Skip to main content

Raporti Botëror 2016: Serbia

Ngjarjet e 2015

Pak progress u shënua gjatë vitit 2015 në uljen e disnivelit ndërmjet detyrimeve të Serbisë për të zbatuar të drejtat e njeriut dhe zbatimit të tyre. Ndërsa u përball me një numër të konsiderueshëm migrantësh dhe azilkërkuesisht, Serbia paraqiti kushte të pamjaftueshme për pranimin e tyre, ku u dalluan abuzime nga ana e policisë dhe një sistem azili i papërshtatshëm. Gazetarët kanë punuar në një ambient armiqësor, ku nuk munguan sulmet, kërcënimet dhe denoncimet për raportime mbi çështje delikate. Hetimi i krimeve të luftës mbetet i ngadaltë. Pakica rome vazhdon të përballet me diskriminime për strehimin.

Migrantët, azilkërkuesit dhe personat e shpërngulur

Serbia u përball me një numër në rritje migrantësh dhe azilkërkuesish në 2015, shumë prej tyre nga Siria, Afganistani dhe Iraku të cilët kërkonin të kalonin në Serbi për të mbërritur në vendet e Europës Perëndimore. Mes 1 janarit dhe 31 korrikut, Serbia regjistroi 66 428 azilkërkues, pothuaj 10 herë më shumë se sa numri i regjistruar në të njëjtën kohë në 2014 (6 974).  Sirianët përbënin numrin më të madh të migrantëve (37 970 persona). Nuk ka shifra të besueshme në lidhje me numrin e azilkërkuesve dhe migrantëve të paregjistruar të pranishëm në Serbi.

Për shkak të rritjes së konsiderueshme të azilkërkuesve, autoritetet serbe hapën një qendër pranimi me kapacitet 300 personash në qendrën e qytetit të Preshevës në kufi me Maqedoninë, duke e rritur numrin në gjithsej gjashtë qendra pranimi. Por kapaciteti mbeti i kufizuar, dhe shumë azilkërkues dhe migrantë ngelën jashtë në qiell të hapur dhe pa strehim. Pati raportime të besueshme gjatë vitit mbi abuzime nga ana e policisë dhe grabitje të emigrantëve dhe azilkërkuesve. Në nëntor, Serbia vendosi kufizime në kufi me Maqedoninë për migrantët dhe azilkërkuesit, duke lejuar vetëm të ardhurit nga Siria, Afganistani, dhe Iraku.

Deri në 1 nëntor, Serbia u dha status refugjati gjithësej 16 azilkërkuesve dhe mbrojtje sekondare 14 të tjerëve për vitin 2015. Përtej kuotave tmerrësisht të ulëta të pranimit, procedurat e zyrës së azilit janë të papërshtashme, me mijëa ankesa dhe vonesa në aplikimin për azil.

Gjatë shtatë muajve të parë të 2015, Zyra e Komisionerit të lartë të Kombeve të bashkuara për refugjatët (UNHCR) regjistroi 4 112 fëmijë të pashoqëruar nga Serbia, pjesa më e madhe e të cilëve vjen nga Afganistani dhe Siria, krahasuar me 98 fëmijë migrantë të pashoqëruar mes janarit dhe shtatorit 2014. Sipas UNHCR, Serbisë i mungojnë  procedurat e përcaktimit objektiv të moshës për fëmijët e pashoqëruar, duke sjellë si rezultat që fëmijët më të rritur të rrezikojnë të trajtohen si në moshë madhore duke mos marrë mbrojtjen e duhur. Dy institucionet në Serbi për fëmijët e pashoqëruar kanë gjithsej vetëm 32 vende.

Autoritetet serbe shënuan pak progress në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për refugjatët dhe personat e shpërngulur nga luftrat në Ballkan që jetojnë në Serbi. Sipas të dhënave të UNHCR, deri në 1 korrik kishte 35 732 refugjatë të tillë në Serbi, pjesa më e madhe e të cilëve nga Kroacia, dhe 203 140 të shpërngulur nga Kosova.

