen e një burri dhe një gruaje të moshuar në Brod na Drini, Bosnjë dhe Hercegovinë, në vitin 1992.
Në maj, Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur i OKB-së për Gjykatat Penale në Hagë rriti dënimet me burg të ish-shefit të sigurimit shtetëror serb, Jovica Stanishiq, dhe zëvendësit të tij, Franko Simatoviq, nga 12 në 15 vjet burg. Ata u dënuan për rolin e tyre në largimin me forcë të jo-serbëve nga pjesë të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kroacisë në vitin 1992 dhe 1995, si dhe për vrasje, dëbim, akte çnjerëzore dhe persekutim.
Refugjatët, Azilkërkuesit dhe Emigrantët
Midis janarit dhe shtatorit, 1,257 të ardhur të rinj regjistruan qëllimin e tyre për të kërkuar azil, por vetëm 150 persona paraqitën kërkesat për azil.
Sistemi i azilit vazhdoi të ketë mangësi, me azilkërkuesit që përballeshin me vështirësi në qasjen në procedura, shkallë të ulët njohjeje dhe vonesa të gjata. Midis janarit dhe shtatorit, Serbia u dha statusin e refugjatit gjashtë personave dhe status mbrojtje shtesë për dy. Nga fundi i shkurtit të vitit 2022 deri në fund të tetorit të vitit 2023, Serbia u dha mbrojtje të përkohshme 1,387 personave, pothuajse vetëm nga Ukraina.
Deri në fund të gushtit, 109 fëmijë emigrantë të pashoqëruar u regjistruan tek autoritetet serbe. Serbisë i mungojnë procedurat zyrtare të vlerësimit të moshës për fëmijët e pashoqëruar, duke i vënë fëmijët më të rritur në rrezik për t'u trajtuar si të rritur në vend që të marrin mbrojtje të veçantë.
Në korrik, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut zbuloi se Serbia kishte shkelur lirinë e lëvizjes së një shtetasi sirian të cilit Serbia i kishte dhënë azil dhe më pas i kishte mohuar pajisjen me dokumente udhëtimi për refugjatë.
Orientimi Seksual dhe Identiteti gjinor
Personat LGBT vazhduan të përballen me intolerancë, kërcënime dhe dhunë. Midis janarit dhe shtatorit, një grup vendas mbështetës LGBT+, Da Se Zna!, regjistroi 32 raste incidentesh të motivuara nga urrejtja kundër personave LGBT, duke përfshirë shtatë sulme fizike dhe pesë kërcënime. Në gusht, presidenti Aleksandër Vuçiq tha se për sa kohë që është president, ai nuk do të nënshkruajë asnjë ligj që njeh një martesë të gjinisë së tretë ose të së njëjtës gjini.
Në shkurt, agresorë të panjohur sulmuan tre persona LGBT në qendër të Beogradit. Një viktimë u godit me thikë dhe dy të tjerët u plagosën me një shishe e thyer. Natën në vijim, një tjetër u plagos nga rojet e sigurisë në një klub nate.
Në maj, një person i panjohur vandalizoi Qendrën Informative të Krenarisë në Beograd duke hedhur ngjyrë të kuqe në dritaren e Qendrës dhe në logon e Krenarisë së Beogradit. Ky ishte sulmi i 18-të në qendër që nga viti 2018.
Të drejtat e grave dhe vajzave
Një raport i shtatorit nga Komisionerja për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Evropës, Dunja Mijatoviq, ngriti shqetësime serioze për mbizotërimin e lartë të dhunës në familje dhe theksoi nevojën për përgjigje të koordinuar institucionale për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna dhe për të ofruar mbështetje të menjëhershme dhe afatgjatë për të mbijetuarat.
Të drejtat e personave me aftësi të kufizuar
Fëmijët me aftësi të kufizuara vazhdojnë të jenë të mbipërfaqësuar në kujdesin institucional. Gati 75 për qind e fëmijëve në institucionet në Serbi janë fëmijë me aftësi të kufizuara. Pavarësisht ndalimit ligjor, fëmijët nën moshën 3 vjeçare vazhdojnë të vendosen në kujdesin institucional, duke përfshirë edhe për arsye socio-ekonomike, sipas UNICEF-it. Në tre nga gjashtë institucione për fëmijët me aftësi të kufizuara në të gjithë vendin, fëmijët me aftësi të kufizuara jetojnë me të rritur me të cilën nuk kanë lidhje gjaku, duke i vënë ata në një rrezik potencialisht më të madh për dhunë dhe abuzim.
