Serbi
Gjatë vitit 2018 Serbia kishte pak përmirësim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjykimet për krimet e luftës në gjykatat e vendit patën progres të ngadalësuar dhe kishte mungesë të mbështetjes së duhur politike. Sistemi i azilit mbeti i mangët dhe kushtet për azilkërkuesit nuk u përmirësuan. Për gazetarët gjendja ende mbetet e pasigurt, përfshirë sulmet, kërcënimet dhe paditjet për raportimin e çështjeve delikate.
Migrantët, Azilkërkuesit, dhe Personat e Zhvendosur Afatgjatë
Ndërmjet janarit dhe fundit të korrikut, Serbia regjistroi 4,715 azilkërkues, për dallim nga viti 2017 në të njëjtën periudhë kohore kur ky numër ishte 3,538. Pakistanezët përbënin grupin më të madh në vitin 2018, të pasuar nga afganët dhe iranianët. Nga fundi i korrikut, UNHCR vlerësoi se kishte rreth 6,098 azilkërkues dhe migrantë të tjerë të pranishëm në Serbi, për dallim nga gushti i vitit 2017 kur ky numër ishte 4,700. Azilkërkuesit dhe disa migrantë të tjerë janë të vendosur në 18 qendra qeveritare në të gjithë Serbinë, duke përfshirë qendrat e pritjes, qendrat e azilit dhe qendrat e tranzitit, me një kapacitet total prej 5,880 personash.
Nga fund i marsit, Serbia miratoi një ligj të ri për azil dhe mbrojtje të përkohshme. Ligji synon të harmonizojë legjislacionin e Serbisë me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së, i cili përfshin edhe viktimat e dhunës gjinore, identitetit gjinor dhe dhunës në bazë gjinore, në përkufizimin e refugjatëve dhe përmirësimin e dispozitave për fëmijët e pashoqëruar dhe të ndarë që kërkojnë azil. Por, gjithashtu parashikon paraburgimin e azilkërkuesve, kufizimin e lëvizjes së lirë dhe procedurave të përshpejtuara të azilit.
Procesi i përcaktimit të azilit mbetet i papërshtatshëm, me norma të ulta të njohjes dhe vonesat e gjata para se të merren vendimet. Mes janarit dhe gushtit, në Serbi u regjistruan vetëm 151 kërkesa për azil, vetëm 9 prej tyre autoritetet u dhanë statusin e refugjatit dhe mbrojtje subsdiare u dhanë për 14 prej tyre. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit Serbia u ka dhënë statusin e refugjatit gjithsej 53 personave dhe mbrojtje subsdiare 74 personave.
Nga fundi i korrikut, autoritetet serbe regjistruan 257 fëmijë të pashoqëruar, pjesa më e madhe nga Afganistani, për dallim nga viti 2017 në të njëjtën periudhë kohore kur ky numër ishte 101. Në Serbi mungojnë procedurat e përcaktimit të moshës për fëmijët e pashoqëruar, në këtë mënyrë fëmijët më të mëdhenj në moshë rrezikojnë të trajtohen si të rritur në vend të që të marrin ndihmën e veçantë që u takon. Ekzistojnë vetëm tre institucione me gjithsej 43 vende për fëmijët e pashoqëruar. Fëmijët e tjerë të pashoqëruar qëndrojnë në qendrat e hapura të azilit, siç janë qendrat e pritjes dhe qendrat e tranzitit, shpesh me të rritur që nuk kanë lidhje familjare, duke i bërë ata të pambrojtur ndaj abuzimit dhe eksploatimit.
Ka pasur pak përmirësim në gjendjen e çështjeve afatgjata për refugjatët dhe personat e shpërngulur brenda vendit si pasojë e luftrave në Ballkan, që jetojnë në Serbi. Sipas Komisionerit Serb për Refugjatët dhe Migracionin, në korrik në Serbi kishte 26,702 refugjatë të tillë, në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2017 kur kishte 28,802 refugjatë, pjesa më e madhe e të cilëve nga Kroacia, dhe 199,584 persona të shpërngulur brenda vendit, pjesa më e madhe nga Kosova, krahasuar me vitin e kaluar kur ky numër ishte 21,047.
Liria e mediave
Gazetarët vazhduan të përjetojnë sulme, kërcënime dhe reagim joadekuat nga autoritetet serbe. Mediat proqeveritare vazhduan të njollosin gazetarët dhe mediat e pavarura.
