Skip to main content

Serbi/Kosovë

Ngjarjet e vitit 2017

Një emigrant jashtë një depo doganore të braktisur në Beograd, Serbi, 18 Janar 2017.

© 2017 REUTERS/Marko Djurica

Serbi

Ka pasur ecuri të pakët në mbushjen e hapësirës mes detyrimeve të Serbisë në fushën e të drejtave të njeriut dhe zbatimit të tyre. Kushtet e pranimit për azilkërkuesit mbeten të dobëta dhe sistemi i azilit ka mangësi, edhe pse është zvogëluar numri i personave që kërkuan azil. Gazetarët kanë punuar vazhdimisht në një ambient armiqësor. Ecuria e gjykimit të krimeve të luftës mbeti e ngadaltë.

Migrantët, përfshirë azilkërkuesit dhe personat e shpërngulur

Numri i azilkërkuesve të ardhur në Serbi  u ul sërish në 2017, si pasojë e kufizimeve në vazhdimësi gjatë rrugës të Ballkanit Perëndimor. Mes janarit dhe tetorit, Serbia regjistroi 5.153 azilkërkues, krahasuar me 10.201 në të njëjtën periudhë të 2016-s. Afganët përbënin grupin më të madh në 2017, të ndjekur nga irakianët dhe sirianët. Nga fundi i gushtit, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) vlerësoi se kishte rreth 4.700 azilkërkues dhe migrantë të pranishëm në Serbi.

Deri në nëntor Serbia i ka dhënë statusin e refugjatit vetëm një azilkërkuesi, një siriani, dhe askujt nuk i është dhënë mbrojtje plotësuese. Qysh nga viti 2008, Serbia i ka dhënë statusin e refugjatit gjithsej 42 personave dhe mbrojtje plotësuese 49 personave. Procedura e azilit jo vetem që rezulton të ketë shkallë të ulët pranimi, por është edhe me vonesa të gjata përpara se të jepen vendimet.

Deri në fund të tetorit, Ministria e Brendshme regjistroi në Serbi 132 fëmijë të pashoqëruar, pjesa më e madhe e të cilëve ishte nga Afganistani, krahasuar me 127 të tillë gjatë të njëjtës periudhë në 2016. Deri në nëntor në Serbi kishte gjithsej 250 fëmijë të pashoqëruar. Serbia nuk ka procedura formale të vlerësimit të moshës për fëmijët e pashoqëruar, gjë që i vë fëmijët me moshë më të madhe në rrezik për t’u trajtuar si të rritur, në vend që të përfitojnë mbrojtje të veçantë. Në Serbi ekzistojnë vetëm tre institucione për fëmijë të pashoqëruar, me gjithsej 43 vende. Fëmijë të tjerë të pashoqëruar strehohen në qendra të hapura azili, siç janë qendrat e pranimit dhe tranzitit, shpesh pa praninë e të afërmve të rritur, duke bërë që të bien lehtësisht pre e abuzimeve dhe shfrytëzimeve.

U shënua një ecuri e ngadaltë në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për refugjatët dhe personat e shpërngulur brenda ish-Jugosllavisë gjatë luftës, që banojnë në Serbi. Sipas komisionierit serb për refugjatët dhe migrimin, në nëntor kishte 27.802 persona të tillë në Serbi, krahasuar me 35.300 të tillë gjatë së njëjtës periudhë në 2016, që kryesisht janë nga Kroacia. Në nëntor të këtij viti kishte 201.047 persona të shpërngulur të regjistruar, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga Kosova, krahasuar me 203 140 të vitit të kaluar.

Liria e mjeteve të informacionit 

Kanë vazhduar kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve. Reagimi i autoriteteve ka qenë pamjaftueshëm. Në periudhën janar – mes i nëntorit, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS) regjistroi 75 ngjarje të dhunshme, kërcënime apo kanosje kundër gazetarëve, përfshirë edhe gjashtë sulme fizike. Mjetet proqeveritare të informacionit vazhduan të angazhohen në fushata përgojimi kundër mjeteve të informacionit dhe gazetarëve të pavarur.

