Skip to main content

Serbi/Kosovë

Ngjarjet e vitit 2025

Mijëra nxënës të shkollave të mesme dhe protestues marshojnë në heshtje nëpër qendër të Beogradit në muajin e fundit të demonstratave kundër korrupsionit që shtojnë presionin ndaj Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, në Beograd më 1 shtator 2025.

© 2025 ANDREJ ISAKOVIC/AFP via Getty Images

Autoritetet iu përgjigjën protestave mbarëkombëtare me dhunë të tepruar, arrestime arbitrare, kufizime ndaj shoqërisë civile dhe sulme ndaj gazetarëve dhe medias së pavarur, kjo e fundit pjesë e ndërhyrjes më të gjerë në lirinë e medias. Drejtësia për krimet e luftës mbetet e ngadalshme, me çështje gjyqësore të shoqëruara me vonesa. Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mbeten të mbyllur në institucione të mbipopulluara me kujdes të pamjaftueshëm.

Shoqëria civile dhe protestat

Protesta mbarëkombëtare u zhvilluan gjatë gjithë vitit pas shembjes së tendës së një stacioni treni në Novi Sad në nëntor 2024, ku mbetën të vdekur 16 persona, ndërkohë që u ngritën akuza se korrupsioni kishte kontribuar në këtë shembje, duke përhapur shqetësime më të gjera mbi shkatërrimin e institucioneve demokratike. Autoritetet herë pas here përdorën forcë të tepruar ndaj protestuesve, përfshirë gaz lotsjellës.

Grupi joqeveritar CIVICUS raportoi se aktivistët dhe grupet e shoqërisë civile u përballën me kërcënime, përgjime dhe ndjekje penale të lidhura me protestat, duke vënë në dukje se më shumë se 400 persona u arrestuan në fillim të korrikut, me akuza të besueshme për keqtrajtim në paraburgim.

Shtypja e protestave u kritikua nga ekspertë të OKB-së, Komisioneri i të Drejtave të Njeriut i Këshillit të Evropës dhe zyrtarë të BE-së.

Liria e medias

Sulmet ndaj gazetarëve u shtuan gjatë vitit. Ndormjet janarit dhe shtatorit, Shoqata e Pavarur eGazetarëve të Serbisë (NUNS) regjistroi 84 sulme fizike dhe 113 kërcënime. Sipas NUNS, organizata regjistroi 59 raste ku policia arrestoi gazetarë, përdori forcë fizike, kërcënoi sigurinë e tyre ose refuzoi të vepronte për t’i mbrojtur kur ishte e detyruar ta bënte këtë.

Në gusht, policë të veshur me uniformë gjatë protestave anti-qeveritare shtynë dhe goditën gazetarë, pavarësisht jelekëve dhe dokumentave të identifikimit të dukshme të gazetarëve, duke konfiskuar ose thyer kamera dhe telefona. Grupet mediatike i dënuan veprimet si pengim të qëllimshëm të lirisë së shtypit.

Për shembull, gjatë një proteste anti-qeveritare në Beograd, policia rrahu fotoreporteren Marija Çolakoviç me shkopinj teleskopik, megjithëse ishte qartazi e dukshme që ajo ishte gazetare, duke i shkaktuar lëndime të dukshme në këmbë dhe krahë.

Në shtator, gjatë protestave në Novi Sad kundër brutalitetit policor, policia speciale përdori forcë të tepruar ndaj gayetarëve dhe i ndaloi ato   pavarësisht se ata kishin shenja të dukshme që ishin punonjës të medias.

Në shkurt, mesazhe identike në aplikacionin Viber, të dërguar nga i njëjti numër serb, shënjestruan dy gazetarë të BIRN me programin spiun Pegasus.Në kohën e shkrimit të këtij raporti, nuk dihet nëse autoritetet po hetojnë lidhur me këtë çështje.

Përdorimi i padive të njohura si SLAPP (paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike) ndaj gazetarëve nga zyrtarët publikë për të heshtur raportimin e tyre mbeti si problem. Në përgjigje të kësaj, media investigative në maj krijoi një rrjet solidariteti mediatik për të luftuar SLAPP-et.

Të drejtat e grave

Megjithëse ekzistojnë mbrojtjet ligjore për gratë, përfshirë Strategjinë për Barazinë gjinore 2021-2030, zbatimi është i dobët; dhuna me bazë gjinore mbetet e zakonshme, hendeku i pagave dhe pabarazitë ekonomike vazhdojnë dhe gratë nga grupet e margjinalizuara, veçanërisht romët, përballen me diskriminim të shtuar dhe qasje të pabarabartë në shërbimet shëndetësore. 

