Pavarësisht arritjes së një marrëveshjeje historike në Prill nga ana e Këshillit Europian, për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian në janar 2014, situata e të drejtave të njeriut, mbetet shqetësuese. Situata e pakicave etnike mbetet delikate, veçanërisht për romët. Gazetarët mbeten në shënjestër të kërcënimeve, pavarësisht përpjekjeve për të çuar autorët përpara drejtësisë. Sistemi i dhënies së azilit është i dobët dhe i mbingarkuar. Firmosja e një protokolli bashkëpunimi mes prokurorëve të Serbisë dhe Bosnjës ofron potencial  për përmirësimin e progresit të ngadaltë me hetimin e krimeve të luftës.

Përgjegjësia për krimet e luftës

Hetimi i krimeve të luftës përparoi ngadalë gjatë vitit 2013. Gjykata e Beogradit për krime lufte arriti të dënojë gjashtë raste si dhe shpalli të pafajshëm një rast. Zyra e prokurorit për krimet e luftës, paditi tre persona për krime ndaj civilëve. Gjatë momentit të hartimit të këtij raporti, 14 hetime rezultojnë ende në proces.

Në Shkurt, gjykata dënoi shtatë anëtarë të njësive paramilitare të Çetnikëve të Simës, me gjithsej 72 vjet burgim për vrasjen e 28 civilëve romë, përdhunim dhe torturim të tre grave rome, si edhe shkatërrimin e një xhamie në Bosnjë Hercegovinë.

Në Korrik, gjykata dënoi Petar Ciric, nga trupat e mbrojtjes territoriale të Vukovarit në Ushtrinë Kombëtare Jugosllave, me 20 vjet burgim për pjesëmarrje në torturimin dhe  pushkatimin e 200 të burgosurve kroatë gjatë luftës, në nëntor të vitit 1991.

Gjithashtu, në Korrik gjykata urdhëroi qeverinë serbe të kompensonte tre shqiptarë të Kosovës për torturë dhe trajtim çnjerëzor, pas burgimit të tyre të paligjshëm në maj të vitit 1999, kur forcat serbe pushtuan fshatin kosovar të Qikatovës së Re.

Në Shkurt, Serbia firmosi një protokoll krimesh me Bosnjën duke lehtësuar transferimin reciprok të informacioneve dhe provave mbi krimet e luftës. Kjo solli si rezultat një marrëveshje bashkëpunimi në korrik mbi hetimin e 30 të dyshuarve si kriminelë lufte të cilët besohet se jetojnë në Serbi.

Në Prill, presidenti serb Tomislav Nikolic, mbajti një apologji në televizionin boshnjak në emër të popullit serb për krimet e kryera nga forcat serbe në Bosnjë gjatë luftës në vitet 1992- 1995. Në këtë apologji mungoi përkufizimi i masakrës së Serebrenicës si genocid.

Nga fundi i Majit, Gjykata ndërkombëtare për krimet e luftës për ish Jugosllavinë (ICTY), shpalli të pafajshëm ish oficerët e sigurisë serbe Jovica Stanisic dhe Franko Simatovic nga përgjegjësia kriminale për shpërnguljen e popullsive boshnjake dhe kroate nga disa pjesë të Bosnjës dhe Kroacisë mes viteve 1991 dhe 1995.

Në Nëntor, prokurori për krimet e luftës, akuzoi dy ish oficerë të ushtrisë jugosllave për vrasjen e 27 personave në Kosovë në fshatin Trinje në vitin 1999. Gjithashtu, në Nëntor në një rast ende në proces kundër 11 ish anëtarëve të forcave të armatosura jugosllave, prokurori për krimet e luftës, paditi ish komandantin e  ushtrisë Toplica Miladinovic për urdhërimin e sulmeve në katër fshatra të Kosovës, ku të paktën 45 persona mbetën të vrarë në vitin 1999.

Liria e medias

Në Prill, kryeredaktori i Juzne Vesti, një platformë gazetarie investigative, mori kërcënime me telefon nga drejtori i Impiantit të ngrohjes NIS, Milutin Ilic, dhe dy të tjerë, ku thuhej “ki kujdes çfarë boton” në lidhje me raportimin mbi veprimet në këtë impiant. Tre personat në fjalë u akuzuan në shtator për kërcënim të sigurisë së një personi në detyrë me rëndësi publike.

Në Qershor, portalet web Koreni dhe Intermagazin, botuan një artikull ku quanin Nedim Sejdinovic, një gazetar të mirënjohur dhe aktivist i të drejtave të njeriut nga rajoni i Vojvodinës në Serbinë e veriut, si “mendimtar islamik” dhe “separatist nga Vojvodina”  duke sugjeruar se ai nuk duhet të ndihej i sigurt në qytetin e tij.

