Skip to main content

Raporti Botëror 2015: Serbia

Ngjarjet e 2014

Members of the parliament of Kosovo vote in the new Prime Minister Isa Mustafa, in Pristina December 9, 2014.

© 2014 Reuters

Ka pasur përparim të kufizuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Serbi gjatë  vitit 2014. Hetimet e krimeve të luftës janë të ngadalta dhe mungon mbështetja politike. Pakica rome vazhdon të përballet me sulme dhe nëpërkëmbje. Situata për gazetarët mbetet e rrezikshme, duke përfshirë sulme, kërcënime, si edhe gjyqe për ata që ndëmarin raportime të çështjeve delikate. Vazhdon armiqësia kundrejt komunitetit LGBT si edhe kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre.

Gjyqësia e krimeve të luftës

Hetimet e krimeve të luftës kanë shënuar pak progres në 2014 për shkak të mungesës së mbështetjes politike, burimeve dhe mangësive në stafin e zyrës së prokurorit për krime lufte. Vetëm pak ish oficerë të rangut të lartë dhe personelit civil janë hetuar për krime lufte. Gjykata për krime lufte përfundoi gjykime për gjashtë raste, ndër të cilat dy janë në nivel apeli. Zyra e prokurorit për krime lufte denoncoi pesë persona për krime kundër civilëve, ndër të cilët ish gjeneralin e Ushtrisë Jugosllave Dragan Zivanoviç, për krime lufte në Kosovë në 1999. Në momentin e hartimit të këtij raporti gjashtë procese janë ende në vazhdim, janë dorëzuar 16 denoncime të cilat janë të pritje të gjykimit, dhe 20 raste janë nën hetim.

Në shkurt, gjykata dënoi nëntë ish anëtarë të Ushtrisë Jugosllave me gjithsej 106 vite burgosje për vrasjen e 120 civilëve shqiptarë në Kosovë në 1999. Gjithashtu në shkurt, gjykata dënoi Djuro Tadic me 10 vjet për bashkëpunim në vrasjen e 18 personave nga ana e forcave serbe të Bosnjës, ndër të cilët gjendej edhe një vajzë 13-vjeçare, në Bosnjën veri-perëndimore në shtator 1992. Dy të akuzuar u dënuan përkatësisht me 11 dhe 10 vjet.

Në kohën e hartimit të këtij raporti, protokolli mbi krimet e luftës i firmosur në shkurt 2013 nga Bosnjë Hercegovina, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi, i cili përcakton ndarjen e ndërsjelltë të informacionit dhe bashkëpunimin midis këtyre vendeve, nuk ka sjellë hetime të reja apo dënime për raste të transferuara.

Në shkurt 2014, një gjykatë e shkallës së parë në Beograd refuzoi 12 paditje civile nga ana e ish të burgosurve kroatë kundër Serbisë për torturë në paraburgim në vitin 1999, me justifikimin se denoncimi ishte i vonuar dhe se nuk kishte dënime kriminale për abuzimin e pretenduar mbi të cilat të mund të bazoheshin paditjet civile.

Në janar, dhoma e apelit të ICTY (Gjykata Kriminale Ndërkombëtare për Ish Jugosllavinë)  mbrojti vendimin e fajësisë dhe dënimin për krime kundër njerëzimit për ish ministrin e brendshëm serb Vlastimir Djordjevic për vrasjen, përndjekjen dhe deportimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës në 1999, por e reduktoi këtë dënim nga 27 në 18 vjet.

Gjithashtu në janar, dhoma e apelit të ICTY mbrojti fajësinë për ish zv. Ministrin jugosllav Nikola Sajnovic, ish gjeneralët e Ushtrisë Jugosllave Nebojsa Pavkovic dhe Vladimir Lazarevic, dhe ish gjeneralin e policisë serbe Sreten Lukic për vrasjen, deportimin, dhe trajtim çnjerëzor të shqiptarëve të Kosovës në 1999. Duke vepruar në këtë mënyrë, shumica e gjykatësve hodhën poshtë arsyetimin e 2014 pranë dhomës së apelit të ICTY në çështjen Perisic, se një i akuzuar duhet të ketë asistuar duke “vepruar në mënyrë direkte” në kryerjen e krimit, për të qenë fajtor për ndihmë dhe inkurajim.