Liria e medias

Gazetarët në Serbi përballen me sulme, kërcënime, ngacmime, kanosje, denoncime dhe ndërhyrje politike apo të tjetër lloji. Mes janarit dhe gushtit 2014, Shoqata e gazetarëve të pavarur të Serbisë raportoi shtatë sulme mbi gazetarët, 13 kërcënime, dhe dy raste sulmesh mbi pronësinë. Autoritetet hetuan dy raste gjatë vitit që përfshinin sulme fizike ndaj gazetarëve në lidhje me punën e tyre.

Portali i pavarur i lajmeve Balkan Investigative Reporting Network (BIRN) u kritikua në janar dhe shkurt nga zyrtarët e qeverisë serbe, duke përfshirë edhe kryeministrin Aleksandar Vuçiq, i cili akuzoi stafin e BIRN-it si gënjeshtarë dhe BIRN-in si organizatë që marr para nga BE-ja për të diskretituar qeverinë serbe.

Kritikat erdhën pas një artikulli investigativ të BIRN-it ku denoncoheshin  raste korrupsioni në rang qeverie. Disa media pro-qeveritare u angazhuan në një fushatë  përgojimi kundër BIRN-it dhe stafit të tij, duke nxitur dënimin nga ana e Komisionit Europian dhe grupeve ndërkombëtare të lirisë së medias.

Komisioni qeveritar i caktuar për  hetimin e vrasjes së tre gazetarëve të rëndësishëm në Serbi  më në fund shënoi progres në një rast, dhe procesi gjyqësor  ndaj katër të dyshuarve për vrasjen e Sllavko Quruvijas filloi në qershor. Komisioni në fjalë nuk ka shënuar progress në lidhje me dy rastet e tjera nën mandatin e tij.

Përgjegjësia për krime lufte

Ndjekja penale e krimeve të luftës në Serbi, janë penguar nga mungesa e përkrahjes nga ana e autoriteteve dhe mekanizmat e dobëta të mbrojtjes së dëshmitarëve.

Vetëm një numër i vogël nga ish-personeli ushtark dhe civil i rangut të lartë të implikuar në krime të rënda lufte është paraqitur përpara gjykatave serbe. Në kohën e shkrimit të këtij raporti, 14 procese për krime lufte janë në fazën e gjykatës së shkallës së parë dhe shtatë janë në fazën e apelit në sistemin gjyqësor serb. Aktakuza janë lëshuar në 16 raste duke pritur gjykimin, përfshirë tetë persona të dënuar në shtator në lidhje me gjenocidin e Srebrenicës në 1995 në Bosnjë Hercegovinë, aktakuza e parë për krimet e Srebrenicës në gjykatat serbe. Trembëdhjetë raste janë nën hetim.

Në 2015, gjykatat serbe arritën gjykime në katër raste, një për krime lufte në shkallën e parë dhe tre në shkallën e apelit dhe urdhëruan një rigjykim në rastin e pestë.

Në qershor,  dhoma për krime lufte e Beogradit dënoi dy të akuzuar në vrasjen e civilëve të qytetit të Vukovarit në Kroaci në 1991.  Në maj gjykata e apelit të Beogradit, aprovoi dënimet e tre të akuzuarve për vrasje, trajtime përçudnuese e çnjerëzore, dhe torturim të jo-serbëve gjatë luftës në Kroaci.

Në qershor Gjykata e lartë në Beograd u dha të drejtë gjashtë të pandehurve duke u anuluar dënimet e tyre për vrasjen e 28 civilëve romë në Bosnjë Hercegovinë gjatë luftës. Në mars gjykata e apelit në Beograd anuloi dënimet e shkallës së parë për nëntë të akuzuar për vrasjen e 118 shqiptarëve të Kosovës në 1999, duke urdhëruar një rigjykim të çështjes.

Gjykata e apelit në Beograd në nëntor shfajësoi një ish luftëtar vullnetar serb për përdhunim të dy grave boshnjake në qytetin boshnjak të Bjelinës gjatë luftës në 1992, duke argumentuar se nuk kishte prova të mjaftueshme. Tre anëtarë të tjerë të të njëtjës njësi të akuzuar për përdhunim dhe plaçkitje u dënuan me gjithsës 43 vjet heqje lirie në 2012.

