Skip to main content

Serbi/Kosovë

Ngjarjet e vitit 2022

Aktivistët LGBT mbajnë një banderolë ndërsa marshojnë në paradën Europride në Beograd, më 17 shtator të vitit 2022. Personat LGBT u zotuan të marshojnë pavarësisht ndalimit të mëparshëm të marshit nga autoritetet.

© 2022 Andrej ISAKOVIC / AFP via Getty Images

Serbi

Gazetarët e pavarur vazhduan të përballen me kanosje, kërcënime dhe dhunë. Ndjekjet penale për krimet e luftës mbetën të ngadalta, joefikase dhe të penguara me vonesa. Në Beograd u zhvillua paradë krenarie pan-evropiane nën mbrojtjen e policisë, pavarësisht se autoritetet e kishin ndaluar atë, duke theksuar situatën e pasigurt për personat lezbike, homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) në Serbi.

Liria e Medias

Gazetarët kritikë ndaj qeverisë vazhduan të përballen me kërcënime dhe sulme, me reagim të pamjaftueshëm të shtetit.

Midis janarit dhe fundit të gushtit, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS) regjistroi dy sulme fizike, tre sulme ndaj pronës dhe 26 raste kanosjeje dhe kërcënime, përfshirë pesë kërcënime me bombë, kundër gazetarëve dhe organeve të mediave.

Në qershor, autorë të paidentifikuar qëlluan me gurë një ekip televiziv bullgar që po mbulonte një histori mbi ndotjen e supozuar në një minierë në Serbi, afër kufirit bullgar. Policia ishte duke e hetuar sulmin në momentin e shkrimit.

Në prill, zëvendës kryeredaktori për faqen e lajmeve Autonomija, Dinko Gruhonjic, mori një mesazh në Facebook që e kërcënonte se do ta vriste dhe do ta sulmonte seksualisht atë, gruan dhe fëmijët e tij si përgjigje për një artikull që aie kishte shkruar duke kritikuar përgjigjen e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë. Ky ishte vetëm një ndër kërcënimet e rregullta që ai merr vazhdimisht. Hetimi nga Prokuroria e Beogradit në lidhje me këtë kërcënim ishte në pritje në kohën e shkrimit.

Gjithashtu në prill, televizioni N1TV dhe gazeta e përditshme Danas morën kërcënime me vdekje përmes emaileve, aplikacioneve të mesazheve dhe faqeve në rrjetet sociale. Mesazhet kërcënonin se do “t’i masakronin” punonjësit e mediave, të cilëve u referoheshin si mercenarë amerikanë. Është e paqartë se çfarë i shkaktoi kërcënimet. Një hetim nga Prokuroria e Beogradit ishte në pritje në kohën e shkrimit.

Pas një artikulli në mars mbi profilin e një refugjati ukrainas që ishte larguar për në Serbi, gazetari i Danas Miljko Stojanoviç mori kërcënime të shumta në mediat sociale, duke përfshirë kërcënime për dhunë fizike dhe "shpërfytyrim" të tij. Policia në mars arrestoi një të dyshuar, por asnjë akuzë nuk ishte ngritur në kohën e shkrimit.

Media pro-qeveritare vazhdoi fushatat e shpifjeve kundër gazetarëve dhe mediave të pavarura në lidhje me raportimet kritike ndaj qeverisë.

Llogaridhënia për krimet e luftës

Midis janarit dhe gushtit, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nisi shtatë hetime të reja kundër të dyshuarve për krime lufte. Deri në gusht, 16 raste kundër 39 të pandehurve ishin në pritje në gjykatat serbe. Procedurat në vazhdim u shoqëruan me vonesa dhe shtyrje të konsiderueshme.

Në shkurt, Gjykata e Apelit në Beograd rrëzoi vendimin e fajësisë për ish-ushtarin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Dalibor Krstoviç, i cili në maj të vitit 2021 u shpall fajtor dhe u dënua me nëntë vjet burg për përdhunimin e një gruaje të burgosur që mbahej në një shkollë fillore në qytetin Kalinovik të Bosnjës dhe Hercegovinës në gusht të vitit 1992. Gjykata e Apelit urdhëroi rigjykim të çështjes.

Në prill, pas një rigjykimi, Gjykata e Lartë e Beogradit e shpalli fajtor ish-policin serb të Bosnjës Milorad Jovanoviç, për torturimin e të burgosurve civilë jo-serbë, duke çuar në një vdekje. Jovanoviç u dënua me nëntë vjet burg.

