Skip to main content
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë një konference për shtyp në Prishtinë, 21 janar 2019. ©2019 Visar Kryeziu/AP Photo

(Bruksel) – Aktakuza që u bë publike më 24 qershor  2020 kundër Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përparon  drejtësinë për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, tha sot Human Rights Watch.

Deklarata nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, e cila njoftoi për aktakuzën, thotë se ajo përfshin 10 akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë. Ajo pretendon se Thaçi, Kadri Veseli, një tjetër ish-komandant i UÇK-së, dhe “të tjerë" të panjohur janë” përgjegjës penalisht për rreth 100 vrasje". Viktimat e këtyre krimeve përfshijnë shqiptarë, serbë, romë të Kosovës, njerëz të etnive të tjera, si dhe kundërshtarë politikë.

“Kjo aktakuzë është një hap pozitiv për drejtësinë pasi këto krime të pretenduara kanë rënduar mbi Kosovën për dy dekada”, tha Lotte Leicht, drejtoreshë e Bashkimit Europian (BE) pranë Human Rights Watch. “Pas vitesh të tëra të kërkimit të  drejtësisë, viktimat nga të gjitha grupet etnike më në fund mund ta kenë ditën e tyre në gjyq.”

Gjatë luftës, Thaçi shërbeu si kreu politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Pas luftës, ai shërbeu si kryeministër dhe u zgjodh president në vitin 2016.

Sfida kryesore  për drejtësinë mbetet mbrojtja e dëshmitarëve, e cila ka rrënuar shumë gjyqe për krime lufte të ish-anëtarëve të UÇK-së, si në Kosovë ashtu edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë (TPNJ), tha Human Right Watch.

Nevoja për të siguruar dëshmitarët dhe provat materiale ishte arsyeja kryesore pse hetimet për këto çështje si edhe Gjykata Speciale u ngritën jashtë vendit, në fillim në Bruksel dhe më pas në Hagë. Gjykata që do të dëgjojë këto raste, Dhomat e Specializuara të Kosovës, vepron  sipas ligjeve  të Kosovës, por megjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë. Para se të fillojë gjykimi, aktakuza duhet të konfirmohet nga gjykatësit e procedurës paraprake.

Prokurori e publikoi aktakuzën tri ditë para se Thaçi dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç të takoheshin në Uashington për të diskutuar mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Nëpërmjet një deklarate nga zyra e Presidentit Thaçi u lajmërua se ai e kishte “ndërprerë udhëtimin zyrtar.”

Prokurori tha se ishte e nevojshme të shpallet  aktakuza tani për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit “për të penguar dhe dëmtuar” punën e gjykatës, përfshirë edhe “një fushatë të fshehtë për të rrëzuar ligjin që themeloi Gjykatën dhe duke penguar në këtë mënyrë punën e Gjykatës në përpjekje për t’u siguruar që ata të mos përballen me drejtësinë.”

Në nëntor të vitit 2019, Thaçi i shkroi Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo duke kërkuar që SHBA-ja të ndryshojë mandatin dhe vendndodhjen e gjykatës. Në një përgjigje që u publikua nëpër media, Pompeo përsëriti mbështetjen e qeverisë amerikane për gjykatën dhe tha se Kosova do të vuante pasojat, nëse nuk do të arrijë të bashkëpunojë. Ndryshimi i tipareve kryesore të gjykatës, tha ai, “do të dëmtonte seriozisht besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës, qëndrimin ndaj saj si edhe do të mjegullonte të ardhmen e Kosovës si një anëtare e familjes Euro-Atlantike dhe e komunitetit ndërkombëtar.”

Pavarësisht këtyre komenteve, Shtetet e Bashkuara kanë punuar në mënyrë aktive për ta gërmuar drejtësinë ndërkombëtare dhe llogaridhënien për krimet e luftës, duke sulmuar Gjykatën Ndërkombëtare Penale, përfshirë nxjerrjen e një Urdhri Ekzekutiv të 11 qershorit 2020 që autorizon sanksione dhe ndalime udhëtimi që mund të përdoren kundër personelit të GJND-së dhe të tjerëve që ndihmojnë gjykatën.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krime të tjera sipas ligjit të Kosovës pas pretendimeve të bëra në një raport të Këshillit të Europës në vitin 2010. Ky raport akuzoi disa ish-anëtarë të lartë të UÇK-së, përfshirë Thaçin dhe Veselin, për bartjen e përgjegjësisë për rrëmbime, rrahje, ekzekutime dhe, në disa raste, heqje të detyrueshme të organeve njerëzore për t’i shitur më pas si transplante në territorin shqiptar gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Bazuar në raportin e Këshillit të Europës, BE-ja, me një mbështetje të fortë nga SHBA-ja, krijoi Task Forcën Speciale Hetuese (SITF) për të hetuar pretendimet me qëllim të ndjekjes penale. Kryeprokurori i SITF i prezantoi gjetjet e tij të përgjithshme në vitin 2014, përfshirë edhe kërcënimin ndaj dëshmitarëve. BE-ja atëherë krijoi Dhomat e Specializuara në Hagë për të gjykuar çështjet.

Në gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi një amendament kushtetues për të lejuar funksionimin e gjykatës jashtë Kosovës si edhe një ligj që themelon zyrtarisht këtë organ. Disa politikanë kosovarë u përpoqën të tërhiqeshin nga këto angazhime në janar të vitit 2018, por ata hasën kundërshtimin e ashpër të BE-se dhe të pesë anëtarëve të të ashtuquajturit Shtetet Anëtare të  Kuintit – SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë gjykoi 13 persona nën dyshimet për krime lufte në Kosovë. Pesë zyrtarë të lartë serbë ose jugosllavë u dënuan dhe një u lirua nga akuzat, dhe ish-Presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç vdiq gjatë gjyqit të tij në vitin 2006. Dy shqiptarë etnikë u dënuan dhe katër u liruan nga akuzat, përfshirë ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. TPNJ pushoi së funksionuari në dhjetor të vitit 2017.

“Aktakuza shënon një hap para drejt mësimit të së vërtetës për viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre për krimet e kryera kundër tyre”, tha Leicht. “Kjo na kujton gjithashtu se drejtësia mund të arrijë edhe tek ata që dikur e  shihnin  si të paarritshme .”

Your tax deductible gift can help stop human rights violations and save lives around the world.