Pothuajse 30 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara që jetojnë në institucione nuk janë të regjistruar në shkollë; ata që janë të regjistruar ndjekin shkolla speciale të veçanta për fëmijë me aftësi të kufizuara.
Numri i të rriturve me aftësi të kufizuara që jetojnë në institucione në Serbi është rritur krahasuar me vitet e mëparshme. Qeveria vazhdon të investojë në kujdesin institucional për këta të rritur, duke përfshirë edhe zgjerimin e institucioneve ekzistuese, ndërkohë që mbështetja në komunitete mbetet e kufizuar.
Aktorët kryesorë ndërkombëtarë
Në mars, Përfaqësuesja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Serbi, Jan Braathu, shprehën shqetësime në lidhje me shënjestrimin e gazetarëve në Serbi dhe u kërkuan autoriteteve që të hetojnë tërësisht të gjitha incidentet dhe t'i mbajnë autorët përgjegjës për dhunë dhe kërcënime.
Komisionerja e të Drejtave të Njeriut e Këshillit të Evropës, Dunja Mijatovicq, në mars i bëri thirrje Serbisë që të rrisë sigurinë për gazetarët dhe të mbrojë gratë nga dhuna.
Progres raporti i nëntorit i Komisionit Evropian për Serbinë tha se ndërsa autoritetet kishin filluar të zbatonin reformat kyçe gjyqësore, nevojitet më shumë punë dhe angazhim politik për të zbatuar reformat gjithëpërfshirëse të sundimit të ligjit. Komisioni mbeti i shqetësuar për lirinë e medias, duke vënë në dukje vazhdimin e kërcënimeve, kanosjes, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe një rritje të SLAPP-ve nga anëtarët e autoriteteve kombëtare dhe lokale
Kosova
Llogaridhënia për krime të rënda dhe liria e medias vazhdojnë të jenë çështje shqetësuese. Tensionet u ndezën në veri në maj kur kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën në komuna pas zgjedhjeve lokale që u bojkotuan kryesisht nga shumica etnike serbe. Protestat pasuese rezultuan në përplasjen e forcave të NATO-s me serbët etnikë protestues në veri, duke plagosur të paktën 50 serbë dhe 25 ushtarë të NATO-s. Në shtator, një polic i Kosovës mbeti i vrarë nga një grup serbësh të armatosur rëndë në Banjskë, të cilët më pas u strehuan brenda një kishe ortodokse. Forcat e sigurisë së Kosovës qëlluan për vdekje tre persona nga grupi dhe arrestuan të paktën tetë të tjerë, dhe Serbia shtoi praninë ushtarake në kufirin e saj me Kosovën.
Kombet e Bashkuara nuk arritën të kërkojnë falje dhe të paguajnë kompensim individual për viktimat romë, ashkali dhe egjiptianë të Ballkanit të helmuarnga plumbi në kampet e kontaminuara për personat e zhvendosur të drejtuara nga Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK) në vitin 1999. Një raport i vitit 2016 nga Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut (HRAP), një organ i pavarur i krijuar për të hetuar ankesat për abuzime nga UNMIK-u, gjeti se OKB-ja duhet të paguajë kompensim individual dhe t'u kërkojë falje viktimave.
Llogaridhënia për krimet e luftës
Në prill, gjyqi i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-zyrtarëvë të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nisi në Hagë para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Të akuzuarit, të cilët tashmë kanë kaluar pothuajse 2.5 vite në paraburgim, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që dyshohet se janë kryer në 1998 dhe 1999. Të katër burrat deklarohen të pafajshëm.