Gjyqi i parë në Serbi për krime lufte në Srebrenicë u shty përsëri në korrik kur një avokat mbrojtës kërkoi të hiqej nga procedura. Shtatë ish-oficerë policie serbë të Bosnjës, me banim në Serbi, akuzohen për vrasjen e më shumë se 1,300 civilëve boshnjakë në korrik të vitit 1995. I dyshuari i tetë u lirua nga gjyqi në shkurt të vitit 2021, për shkak të problemeve shëndetësore. Gjyqi është shtyrë mbi 20 herë që nga fillimi i tij në dhjetor 2016 me të akuzuarit që pretendojnë se kanë probleme shëndetësore ose thjesht nuk janë paraqitur në seanca pa u sanksionuar.

Në maj, procedimet kundër katër ish-ushtarëve serbë të Bosnjës të akuzuar për masakrën e trenit në Stërpci në vitin 1993 në Bosnje dhe Hercegovinë u shtynë, pasi një nga të pandehurit përmendi probleme shëndetësore, duke bërë që Gjykata e Lartë e Beogradit të shtyjë procedurat.

Refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët.

Midis janarit dhe gushtit, Serbia regjistroi 2,653 azilkërkues, një rënie prej 21 për qind nga e njëjta periudhë e vitit 2021, por lejoi që të depozitoheshin vetëm 251 kërkesa për azil.

Sistemi i azilit vazhdoi të ketë mangësi, me vështirësi për azilkërkuesit në qasjen në procedura, norma të ulëta njohjeje dhe vonesa të gjata. Midis janarit dhe gushtit, Serbia u dha statusin e refugjatit dy personave dhe mbrojtje shtesë për nëntë të tjerë. Serbia u dha mbrojtje të përkohshme 817 personave, pothuajse vetëmnga Ukraina.

Deri në fund të shtatorit, 61 fëmijë emigrantë të pashoqëruar u regjistruan nga autoritetet serbe. Serbisë i mungojnë procedurat formale të vlerësimit të moshës për fëmijët e pashoqëruar, duke i vënë fëmijët më të rritur në rrezik për t'u trajtuar si të rritur në vend që të marrin mbrojtje të veçantë.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Midis janarit dhe shtatorit, “Da Se Zna!” regjistroi 30 raste incidentesh të motivuara nga urrejtja ndaj personave LGBT, duke përfshirë 10 sulme fizike. Një nga incidentet në muajin maj përfshinte dy oficerë policie të cilët dyshohet se sulmuan një homoseksual në një banjo në Beograd. Hetimet për rastet ishin në pritje në momentin e shkrimit.

Autoritetet kërkuan ta anulonin marshin pan-evropian Europride të 17 shtatorit në Beograd, duke përmendur si arsye për këtë shqetësimet e sigurisë dhe tensionet me Kosovën. Lëvizja shkaktoi kritika ndërkombëtare, duke përfshirë ato nga Komisionerja e BE-së për Barazi, Helen Dalli, Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic dhe anëtarë të Parlamentit Evropian, të cilët udhëtuan në Beograd për të mbështetur eventin. Organizatorët njoftuan policinë për rrugën e re të kufizuar, morën sigurime nga kryeministrja Ana Brnabiç dhe marshimi u zhvillua. Shtatë pjesëmarrës u sulmuan pas marshit. Hetimet për sulmet ishin në pritje në kohën e shkrimit.

Më 12 gusht, një burrë hyri në Pride Info Center në Beograd, shkatërroi mobilje dhe kërcënoi stafin. Policia e arrestoi burrin në vendngjarje dhe një hetim penal ishte në pritje në momentin e shkrimit. Ky ishte sulmi i 13-të ndaj qendrës që nga viti 2018. Grupet e djathta fetare dhe politike i kanë bërë presion Ministrisë së Arsimit që të ndalojë “temat për LGBT” në kurrikulën e shkollës.

Personat me aftësi të kufizuara

Numri i personave me aftësi të kufizuara që jetojnë në institucione është rritur që nga viti 2021. Në tre nga gjashtë institucionet për fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijët vazhduan të strehohen bashkë me të rritur që nuk kanë lidhje familjare, gjë që i vë ato në rrezik më të lartë dhune dhe abuzimi. Arsimi i zakonshëm për fëmijët me aftësi të kufizuara mbeti i kufizuar, me shumicën dërrmuese të atyre në institucione që vazhdonin të ndaheshin në shkolla të veçanta për fëmijët me aftësi të kufizuara ose nuk u jepej fare mundësi arsimimi.

Aktorët kryesorë ndërkombëtarë

Pas një vizite në korrik në Serbi, Përfaqësuesja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, theksoi nevojën për veprime të përbashkëta për të siguruar një peizazh mediatik të sigurt, të lirë dhe pluralist në Serbi.