Liria e mediave

Gazetarët vazhduan të përballen me kërcënime, kanosje, presione, dhe ndërhyrje politike e të tjera. Mes janarit dhe gushtit Shoqata ndërkombëtare e gazetarëve në Serbi raportoi pesë sulme mbi gazetarët, tre kërcënime direkte, dhe 12 raste presionesh politike apo të tjetër lloji.

Në fillim të korrikut, redaktori i agjencisë së lajmeve FoNet  Davor Pasalic, u rrah brutalisht nga tre agresorë të paidentifikuar, të cilët i kërkuan para dhe e quajtën fashist kroat.  Në kohën e hartimit të këtij raporti policia ishte ende duke hetuar. 

Në maj, portale e lajmeve online Druga strana dhe Teleprompter pësuan sulme kibernetike, që neutralizuan uebsitet e tyre, pasi kishin raportuar për keqmenaxhimin dhe mosefikasitetin e institucioneve shtetërore serbe gjatë përmbytjeve të rënda që vendi pësoi në fillim të muajit. Autorët e sulmeve kibernetike mbeten të panjohur. Srdjan Skoro, ish redaktor i të përditshmes Vecernje Novosti, u pushua nga vendi i punës në maj pasi gjatë një transmetimi në televizionin serb, kritikoi mënyrën se si qeveria po vepronte ndaj përmbytjeve.

Komisioni qeveritar i ngritur në 2013 për hetimin e vrasjeve të tre gazetarëve të rëndësishëm para më shumë se 10 vjetësh, bëri pëparim vetëm me një në rastet nën shqyrtim, që rezultoi me dënimin e katër personave. Komisionit shtatë-anëtarësh, i është dhënë detyra e analizimit të gjithë hetimeve të mëparshme, shqyrtimin e arsyeve të dështimit, dhe mbledhjen e provave për hetime të ardhshme kriminale.

Trajtimi i pakicave

Sulmet dhe kërcënimet kundër pakicës rome vazhduan gjatë vitit 2014

Në shkurt një grup jo-romësh dhunuan anëtarët e një OJQ-je rome në Novi Sad në Serbinë e veriut. Romët arritën të strehoheshin në zyrën e tyre dhe të thërrisnin policinë për ndihmë, por sipas qendrës Europiane për të drejtat e romëve (ERRC), policia refuzoi t’i ndihmonte,. Në mars, katër anëtarë të OJQ-së u rrahën brutalisht nga dy jo-romë me shkopinj. Një rom pësoi plagosje të rënda në kokë dhe dy të tjerë pësuan plagë më të lehta në kokë. Policia ishte duke hetuar në momentin e shkrimit të këtij raporti.

Në prill, rreth 15 persona hodhën koktejl Mollotov në një kishë protestante rome në fshatin Bosnjace në Serbinë e jugut, duke i vënë zjarrin dhomës ku mbaheshin ceremonitë fetare. Nuk pati të lënduar. Sipas ERRC-së, tre persona u akuzuan në prill në lidhje me këtë sulm dhe u dënuan me 30 ditë burgim.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Komuniteti LGBT vazhdon të përballet me mungesë tolerance, kërcënime dhe të paktën në një rast me dhunë fizike.

Në shtator një aktivist gjerman i LGBT-së 27-vjeçar u rrah brutalisht nga një grup burrash dhe pësoi lëndime serioze që sollën shtrimin e tij në spital. Policia arrestoi tre të dyshuar. Në prill, Gay-Straight Alliance mori e-maile të ndryshme që kërcënonin vrasjen e personave LGBT dhe pastrimin e Serbisë nga organizatat LGBT. Tre javë më parë, anëtarët e Gay-straight Alliance kishin marrë kërcënime vdekjeje në telefon.  Një grup lokal LGBT raportoi se policia kishte dështuar në identifikimin e autorëve.

Në shkurt, komisionerja për barazi Nevena Petrusic, denoncoi se teatri beogradas Bosko Buha diskriminoi një revistë gay duke refuzuar dhënien e informacioneve për publikim  mbi një shfaqje pranë këtij teatri.

Parada e krenarisë në maj në Beograd, e cila u anulua për herë të tretë radhazi për arsye sigurie, u mbajt në fund të shtatorit me një prani të konsiderueshme të policisë,  dhe pjesëmarrjen e 1.000 – 1.500 personave, duke përshirë tre ministra serbë, përfaqësuesin e BE në Serbi, si dhe diplomatë të huaj të ndryshëm. Nuk u raportuan episode dhune ndaj mbështetësve të komunitetit LGBT.