Në maj, gazetarja e të përditshmes Danas, Lidija Valtner, ishte duke ndjekur ceremoninë e emërimit si president të Aleksandar Vuçiçit kur dy persona e kapën nga qafa dhe u përpoqën t´ i rrëmbenin telefonin. Sipas Valtner-it, dy policë civilë e panë sulmin pa i ardhur asaj në ndihmë. Gjatë kohës së hartimit të këtij materiali policia ishte ende duke e hetuar këtë episod. Po gjatë këtij aktiviteti, gazetarë të Vice-it, Radio Beogradit dhe të të përditshmes Insajder thanë se persona të paidentifikuar përdorën forcë fizike dhe kërcënime që t‘i pengonin në punën e tyre për mbulimin e aktivitetit.

Në janar, Gjykata e lartë e Beogradit gjobiti të përjavshmen politike Nin për dëmtim të pretenduar të reputacionit të ministrit të brendshëm të Serbisë në një artikull të qershorit 2016 mbi shembjen e pronave në lagjen e Savamala-s në Beograd.

Komisioni i caktuar për hetimin e vrasjeve të tre gazetarëve të spikatur, Dada Vujasinovic ne 1994, Slavko Curuvija në 1999 dhe Milan Pantic në 2001, pati ecuri të ngadaltë në punën e tij. Dy nga katër zyrtarët e sigurimit së shtetit të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Curuvijas u liruan nga paraburgimi dhe kaluan në arrest shtëpie në korrik. Një i pandehur i tretë po vuan një dënim prej 40 vjetësh për krime që nuk kanë lidhje me vrasjen e gazetarëve, ndërsa i katërti është i arratisur. Dy vrasjet e tjera mbeten të pazgjidhura.

Përgjegjësia për krime lufte

Ndjekjet penale të krimeve të luftës janë penguar për shkak të mungesës së mbështetjes politike, personelit dhe burimeve të tjera të pamjaftueshme në Prokurorinë për Krime Lufte si dhe për shkak të mekanizmave të dobta për mbështetjen e dëshmitarëve. Së fundi Parlamenti serb caktoi në maj një prokuror të ri për krimet e luftës, pasi ky post mbeti i pazënë për 18 muaj rresht.

Të paktë kanë qenë zyrtarët e rangut të lartë të përfshirë në krime të rënda lufte që janë vënë përpara përgjegjësisë në gjykatat serbe. Nga janari deri në gusht, gjykatat serbe kishin në ndjekje 17 procese gjyqësore për krime lufte. Prokurori për krime lufte bëri dy padi të reja gjatë po kësaj periudhe. Gjykata e apelit anulloi dënimet për tre persona. Gjatë periudhës janar-gusht ishin ende në fazën e hetimeve 11 çështje. Qëkurse u ngrit Prokuroria për Krime Lufte në 2003, janë dhënë 124 vendime gjyqi, janë dënuar 82 persona dhe janë shpallur të pafajshëm 42 të tjerë.

Në Serbi, proceset e para për krimet e luftës në Srebrenicë filluan në shkurt. Tetë ish-punonjës policie serbo-bosnjakë u akuzuan për vrasjen e më shumë se 1.300 civilëve bosnjakë nga Srebrenica në një magazinë mallrash në korrik 1995. Në korrik, Gjykata e Apelit në Beograd i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se prokurori që i depozitoi nuk ishte i autorizuar të bënte një veprim të tillë. Prokurori i ri i krimeve të luftës nuk ka depozituar ende akuza të reja, që duhen për të caktuar nisjen e një procesi gjyqësor. 

Në maj, Gjykata e Apelit në Beograd konfirmoi akuzat ndaj pesë ish-luftëtarëve serbo-bosnjakë të akuzuar në 2015 për rrëmbimin dhe vrasjen e 20 civilëve në një tren në Strpci në Bosnjë Hercegovinë në 1993.

Gjthashtu në maj, Gjykata e apelit shpalli të pafajshëm dy ish-luftëtarë serbo-bosnjakë ndaj të gjitha akuzave që kishin të bënin me vrasjen e një civili bosnjak në 1992.

Në prill, prokurori i krimeve të luftës paditi  një ish-rezervist policie serbo-bosnjak për krime lufte kundër civilëve në Sanski Most në Bosnje Hercegovinë në 1992.