Në një deklaratë në prill, pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrel dhe Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi, inkurajuan Serbinë të tregojë rezultate konkrete në sundimin e ligjit, të përshpejtojë reformat për pavarësinë e gjyqësorit dhe të përmirësojë lirinë e medias si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Progres raporti i Komisionit të BE-së në tetor për Serbinë tha se nevojiteshin përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar bashkëpunimin midis shoqërisë civile dhe qeverisë, ndërsa sulmet verbale dhe fushatat e shpifjeve kundër organizatave të shoqërisë civile vazhduan. Raporti shprehu gjithashtu nevojën për të forcuar institucionet e të drejtave të njeriut duke caktuar fonde dhe burime të mjaftueshme njerëzore. Në raport thuhej se kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve mbetën një shqetësim.

Në korrik, Parlamenti Evropian mbështeti anëtarësimin e ardhshëm të Serbisë në BE, por dënoi kufizimet e lirisë dhe pavarësisë së medias, si dhe ngacmimin e gazetarëve dhe shoqërisë civile.

 

Kosova

Pati progres të ngadaltë në llogaridhënien për abuzimet e kohës së luftës. Tensionet u ndezën pasi autoritetet e Kosovës urdhëruan që serbët etnikë në veri të mos hyjnë në Kosovë me letërnjoftime ose targa të lëshuara nga Serbia. Serbët etnikë ngritën barrikada pranë kufirit në shenjë proteste dhe autoritetet e Kosovës i mbajtën të mbyllura pikat kufitare deri në heqjen e barrikadave. Gazetarët vazhduan të përballen me sulme, ngacmime dhe kërcënime me një reagim të dobët nga ana e shtetit.

Llogaridhënia për krimet e luftës

Katër raste të krimeve të luftës ishin në pritje para Dhomave të Specializuara për Kosovën me bazë në Hagë kundër tetë ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Akuzat kanë të bëjnë me krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Në maj, Dhomat shtuan akuza shtesë për krime lufte kundër Thaçit dhe tre ish-anëtarëve të tjerë të UÇK-së për ndalimin e 12 personave pa proces të rregullt në Budakovë, në Kosovën jugore, midis korrikut 1998 dhe shtatorit 1998 dhe 28-29 prill 1999.

Dhomat në qershor zgjatën paraburgimin e Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të parlamentit Kadri Veseli, duke përmendur shqetësimet për ndërhyrje te dëshmitarët dhe rrezikun e arratisjes. Gjyqi i ish-komandantit të UÇK-së Salih Mustafa dëgjoi argumentet përfundimtare në shtator. Vendimi pritej të merrej deri në fund të vitit 2022. Mustafa akuzohet për vrasje të civilëve, torturë dhe ndalim arbitrar dhe ishte i dyshuari i parë për krime lufte i arrestuar dhe transferuar në Dhomat e Specializuara.

Në shtator, Gjykata Themelore e Prishtinës e gjeti fajtor serbin e Kosovës Svetomir Baçeviç për krime lufte për keqtrajtim të një gruaje të moshuar shqiptare etnike në Pejë në vitin 1998. Baçeviç u dënua me pesë vjet burg.

Në mars, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti një aktakuzë duke akuzuar një shqiptar etnik me shtetësi serbe për krime lufte në fshatin Izbicë në mars të vitit 1999. I dyshuari, së bashku me anëtarë të paidentifikuar të policisë dhe ushtrisë serbe, akuzohet për pjesëmarrje në ekzekutimin e 130 personave.

Azilkërkuesit dhe personat e zhvendosur

Midis janarit dhe gushtit, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës regjistroi 301 kthime të detyruara në Kosovë, shumica nga Gjermania; 38 ishin fëmijë. Nga të kthyerit, 6 ishin romë, 13 ashkali dhe të tjerët shqiptarë etnikë. Gjatë të njëjtës periudhë raportuese, ministria ka regjistruar 28 kthime vullnetare në Kosovë. Ministria tha se nuk kishte të dhëna për përkatësinë etnike të atyre që u kthyen vullnetarisht. Nga mesi i gushtit, Kosova kishte regjistruar pesë azilkërkues nga Ukraina.

Liria e Medias

Në periudhën janar-gusht, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 22 raste sulmesh, kërcënimesh dhe kanosjesh ndaj gazetarëve dhe mediave. Asociacioni raportoi se në shumicën e rasteve gazetarët përballen me ngacmime, kërcënime dhe kanosje në platformat e mediave sociale. Sipas shoqatës, hetimet penale ecin ngadalë kur nis procesi.

Në shkurt, Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes së Kosovës dhe një zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në një postim në Facebook i etiketoi gazetarët dhe mediat në Kosovë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Në mars, shefi i kabinetit të kryeministrit, Luan Dualipi, në një postim në Facebook, i lidhi mediat e Kosovës me "bizneset kriminale" dhe u bëri thirrje qytetarëve që t'i bojkotojnë ato. Deklarata të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut në media dhe të krijojnë një mjedis armiqësor për gazetarët.