Azilkërkuesit dhe personat e shpërngulur

Gjatë tetë muajve të parë të 2014, Serbia regjistroi 6 974 azil-kërkues, një rritje e konsiderueshme nga 2 567 gjatë të njëjtës periudhë në 2013. Sirianët përbënin grupin më të shumtë në numër (3 696 persona).

Në 2014, u hapën tre qendra të reja pritjeje në Serbi, duke iu shtuar dy qendrave ekzistuese. Për herë të parë që nga krijimi në 2008, Zyra për Azil i dha statusin e refugjatit një azil-kërkuesi dhe mbrojtje tre të tjerëve. Por, procedura e azilit ngelen të papërshtatshme duke pasur si pasojë mijëra kërkesa pezull.

Deri në shtator në Serbi u regjistruan 96 fëmijë të pashoqëruar. Sipas Komisionerit të lartë për Refugjatët pranë Kombeve të Bashkuar (UNHCR) nuk ka procedura trajtimi të veçanta në bazë moshe për fëmijët e pashoqëruar, duke i vënë ata në rrezik të trajtohen si të rritur, pa marrë mbrojtje speciale. Kujdestarët e përcaktuar që të përfaqësojnë interesin e fëmijëve të pashoqëruar, nuk janë të trajnuar mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e tyre dhe i vizitojnë ata rrallë herë pas kontaktit të parë.

Autoritetet serbe bënë pak përparim për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për refugjatët dhe personat e shpërngulur brenda vendit gjatë luftrave të viteve ’90 dhe që aktualisht jetojnë në Serbi. Sipas të dhënave të UNHCR, në korrik në Serbi kishte 44 251 refugjatë, më së shumti nga Kroacia, dhe në shtator 204 049 të tillë, shumica e të cilëve janë nga Kosova.

Aktorët kyç ndërkombëtarë

Në prill, Catherine Ashton, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e sigurisë së jashtme, vlerësoi  angazhimin e ri të qeverisë serbe në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e ligjit dhe rendit, por dështoi të nënvizonte detyrimet e Serbisë kundrejt respektimit të së drejtave të njeriut.

Komisioneri i BE-së për zgjerim Stefan Fule në maj, vlerësoi përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe theksoi nevojën për zbatimin e forcës së ligjit, por nuk përmendi gjendjen e të drejtave të njeriut në Serbi.

Progres-raporti i Komisionit Europian për Serbinë në tetor, theksoi nevojën për të përmirësuar kornizën kushtetuese dhe ligjore që garantojnë një gjyqësor efektiv dhe të pavarur, dhe shprehu shqetësime në lidhje me lirinë e shprehjes, duke përfshirë kërcënimet e vazhdueshme dhe dhunën kundrejt gazetarëve. Raporti vuri në dukje gjithashtu edhe numrin e kufizuar të hetimeve për krimet e luftës nga ana e autoriteteve serbe kundër oficerëve drejtues të përfshirë në krime të brendshme gjatë luftës, si dhe dënimet e lehta të vendosura prej gjykatave serbe në këto raste.

Raporti i Departamentit te Shtetit të SHBA për të drejtat e njeriut 2013 mbi Serbinë, dalloi diskriminimin dhe sulmet ndaj pakicave veçanërisht asaj rome dhe kërcënimet ndaj gazetarëve si çështjet më serioze në lidhje me të drejtat e njeriut gjatë vitit.

Në maj përfaqësuesja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSCE)  Dunja Mijatovic, shprehu shqetësim në lidhje me censurën online në Serbi, duke cituar sulmet kibernetike të portaleve që raportojnë në mënyrë kritike për reagimin e qeverisë në rastin e krizës së përmbytjeve.

 

Kosova

Bashkimi Europian dhe qeveria e Kosovës arritën një marrëveshje thelbësore në 2014 për krijimin e një gjykate speciale jashtë Kosovës për të gjykuar krimet e kryera nga ish anëtarët e UÇK gjatë dhe pas luftës së Kosovës 1998-1999.