Ndërmjet janarit dhe mesit të gushtit, Shoqata e gazetarëve të pavarur të Serbisë (NUNS), regjistroi 50 incidente dhune, kërcënime dhe kanosje kundër gazetarëve, përfshirë këtu edhe sulme fizike dhe 18 raste kërcënimi ndaj gazetarëve nga zyrtarët shtetëror.
Në korrik, gazetari dhe blogeri i pavarur Stefan Cvetkoviç u raportua i zhdukur pas raportimit të tij mbi vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç në janar. Dy ditë pas zhdukjes, Cvetkoviç u rishfaq dhe u tha autoriteteve se ishte rrëmbyer nga tre burra të panjohur për arsye të panjohura. Prokurori publik nisi padi penale ndaj Cvetkoviçit për raportimin e rrejshëm për rrëmbimin. Hetimi penal ishte ende në proces në momentin e hartimit të këtij raporti. Cvetkoviç ka raportuar disa herë kërcënime gjatë viteve të fundit, të lidhura me veprimtarinë e tij si gazetar.
Në gusht, e përditshmja e pavarur online Juzhne Vesti njoftoi se autoritetet tatimore kishin ndërmarrë një procedurë për të detyruar faqen e internetit të paguajë 8.500 euro dënim. Juzhne Vesti ka pasur disa inspektime tatimore gjatë viteve të fundit pa pasur të dhëna për veprime të paligjshme.
Komisioni i formuar për të hetuar vrasjet e tre gazetarëve të shquar, Dada Vujasinoviç në vitin1994, Slavko Curuvija në vitin 1999, dhe Milan Pantiç në vitin 2001, këtë vit nuk patën asnjë progers. Në qershor, Gjykata e Lartë në Beograd, hodhi poshtë provat që pretendonin se në skenën e vrasjes të Curuvijës ishin të përfshirë ish oficerët e Sigurimit të Shtetit Serb. Megjithatë, në korrik e njëjta gjykatë vendosi të marri në konsideratë provat e hedhura poshtë më parë. Vrasjet e Vujasinoviçit dhe Pantiçit ngelën të pazgjidhura. Në gusht, mandati i komisionit u zgjerua duke përfshirë vrasjet e gazetarëve në Kosovë mes 1998 dhe 2001, dhe në Bosnjë Hercegovinë dhe Kroaci në periudhën 1991-1995.
Përgjegjësia për krimet e luftës
Gjykimet e krimeve të luftës ngelën pezull për shkak të mungesës së vullnetit politik, resurseve adekuate dhe mekanizmave të dobët të mbështetjes së dëshmitarëve.
Vetëm disa zyrtarë të lartë të implikuar në abuzime serioze gjatë luftës kanë dhënë llogari në gjyqet e Serbisë. Deri në gusht të vitit 2018, në gjykatat Serbe 11 raste të krimeve të luftës ishin ende në fazën e hetimit dhe 19 ishin në pritje. Gjatë të njëjtës periudhë Zyra e Prokurorit për krimet e luftës të Serbisë lëshoi dy aktakuza të reja. Gjatë tetë muajve të parë të vitit 2018 gjykatat e shkallës së parë nuk dha asnjë gjykim për çështjet e krimeve të luftës. Gjykata e apelit liroi gjashtë persona dhe një rast e ktheu në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim.
Që nga themelimi i Prokurorisë të Krimeve të Luftës në vitin 2003, janë marrë 44 vendime përfundimtare, 74 persona janë dënuar dhe 50 janë liruar.
Gjykimet e para në Serbi për krimet e luftës në Srebrenicë rifilluan në nëntor të vitit 2017 pasi ishin penguar nga vonesat e ndryshme. Tetë ish policë serbo-boshnjakë me banim në Serbi u akuzuan për vrasjen e më shumë se 1,300 civilëve boshnjakë nga Srebrenica në një magazinë mallrash në korrik të vitit 1995. Në qershor, një dëshmitar lëshoi gjykatën, duke thënë se kishtë marrë kërcënime, pavarësisht se kishte identitet të mbrojtur.
Në qershor Gjykata e Apelit në Beograd liroi gjashtë ish anëtarë të një grupi paramilitar, të quajtur si Njësia e çetnikëve të Simës, për vrasjen e 27 Romëve në fshatin Skociçit, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në vitin 1992. Megjithatë, gjykata shpalli fajtor tre prej gjashtë të paditurëve për trajtime johumane, dhunime të integritet fizik, shqetësim seksual dhe përdhunim dhe i dënoi ata me 6 deri në 10 vjet burgim.