Në nëntor 2014, Vojisllav Sheshelit - i dyshuari për krime lufte dhe lider i partisë Radikale  Serbe nacionaliste, i cili u akuzua për përndjejkje, vrasje, deportim me dhunë, burgosje ilegale, torturim dhe shkatërrim prone gjatë luftrave jugosllave kundër kroatëve, boshnjakëve dhe jo-serbëve të tjerë - iu dha leje për trajtim mjekësor nga Tribunali për krimet në ish-Jugosllavi. Në mars ICTY revokoi lejen dhe urdhëroi kthimin e tij në Hagë. Shesheli injoroi urdhërin dhe gjendet në Serbi në kohën e shkrimit të këtij raporti.

Në korrik ICTY dëgjoi argumenta gojorë në apelin e prokurorisë  të shfajësimit të majit 2013 të ish zyrtarëve të sigurimit të shtetit Jovica Stanisic dhe Franko Simatoviq për krime lufte në Bosnjë dhe Kroaci gjatë 1990. Në kohën e shkrimit të këtij raporti, verdikti final pritej në dhjetor 2015.

Trajitimi i pakicave

Pakica rome vazhdon të përballet me diskriminim dhe ngacmime veçanërisht në lidhje me strehimin.

Në korrik  një njësi strehimi informale në një kamp rom në bashkinë e  Beogradit të Ri u shkatërua nga autoritetet pa lajmërim të mëparshëm apo strehim alternativ për familjen që banonte atje, sipas Qendrës  Europiane Për Të Drejtat e Romëve. Rreth 20 familjet që mbeten në kamp u përballën me kërcënime të vazhdueshme për shpërngulje në kohën e shkrimit të këtij raporti.

Shpërngulja e planifikuar e 53 familjeve rome nga shtëpitë e tyre në Beograd pa strehim alternative u ndalua në korrik pas ndërhyrjes së Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut, e cila lëshoi një urdhër të përkohshëm për ndalur shpërnguljen pas një peticioni nga një organizatë vendore për të drejtat e njeriut duke cituar mangësira procedurale dhe mungesën e strehimit alternativ.

Romët në kampet informale shpesh jetojnë në kushte të tmerrshme. Një raport i majit 2015 mbi Serbinë nga raportuei special i OKB-së mbi strehimin e përshtatshëm, theksoi numrin e jashtëzakonshëm të shpërnguljeve të romëve, mungesën e shërbimeve bazë për romët dhe mungesën e sigurisë ligjorë të zotërimit.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut vazhdojnë të punojnë në një ambient armiqësor. Gjatë periudhës janar-gusht, Komiteti i Organizimit të Belgrade Pride i raportoi Policisë 30-50 raste kërcënimesh të marra në internet drejtuar aktivistëve të LGBT-së.  Zyrtarët e qeverisë morën pjesë në një Pride Parade në Beograd në shtator mes masave të sigurisë dhe deklarimeve të forta nga ana e zyrtarëve të lartë se dhuna nuk do të tolerohej.

Një fushatë përgojimi kundër avokatit të popullit Sasha Jankoviq, e cila filloi nga fundi i 2014, vazhdoi edhe në 2015, kur në janar Ministri i Mbrojtjes e përkufizoi Jankoviqin si pjesë e një fushate për të shkatërruar ushtrinë serbe. Fushata kundër Jankoviqit erdhi pasi avokati i popullit akuzoi dy oficerë të policisë ushtarake për sulm ndaj policisë xhandarmëri në shtator 2014 në Pride Parade në Beograd në 2014. Dy policët ushtarakë ishin duke shoqëruar të afërm të kryeministrit Vuçiq dhe të kryetarit të bashkisë të Beogradit gjatë kohës së incidentit.

Aktorë kyç ndërkombëtarë

Në mars Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, tha se Serbia duhet të  ndërmarrë reforma politike, sociale e ekonomike por nuk permendi në mënyrë specifike detyrimet e vendit për të plotësuar standardet  për të drejtat e njeriut.

Komisioneri për zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, tha në shkurt se BE nuk do t’i përgjigjej deklaratave për  censurën e medias në Serbi pa prova konkrete, pavarësisht provave të gjëra për klimën jo të favorshme të lirisë së medias. Gjatë një vizitë në maj, Hahn theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë. Ai gjithashtu u bëri thirrje institucioneve të respektojnë avokatin e popullit.