Dështimet e vazhdueshme për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve të prillit dhe kriza mbi rolin e Gjykatës Kushtetuese, dobësuan më tej mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Sistemi gjyqësor vazhdoi të ishte i mbingarkuar dhe gjykatësit ndërkombëtarë në Kosovë denoncuan korrupsion gjerësisht të përhapur  mes gjykatësve dhe prokurorëve. Gazetarët dhe anëtarët e komunitetit LGBT vazhduan të përballen me kërcënime dhe kanosje. Tensionet ndër-etnike u përshkallëzuan në mes të vitit dhe komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane mbetën të ekspozuara ndaj diskriminimit dhe përjashtimit social. Parlamenti ndryshoi një ligj ekzistues për të ofruar përkrahje për viktimat e përdhunimit gjatë luftës.

Pagjykueshmëria, gjyqësia dhe aksesi në drejtësi

Në prill, parlamenti i Kosovës aprovoi krijimin e një gjykate speciale të vendosur jashtë Kosovës dhe të drejtuar nga gjykatës ndërkombëtarë për të gjykuar  çështjet kriminale të dala nga puna e Task Forcës së BE-së, krijuar në 2011 për të hetuar abuzimet serioze gjatë luftës në Kosovë. Task Forca speciale bazoi punën e saj në raportit e zbulimit nga Këshilli i Europës në 2010. Gjykata do të vendoset në Hollandë dhe pritet të veprojë menjëherë pasi Asembleja e Kosovës të adoptojë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Bazuar në vendimet e shteteve anëtare të BE-së, mandati i EULEX-it, edhe pse i zgjatur deri në qershor 2016, u reduktuar në mënyrë domethënëse në qershor si rezultat i transferimit të disa përgjegjësive drejt gjyqësorit vendor dhe organeve hetimore. Gjykatësit ndërkombëtarë të EULEX-it në një letër të janarit drejtuar kreut të divizionit ekzekutiv të EULEX-it , theksuan shqetësimet e tyre me reduktimin e misionit, duke pohuar se gjyqësori vendor nuk ishte i përgatitur për t’u përballur me çështet komplekse dhe se prokurorët e EULEX-it duhet të vazhdonin të hetonin krimet e luftës, krimin e organizuar, dhe rastet serioze të korrupsionit.

Pavarësisht përparimit të viteve të fundit, sistemi gjyqësor në Kosovë mbetet i dobët, me siguri të papërshtatshme për gjykatësit, stafin e gjykatës, prokurorët, paditësit dhe dëshmitarët. Kjo rezultoi gjatë disa hetime për krime serioze si krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Në korrik, Task Forca speciale e BE-së publikoi zbulimet e veta dhe pohoi se oficerët e lartë të UÇK-së do të përballen me dënime për krime kundër njerëzimit dhe abuzime të tjera të kryera pas luftës së 1998-1999.

Si rezultat i një apeli nga ana e EULEX-it ndaj lirimit të tyre në nëntor të 2013, Gjykata e apelit të Kosovës rihapi në shtator çështjet kundër ish komandantit të UÇK-së Fatmir Limaj, dhe nëntë bashkëpunëtorëve të dyshuar për abuzim të burgosurish në qendrën e përqëndrimit të Kleçkës në vitet 1998-1999. Dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatës kosovar do të mbikëqyrin procedurën. Ky rast ilustron dobësinë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë: në procedurat fillestare në 2012, dëshmia e një dëshmitari kyç i cili u gjet i vdekur në një park në Gjermani në dhjetor 2012 i përcaktuar si vetëvrasje nga ana e policisë, fillisht u quajt si e papranueshme, dhe në rigjykim si kontradiktore dhe e pabesueshme.

Në maj, një gjykatë e shkallës së parë në Mitrovicë shpalli të pafajshëm ish komandantin e UÇK-së Sylejman Selimi dhe tre bashkëpunëtorë për krime lufte të kryera gjatë konfliktit të 1998-1999 në një çështje në lidhje me sulme të përsëritura ndaj dy grave shqiptare etnike të mbajtura në qendrën e përqëndrimit të Likovacit. Gjykata tha se provat ishin tepër të dobëta dhe se kishte kaluar shumë kohë nga momenti i ndodhjes së abuzimit të paditur.