Në janar, Gjykata e Apelit në Beograd konfirmoi dënimin me burg për tetë ish luftëtarë të Mbrojtjes territoriale të Vukovarit për masakrimin e rreth 200 personave në Ovcara, pas rënies së Vukovarit, Kroaci në vitin 1991. Gjykata dënoi të akuzuarit me nga 5 deri 20 vjet burg.
Kryeprokurori Serge Brammertz në Mekanizmat për Gjykatat Ndërkombëtare të Krimeve (MICT), në qershor i kërkoi Serbisë të njohë zyrtarisht si gjenocid krimet e kryera në Srebrenicë në vitin 1995.
MICT në Hagë, në prill dënoi Vojisllav Sheshelin me 10 vjet burgim për nxitje të krimeve nëpërmjet fjalimeve nacionaliste në Vojvodinë, Serbi gjatë luftës së vitit 1992. Gjykata shfajësoi Sheshelin nga krimet e luftës në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Shesheli e ka përmbushur këtë dënim, pasi ka qenë në paraburgim në Hagë që prej vitit 2003.
Rigjykimi i ish zyrtarëve të sigurisë së shtetit serb, Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç, filloi në MICT në qershor, pasi lirimi i tyre në vitin 2013 u anulua. Stanisiç dhe Simatoviç akuzohen për krime ndaj njerëzimit dhe gjenocid të kryer nga forcat serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci gjatë luftërave në Ballkan.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut vazhduan të veprojnë në një ambient armiqësor. Pati rregullisht kërcënime online ndaj aktivistëve të të drejtave të njeriut, ndërsa hetimet ishin të ngadalta.
Në gusht, një gjykatë në Rumë gjobiti tetë aktivistë të Iniciativës të të rinjve për të drejtat e njeriut me 420 Euro (USD 476) secilin, për ndërprerjen e fjalimit të kriminelit të dënuar për krime lufte Veselin Sljivancanin në janar të vitit 2017. Aktivistët u sulmuan dhe u larguan nga eventi në janar të vitit 2017.
Orientimi seksual dhe identiteti gjinor
Vazhduan sulmet dhe kërcënimet ndaj njerëzve me prirje lezbike, gej, biseksuale, dhe transgjinorë (LGBT) si dhe aktivistëve të këtij komuniteti. Mes janarit dhe gjysmës së gushtit, organizata serbe e të drejtave LGBT, DA SE ZNA! regjistroi nëntë incidente kundër personave LGBT, duke përfshirë këtu katër raste sulmesh fizike, pesë raste kërcënimesh dhe kanosjesh. Hetimet shpeshherë janë të ngadalshme dhe dënimet janë të rralla. Parada e krenarisë në shtator u zhvillua pa incidente të mëdha.
Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara
Në vitin 2018 qeveria serbe vazhdoi të promovojë qasjen në arsim për të gjithë fëmijët më aftësi të kufizuara. Fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuar vazhduan të vendosen në institucione. Qeveria duhet të ndërmarrë një plan të caktuar kohor për të nxjerrur njerëzit me aftësi të kufizuara nga institucionet dhe t´i mbështesë që të jetojnë në komunitet.
Aktorët kryesorë ndërkombëtarë
Gjatë një vizite në prill në Beograd, Federika Mogherini, Përfaqësuese e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, u përqëndrua në pranimin e Serbisë në BE dhe në procesin Beograd-Prishtinë, por nuk adresoi publikisht nevojën për përmirësime në të drejtat e njeriut.
Në raportin e prillit 2018 në kuadrin e negociatave për integrimin e Serbisë, Komisioni Europian theksoi se mungesa e përparimit në lirinë e shprehjes është ´një çështje shqetësuese´dhe këshilli i BE-së shtyu Serbinë në qershor të forcojë përpjekjet për hetuar rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.
Në janar, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut kritikoi Serbinë nëpërmjet mekanizmit të të tij të ekzaminimit. Serbia pranoi 175 prej 190 rekomandimeve të bëra nga OKB por hodhi poshtë rekomandime të rëndësishme për të ndalur përndjekjen e gazetarëve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe anëtarëve të tjerë të shoqërisë civile si mjet që kufizon lirinë e tyre të shprehjes, si dhe për të ratifikuar Konventën Ndërkombëtare mbi Mbrojtjen e të Drejtave të të gjithë Punëmarrësve Migrantë dhe Anëtarëve të Familjeve të tyre.