Progres-raporti vjetor i Komisionit Europian për Serbinë shprehu shqetësimin për pavarësinë e gjyqësorit. Ai theksoi kufizimin e lirisë së shprehjes dhe lirinë e medias. Gjithashtu i bëri thirrje Serbisë të zbatojë strukturën ligjore anti-diskriminim me më shumë eficiencë për të promovuar barazinë dhe për të siguruar integrimin e grupeve në nevojë dhe pakicave.

Raporti për të drejtat e njeriut i Departamentit të Shteit në 2014, theksoi diskriminimin dhe sulmet ndaj pakicave, veçanërisht romëve, kërcënime të lirisë së medias, sistemit gjyqësor jo efiçent, dhe periudha të gjata paraburgimi si problemet kyç të të drejtave të njeriut në Serbi.

 

Kosovë

Mbrojtja e të drejtave të njeriut përparoi me ritme të ngadalta në Kosovë gjatë 2015. Një qeveri e re u formua në maj, 13 muaj pas zgjedhjeve qendrore. Parlamenti ndërmori më në fund ndryshimet e nevojshme ligjore për të formuar një gjykatë speciale që do të hetoje akuzat për krime të rënda lufte. Në fillim të vitit një numër i madh kosovarësh, kryesisht shqiptarë etnikë, aplikuan për azil në Gjermani dhe pjesa më e madhe e tyre u refuzuan, duke nxitur presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, t’u bëjë thirrje Kosovarëve të qëndrojnë në vendin e tyre.

Kosova përparoi shumë pak në vënien në zbatim të programeve për integrimin e numrit në rritje të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve të kthyer nga Gjermania dhe nga shtetet e tjera europiane. Gazetarët përballen me kërcënime dhe kanosje, ndërkohë që hetimet e krimeve kundër gazetarëve vazhdojnë të jenë të ngadalta. Tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës kanë vazhduar veçanërisht në veri të vendit. Ka shënuar përparim procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin.

Mosndëshkime, përgjegjësia  dhe aksesi në drejtësi

Parlamenti në gusht ndërmori amendamentet kushtetuese të nevojshme për të formuar gjykatën speciale për hetimin  e krimeve të rënda të kryera gjatë konfliktit në Kosovë në 1998-1999 dhe pas tij, nga ana e ish anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK-së).  Gjykata do të veprojë në kuadrin e ligjit kosovar, por me një dhomë jashtë shtetit dhe me gjykatës e prokurorë të caktuar në nivel ndërkombëtar. Në kohën e shkrimit të këtij teksti Kosovës i duhet ende të firmosë dhe të ratifikojë një marrëveshje për shtetin pritës të kësaj gjykate, me Hollandën, për të aktivizuar gjykatën në fjalë.

Gjykata speciale do të shqyrtojë çështjet e hetuara nga Taskforca Speciale Investigative, nxitur nga një raport i Këshillit të Europës që akuzon disa anëtarë të UÇK-së për rrëmbime, rrahje, ekzekutime  dhe heqjen me dhunë të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri pas luftës së Kosovës.

Në maj, gjykata e shkallës së parë në Prishtinë dënoi gjashtë ish anëtarë të UÇK-së - pjesë e grupit të Drenicës, të formuar më së shumti nga UÇK-ja, duke përfshirë ish majorin nga Skënderaj, Sami Lushtaku,  me gjithsej 65 vjet në burg për torturë, keqtrajtim, dhe vrasje të të burgosurve në qendren e UÇK-së në Likovac. Vendimi ishte në apel në mes të nëntorit, 2015. 

Në qershor ish kryeministri Ramush Haradinaj u arrestua në Slloveni me mandat serb për krime të kryera gjatë konfliktit në Kosovë në 1998-1999. Sllovenia nuk e esktradoi Haradinajn në Serbi, por e lëshoi pas një muaji.

Në prill, stafi i Misionit EULEX, zhvarrosi tre trupa nga një varr masiv në fshatin e Lausës. Në të njëjtin muaj, autoritetet e Kosovës filluan të kërkojnë varre massive të dyshuara në 20 vendndodhje. Më shumë se 1500 persona rezultojnë të zhdukur pas luftës 1998-1999.