Gjykimi i politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanovic dhe ish oficerëve të tjerë paramilitarë serbë filloi në gusht. Ivanovic dyshohet për krime lufte pasi ka urdhëruar vrasjen e katër shqiptarëve etnikë në Mitrovicë në 1999 gjatë bombardimit të NATO-s. Ai dhe tre bashkëpunëtorë akuzohen gjithashtaut për nxitje të të tjerëve në kryrjen e vrasjes gjatë  dhunës së shkurtit 2000  në Mitrovicë ku u vranë 10 shqiptarë etnikë, u plagosë 25 dhe më shumë së 11 mijë u detyruan me forcë të linin shtëpitë e tyre pasi u sulmuan nga serbët etnikë disa muaj pas fundit të luftës.

Mes janarit dhe gushtit, EULEX-it raportoi se dy gjykime për krime lufte u lëshuan nga borde të përzjera gjykatësish, një pranë Gjykatës bazë dhe një tjetër pranë Gjykatës së Apelit. Një bord gjykatësish të EULEX-it gjithashtu vendosi një gjykim gjatë 2014. Gjatë shkrimit të këtij teksti, 160 çështje mbi krime lufte janë ende pezull, prej të cilave 128 janë nën hetimin e prokurorëve të Zyrës së Hetimit special të EULEX-it dhe 32 nga ana e hetuesve të Zyrës Hetimore Speciale të Kosovës.

Në nëntor Përfaqësuesi i lartë i BE-së për punë të jashtme dhe politikë sigurie Federica Mogherini, caktoi një ekspert të pavarur për të rishikuar një hetim të brendshëm të EULEX-it për korrupsion brenda misionit. Një hetuese e EULEX-it denoncoi se misioni dështoi në hetimin e ankesave të saj mbi këtë çështje dhe përkundrazi akuzoi atë vetë. Në të njëjtin muaj, avokati i popullit i BE-së Emily O’Reilly hapi një hetim mbi trajtimin e denoncimeve të korrupsionit nga ana e BE-së.

Human Rights Advisory Panel, një trup  i pavarur i krijuar në 2006 për të ekzaminuar ankesat e kryera ose për të cilat  mund të akuzohet UNMIK, gjetën thyerje rregullash në 59 nga 60 çështjet e marrë nën shqyrtim mes janarit dhe gushtit.

Në mars, asembleja e Kosovës adoptoi ligjin që njeh të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe abuzimit si pasojë e konfliktit si veteranë lufte.

Trajtimi i pakicave

Komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane vazhduan të përballen me probleme në pajisje me dokumeta personale, të cilat pengojnë aksesin në shëndetin publik, asistencën sociale dhe arsimimin.

Dështimi i vazhdueshëm për të implementuar strategjinë e 2010 dhe aksion-planin për integrimin e komuniteteve rome, ashkali dhe  egjiptiane rrjedh nga një mungesë vullneti politik, fondesh dhe bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve qendrore dhe vendore dhe ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile.

Një strategji e re për ri-integrimin e personave të riatdhesuar duke përfshire romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët në periudhën 2014-2018, zëvendësoi strategjinë e 2010, duke përmirësuar situatën për të kthyerit në 2014.

Komitetet bashkiake për kthimin u caktuan për t’u marrë me asistencën ndaj të kthyerve, kryesisht ushqim dhe strehim. Personat e riatdhesuar ende përballen me vështirësi në hyrjen në tregun e punës, arsimim, shërbime shëndetësore dhe si rezultat më shumë se 1200 romë, ashkalinj dhe egjiptiane janë larguar nga Kosova në 2014, sipas Balkan Sunflowers, një OJQ vendore.

Tensionet ndër-etnike në veri u përshkallëzuan në qershor, kur një protestë e organizuar nga shqiptarë prej jugut të Mitrovicës përfundoi në dhunë. Protestuesit u konfliktuan me policinë e Kosovës, ku shumë njerëz pësuan plagosje dhe disa automjeteve iu vu flaka. Në janar këshilltari bashkiak serb nga Mitrovica e veriut, Dimitrije Janicijevic u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij. Policia është ende duke hetuar vrasjen.

Mes janarit dhe gushtit, shërbimet policore të Kosovës raportuan tre incidente ndër-etnike, pa specifikuar natyrën e tyre.

Azil-kërkuesit dhe personat e shpërngulur

Gjatë 10 muajve të parë të vitit, UNHCR regjistroi 440 rikthime të vullnetshme, duke përfshirë njerëz nga jashtë Kosovës dhe persona të shpërngulur brenda vendit, krahasuar me 465 gjatë të njëjtës periudhë në 2013.