Komiteti i Kombeve të bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Rracor në vëzhgimet përfundimtare të janarit të vitit 2018 shprehu shqetësimet për përqindjen e ulët të fëmijëve romë, në ndjekjen e gjithë niveleve të arsimit, si dhe ndarjen e fëmijëve romë në shkollë, edhe shpërnguljen me forcë të romëve pa një proces të përshtashëm dhe pa siguruar alternativa strehimi.
Këshili i Komitetit të Europës për parandalimin e torturës dhe trajtimit johuman dhe degradues ose ndëshkimit (CPT) në maj publikoi një raport ku ngriti shqetësime për keqtrajtimin e personave në paraburgim dhe u bëri thirrje autoriteteve të luftojnë keqtrajtimin nga ana e policisë.
Në shkurt Komisioneri i atëhershëm për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Europës, Nils Muizhnieks i bëri thirje Serbisë të mos lartësojë kriminelët e luftës dhe shprehu shqetësime në lidhje me situatën e lirisë se medias dhe ambientit armiqësor në të cilin punojnë gazetarët.
Kosova
Progresi në përmirësimin e mbrotjes së të drejtave të njeriut gjatë këtij viti ishte i ngadalshëm. Liderët serb dhe kosovar në gusht bënë publik një plan kontrovers për ridefinimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës si pjesë e një zgjidhje paqësore mes dy vendeve. Plani shkaktoi shqetësime për pasojat në fushën e të drejtave të njeriut pasi parashikonte edhe mundësinë e zhvendosjes së popullsisë. Në mars, parlamenti i Kosovës ratifikoi një marrëveshje për demarkacionin e kufijve me Malin e Zi, e cila ishte një nga kërkesat e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Funksionimi i gjykatës speciale për gjykimin e krimeve serioze gjatë luftës së viteve 1998-1999 u vonua për shkak të ndryshimit të prokurorit special. Gazetarët u përballën me kërcënime dhe kanosje dhe hetimet e krimeve ndaj gazetarëve ishin të ngadalshme. Vazhduan tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht në veri. Komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian të Ballkanit vazhduan të përballen me diskriminim.
Përgjegjësia për krimet e luftës
Në mars prokurori special David Schwendiman në Dhomën e Specialistëve në Hagë dhe pranë Zyrës së Prokurorit , i cili ishte i ngarkuar me detyrën e hetimit të krimeve serioze të luftës të kryera gjatë periudhës 1998-1999, dha dorëheqje. Në maj, në postin e prokurorit special u caktua Jack Smith. Deri në kohën e hartimit të këtij raporti nuk ështe lëshuar asnjë akuzë.
Gjykata është formuar për të gjykuar rastet e hetuara nga Detyrat e Forcave Speciale Hetuese, formuar nga një raport i Këshillit të Europës të vitit 2011 që akuzon disa anëtarë të UÇK-së për rrëmbime, rrahje, ekzekutime dhe trafikim organesh njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Ushtarët e lartë të UÇK-së priten të paditen dhe të gjykohen. Gjykata do të veprojë sipas ligjeve të Kosovës, me 19 gjykatës ndërkombëtarë.
Në gusht, zyra e prokurorit special në Kosovë akuzoi një ish polic serb për krime lufte i cili pretendohet të ketë marrë pjesë në vrasjen e dy civilëve shqiptarë në vitin 1998.
Në korrik Gjykata e Apelit të Kosovës konfirmoi aktakuzën ndaj Darko Tusiçit, ish rezervist i ushtrisë Jugosllave, për krime lufte të kryera në fshatin e Krushës së Vogël në vitin 1999.
Kah mesi i qershorit Misioni Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX) përfundoi funksionin e tij ekzekutiv në sistemin gjyqësor të Kosovës. Deri në atë kohë, panele të përziera me gjykatës vendorë dhe të EULEX-it dhanë katër vendime në lidhje me krimet e luftës. Hetimet formale ishin nën proces në 33 raste dhe 374 raste të tjera ishin në pritje në fazën e hetimeve fillestare. EULEX-i ishte i përfshirë në gjithsej 46 vendime që nga themelimi i tij në vitin 2008. Në kohën që po përgatitet raporti EULEX-i i ka kaluar mbi 900 çështje të pazgjidhura zyrës së Prokurorit Special, ku punojnë vetëm dy prokurorë për krimet e luftës.
Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut, organ i pavarur i formuar në vitin 2009 për të kontrolluar paditë për shkeljen e të drejtave të njeriut nga ana e stafit të EULEX-it, shqyrtoi gjashtë raste mes janarit dhe shtatorit dhe të gjitha i cilësoi si raste të papranueshme. Në kohën e përgatitjes të raporti, pranë këtij paneli ishin në pritje 25 çështje.