Nga fundi i shtatorit, grupe pune të përzjera me gjykatës të EULEX-it dhe vendorë, dorëzuan një vendim në gjykatën e shkallës së parë dhe një çështje për hetim në gjykatën e apelit. EULEX-i është përfshirë në gjithsej 35 verdikte që nga fillimi i misionit në 2008.

Human Rights Review Panel, një trup i pavarur i vendosur në 2009 për të rishqyrtuar akuzat e dhunimeve të të drejtave të njeriut nga ana e stafit të EULEX-it, mori në shqyrtim dy çështje gjatë vitit. Në prill, ky panel gjeti se EULEX-i ka dhunuar Konventën Europiane të të drejtave të njeriut duke dështuar në hetimin e dëmit të pësuar nga 116 romë të cilët u mbajtën për disa kohë në disa kampe për personat e zhvendosura brenda vendit, disa të  kontaminuar me plumb gjatë dhe pas konfliktit të 1999.

Në një rast tjetër në prill, paneli nuk identifikoi dhunime të të drejtave të ankuesve të cilat mund t’u  atribuoheshin EULEX-it. Këtu përfshihej edhe dhuna e ushtruar nga policia e Kosovës ndaj 10 qytetarëve serbë të cilët ishin duke marrë pjesë në festimet e Krishtlindjeve në qytetin e Graçanicës në 2013. Tridhjetë çështje janë pezull pranë panelit të sipërpërmendur në kohën e hartimit të këtij teksti.

Human Rights Advisory Panel, një trup i pavarur i krijuar në 2006 për të ekzaminuar ankesat e ardhura prej,  ose që kanë të bëjnë me, misionin e Administrimit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara  (United Nations Interim Administration Mission) në Kosovë, raportoi dhunime në 31 nga 36 rastet e shqyrtuara mes janarit dhe gushtit.

Trajtimi i pakicave

Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët vazhdojnë të kenë probleme në lidhje me pajisjen me dokumenta personale, gjë që ndikon në aftësinë e tyre për të përfituar shërbime shëndetësore, asistencë sociale dhe arsim. Mungesa e vullnetit politik, fondeve, dhe bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve qendrore dhe vendore ka sjellë dështimin e zbatimit të plotë të strategjisë së 2010 për integrimin e komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptiane.

Strategjia e 2013 për reintrigrimin e personave të riatdhesuara duke përfshirë edhe romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, pati si rezultat krijimin e një zyre bashkiake për administrimin e të kthyerve, për t’i ndihmuar në sigurimin e ushqimit dhe strehimit. Megjithatë ata qe janë riatdhesuar ende përballen me vështirësi në gjetjen e punës, arsimin, dhe shërbimin mjekësor.

Tensionet ndër-etnike vazhduan në Mitrovicën e veriut. Në prill, një serb 17-vjeçar u plagos në qytetin e Mitrovicës nga një person i panjohur. Dëshmitarë të pranishëm në vendngjarje thanë se keqbërësit u larguan drejt zonës së banuar kryesisht nga shqiptarët në pjesën jugore të qytetit. Policia ishte ende duke hetuar rastin në kohën e shkrimit të këtij raporti.

Në janar 2015, përleshje të dhunshme shpërthyen ndërmjet policisë speciale dhe disa mijëra protestuesve që kërkonin shkarkimin e Aleksandar Jabllanoviqit, një ministër serb i cili i përkufizoi si “njerëz të egër” shqiptarët që bllokuan besimtarët serbë gjatë vizitës së një kishe në Gjakovë. Jabllanoviqi u shkarkua nga pozita e tij në shkurt.

Gjatë janarit dhe shtatorit 2015, policia e Kosovës regjistroi pesë incidente ndëretnike.

Azilkërkuesit dhe personat e shpërngulur

Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët regjistroi 619 kthime të vullnetshme, duke përfshirë njerëz jo nga Kosova dhe persona të shpërngulur brenda vendit, që shënonin 547 gjatë të njëjtës periudhë në 2014.

