Skip to main content

Serbi/Kosovë

Ngjarjet e vitit 2019

Njerëz që votojnë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës në një vendvotim në Prishtinë më 6 tetor 2019.

© 2019 Armend NIMANI/AFP

Serbi

Pak përparim u shënua në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Serbi gjatë vitit 2019. Hetimet e krimeve të luftës në gjykatat e vendit mbetën të ngadalta dhe nuk patën mbështetjen e duhur politike. Sistemi i azilit mbeti i mangët, me një nivel të ulët njohjeje të statusit të azilit. Situata e gazetarëve mbeti e pasigurtë, me sulme dhe kërcënime për raportim e çështjeve delikate. Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian mes Beogradit dhe Prishtinës mbeti i bllokuar.

Migrantët, përfshirë azilkërkuesit, dhe personat e shpërngulur në periudhë afatgjate

Ndërmjet janarit dhe fundit të gushtit, Serbia regjistroi 6 156 persona të cilët paraqitën kërkesën për azil, krahasuar me 4 715 të tillë në të njëjtën periudhë në vitin 2018. Pakistanezët përbënë grupin kombëtar më të madh në 2019, ndjekur nga afganët dhe bangladeshasit. Vetëm 161 persona paraqitën kërkesë për azil gjatë të njëjtës periudhë.

Deri në fund të gushtit, UNHCR -Agjencia e Kombeve të bashkuara për refugjatët, vlerësoi se pati rreth 5 420 azilkërkues dhe migrantë në Serbi. Shumë nga ato e braktisën Serbinë për të shkuar në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke synuar të arrijnë vendet e Shengenit në BE përmes Kroacisë. Pjesa më e madhe e azilkërkuesve dhe migrantëve strehohen në 16 qendra pritëse në gjithë Serbinë të drejtuara nga qeveria

Sistemi i azilit mbeti i mangët me një nivel të ulët njohjeje të statusit të azilit krahasuar me mesataren e BE-së dhe procesi i marrjes së vendimeve u karakterizua me vonesa të gjata. Ndërmjet janarit dhe gushtit Serbia u dha statusin e refugjatit vetëm 14 azilkërkuesve dhe mbrojtje ligjore 15 të tjerëve. Gjatë dekadës së kaluar, Serbia u ka dhënë statusin refugjatë gjthsej vetëm  69 personavedhe mbrojtje 89 të tjerëve.

Deri në fund të korrikut, 437 fëmijë të pashoqëruar ishin  regjistruar nga autoritetet e Serbisë, shumica e tyre nga Afganistani, krahasuar me 257 të tillë gjatë të njëjtës periudhë në 2018. Në Serbi ende mungon procedura e caktimit të moshës formale për fëmijët e pashoqëruar, duke bërë që fëmijët më të mëdhenj të rrezikojnë të trajtohen si të rritur në vend që të përfitojnë mbrojtje të veçantë për të mitur. Ekzistojnë vetëm tre institucione  për fëmijët e pashoqëruar, me gjithsej 40 vende. Dy institucione të aprovuara nga qeveria të drejtuara nga organizata joqeveritare kanë kapacitet të strehojnë 30 të tjerë shtesë. Pjesa tjetër e fëmijëve të pashoqëruar qëndrojnë në qendrat e hapura të azilit, shpesh me të rritur të cilët nuk i kanë  të afërm, duke i bërë ata të pambrojtur  ndaj abuzimeve.

Pak përparim u shënua për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për refugjatët dhe personat e shpërngulur nga luftërat e Ballkanit të cilët jetojnë  në Serbi. Sipas komisionerit serb për refugjatët dhe migrantët, në korrik kishte 26 520 refugjatë të tillë në Serbi, pjesa më e madhe nga Kroacia, dhe 199 584 persona të shpërngulur  brenda rajonit më së shumti nga Kosova.

Liria e mediave

Gazetarët serbë vazhduan të përballen me sulme dhe kërcënime. Mediat proqeveritare shpesh herë përgojuan mediat dhe gazetarët e pavarur, duke i përshkruar ata si „tradhëtarë“ dhe „mercenarë të shitur tek të huajt“. Pluraliteti i mediave u reduktua si pasojë e faktit që shumica e mediave  janë rreshtuar me partinë në pushtet.