Kryeprokurori Serge Brameertz në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime lufte në ish-Jugosllavi (ICTY) i kërkoi Serbisë në qershor të njohë zyrtarisht krimet e kryera në Srebrenicë gjatë gjenocidit të 1995-s.

Pas arrestimit në Francë të ish Kryeministrit të Kosovës dhe luftëtarit të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhërarresti nga Serbia, një gjykatë franceze hodhi poshtë në prill kërkesën e Serbisë për ekstradim. Haradinaj është në kërkim në Serbi si i akuzuar për krime lufte.Ai është shpallur dy herë i pafajshëm nga ICTY për krime lufte gjatë konfliktit të Kosovës në 1998 – 1999.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut veprojnë në një ambient armiqësor. Kërcënimet në internet ndaj aktivistëve të të drejtave të njeriut janë të përhapura dhe rrallë hetohen prej autoriteteve. Mjetet proqeveritare të informacionit përgojojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut si“tradhëtarë“ dhe mercenarë të të huajve.

Në janar, në qytetin e Beskës, anëtarë të partisë në pushtet – Partia Progresive Serbe – sulmuan dhe përzunë nëntë aktivistë nga organizata joqeveritare“Youth Initiative for Human Rights“, e cila organizoi një protestë gjatë një debati të fushatës elektorale. Dy prej aktivistëve të të drejtave të njeriut u desh të shtroheshin në spital, dhe makina e një aktivisti u godit dhe u dëmtua. Hetimi i autoriteteve ishte ende në vazhdim e sipër gjatë kohës hartimit të këtij materiali.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Sulmet dhe kërcënimet ndaj personave LGBT (lezbike, gej [homoseksualë], biseksualë dhe transgjinorë), dhe aktivistëve të këtij komuniteti kanë ndodhur rregullisht. Organizata serbe e të Drejtave të personave LGBT – DA SE ZNA! – në periudhën gusht 2016-gusht 2017, regjistroi 79 ngjarje kundër personave LGBT, përfshirë edhe nëntë sulme fizike, 12 kërcënime dhe 56 raste të nxitjes së urrejtjes, kryesisht te mjetet sociale të informacionit. Hetimet janë shpeshherë të ngadalta dhe ndjekjet penale janë në rralla. Parada e krenarisë që u mbajt në shtator kaloi pa incidente të mëdha dhe u frekuentua nga Kryeministrja e parë grua në Serbi, që është edhe lezbike e deklaruar hapur.

Trajtimi i pakicave

Romët përballen me diskriminim, veçanërisht në lidhje me strehimin. Policia në Beograd mbajti në arrest dhe abuzoi një çift rom në maj, pasi ata denoncuan se makina e tyre ishte vjedhur, sipas Qendrës Europiane për të drejtat e romëve.

Aktorët kyç ndërkombëtarë

Gjatë gjithë vitit, vizita të ndryshme të Federica Mogherinit, përfaqësueses së lartë për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë; Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe Komisionerit për Politikën Europiane të  Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Jahannes Hahn, u përqendruan në anëtarësimin e Serbisë në BE dhe procesin Beograd- Prishtinë, por nuk arritën të trajtonin publikisht nevojën e përmirësimeve tek të drejtat e njeriut. Në qershor, Parlamenti Evropian theksoi nevojën e reformave të mëtejshme në fushat e të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit.

Raporti për të drejtat e njeriut i Departamentit të Shtetit të SHBA për vitin 2016, i botuar në qershor, përcaktoi diskriminimin dhe dhunën ndaj romëve, ngacmimin e gazetarëve, mbipopullimin në burgje si dhe kërcënimet ndaj anëtarëve të komunitetit LGBT si shqetësime veçanërisht serioze në fushën e të drejtave të njeriut.

Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, te vërejtjtet e tij të përmbyllëse në mars shprehu shqetësimin se fëmijët me aftësi të kufizuara vazhdojnë të jenë të pranishëm më shumë se sa duhet në institucionet e kujdesit rezidencial, dhe rekomandoi që autoritetet ta kufizojnë vendosjen e fëmijëve nën moshën tre vjeç në këto institucione.

Në korrik, Serbia nëshkroi Deklaratën e Shkollave të Sigurta, duke u angazhuar që të bëjë më shumë për mbrojtjen e arsimit gjatë periudhave të konflikteve të armatosura.