Deportimet nga Europa perëndimore në Kosovë vazhduan, me asistencë të përmirësuar por të kufizuar gjatë kthimit. Mes janarit dhe gushtit Ministria e brendshme regjistroi 2109 rikthime me forcë në Kosovë, duke përfshirë 261 romë, 95 ashkalinj dhe 19 egjiptianë. Pjesa më e madhe u kthyen nga Gjermania (341) dhe Zvicra (258).

Liria e medias

Gazetarët vazhduan të përballen me sulme dhe kërcënime gjatë 2014, veçanërisht të lidhura më grupe radikale islamike. Në shtator Visar Duriqi, një gazetar i gazetës Express i cili kishte raportuar mbi Islamin politik, mori kërcënime për vdekje duke përfshirë prerje koke, ndërsa një grup islamik radikal e akuzoi për apostasì. Artan Haraqija, një gazetar pranë portalit të lajmeve Indeksonline, i cili bashkëpunonte me Duriqin mbi grupet islamike radikale aktive në Kosovë, mori kërcënime për vdekje pasi u shfaq në shoun e KTV “Rubikon” në shtator. Policia është ende duke hetuar këto incidente.

Në shtator Avokati i Popullit dënoi kërcënimet në drejtim të gazetarëve dhe u bëri thirrje mediave, hetuesve dhe policisë të veprojnë plotësisht në përputhje me kompetencat e tyre dhe të mos përdorin metoda që dhunojnë privatësinë dhe dinjitetin e njerëzve.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Sipas QESH organizatës së vetme publike LGBT në Kosovë, komuniteti LGBT u përball me sulme fizike dhe kërcënime gjatë vitit, veçanërisht nëpërmjet medias sociale dhe radios. Sipas QESH, në gusht tre burra sulmuan një homoseksual në Prizren. Në qershor, një transeksual 17 vjeçar nga Prishtina u abuzua verbalisht dhe u kërcënua nga tre djem të moshës së tij, dhe në prill një homoseksual 18-vjeçar u dhunua verbalisht nga mësuesi i tij në shkollë.

Aktorët kyç ndërkombëtarë

Në janar, OSCE u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të përcaktonin saktësisht sa azil-kërkues të kthyer me forcë janë ende në Kosovë, veçanërisht të identifikojnë anëtarët e komuniteteve të cilat UNHCR i konsideron si në rrezik dhe në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, duke përfshirë këtu komunitetet serbe, romë, ashkali dhe egjiptiane.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së Catherine Ashton mirëpriti në prill zgjatjen e mandatit të EULEX-it dhe përcaktimin e një gjykate të veçantë për të gjykuar abuzimet gjatë dhe pas luftës së 1998-1999 në Kosovë.

Progres-raporti i BE-së mbi Kosovën theksoi mangësi me shtetin ligjor, përfshirë pavarësinë e gjyqësorit, theksoi se kërcënimet e dëshmitarëve mbeten një shqetësim serioz, dhe vërejti rezultatet e kufizuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti bëri thirrje për forcim të institucionit të avokatit të popullit dhe adoptimin e një legjislacioni anti-diskriminim, dhe që çështjet e të drejtave të njeriut të vendosen në prioritet të axhendës politike, si zbatimi i planit të veprimit për integrimin e komuniteteve  rome, ashkali dhe egjiptiane.

Sekretari i përgjitshëm i Kombeve të bashkuara Ban Ki-Moon në një raport në maj pohoi se forcimi i institucioneve të shtetit ligjor mbetet një sfidë afat-gjatë dhe u bëri thirrje autoriteteve të përmirësojnë punën e tyre në këtë drejtim.

Në shtator përfaqësuesi i OSCE për lirinë e medias Dunja Mijatovic dënoi kërcënimet me vdekje dhe sulmet kundër gazetarëve në Kosovë dhe u bëri thirrje autorieteve të sjellin përgjegjësit e tyrë para drejtësisë.

Komisioni i Venecias pranë Këshillit të Europës në mars publikoi opinionet e tij në lidhje me ligjin mbi lirinë e fesë në Kosovë, duke nxjerrë në pah nevojën për një sërë përmirësimesh, përfshirë zgjerimin e listës me komunitetet fetare që “përbëjnë trashëgiminë historike, kulturore dhe sociale të vendit” nga pese grupe që janë aktualisht, për të përfshirë në të gjithë grupet e tjera fetare.