Një komision qeveritar, krijimi i të cilit pritejprej kohësh, u formua në Janar për të hetuar e vrasjeve të tre gazetarëve të rëndësishëm në Serbi, më shumë se një dekadë më parë. Komisioni me shtatë anëtarë ka për detyrë të analizojë gjithë hetimet e mëparshme duke zbuluar arsyen e dështimit të tyre, dhe krijuar bazën për hetime të ardhshme.

Trajtimi i pakicave

Vazhdojnë sulmet dhe kërcënimet ndaj pakicave rome, por autoritetet kanë vendosur përpara drejtësisë disa prej autorëve. Në Mars, një djalë 17 vjeçar rom vdiq pas plagëve të marra gjatë përleshjes me disa persona të dhunshëm. Një djalë 14 vjeçar u akuzua për vrasje në lidhje me këtë rast. Në Gusht, një grup huliganësh sulmuan një kamp romësh në Resnik, duke kërcënuar banorët dhe duke brohoritur terma raciste. Në momentin e hartimit të këtij raporti policia ka kryer katër arrestime.

Shpërngulja e detyruar dhe diskriminimi i romëve në arsim mbeten shqetësues. Autoritetet shembën rreth 40 shtëpi një një kamp informal rom në Beograd në Prill, duke mos siguruar një strehim alternativ për ta. Gjithashtu, në Beograd 50 familje rome u përballën me rrezikun e shpërnguljes nga strehimi social në momentin e hartimit të këtij raporti.

Fëmijët romë vazhdojnë të jenë pak të pranishëm në shkollat për fëmijë me aftësi të kufizuara. Sipas Qendrës Europiane për të drejtat e romëve, në vitin shkollor 2012 – 2013 , vetëm 22,8 % e të gjithë studentëve me nevoja të veçanta ishin romë.

Kanë vazhduar tensionet mes pakicës hungareze dhe shumicës serbe në Vojvodinë në Serbinë verilindore. Grupe serbësh kanë sulmuar hungarezët në disa incidente në Janar dhe Shkurt, në Temerik dhe Suboticë, duke supozuar se ishin hungarezë. Gjatë hartimit të këtij teksti policia ishte duke shqyrtuar të dyja këto raste.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Pavarësisht vendimeve të gjykatës së lartë dhe kuadrit ligjor të përforcuar për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, anëtarët e këtij komuniteti vazhdojnë të përballen me intolerancë dhe kërcënime. Një grup lokal për të drejtat e njeriut raportoi të paktën 30 kërcënime në muaj në rrjetet e sociale ndaj komunitetit LGBT të përfshirë në organizimin e “Pride Parade” në 2013.  Në Shtator, Këshilli i sigurisë kombëtare në Serbi anuloi paradën për të tretën herë  radhasi për arsye sigurie. Gjykata kushtetuese në Maj vendosi se anulimi i paradës në vitin 2011 dhunonte lirinë e mbledhjes së qytetarëve dhe i caktoi dëmshpërblim shoqatës së Pride Parade në Beograd.  Gjykata e apelit në Novi Sad në Serbinë e veriut, vendosi një precedent ligjor në Janar duke gjobitur një burrë për diskriminim ndaj një kolegu me shkak  orientimin seksual pasi e kishte  quajtur me një term fyes.

Kodi penal u amendua në Dhjetor të vitit 2012 për të ndalur diskursin e urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, duke përfshirë motivimin e urrejtjes, për personat LGBT si një rrethanë agravuese në dënim. Në Qershor, qeveria ndërmori një strategji për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi.

Azilkërkuesit dhe personat e zhvendosur

Gjatë tetë muajve të parë të vitit 2013, Serbia regjistroi 2332 azilkërkuesish,  krahasuar me 1454 në të njëjtën periudhë në 2012. Sirianët përbënin numrin më të madh të azilkërkuesve (432 persona).

Mbeten shqetësuese kapaticetet e dy qendrave të pritjes në Serbi, të cilat mund të strehojnë vetëm 280 persona dhe janë duke vepruar në pragun maksimal të kapacitetit. Në momentin e hartimit të këtij raporti, sipas UNHCR, autoritetet kombëtare për azil janë duke shqyrtuar gjetjen e vendndodhjes për një qendër të tretë.  Për herë të parë, pasi mori përgjegjësinë për procedurat e azilit në vitin 2008, Zyra e Azilit i dha asistencë  dy aplikuesve në vitin 2013, ndërsa deri tani nuk ka dhënë asnjë status refugjati.

Asnjë masë nuk është ndërmarrë në zgjidhjen e situatës së refugjatëve të shpërngulur brenda vendit (IDPs) nga luftrat në Ballkan.  Sipas të dhënave të Komisariatit për refugjatët dhe migrimet, në Shtator, në Serbi gjendeshin 54 000 refugjatë, më së shumti nga Kroacia dhe 210 000 shumica e të cilëve nga Kosova. Sipas vlerësimet të UNHCR 90 000 janë në gjendje nevoje, veçanërisht për sa i përket strehimit.