Llogaridhënia për krimet e luftës

Ndërmjet janarit dhe shtatorit, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nisi tetë hetime të reja për krime lufte me të dyshuar të njohur dhe 15 hetime të tjera. Në shtator, 20 çështje kundër 44 të pandehurve ishin në pritje në gjykatat serbe. Procedurat në vazhdim u shoqëruan me vonesa të konsiderueshme.

Në shtator, Gjykata e Lartë e Beogradit liroi ish-Komandantin e Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Milenko Zivanoviq, nga akuza për urdhërimin dhe pjesëmarrjen në zhvendosjen me forcë të civilëve boshnjakë nga Srebrenica në korrik të vitit 1995, që përfundoi me gjenocidin e mbi 8,000 burrave dhe djemve boshnjakë dhe shpërnguljen e rreth 40,000 grave, të moshuarve dhe fëmijëve.

Gjithashtu në shtator, Gjykata e Apelit e Beogradit rriti dënimin e Danko Vladiçiqit nga nëntë në 12 vjet burg pas apelit të prokurorisë. Ai u shpall fajtor në vitin 2022 për vrasjen e dy civilëve boshnjakë në Brod na Drini në vitin 1992; trupat e viktimave rezultojnë ende të zhdukur.

Refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët

Ndërmjet janarit dhe gushtit, Serbia regjistroi 320 azilkërkues (më pak se 511 gjatë të njëjtës periudhë në 2024) dhe lejoi paraqitjen e 82 kërkesave për azil (më pak se 156 që ishte në 2024).

Sistemi i azilit vazhdoi të përballet me mangësi serioze, përfshirë pengesa për qasjen në procedura, norma të ulëta njohjeje dhe vonesa. Ndërmjet janarit dhe gushtit, Serbia i siguroi status refugjati ose mbrojtje të përkohshme vetëm tre personave. Serbia siguroi mbrojtje të përkohshme për 925 persona, të gjithë nga Ukraina.

Deri në gusht, autoritetet serbe regjistruan 18 fëmijë të rinj migrantë të pashoqëruar. Shteti nuk ka procedura formale për vlerësimin e moshës, gjë e cila i vë fëmijët më të rritur në rrezik për t’u trajtuar si të rritur në vend që të marrin mbrojtje të veçantë që u nevojitet fëmijëve.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Personat lesbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) vazhdojnë të përballen me kërcënime dhe dhunë. Ndërmjet janarit dhe shtatorit, Da Se Zna! regjistroi 81 incidente të motivuara nga urrejtja ndaj personave LGBT, përfshirë 14 sulme fizike. Parada e Krenarisë e Beogradit u zhvillua në shtator nën masa të shtuara sigurie.

Personat me aftësi të kufizuara

Serbia ka bërë pak përparim në deinstitucionalizim, duke lënë afërsisht 18,000 të rritur me aftësi të kufizuara në institucione shtetërore me financim të pamjaftueshëm, me raportime për neglizhencë dhe abuzim. Jetesa e mbështetur është e rrallë, duke arritur vetëm 27 persona në vend. Qeveria ofroi pak mbështetje për mbi 350,000 familje me fëmijë me aftësi të kufizuara dhe shumë fëmijë mbeten në institucione të segreguara.

Kosova

Rreth 700 punonjës të transmetuesit publik të Kosovës, RTK, nisën një grevë pasi nuk arritën të merrnin pagat e tyre për muajin tetor, në Prishtinë, Kosovë, më 24 nëntor 2025.  © 2025 Eren Beksac/Anadolu nëpërmjet Getty Images

Zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit nuk arritën të prodhonin një shumicë të qartë, duke çuar në një ngërç disa mujor në parlament. Sulmet ndaj lirisë së medias vazhduan, me gazetarë të ekspozuar ndaj kërcënimeve, sulmeve dhe ngacmimeve. Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhduan punën e tyre së bashku me gjykatën kombëtare përgjegjëse për ndjekjen penale të krimeve të luftës. Tensionet vazhduan në veriun e Kosovës, me bastisje të policisë ndaj institucioneve me shumicë serbe, duke nxitur protesta. Raporti i Zgjerimit i muajit nëntor nga Komisioni Evropian  ngriti shqetësime në lidhje me ndikimin e pajustifikuar politik mbi gjyqësorin dhe vuri në dukje se peizazhi mediatik vazhdon të përballet me sfida lidhur me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare.

Llogaridhënia për krimet e luftës

Gjykata Themelore e Prishtinës në korrik dënoi Milos Pleskoviçin, një ish-paraushtarak serb, për krime lufte për vrasjen e tre shqiptarëve etnikë në vitin 1999 pranë qytetit të Gjakovës, me 15 vjet burg. Gjykata zbuloi se Pleskoviçi i kishte ndaluar dhe më pas ekzekutuar viktimat.