Përgjegjësia e instituticioneve ndërkombëtare
Nuk u shënua asnjë progres nga ana e Kombeve të Bashkuara në zbatimin e rekomandimeve të bëra në vitin 2016 nga Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (HRAP), organ i pavarur i formuar në vitin 2006 për të shqyrtuar ankesat për abuzimet nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), që OKB të kërkojë falje dhe të paguajë kompensim individual për viktimat e helmuara nga plumbi, të cilët janë të detyruar të jetojnë në kampin e administruar nga UNMIK në Kosovën e veriut pas luftës së viteve 1998-1999. Viktimat e helmuara janë anëtarë të shpërngulur të komuniteteve Rome, Ashkali dhe Egjiptianë të Ballkanit. Raportuesi Special për implikimet e të drejtave të njeriut për menaxhimin dhe asgjësimin e substancave dhe mbeturinave të rrezikshme për mjedisin në korrik të vitit 2018 i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Gueterres, duke theksuar se „nevoja për kompensim individual ndaj viktimave, që përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale shtuar këtu edhe shqetësime të mëdha të shëndetit, është më kritike se kurrë“.
Trajtimi i pakicave
Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët e Ballkanit vazhdojnë të përballen me probleme për pajisjen me dokumente personale, me qasjen në sistemin shëndetësor, asistencën sociale dhe arsimimin. Nuk ka pasur progres të dukshëm apo të raportuar drejt integrimit të këtyre komuniteteve minorene.
Tensionet ndëretnike vazhduan edhe gjatë vitit 2018 veçanërisht në veriun e ndarë të Kosovës. Në janar, sulmues të panjohur qëlluan për vdekje liderin e serbëve të Kosovës Oliver Ivanoviç, jashtë zyrës së tij në Mitrovicë, në Kosovën e Veriut. Në kohën kur përgatitet raporti policia e Kosovës ende është duke hetuar rastin. Në tetor sulmues të paidentifikuar goditën me gurë dy autobusë me pelegrinë nga Serbia që po udhëtonin drejt një manastiri ortodoks në Kosovën veri-perëndimore. Nuk kishte të plagosur, edhe këtë rast policia e Kosovës është duke hetuar në kohën që po përgatitet ky raport. Policia e Kosovës ka regjistruar gjashtë raste të dhunës ndëretnike në periudhën janar-korrik 2018, ku përfshihen raste të grafiteve diskriminuese, nxitje e urrejtjes fetare, etnike dhe rracore, si dhe dëmtimin e një pllake përkujtimore.
Të drejtat e grave
Dhuna në familje mbetet gjerësisht e përhapur në Kosovë me angazhim të dobët nga ana e policisë, pak ndjekje penale dhe gjykatës të cilët duket se ngurojnë të marrin masa të rrepta kundër burrave abuzues. Në janar, tetë nga nëntë strehimore për viktimat e dhunës në familje u detyruan të mbylleshin përkohësisht për shkak të vonesave të buxhetit, por u rihapën më vonë në të njëjtin muaj kur autoritetet siguruan financim urgjent. Në maj ligji sipas të cilit organizatat që marrin mbështejtje nga qeveria, 50% të financimit duhet të sigurojnë nga fonde të tjera, i vendosi strehimoret sërish nën presion financiar. Në nëntor një nga nëntë strehimoret e cila gjindet në Gjilan, raportoi se rregullat e reja kanë shkaktuar paqëndrueshmëri në buxhet dhe se kufizojnë kapacitetin e strehimoreve për të siguruar shërbimet e nevojshme për viktimat e dhunës në familje. Në shkurt autoritetet zyrtarisht filluan procesin e aplikimin për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës të marrin statusin ligjor si viktima të luftës dhe të kërkojnë kompensim financiar.
Azilkërkuesit dhe personat e shpërngulur
Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët regjistroi 232 kthime vullnetare të pjesëtarëve të pakicave etnike në Kosovë, duke shënuar ulje krahasuar me të njëjtën periudhë vitin 2017 kur ky numër ishte 343.
Ndërmjet janarit dhe shtatorit, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës regjistroi 628 kthime të detyruara në Kosovë. Ministria e Punëve të brendshme raportoi se nuk disponon të dhëna në lidhje me prejardhjen etnike të të kthyerve. Mes të kthyerve kishte 39 fëmijë. Pjesa më e madhe e kthimeve ishin nga Gjermania. Shteti siguron një asistencë të kufizuar pas kthimit.