Ndërmjet janarit dhe fundit të korrikut, shoqata e gazetarëve të pavarur NUNS regjistroi 27 incidente dhune, kërcënime, dhe kanosje kundër gazetarëve, përfshirë këtu tetë raste sulmi fizik dhe 19 kërcënime. Serbia ra nga vendi i 76të në vendin e 90të në listën e Indeksit të Lirisë të Shtypit Botëror të Reporterëve pa Kufij, ndër gjithsej 180 vende.

Në korrik, Zana Cimili, një gazetare nga Kosova që punon për TV N1 mori kërcënime për vdekje nga persona anonim në rrjetet sociale, duke thënë se ky person „kishte një dëshirë të përjtshme të vrasë një shqiptar, madje edhe një fëmijë shqiptar“.  Një person u arrestua ditën tjetër dhe hetimet ishin në proces e sipër në kohën e shkrimit të këtij teksti.

Sllobodan Georgiev, redaktori i Serbisë për Rrjetin Ballkanik të Raportimit Investigativ -BIRN mori kërcënime në prill, pas një videoje që  e etiketonte atë dhe  gazetarë të tjerë si  dhe media të pavarura si tradhëtarë, qarkulloi në Twitter, e cila thuhet se është nxjerrë nga një zyrtar i qeverisë. Përfaqësuesi për lirinë e medias i Organizatës për siguri dhe kooperim në Europë, Harlem Desir, dënoi këtë video duke thënë se portretimi i gazetarëve si tradhëtarë mund të rrezikojë sigurinë e tyre.

Një komision i formuar për të hetuar vrasjet e tre gazetarëve të njohur pati një progres. Në prill, Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi ish oficerët e sigurisë së Shtetit Radomir Markoviq dhe Millan Radonjiq me 30 vjet burgim, dhe Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak me 20 vjet burgim për organizimin dhe pjesëmarrjen në vrasje me armë  të Sllavko Curuvijas në vitin 1999 në Beograd, ish pronari i të përditshmes Dnevni Telegraf dhe revistës së përjavshme Evropljanin. Vrasjet e Dada Vujasinoviq në vitin 1994 dhe Millan Pantiq në vitin 2001 mbetën të pazgjidhura.

Përgjegjësia për krimet e luftës

Përparimi i hetimit të krimeve të luftës ishte i ngadaltë dhe mungoi vullneti politik, resurset e nevojshme, si edhe mekanizmat  e mbrojtjes së  dëshmitarëve kyçë. Numri i ulët i zyrtarëve të shkallës së lartë të hetuar dhe të dënuar, mbeti problematik.

Deri në gusht, Gjykata e Apelit në Beograd kishte dënuar pesë zyrtarë të shkallës së ulët për krime lufte, ndërsa Gjykata e shkallës së parë kishte vendosur dy dënime dhe shfajësuar tre të tjerë . Në kohën e shkrimit të këtij teksti, 56 individë ishin nën hetim për krime lufte, dhe 20 raste ishin pezull para gjykatave serbe. Që nga koha e caktimit të Zyrës së Prokurorit për krime lufte në 2003, u lëshuan 133 gjykime, ndër të  cilat 83 ishin dënime dhe 50 ishin shfajësime .

Në shtator Gjykata e lartë e Beogradit dënoi një ish anëtar të Njësisë së operacioneve speciale, një Njësi elitare serbe, me tetë vjet burgim për përdhunimin e një gruaje boshnjake në 1992 në Brçko.

Në qershor, Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi tetë ish anëtarë të policisë serbe, Ushtrisë Popullore Jugosllave, dhe njësive paraushtarake për vrasjen e 28 civilëve në fshatin kroat të Llovasit në vitin 1991 dhe i dënoi ata me gjithsej 47 vjet burgim.

Gjykata e lartë e Beogradit  në prill dënoi një ish ushtar të Ushtrisë Serbo-Boshnjake me katër vjet burg për vrasjen e një civili boshnjak në 1992 dhe tentativën për vrasje të dy civilëve të tjerë në të njëjtin vit.

Gjithashtu në prill, Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi ish oficerin e Ushtrisë Jugosllave Rajko Kozlina me 15 vjen burg për vrasjet e të paktën 31 civilëve shqiptarë të Kosovës në fshatin Trnjë në mars të vitit 1999  por shfajësoi eprorin e Kozlinës, Pavlle Gavrilloviq. Gjykata argumentoi se nuk mund të vërtetohej se Gavrilloviq kishte dhënë urdhër se „le të mos mbetet asnjë i mbijetuar“.

Gjykata e Lartë e Beogradit mbajti seanca dëgjimore gjatë vitit, për procesin e gjykimit të tetë ish oficerëve serbo-boshnjakë të policisë të akuzuar për vrasjen e më shumë se 1300 civilëve boshnjakë nga Srebrenica në një magazinë në Kravicë në korrik 1995.