Në Dhjetor të vitit 2012, parlamenti serb kriminalizoi aktin e të ndihmuarit të shtetasve serbë për kërkim azili jashtë shtetit. Bashkimi Europian dhe shtete anëtare të veçanta si Gjermania, Suedia dhe Belgjika kanë bërë presion pranë autoriteteve serbe për të zgjidhur fluksin e të ashtuquajturve azilkërkues të gënjeshtër pranë BE, shumica e të cilëve duket se janë romë.  Nuk ka raste të raportuara për njerez që u penguan të largoheshin nga Serbia në vitin 2013.

Aktorët kyç ndërkombëtarë

Gjykata europiane e të drejtave të njeriut në një vendim në Mars urdhëroi Serbinë të hetojë qindra raste fëmijësh të humbur si pasojë e vdekjeve të dyshuara në pavionet e spitaleve midis viteve 1970 - 1990 dhe të sigurojë kompensimin e duhur për prindërit.

Në Korrik sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon i kërkoi Serbisë të intensifikojë përpjekjet për të ditur fatin e 1700 personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1990. Në të njëjtin muaj Komiteti i OKB-së për eliminimin e diskriminimit ndaj grave, shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të grave të vrara apo të abuzuara nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët dhe i kërkoi qeverisë të sigurojë hetime efektive, ndjekje ligjore dhe dënim të autorëve të krimeve.

Në Tetor, duke njohur përmirësimet në disa sektorë si liria e medias dhe reformat gjyqësore, raporti vjetor i progresit nga Komisioni Europian  për Serbinë, kërkoi që autoritetet të forcojnë pavarësinë e institucioneve kyçe shtetërore, duke përfshirë gjyqësorin dhe duke nënvizuar nevojën për reforma të mëtejshme. Gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve të forcojnë mbrojtjen e gazetarëve, aktivistëve për të drejtat e njeriut, dhe komunitetit LGBT nga kërcënimet dhe sulmet.

Kosova

Mbrojtja e të drejtave të njeriut mbetet e dobët në Kosovë.  Pavarësisht reformave, sistemi i drejtësisë vazhdon të ketë mangësi të mëdha. Komunitetet e pakicave etnike  Rome, Ashkali dhe Egjiptiane në veçanti, vazhdojnë të vuajnë diskriminim. Gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut  janësulmuar dhe kërcënuar gjatë vitit 2013.

Disa herë kanë shpërthyer tensione në Veriun e ndarë, edhe pse marrëdhëniet politike me Serbinë janë përmirësuar, siç tregoi një marrëveshje e arritur në Prill 2013, që përcaktoi krijimin e një komandoje policie speciale dhe një gjykate apeli për pakicën serbe; një marrëveshje e nënshkruar në Gusht përcakton kalimin e vazhdueshëm të  kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në 2014;  si dhe shpërbërja e strukturave paralele serbe në Veri të Kosovës. Në Shtator, persona të paidentifikuar vranë  një oficer policie të  Misionit EULEX, gjatë një sulmi kundër dy automjeteve të EULEX. Gjatë hartimit të këtij raporti, policia ishte ende duke hetuar çështjen.

Dënueshmëria, përgjegjësia, aksesi në gjyqësi

Reforma e sistemit të drejtësisë e zbatuar në Janar, ristrukturoi gjykatat në përpjekje për të zgjidhur çështjet e akumuluara prej vitesh ende në proces.  Gjithashtu, një kod i ri penal hyri në fuqi po në Janar, pa tre nenet  që rrezikonin të kufizonin lirinë e medias.

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2013, gjykatësit e EULEX-it morën përsipër pesë gjykime për krime lufte, duke provuar pafajsinë e të akuzuarve në të gjitha rastet, me përjashtim të njërit. Pafajësia e Fatmir Limajt dhe nëntë personave të tjerë, lidhur me vrasjen masive të civilëve serbë dhe shqiptarë në vitin 1998 në Kleçkë, nga ana e forcave të  UÇK-së, tregon dobësitë e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë dhe sfidat për  hetimin e krimeve të kryera gjatë dhe pas luftës. Dëshmia e dhënë nga një dëshmitar kyç, i gjetur i vdekur në një park në Gjermani në Dhjetor 2012, rast të cilin policia e quajti vetëvrasje, u cilësua fillimisht si e papranueshme dhe në rigjykim si kontradiktore dhe e pabesueshme.

Në Qershor, tre persona u dënuan me gjashtë, katër dhe tre vite përkatësisht, për rrahje dhe torturim civilësh shqiptarë nga Kosova, të mbajtur ilegalisht në qendrën e burgimit ndërmjet 1998 dhe 1999. Në Tetor, prokurori special i EULEX akuzoi 15 persona për krime lufte ndaj civilëve dhe të burgosurve në 1998 në një qendër burgimi në Likovaç.