Në dhjetor të vitit 2022, Dhomat e Specializuara të Kosovës dënuan ish-komandantin e UÇK-së Salih Mustafa me 26 vjet burg për krime lufte dhe e urdhëruan atë t’i paguajë 207,000 euro dëmshpërblim viktimave. Në kohën e shkrimit çështja e tij ishte në fazën e apelit. Në shkurt, Dhomat e Specializuara të Kosovës nisën gjykimin e anëtarit të UÇK-së Pjetër Shala, i cili akuzohet për abuzim me të burgosurit në një fabrikë metali në Kukës, në Shqipërinë veriore, në vitin 1999. Gjithashtu në shkurt, gjyqtarët e apelit lanë në fuqi një vendim të majit të vitit 2022 për të gjitha akuzat, përveç njërës, kundër dy anëtarëve të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, lidhur me zbulimin e emrave të dëshmitarëve të mundshëm në gjyqin Thaci et al., duke ulur me 3 muaj dënimet e tyre prej 4.5 vjet burg. Në gusht, ish-anëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, u arrestua në Tiranë, Shqipëri, për zbulimin e emrave të pesë dëshmitarëve të mundshëm që dëshmonin para Dhomave të Specializuara. Në kohën e shkrimit Goxhaj ishte në pritje të ekstradimit në Holandë.
Në qershor, në një rigjykim, Gjykata Themelore në Prizren dënoi ish-luftëtarin e UÇK-së, Remzi Shala, për rrëmbimin e një bashkëpunëtori të dyshuar shqiptar etnik në vitin 1998 dhe e dënoi atë me 9.5 vjet burg.
Në korrik, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti dy aktakuza të veçanta për krime lufte. Aktakuza e parë akuzonte një ish-pjesëtar të forcave të armatosura serbe për dëbimin e shqiptarëve etnikë dhe plaçkitjen dhe djegien e pronave të tyre gjatë luftës së viteve 1998-1999. E dyta akuzoi një ish-pjesëtar të forcave të armatosura serbe për krime kundër njerëzimit për përfshirjen e tij në vrasje, bastisje, rrahje, keqtrajtime, tortura dhe dëbim të mijëra shqiptarëve etnikë nga Rezniku gjatë luftës.
Në qershor, Prokuroria Speciale e Kosovës akuzoi një ish-polic serb për krime lufte kundër civilëve për pjesëmarrjen e tij në vrasjen e 19 shqiptarëve etnikë në maj të vitit 1999 në fshatin Ozdrim.
Liria e medias
Gazetarët vazhduan të jenë subjekt i sulmeve fizike, kërcënimeve dhe pengesave në punën e tyre. Në periudhën janar-shtator të vitit 2023, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) regjistroi 60 incidente kundër gazetarëve, duke përfshirë 16 sulme dhe 22 kërcënime.
Në fillim të qershorit, AGK-ja regjistroi gjashtë sulme të veçanta nga protestuesit ndaj gazetarëve shqiptarë etnikë në të njëjtën ditë në qytetin me shumicë serbe të Leposaviqit në veri të Kosovës. Gazetarët ishin në Leposaviq për të raportuar mbi tensionet dhe protestat e shtuara nga serbët etnikë pas zgjedhjeve lokale komunale në veri në maj. Një gazetar pësoi thyerje të krahut dhe të tjerët u goditën me gurë në kokë dhe këmbë. Në kohën e shkrimit policia i hetonte sulmet.
Në maj, gazetari Burim Zariqi u sulmua në Zveçan teksa po filmonte sulmin ndaj një veture të Policisë së Kosovës. Autori u dënua.
Gjithashtu në maj, kameramani i RTV21 Berat Bahtiri dhe gazetarja Lirie Dibrani u sulmuan nga protestuesit në Mitrovicën e Veriut, teksa raportonin mbi tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës në veri të vendit. Bahtiri humbi pajisjet e tij. Në kohën e shkrimit policia ishte duke e hetuar rastin.
Në mars, garazhës të redaktorit dhe gazetarit të RTV, Alban Selimi, iu vu zjarri. Një i dyshuar u arrestua, u gjykua dhe u dënua për zjarrvënie. Selimi beson se sulmi ka lidhje me një artikull që ai shkroi në vitin 2021 duke pretenduar se të afërmit e autorit ishin të përfshirë në uzurpimin e tokës.