Orientimi seksual dhe identiteti gjinor
Gjuha e urrejtjes online kundër aktivistëve për të drejtat e komunitetit LGBT- lezbikeve, gej, biseksualëve dhe transeksualëve, vazhdoi veçanërisht në tetor rreth Paradës të krenarisë në Kosovë. Në maj autoritetet refuzuan kërkesën e një burri transgjinor për ta ndryshuar emrin dhe gjininë e tij me ligj. Kërkesa për njohje të gjinisë me ligj ishte rasti i parë i këtij lloji në Kosovë. Në kohën kur po shkruajmë është përgatitur një ankesë ndaj këtij vendimi. Parada e krenarisë në tetor u zhvillua pa incidente të konsiderueshme.
Liria e Mediave
Kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve vazhduan në vitin 2018, ndërsa hetimet dhe ndjekjet penale ishin të ngadalshme. Ndërmjet janarit dhe shtatorit, Shoqata e Gazetarëve të Kosovës regjistroi 13 raste kërcënimesh dhe dhune ndaj gazetarëve përfshirë këtu edhe një sulm fizik, një rast të dëmtimit të pronës, një kërcënim me vdekje, dhe 10 kërcënime të tjera. Policia është duke hetuar, në kohën kur po shkruajmë.
Në qershor Valon Rashiti, një gazetar i stacionit televiziv T7, u sulmua fizikisht nga një anëtar i familjes të një personi të cilin ai ishte duke intervistuar për një kronikë në Prishtinë. Ai pësoi lëndime të lehta. Policia është duke hetuar çështjen në kohën kur po shkruajmë.
Sulmues të paidentifikuar dëmtuan dy herë makinën e redaktores të lajmeve të Radio Kosovës, Serbeze Haxhiaj, pasi në mars BIRN- Rjeti i Gazetarisë Hulumtuese në Ballkan publikoi artikullin e saj për vrasjet politike pas luftës. Haxhiaj raportoi dëmtimet e makinës së saj në polici dhe hetimet po vazhdojnë në kohën që po shkruajmë.
Në korrik gazetari i gazetës Metro, Shkumbin Kajtazi mori një kërcënim në telefon nga kryebashkiaku i Mitrovicës Agim Bahtiri. Bahtiri i tha Kajtazit “Do të të q*** familjen. Ti më ke prekur nderin”. Kërcënimi erdhi pasi Kajtazi publikoi një artikull në lidhje me një takim të supozuar të papërshtatshëm, nga ana e shefit të ri të kabinetit të kryebashkiakut. Policia është duke hetuar rastin.
Aktorët kryesor ndërkombëtarë
Gjatë vitit Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federika Mogherini takoi disa herë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç në disa raste, duke u përqëndruar në normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, por nuk përmendi shqetësimet në lidhje me të drejtat e njeriut.
Në shkurt Komisioni Europian miratoi një strategji të re për angazhimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, në të cilën thuhet se pa një normalizim efektiv të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, nuk do të ketë stabilitet afatgjat në rajon.
Në prill Komisioni Europian konfirmoi se Kosova ka përmbushur dy kritere të konsiderueshme për tu kualifikuar për liberalizimin e vizave; ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe ka forcuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në shtator Parlamenti Evropian votoi në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Përfaqësuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Lirinë e Medias Harlem Desir, në mars shprehu shqetësime në lidhje me sigurinë e gazetarëve që raportonin për një ndërhyrje policore në Mitrovicë në Kosovën e veriut dhe theksoi nevojën që gazetarët të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë të sigurt dhe pa frike.
Në mars, gjashtë qytetarë turq me banim të rregullt në Kosovë u deportuan në Turqi pa procedurën e duhur, dhe në kundërshtim me masat mbrojtëse kundër dëbimit. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj mohoi të kishte dijeni për këtë deportim dhe deklaroi se ky vendim është ndërmarrë nga Shërbimi i Inteligjencës se Kosovës dhe policia. Në prill mediat turke raportuan se gjashtë shtetasit turk ishin arrestuar në Turqi pas arritjes dhe ishin në pritje të gjykimit.
Në raportin e lëshuar në maj mbi situatën në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gueterres shprehu shqetësime në lidhje me përparimin e ngadalshëm të hetimit mbi vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç dhe u bëri thirrje autoriteteve të intensifikojnë përpjekjet e tyre për hetimin.