Në korrik, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi dy shtetas serb në mungesë me nga 20 vjet burg secili për përdhunimin gjatë luftës të një gruaje shqiptare. Më herët, të njëjtin muaj, gjykata dënoi në mungesë një ish-anëtar të shërbimit të sigurisë së Serbisë me 15 vjet burg për zhdukjen e një mjeku shqiptar etnik në vitin 1998.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në shkurt vunë në fuqi dënimin me 15 vjet burg për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Salih Mustafa, duke konfirmuar dënimin e tij për krime lufte të kryera gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999. Mustafa u shpall fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasjen e një të ndaluari në një qendër të drejtuar nga UÇK-ja në Zllash.

Në korrik, Dhomat e Specializuara të Kosovës ia zvogëluan dënimin ish-luftëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, nga 18 në 13 vjet burg, duke lënë në fuqi dënimet e tij për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të të paktën 16 të burgosurve gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999. Gjykata vendosi se Shala nuk ka patur një rol udhëheqës në një vrasje dhe se dënimi i tij fillestar ishte joproporcional.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në shkurt dënuan tre ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, me dy vjet burg për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve. Gjithashtu në shkurt, gjykata liroi me kusht dy nga të dënuarit bazuar në kohën e vuajtur. Ndikimi negativ i kanosjes së dëshmitarëve në përpjekjet për llogaridhënie në Kosovë ishte një faktor i rëndësishëm në themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Liria e medias

Gazetarët vazhduan të jenë subjekt i kërcënimeve dhe pengimit të punës së tyre. Ndërmjet janarit dhe shtatorit, Shoqata e Gazetarëve të Kosovës regjistroi 54 incidente kundër gazetarëve, duke përfshirë një sulm fizik, një kërcënim me vdekje dhe 15 raste ngacmimi, gjuhë urrejtjeje ose fushata shpifjeje, kryesisht nga figura politike.

Gazetarët pa Kufij (RSF) e renditën Kosovën në vendin e 99-të nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit 2025, 24 vende më poshtë nga viti i kaluar, duke e bërë atë më të ulëtin në zonën BE-Ballkan. RSF-ja vuri në dukje ndërhyrje politike në rritje, fushata shpifjeje, qasje të kufizuar në informacion, rregullore abuzive dhe mbrojtje të dobët për gazetarët.

Në shkurt, pjesëtarët e mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti penguan fizikisht gazetarin e T7, Genc Godanci, ndërsa ai përpiqej ta pyeste Kurtin rreth Indeksit të Lirisë së Medias të RSF-së.

Të drejtat e grave

Në prill, Kosova zgjati deri më 15 maj 2028 mandatin e komisionit përgjegjës për njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe e shtyu afatin e aplikimit deri më 15 maj 2027. Presidentja Vjosa Osmani dhe grupet e të drejtave të të mbijetuarve kishin bërë thirrje për një periudhë aplikimi të hapur për t'i akomoduar më mirë të mbijetuarit. Të mbijetuarit e njohur kanë të drejtë për një pension mujor prej 230 eurosh, kujdes shëndetësor falas dhe përfitime punësimi, por vetëm rreth 2,000 individë e kanë marrë këtë status nga rreth 20,000 të mbijetuar. Kremtimi i 14 prillit i Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës paraqiti gjithashtu dëshminë e parë publike nga një i mbijetuar mashkull.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Qeveria nuk arriti të miratonte planet e shpallura në maj 2024 për të legalizuar martesat civile të personave të të njejtës gjini. .

Gjatë zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025 në Kosovë, partitë politike përdorën shpesh retorikë diskriminuese dhe denigruese ndaj personave lesbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT), dhe kryesisht injoruan çështjet që i shqetësonin ata.

Azilkërkuesit dhe emigrantët

Ndërmjet janarit dhe gushtit, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës regjistroi 184 kthime të fëmijëve në Kosovë. Ministria nuk dha shifra mbi kthimet e të rriturve. Gjatë së njëjtës periudhë raportimi, ministria regjistroi 39 kthime vullnetare në Kosovë dhe 107 kërkesa për azil në Kosovë, shumica nga Siria. 

Në qershor, qeveria e Kosovës pranoi të merrte çdo vit deri në 50 shtetas të vendeve të treta të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara. Në kohën e shkrimit të këtij dokumenti, nuk kishte informacion nëse ishin kryer transferime.

Llogaridhënia e institucioneve ndërkombëtare

Nuk u bë asnjë përparim në ofrimin e dëmshpërblimeve ose ndjesës për romët e Kosovës të zhvendosur nga OKB-ja në kampet e kontaminuara me plumb, pas luftës së vitit 1999 tani të mbyllura. Mekanizmi i kompensimit me të meta i OKB-së kishte marrë vetëm një kontribut prej 10,000 dollarësh në kohën e shkrimit të këtij dokumenti.