Kryeprokurori Serge Brammertz në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare të Krimeve (MICT) shprehu shqetësimin e tij në korrik pranë Këshillit për Siguri të OKB-së se në Serbi dhe në vendet e tjera të ish jugosllavisë, kriminelët e luftës të dënuar konsiderohen si heronj dhe adhurohen nga politikanët, si dhe krimet e tyre mohohen nga ana e zyrtarëve publikë. Ai i bëri thirrje Serbisë dhe vendeve fqinje të mbështesin procesin e bashkëpunimit rajonal për të vënë kriminelët e luftës para përgjegjësisë.

Anëtarët e  Kongresit Amerikan në shkurt i kërkuan presidentit Aleksandër Vuçiç të marrë masa për të zgjidhur vrasjet e tre vllezërve shqiptaro-amerikanë Bytiqi në  1999 pasi u arrestuan nga policia serbe. Në maj Vuçiç i tha parlamentit serb se nuk ka prova për autorësinë e këtyre vrasjeve. Në korrik Komiteti i Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan kaloi një rezolutë duke i kërkuar Serbisë të vendosë përpara përgjegjësisë autorët e tre vrasjeve.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Sulmet dhe kërcënime ndaj personave dhe aktivistëve lezbike, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë dhe interseksualë  (komunitetit LGBTI)vazhduan të mbeten shqetësuese. Organizata serbe për njohjen e të drejtave të  LGBTI, DA SE ZNA!,  ndërmjet  janarit dhe mesit të gushtit numëroi 24 incidente ndaj njerëzve LGBTI, përfshirë këtu 17 sulme fizike dhe pesë kërcënime. Hetimet janë shpesh të ngadalta dhe dënimet janë të rralla.

Parada e krenarisë në shtator në Beograd u zhvillua nën mbrojtje masive policore dhe pa incidente të mëdha.

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Serbia nuk ka miratuar një plan  gjthëpërfshirës për lëvizjen e njerëzve me aftësi të kufizuar nga institucionet në jetesë të bazuar në komunitet. Fëmijët me aftësi të kufizuara nuk kanë qasje në arsimim inkluziv.

Aktorët kyçë ndërkombëtarë

Në gusht, ShBA, Mbretëria e bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia i bënë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të ndalin së penguari dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, që është i bllokuar prej vitit 2018.

Në raportin e majit të vitit 2019 mbi negociatat për integrimin e Serbisë në BE, Komisioni Evropian theksoi mungesën e përparimit në sferën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias që ishte një shqetësim serioz dhe u bëri thirrje autoriteteve të përforcojnë përpjekjet për të shtuar masat për mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTI, personave me aftësi të kufizuara, personave me HIV/AIDS dhe individëve të tjerë të  rrezikuar.

Qeveria e SHBA-së në tetor caktoi  Richard Grenell, ambasadorin e SHBA-së në Gjermani si të dërguar special për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjeter përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin u caktua në gusht.

Raportuesi special i OKB-së për torturën dhe trajtime të tjera brutale dhe çnjerëzore në raportin e tij të janarit të vitit 2019 shprehu shqetësime të mëdha për burgosjen arbitrare dhe përdorimin e torturës dhe trajtimet çnjerëzore gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë dhe i bëri thirrje Serbisë që t’i miratojë  rregullat, udhëzimet dhe trajnimet për të siguruar një metodë hetimi moderne jo të dhunshme.  Ai gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve të ndërmarrin mekanizma efektive dhe të pavarura hetimi dhe ankimi.

Komiteti i OKB-së për eliminimin e diskriminit ndaj grave (CEDAW) në vrojtimet e tij përmbledhëse në shkurt të vitit 2019 ngriti shqetësime për mungesën e hetimeve efektive të rasteve të dhunës gjinore ndaj grave, diskrepancën mes numrit të akuzave kriminale dhe dënimeve, dhe se shumicës së të dënuarve u pezullohet dënimi. CEDAW i kërkoi Serbisë të sigurojë  që rastet e dhunës ndaj grave të hetohen siç duhet dhe autorët e dhunës të dënohen.

Në maj, Komisionerja për të drejtat e njeriut pranë Këshillit të Europës, Dunja Mijatoviç, u bëri thirrje ligjvënësve serbë të mos aprovojnë dënime të përjetshme pa dhënë të drejtën e lirisë të kushtëzuar dhe i kujtoi Serbisë obligimet e saj sipas Konventës Evropiane të të drejtave  të njeriut.