Rikthimet e detyruara të shtetasve kosovarë nga Europa perëndimore, pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptarë por edhe romë, ashkali dhe egjiptianë, është rritur ndjeshëm. Kjo vjen si pasojë e numrit të madh të kërkesave për azil nga ana e shqiptarëve të Kosovës në Gjermani gjatë muajve të parë të vitit, pjesa më e madhe e të cilëve u refuzua.

Ministria e punëve të brendshme në Kosovë regjistroi 7380 kthime të detyruara në periudhën 1 janari në 30 shtator, duke përfshirë 320 romë, 282 ashkali dhe 68 egjiptianë. Mes të kthyerve kishte 1855 fëmijë. Pjesa më e madhe e pakicave u kthyen nga Gjermania, dhe për të kthyerit u sigurua një asistencë e kufizuar pas riatdhesimit.

Liria e medias

Gazetarët vazhduan të pësojnë kërcënime dhe kanosje gjatë 2015, dhe procesi i  hetimit dhe gjykimit janë të ngadaltë. Gazetarët të cilët kanë raportuar për grupet islamike janë veçanërisht të ekspozuar ndaj kërcënimeve. Të paktën një gazetar investigativ u detyrua të largohet përkohësisht nga Kosova në 2015 për shkak të kërcënimeve me vdekje. Nga fundi i  shtatorit, Shoqata e Gazetarëve profesionale të Kosovës regjistroi 22 ankesa për kërcënime dhe kanosje, duke përfshirë kërcënime me vdekje, të lëshuara kryesisht nëpërmjet social media, përfshirë Facebook. Nuk u raportuan sulme fizike gjatë vitit.

Ish luftëtarët e UÇK-së  duket se kanë kërcënuar gazetaren e  Radio Kosovës, Serbeze Haxhiaj, sepse ishte duke hetuar mbi njerëzit që nuk ishin veteranë lufte, por që ishin të përfshirë në listat e veteranëve të luftës për të përfituar pensione të konsiderueshme. Radio Kosova, një stacion privat radiofonik nuk e transmetoi investigimin e Haxhiajt për shkak të asaj që gazetarja e përkufizon si censurë. Ajo nuk e denoncoi rastin në polici.

Aktorët kyç ndërkombëtarë

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian Federica Mogherini tha në muajin gusht se ndryshimet kushtetuese të Kuvendit të Kosovës shënuan një hap parësor në zgjidhjen e akuzave të rënda që prej  raportit të Këshillit të Europës së 2011 që akuzon ish anëtarët e UÇK-së për krime lufte.

Qeveria e SHBA në gusht  mirëpriti  amendamentet kushtetuese dhe ligjore  që kërkohen për formimin e gjykatës speciale. Në të njëjtin muaj, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon lëshoi një raport mbi Kosovën në të cilin u kërkonte autoriteteve të përshpejtojnë formimin e gjykatës speciale.

Gjermania deklaroi në shtator se Kosova, Mali i Zi, dhe Shqipëria janë vende të sigurta prejardhjeje, duke bërë që kërkesat për azil nga Kosova të procesohen në mënyrë të përshpejtuar duke marrë parasysh se azilkërkuesit nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

Progres-raporti mbi Kosovën i Komisionit të BE lëshuar në tetor, pohoi se administrimi i drejtësisë është i ngadaltë, mungon përgjegjësia nga ana e zyrtarëve gjyqësore, dhe strukturat gjyqësore vazhdojnë të jenë pre e ndërhyrjeve politike. Raporti gjithashtu theksoi mungesën e progresit në lirinë e mediave dhe u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të hetojnë sulmet fizike dhe llojet e tjera të presioneve ndaj gazetarëve. Në raport theksohet gjithashtu se autoritetet në nivel vendor dhe qendror nuk u angazhuan mjaftueshëm për të lehtësuar rikthimin dhe re-integrimin e refugjatëve dhe personave të shpërngulur brenda vendit.

Raporti i të drejtave të njeriut të  Departamenti të Shtetit të SHBA mbi Kosovën, në qershor, shprehu shqetësim për lirinë e lëvizjes dhe besimit nga ana e besimtarëve ortodoksë serbë, dhunës kundër grave dhe diskriminimit të pakicave etnike, personave me paaftësi, dhe anëtarëve të komunitetit LGBT.