Në vërejtjet përmbyllëse të prillit, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut shprehu shqetësim për trajtimin e gazetarëve, veçanërisht gjatë ndjekjeve penale dhe rekomandoi mbrojtje më të madhe për punonjësit e mjeteve të informacionit. Ai gjithashtu shprehu shqetësim për krimet e urrejtjes, veçanërisht ato kundër romëve, dhe dhe rekomandim për hetime dhe ndjekje të mirëfilltë penale. Komiteti gjithashtu i bëri thirrje Serbisë të përmirësojë vonesat në procedurat e azilit, kushtet e këqija në qendrat e pranimit, dhe procedurat e pamjaftueshme të vlerësimit të moshës.

Në shkurt, Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Nils Muižnieks, shprehu shqetësimet e tij në lidhje me dëbimet e romëve, mungesën e masave mbrojtëse ligjore në procesin e dëbimeve të tilla si dhe dështimin e autoriteteve për të siguruar strehim alternativ.

Kosovë

Ecuria e pakët në lëmin e të drejtave të njeriut u vështirësua nga bllokimi politik pas zgjedhjeve të qershorit, ku qeveria u formua vetëm në shtator. Gjykata speciale për hetimin e krimeve të rënda të luftës, të kryera gjatë Luftës së Kosovës në 1998-1999, u vu në funksion dhe pritet të paraqesë paditë e saj të para. Gazetarët janë përballur me kërcënime e kanosje, dhe ndjekjet penale të krimeve ndaj gazetarëve kanë qenë të ngadalta. Kanë vazhduar tensionet midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht në veri. Komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë kanë vazhduar të pësojnë diskriminim. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin ka shënuar përparim të kufizuar.

Përgjegjësia e krimeve të luftës

Në korrik, pas disa muajsh vonese, Gjykata Kushtetuese e Kosovës miratoi rregullat e rishikuara të procedurës dhe provave për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar, të caktuara nga gjykata me seli në Hagë për gjykimin e krimeve të rënda të luftës që janë kryer gjatë Luftës së Kosovës në 1998-1999. Kjo i lejon gjykatës lëshimin e padive të para. Gjykata është caktuar të gjykojë rastet e hetuara nga Taskforca Hetimore Speciale, formimi i të cilës u nxit nga një raport i vitit 2011 i Këshillit të Evropës që akuzonte disa anëtarë të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për rrëmbime, rrahje, ekzekutime pa gjyq dhe heqje me dhunë organesh njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri gjatë, dhe pas luftës së Kosovës. Luftëtarë drejtues të UÇK-së pritet të paditen dhe të dalin para gjyqit. Gjykata do të veprojë sipas ligjeve të Kosovës, me 19 gjykatës ndërkombëtarë, të caktuar nga BE në shkurt. BE aprovoi në qershor një buxhet një vjeçar për këtë gjykatë.

Në janar 2017, prokurori special i Kosovës akuzoi një serb ish-paraushtarak për krime lufte në Fushë Kosovë në 1999. I dyshuari akuzohet se ka torturuar civilë të etnisë shqiptare.

Në shkurt prokurori lëshoi 57 urdhërarreste për shtetas serbë të dyshuar për krime lufte, pa dhënë detaje të tjera mbi personat në kërkim.

Në fillim të shtatorit, panele të përbëra nga misioni EULEX, dhe gjykatës vendorë, dhanë pesë vendime që kanë lidhje me krime lufte. Hetimet formale ishin në vazhdim e sipër në 34 çështje, dhe 374 çështje ishin në fazën e hetimeve paraprake. EULEX-i është përfshirë në gjithsej 43 vendime të formës së prerë që nga koha e ngritjes të tij në 2008.

Paneli i Rishikimit të të Drejtave të Njeriut, një organ i pavarur i krijuar në 2009 për të shqyrtuar pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e personelit të EULEX-it, dha vendime për tetë çështje gjatë periudhës janar-tetor, katër prej të cilave ishin vendime në vijim të çështjeve të mëparshme, te të cilat ishin gjetur shkelje nga ana e panelit. Në kohën e hartimit të këtij materiali, kishte tridhjetë raste në vazhdim e sipër.