Kosovë

Dialogu i normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i sponsorizuar nga Bashkimi Europian ngeci  në nëntor të vitit 2018 pasi Serbia pengoi Kosovën t’i bashkangjitet Interpolit. Si përgjigje ndaj këtij veprimi Kosova vendosi 100% taksa importi për  të gjitha mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. 

 

Progresi drejt përgjegjësisë për krimet e rënda të luftës të kryera gjatë Luftës së Kosovës në vitet1998-1999, ishte i ngadalshëm. Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ishte komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës, dha dorëheqje në korrik pas një thirrje për hetim nga ana e Prokurorit special  për krime lufte në Hagë; Vetëvendosje, ish partia në opozitë fitoi zgjedhjet e parakohshme në tetor. Gazetarët u përballën me kërcënime dhe kanosje, dhe ndjekjet penale të krimeve ndaj gazetarëve janë të ngadalta. Vazhduan tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht në veri të vendit. Komunitetet Rome, Ashkali, dhe Egjiptianët e Ballkanit vazhduan të përballen me diskriminim. 

Përgjegjësia për krimet e luftës

Dhomat gjyqësore të specializuara me seli në Hagë dhe zyra e Prokurorit duke u marrë me krimet e rënda të luftës të kryera gjatë viteve 1998-1999, gjatë vitit thirrën tre të dyshuar për t‘u marrë në pyetje, pornë kohën e shkrimiti të këtij teksti ende nuk ishin lëshuar aktakuza. Në korrik, Zyra e Prokurorit të Hagës e thirri Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj për ta marrënë pyetje, çka ishte shkak për  dorëheqjen e tij. Ish luftëtarët e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)pritet të paditen dhe të paraqiten para gjykatës. 

 

Në korrik, Gjykata e shkallës së parë në Prishtinë arrestoi Goran Stanishiqin, një ish anëtar tëforcave rezervë Jugosllave,  për pjesëmarrje në përndjekjet me forcë, plaçkitje, kërcënime, dhe përfshirje në vrasjen e dhjetërave civilëve shqiptarë në fshatin  Sllovinjë në Kosovën qëndrore gjatë një sulmi nga ana e forcave serbe në prill të vitit 1999. 

 

Gjithashtu në korrik, gjykata e Prizrenit dënoi Remzi Shalën, ish komandant i UÇK-së me 14 vjet burg për rrëmbimin e një shqiptari etnik në vitin 1998 i cili më pas u gjet i vdekur. 

 

Në prill, Gjykata e Apelit në Prishtinë konfirmoi dënimin prej  gjashtë vjet e gjysmë burg të ish policit Zoran Vukotiq për torturimin e të burgosurve shqiptarë në zonën e Mitrovicës, në Kosovën e veriut në maj të vitit 1999. Gjykata urdhëroi rigjykimin e tij për sulmin ndaj civilëve të cilët largoheshin nga vendigjatë të njëjtës periudhë. 

 

Në qershor, Zyra e ProkurorisëSpeciale të Kosovës dënoi Zoran Gjokiqin, anëtar i një grupi  të organizuar kriminal  të  serbëve të veshur me uniforma policie, paraushtarake dhe ushtarake, për vrasjen e 33 shqiptarëve të Kosovës në Pejë në prill të vitit 1999. 

 

Paneli i shqyrtimit  të të drejtave të njeriut, një organi pavarur i formuar  në vitin 2009 për të shqyrtuar pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut nga stafi i Misionit Evropjan për sundimin e ligjit (EULEX), tanimë i përfunduar. , nxori verdikte për 13 raste nga janari deri në shtator. Njëzet e katër raste ishin pezull para panelit në kohën e shkrimit të këtij teksti. Që nga koha e krijimit të tij, paneli ka regjistruar 200 raste. 

Përgjegjësia e Institucioneve Ndërkombëtare 

Kombet e Bashkuara dështuan gjatë këti viti në kërkim falje dhe të kompensojnë në mënyrë individuale viktimat e helmuara nga plumbi të detyruara të jetojnë në kampet e organizuara nga Misioni Interim i Administratës të OKB-së në Kosovë (UNMIK) në Kosovën veriore pas luftës së viteve 1998-1999, siç ishte rekomanduar nga Paneli këshillues i të drejtave të njeriut HRAP, , një trup i pavarur i formuar në vitin  2006 për të shqyrtuar ankesat e abuzimeve nga ana e UNMIK-ut.  Viktimat janë pjesëtarë të zhvendosur të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian të Ballkanit. Në kohën e shkrimit të këtij teksti , një shtet kishte dhënë një kontribut modest për një fondacion vullnetar të themeluar nga Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në vitin 2017 në dobi të këtyre komuniteteve (jo në mënyrë të specifikuar për të prekurit nga helmimi nga plumbi). 