Orientimi Seksual dhe identiteti gjinor
Kërcënimet dhe aktet e diskriminimit ndaj personave lezbike, homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) vazhdojnë. Sipas organizatës lokale LGBT CEL, shumë persona LGBT u përballën me kërcënime, kanosje dhe dhunë nga anëtarë të familjes në vitin 2023, me përgjigje të dobëta nga autoritetet shtetërore kur ata raportuan ndonjë abuzim. Vetë CEL merr rregullisht kërcënime dhe komente që përmbajnë gjuhë urrejtjeje në llogaritë e saj në mediat sociale.
Të drejtat e grave dhe vajzave
Qeveria në janar vendosi të zgjasë afatin për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë për t'u regjistruar dhe për të marrë përfitime të veçanta sociale. Komisioni i posaçëm për njohjen dhe verifikimin e të mbijetuarve të dhunë seksuale u krijua në vitin 2018 dhe u vendos t’i përfundonte regjistrimet në shkurt. Nga rreth 20,000 viktima përdhunimesh të kohës së luftës, më pak se 2,000 kanë aplikuar në komision.
Agjencia e Statistikave të Kosovës tregoi se vetëm 20 për qind e grave morën pjesë në fuqinë punëtore dhe bëri thirrje për më shumë reforma që gratë të kontribuojnë në ekonomi dhe prosperitet.
Të mbijetuarat e dhunës në familje vazhdojnë të përballen me pengesa në qasjen në drejtësi dhe mbështetje kur largohen nga mjediset abuzive.
Azilkërkuesit dhe personat e zhvendosur
Midis janarit dhe gushtit, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës regjistroi 292 kthime të detyruara në Kosovë, shumica nga Gjermania. Gjashtëmbëdhjetë ishin fëmijë. Nga të kthyerit e detyruar, nëntë ishin romë, dy ashkali, një serb dhe të tjerët shqiptarë etnikë. Gjatë të njëjtës periudhë raportuese, ministria regjistroi 28 kthime vullnetare në Kosovë. Ministria pretendoi se nuk kishte të dhëna për përkatësinë etnike të atyre që u kthyen vullnetarisht. Deri në mes të gushtit, Kosova kishte regjistruar gjashtë azilkërkues nga Ukraina.
Llogaridhënia e institucioneve ndërkombëtare
Në një raport të korrikut, raportuesi i posaçëm i OKB-së për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje rekomandoi që OKB-ja të ofrojë dëmshpërblime të plota dhe efektive, duke përfshirë një program kompensimi të financuar plotësisht, për viktimat romë, ashkali dhe egjiptianë të Ballkanit të helmuar nga plumbi, të cilët kishin banuar në kampet e kontaminuara për personat e zhvendosur të drejtuara nga UNMIK-u. Një raport i vitit 2016 nga Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut (HRAP), një organ i pavarur i krijuar për të hetuar ankesat për abuzime nga UNMIK-u, rekomandoi OKB-së të paguajë kompensim individual dhe t'u kërkojë falje viktimave. Në kohën e shkrimit, OKB-ja ende nuk u është përmbajtur rekomandimeve.
Aktorët kryesorë ndërkombëtarë
Duke arritur në përfundimin se Kosova kishte dështuar në uljen e tensioneve në veri, siç u kërkua më 3 qershor nga 27 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, BE-ja zbatoi një sërë masash ndëshkuese më vonë atë muaj. Këto përfshinin përjashtimin e Kosovës nga takimet e nivelit të lartë dhe pezullimin deri në vitin 2024 të fondeve të para-anëtarësimit për Kosovën. Në kohën e shkrimit, masat ishin ende në fuqi.
Në maj, ambasadori i Shteteve të Bashkuara i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndërmarrë hapa konkretë për të de-eskaluar situatën në veri.
Progres raporti i nëntorit i Komisionit Evropian për Kosovën tha se ndërkohë që ishin bërë disa arritje legjislative, duhet bërë më shumë për reformat në drejtësi dhe sundimin e ligjit, duke theksuar forcimin e integritetit, llogaridhënies, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Komisioni gjithashtu vuri në dukje mungesën e progresit në lirinë e shprehjes dhe u shpreh se mbetej i shqetësuar për sulmet fizike dhe kërcënimet kundër gazetarëve, fushatat e shpifjeve dhe gjuhën e urrejtjes.