Përgjegjësia e institucioneve ndërkombëtare

Kombet e Bashkuara nuk arritën të ndjekin rekomandimet e bëra në 2016 nga Paneli Këshllimor për të Drejtat të Njeriut (HRAP), një organ i pavarur i krijuar në 2006 për të shqyrtuar ankesat për abuzime nga misioni Unmik, që OKB-ja të kërkojë falje dhe t‘u paguajë dëmshpërblim individual viktimave të helmimeve nga plumbi, që u detyruaran të jetojnë në kampet e UNMIK-ut në Kosovën e veriut pas luftës së viteve 1998-1999. Viktimat janë anëtarë të shpërngulur të komuniteve rome, ashkali, dhe egjiptiane.

Në maj, Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, propozoi një plan të ndryshuar për të krijuar një trust me fonde vullnetare për projekte ndihme për komunitetin, por pa përfshirë veçanërisht personat e prekur nga helmimi i plumbit. Deri në kohën e hartimit të këtij materiali asnjë shtet nuk ka kontribuar në këtë fond besimi.

Trajtimi i pakicave

Romët, ashkalinjtë, dhe egjiptianët vazhdojnë të përballen me probleme në pajisjen me dokumenta personale, gjë që ul mundësinnë e tyre në përfitimin e kujdesit shëndetësor, ndihmës sociale dhe arsimit.

Ka pasur zbatim të ngadaltë të strategjisë së re për integrimin e komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptiane. Strategjia u miratua në 2016 dhe përqendrohej te përmirësimi i regjistrimit të qytetarëve, strehimi, e drejta për arsim, kujdes shëndetësor, dhe punësim. Mungojnë fondet publike për financimin e programeve të strategjisë.

Tensionet ndër-etnike vazhduan gjatë 2017, veçanërisht në veriun e ndarë të Kosovës. Policia e Kosovës regjistroi 15 raste dhune ndëretnike midis janarit dhe gushtit 2017, duke përfshirë prishje të rendit publik, mbishkrime fyese, nxitje të urrejtjes fetare, etnike dhe raciale, dhe plagosje të lehta fizike, pa përcaktuar numrin gjithsej për çdo kategori, gjë që e bën të vështirë vrojtimin efektiv të reagimit të policisë ndaj dhunës ndër-etnike. Policia e Kosovës deklaroi në gusht se këto raste ishin nën hetim.

Të drejtat e grave

Dhuna ndaj grave në Kosovë mbeti shumë e përhapur. Reagimi i pamjaftueshëm nga ana e policisë, ndjekjet penale të pakta, dhe dështimi nga an e gjykatësve në dhënien e urdhrave të mbrojtjes ndaj bashkëshortëve të dhunshëm e përkeqësoi më tej problemin. Qeveria miratoi në prill një strategji dhe plan veprimi të ri kundër dhunës në familje, duke zëvendësuar një strategji të periudhës 2011-2014, dhe në maj futi në veprim një program kompensimi për viktimat e krimeve. Si pasojë, viktimat tani kanë mundësi të kërkojnë kompensim nga shteti për lëndimet e tyre.

Azilkërkuesit dhe personat e shpërngulur

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit, Komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) regjistroi 333 rikthime vullnetare të anëtarëve të pakicave etnike në Kosovë, krahasuar me 276 të tilla për të njëjtën periudhë në 2016.

Ministria e punëve të Brendshme të Kosovës regjistroi 2.480 rikthime të detyruara në Kosovë në periudhën janar-tetor, duke përfshirë 159 romë, 138 ashkalinj, dhe 17 egjiptianë. Për muajin qershor nuk pati të dhëna me natyrë etnike. Ndër personat e kthyer me detyrim në Kosovë, 646 ishin fëmijë. Shumica e këtyre kthimeve të detyruara ishin nga Gjermania dhe të kthyerit morën ndihmë të kufizuar pas kthimit.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Aktivistët e të drejtave të homoseksualëve raportuan për rritje të gjuhës së urrejtjes në internet kundër personave lezbike, gay [homoseksualë], biseksualë dhe transgjinorë në tetor, në lidhje me Paradën e Krenarisë në Prishtinë. Parada e tetorit ishte e para e këtij lloji e mbajtur ndonjë herë në Kosovë. Në korrik, aktivistë të të drejtave të homoseksualëve bënë thirrje për vënien në diskutim të ligjeve për martesën në Kosovë, të cilat e përkufizojnë martesën si një akt vetëm e vetëm midis dy personave me seks të ndryshëm, gjë që shkon kundër kushtetutës së Kosovës.