Trajtimi i pakicave

Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët e Ballkanit vazhduan të kenë vështirësi në pajisjen me dokumenta personale, duke pasur pasoja negative në mundësinë për të pasur qasje në kujdesin shëndetësor. Nuk u shënua përparim konkret në integrimin e komuniteteve rome, ashkali, dhe egjiptianëve të Ballkanit. 

 

Tensionet ndëretnike vazhduan edhe gjatë viti 2019, posaçërisht në Veriun e ndarë të Kosovës. Në korrik, Zyra e Prokurorit të Kosovës akuzoi ish ministrin e qeverisjes lokale Ivan Todosijeviq për nxitjen e urrejtjes, ndarjes dhe jotolerancës mes komuniteteve etnike, racore, dhe kombëtare. Paditja erdhi pas një pohimi tre muaj më parë nga ana e Todosijeviqit ku ai nga pozicioni i ministrit tha, se Shqiptarët e Kosovës shpifën akuza për krime kundër tyre gjatë luftës të viteve1998-1999 ndërsavetë kryenin krime ndaj serbëve. Si pasojë ai u pushua nga posti i ministrit nga Kryeministri i atëhershëm Haradinaj. 

 

Hetimi i policisë për vrasjën në janar të vitit 2018 të politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq, në maj të këtij viti arriti të përfshijë dy të dyshuar të tjerë të paemëruar. Në tetor, policia arrestoi dy të dyshuar, përfshirë këtu edhe një oficer policie me etni serbe. Dy të dyshuar të tjerë janënë arrest prej nëntorit të vitit 2018. Ivanoviqi u godit për vdekje nga sulmues të panjohur jashtë zyrës së tij në Kosovën e veriut. 

 

Policia e Kosovës regjistroi shtatë raste nxitjeje urrejtjeje për arsye fetare, etnike dhe rracore, ndërmjet  janarit dhe gushtit pa njoftuar të dhëna të tjera apo informacione mbi krime me bazë paragjymesh. 

Të drejtat e grave 

Pavarësisht disa zhvillimeve pozitive, dhuna në familje mbeti problem në Kosovë me reagim të pamjaftueshëm nga ana e policisë, pak hetime dhe mungesa në marrjen e masave dënuese për partnerët abuzivë nga ana e gjykatësve

 

Në prill autoritetet filluan  një databazë të unifikuarkombëtare për të mundësuar monitorimin dhe hetimin e rasteve të dhunës në famije,  për të siguruar përgjegjësi duke  kërkuar nga institucionet përkatëse të azhurojnë bazën e të dhënave me informacionet e nevojshme nga niveli lokaldhe qendror. Gjykata kushtetuese vendosi në shkurt se Asemblea e Kosovës mund ta ndryshojë Kushtetutën për të njohur Konventën e Këshillit të Europës në parandalimin dhe luftimin e dhunës dhe dhunës në familje (e njohur si Konventa e Stambollit). 

 

Procesi i aplikimit për vitin 2018 për të mbijetuarit e dhunës seksuale, për të përfituar nga statusi ligjor si viktima lufte dhe për të kërkuar kompensim financiar nga autoritetet, pati efekt të kufizuar. Deri në qershor, kishin aplikuar rreth 800 të mbijetuar të dhunës seksuale prej të cilave 145 ishin pranuar si të tilla, dhe 102 ishin hedhur poshtë, të tjerat ishin pezull në kohën e shkrimit të këtij teksti.  Viktimat e pranuara marrin 230 euro në muaj dhe mund të marrin përfitime shëndetësore për sëmundje që kanë të bëjnë me dhunën e pësuar gjatë luftës. Gratë e mbijetuara nuk përfitojnë automatikisht kujdesje shëndetësore të nivelit të parë apo të dytë, apo asistencë psikosociale falas, ndryshe nga viktimat e tjera të luftës civile. 

Azilkërkuesit dhe personat e shpërngulur

Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, Komisioneri i Lartë i OKB-së për refugjatët, regjistroi 115 kthime vullnetare të anëtarëve të pakicave etnike në Kosovë, më pak se 153 të tillë gjatë të njëjtës përiudhë në vitin 2018. 