Të drejtat e grave

Të mbijetuarat e dhunës në familje vazhdojnë të përballen me pengesa për marrjen e mbrojtjes, duke përfshirë pak ndjekje penale dhe dështimin e gjykatësve për të lëshuar urdhra mbrojtjeje ndaj dhunuesve, si dhe ulje të dënimeve në rastet e vrasjes së grave nga burrat e tyre, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës.

Përdhunimi në grup në gusht i një vajze 11-vjeçare në një park publik në Prishtinë shkaktoi demonstrata të mëdha në të gjithë vendin, duke protestuar kundër reagimit të dobët të shtetit ndaj dhunës dhe dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave. Në kohën e shkrimit, pesë të dyshuar, përfshirë tre nën 18 vjeç, ishin në paraburgim dhe hetimet ishin në pritje.

Mekanizmi i krijuar për vitin 2018 për të siguruar kompensim financiar për rreth 20,000 të mbijetuar të dhunës seksuale të kohës së luftës vazhdoi të ketë shtrirje të kufizuar. Turpi dhe frika nga stigma i pengon disa viktima të kërkojnë kompensim.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Qendra për Barazi dhe Liri, një organizatë e shoqërisë civile që punon për personat lezbike, homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) në Kosovë, regjistroi pesë raste kërcënimesh dhe sulmesh ndaj personave LGBT në Kosovë, katër prej të cilave kanë të bëjnë me dhunën nga anëtarë të familjes ose partnerë kundër personave transgjinorë. Qendra shprehu shqetësime për deklaratat anti-LGBT nga figura private dhe publike, veçanërisht në rrjetet sociale.

Në mars, parlamenti i Kosovës hodhi poshtë legjislacionin që synonte të lejonte partneritetet civile të të njëjtës gjini.

Marshi i Krenarisë në Kosovë u mbajt në qershor pa ndonjë incident të madh.

Përgjegjësia e institucioneve ndërkombëtare

Nuk u bë asnjë progres në kompensimin financiar të pjesëtarëve të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptianë të Ballkanit, të cilët ishin viktima të helmimit nga plumbi në kampet tashmë të mbyllura për personat e zhvendosur, të drejtuara nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Një raport i vitit 2016 nga Paneli Këshillimor për të Drejtat e Njeriut (HRAP), një organ i pavarur i krijuar për të hetuar ankesat për abuzime nga UNMIK-u, rekomandoi që Kombet e Bashkuara të paguanin kompensim individual dhe t'u kërkonin falje viktimave. Deri më sot, OKB-ja nuk ka bërë asnjërën nga këto. Vetëm një shtet ka kontribuar në Fondin vullnetar të Mirëbesimit të OKB-së, i krijuar për projekte ndihmë për komunitetin në vitin 2017.

Aktorët kryesorë ndërkombëtarë

Në korrik, Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken u takua me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Uashington, duke theksuar rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në shtator, Kosova ishte një nga 18 vendet që rrethonin Ukrainën të marrë ndihma ushtarake nga Shtetet e Bashkuara (gjithsej 2.2 miliardë dollarë) si rezultat i të qenit “potencialisht në rrezik nga agresioni rus në të ardhmen”.

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut Dunja Mijatovic, pas misionit të saj në qershor në Kosovë, ngriti shqetësime në lidhje me sigurinë e gazetarëve dhe pengesat në punën e tyre. Komisionerja gjithashtu vuri në dukje shqetësimet për qasjen në arsim për gratë dhe mbrojtjen e të mbijetuarave të dhunës në familje.

Në një deklaratë në maj, ambasadori i BE-së në Kosovë theksoi shqetësimet në lidhje me fushatat e shpifjeve publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve në Kosovë dhe u bëri thirrje autoriteteve që të përmirësojnë reagimin e tyre ndaj sulmeve të tilla.

Në një rezolutë për Kosovën në korrik, Parlamenti Evropian dënoi presionin politik ndaj gazetarëve dhe shprehu shqetësimin për nivelin e lartë të dhunës në familje dhe me bazë gjinore, si dhe mungesën e zbatimit të mbrojtjeve ligjore për personat LGBT.

Në tetor, progres raporti i Komisionit Evropian për Kosovën vuri në dukje administrimin e ngadaltë dhe joefikas të drejtësisë prej ndikimit të panevojshëm politik. Ai gjithashtu vuri në dukje shqetësimet për fushatat e shpifjeve publike, kërcënimet dhe sulmet kundër gazetarëve, si dhe nevojën për të garantuar barazinë gjinore në praktikë, dhe theksoi nevojën për masa të mëtejshme për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, në veçanti Romëve, Ashkalive, dhe Egjiptianëve të Ballkanit.