Liria e mjeteve të informacionit

Kërcënime dhe sulme kundër gazetarëve vazhduan në 2017, ndërsa hetimet dhe ndjekjet penale ishin të ngadalta. Në periudhën janar-gusht, Shoqata e Gazetarëve të Kosovës regjistroi nëntë raste kërcënimesh dhe dhune ndaj gazetarëve, duke përfshirë një rast sulmi fizik, dy raste kanosjeje, një rast dhunim prone, dhe pesë kërcënime. Policia ishte ende duke i hetuar këto çështje në kohën e hartimit të këtij raporti.

Në gusht, Parim Olluri, një gazetar hetues dhe drejtor i portalit online Insajderi, u sulmua fizikisht nga persona të panjohur jashtë shtëpisë së tij në Prishtinë. Olluri mori trajtim mjekësor për plagosje të lehtë. Ai deklaroi se për mendimin e tij sulmi ka të bëjë me punën e tij si gazetar. Policia ishte ende duke e hetuar këtë çështje në kohën e hartimit të këtij raporti. Përfaqësuesi për lirinë e mjeteve të informacionit pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, (OSCE) Harlem Desir dënoi këtë sulm në gusht.

Në prill, Arbana Xharra, kryeredaktore e të përditshmes Zëri, iu nënshtrua kanosjeve kur një person  i panjohur, ose disa të tillë vizatuan një kryq të kuq në ngjyrë gjaku pranë apartamentit ku banon ajo me të shoqin dhe fëmijën. Çështja ka mbetur e pazgjidhur edhe në kohën e hartimit të këtij raporti.

Në tetor, kryeredaktori i gazetës online Insajderi, Vehbi Kajtazi, u sulmua fizikisht në një kafene në Prishtinë. Policia ishte edhe duke hetuar çështjen në kohën e hartimit të këtij raporti. Kajtazi është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar edhe në të kaluarën, dhe këto çështje kanë mbetur të pazbardhura.

Aktorët ndërkombëtarë kryesorë

Në raportin e tij tremujor për situatën në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Guterres shprehu në maj shqetësimet për ndjenjat etno-nacionaliste, dhe u bëri thirrje palëve të veprojnë me përgjegjësi për të ulur tensionet ndëretnike. Guterres trajtoi gjithashtu shqetësimet nga familjet anëtarët e të cilëve janë ende të zhdukur qysh nga koha e konfliktit të Kosovës, dhe u kërkoi autoriteteve të bëjnë më shumë për të hetuar mbi fatet e këtyre personave.

Raporti për të Drejtat e Njeriut në Kosovë i Departamentit të Shtetit të SHBA, i botuar në mars, ngriti shqetësimin për pengimin e dhunshëm të punës së parlamentit nga ana e partive të opozitës që ka sjellë si pasojë bllokimin e debatit të lirë dhe miratimin e ligjeve, si dhe mungesën e dhënies së llogarisë për korrupsionin qeveritar. Raporti gjithashtu vuri theksin mbi dhunën në shoqëri dhe diskriminimin e komuniteteve fetare dhe LGBT, frikësimin e mjeteve të informacionit, dhunën ndaj personave të shpërngulur që kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre, dhunën familjare dhe diskriminimin kundër grave, si dhe diskriminimin e pakicave etnike, sidomos të ashkalinjve, egjiptianëve dhe romëve.

Me ftesën e Kosovës, BE dërgoi një mision vrojtimi zgjedhjesh, raporti i të cilit vuri theksin te disa mangësi, përfshirë këtu një prirje shqetësuese frikësimi brenda zonave me shumicë serbe. Në qershor, Parlamenti Europian i bëri thirrje Kosovës të forcojë rolin e avokatit të popullit dhe të shtojë përpjekjet për mbrojtjen e pakicave.

Gjatë të gjithë vitit, liderët e BE-së u takuan vazhdimisht me homologët e tyre kosovarë, por nuk ia arritën të shprehin shqetësime në lidhje me të drejtat e njeriut, duke u përqendruar më shpesh te normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.