 

Ministria e punëve të brendshme të Kosovës regjistroi 800 kthime të detyruara, më së shumti nga Gjermania në Kosovë mes janarit dhe gushtit. Ministria e punëve të brendshme raportoi se të dhënat etnike mungojnë. Ndër të kthyerit me detyrim në Kosovë ishin 189 fëmijë. Të kthyerve iu dha asistencë e kufizuar pas kthimit. 

Orientimi seksual dhe identiti gjinor

Fjala e urrejtjes në internet kundër aktivistëve për të drejtat e komunitet lesbik, gej, biseksual dhe transgjinor (LGBT) mbeti problematik. Cel Kosovo, një organizatë LGBT, regjistroi 18 raste kërcënimesh dhe diskriminim kundër anëtarëve të komunitetit  LGBT, ndër të cilat 6 ishin duke u hetuar nga ana e policisë në kohën e shkrimit të këtij teksti. Cel pohoi se aktivistët LGBT kanë marrë më shumë se150 kërcënime me vdekje në internet gjatë vitit. Të gjitha u raportuan në polici por asnjë nga rastet nuk u hetua. Në prill një kod i ri penal hyri në fuqi duke shtuar përkufizimin „akt urrejtje“ një krim të kryer ndaj një personi, grupi njerëzish, prone apo prirjesh me njerezit në bazë orientimi seksual apo identiteti gjinor.

Liria e mediave

Kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve vazhduan ndërsa hetimet dhe gjykimet mbeten të ngadalta. Kërcënimet në platformat e rrjeteve sociale mbetën një problem i përhapur. Mes janarit dhe shtatorit, Shoqata e gazetarëve të Kosovës regjistroi 11 raste me kërcënime dhe dhunë kundër gazetarëve dhe mediave, duke përfshirë katër raste dhune fizike dhe shtatë kërcënime. Policia ishte duke hetuar katër raste të tilla në kohën e shkrimit të këtij teksti. 

 

Në gusht, partia në pushtet PDK (Partia Demokratike e Kosovës), bëri një deklaratë ku quajti „lajm të rremë“  mediumin online Gazeta Express, duke nxitur qytetarët të dyshojnë për raportimet e këti mediumi. Shoqata e gazetarëve të Kosovës, kishte raportuar në maj se kreu i PDK-së Kadri Veseli, i ka bërë presion kryeredaktorit të Gazetës Express. Policia ishte duke hetuar në kohën e shkrimit të këtij teksti. 

 

Reporteri i TV Besa Gramos Zurnaxhio u sulmua dhe mori kërcënime për vdekje në korrik ndërsa ishte duke raportuar për shembjen e një kompleksi ndërtesash në Prizren. Sulmuesit ishin sipas raportimit, punonjës të kompanisë dhe policia ishte duke hetuar në kohën e shkrimti të këtij teksti. 

Aktorët kyç ndërkombëtarë

Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk në prill i kërkoi autoriteteve të Kosovës të përmirësojnë marrëdhëniet me Serbinë, të garantojnë përparim drejt anëtarësimit të ardhshëm të Kosovës në BE por nuk theksoi shqetësimet në lidhje me të drejtat e njeriut. 

Në mars raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuar mbi implikimet për të drejtat e njeriut për menaxhimin e tingullit,  disponimin e substancave të rrezikshme dhe mbetjeve, ripërsëriti thirrjen për OKB-në për të kompensuar familjet rome të prekura nga helmimi me plumb në kampet e UNMIK-ut. 

Në qershor të vitit 2019, raportuesi i posaçëm u adresoi letra të ndryshme liderëve të organizatave të ndryshme në sistemin e OKB-së, duke ritheksuar nevojën për sistemin e OKB-së në tërësi për të kontribuar në vënien në lëvizje të resurseve të nevojshme për tu siguruar viktimave të drejtën e tyre për zgjidhje efektive. 

 

Në maj, Komisioni Evropian bëri thirrje për forcimin e institucioneve të shtetit të së drejtës, duke vërejtur se sistemi gjyqësor mbetet i prekshëm nga ndikimi politik. Komisioni gjithashtu vërejti se nevojiten më shumë resurse financiare dhe koordinim më i mirë  për të vënë në zbatim udhëzimet e  të drejtave të njeriut. Në nëntor të vitit 2018, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë mbi OKB-në për të „siguruar në mënyrë të përshpejtuar mbështetjen e duhur për viktimat.