Qindra çështje kanë mbetur pezull ose janë ende në shqyrtim pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës, Njësisë hetuese për Krime Lufte të Policisë së Kosovës, dhe EULEX. Gjatë hartimit të këtij  raporti, rezultojnë pezull 13 mandate arresti  ndaj Serbëve që besohet se jetojnë jashtë Kosovës.  Eulex vazhdon të hetojë 94 çështje për krime lufte gjatë periudhës 1998 – 1999  së luftës në Kosovë, duke përfshirë masakra në Mejë, Dubravë, dhe Krushë, ku mendohet se janë përfshirë më shumë së 1 000 viktima.

Në fund të Gushtit,  Human Rights Review Panel (HRRP), një organizëm i pavarur i krijuar në 2009 për të ekzaminuar raportimet e dhunimit të të drejtave të njeriut nga stafi i EULEX-it, mori 15 vendime, duke identifikuar dhunime në 5 raste. Në rastin lidhur me sulmet nga ana e policisë së Kosovës dhe shqiptarëve etnikë kundër serbëve gjatë festës fetare të Vidovdanit gjatë 2012, HRRP arriti në përfundimin se EULEX ka dështuar në gjetjen e burimeve të përshtatshme për të siguruar mbrojtje apo për të drejtuar një hetim efektiv të raportimeve të abuzimit me të drejtat e njeriut.

Liria e medias

Gazetarët vazhdojnë të përballen me një mjedis të pafavorshëm. Në Maj, një bombë gazi u hodh pranë banesës të kryeredaktorit të Radiotelevizionit të Kosovës, televizionpublik, duke shkaktuar dëme, por jo të lënduar. Autoritetet e Kosovës dënuan sulmin dhe policia filloi hetimet. Gjatë hartimit të këtij teksti, nuk është ndërmarrë ende asnjë arrestim.

Në Qershor një panel i përbërë nga gjykatës të EULEX-it dhe të Kosovës shpallën të pafajshëm ish-kryetarin e bashkisë së Skënderajt Sami Lushtaku, ish- pronarin e Infopress, Rexhep Hoti; ish-kryeredaktorin e Infopress Avni Azemi; si edhe dy gazetarë të tjerë të akuzuar për kërcënime ndaj Jeta Xharrës, drejtoreshë e BIRN-it, një media rajonale. Gjykata vendosi se 12 lajmet, në të cilat Infopress i referohej Xharrës si “spiune serbe” apo “lavire ambasade” në përgjigje të një transmetimi të BIRN TV në lidhje me shpërdorimet e detyrës në Skënderaj, gjatë kohës kur Lushtaku ishte kryetar bashkie, nuk përbëjnë kërcënim për Xharrën.

Trajtimi i pakicave

Pakicat rome, ashkali  dhe egjiptiane, që arrijnë në rreth 40 000 persona, janë ndër grupet më të prekura dhe të margjinalizuara në Kosovë. Ata vazhdojnë të përballen me vështirësi në pajisjen me dokumenta, duke përjetuar pengesa në aksesin ndaj shërbimet shëndetësore, asistencës sociale dhe arsimin.

Në Korrik, Ministria e Mirëqënies Sociale ndryshoi kriteret e përfitimit të asistencës sociale, në mënyrë të tillë që pengon realisht shumë individë romë, ashkalinj dhe egjiptianë  të përfitojnë shërbime sociale. Strategjia e integrimit të romëve, ashkalinjve, dhe egjiptianëve e vitit 2010, vazhdon të ekzsitojë vetëm në letër  dhe qeveria nuk ka arritur të  caktojë fondet e duhura për të zbatuar strategjinë.

Ndërsa janë marrë  masa në kuadrin e Strategjisë së ri-integrimit të personave të riatdhesuar, duke përfshirë romët, ashkalinjtë, dhe egjiptianët, pasi fonde të caktuara qeveritare u transferuan nga Ministria e Punëve të brendshme tek zyrat lokale për Komunitetet dhe Kthimin, me përgjegjësi për identifikimin dhe përkrahjen e të kthyerëve romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Lidhur me impaktin e transferimit të këtij fondi, është shumë herët të vlerësohet në momentin e hartimit të këtij raporti.

Tensionet mes pakicës serbe dhe shumicës shqiptare u pëshkallëzuan gjatë gjysmës së dytë të vitit 2013, veçanërisht në Veriun e Kosovës, me një sulm fatal ndaj një oficeri të EULEX-it në Shtator dhe kërcënime ndaj një politikani serb dhe familjes së tij në Mitrovicë, përpara zgjedhjeve lokale në Nëntor. Organet e policisë ishin duke hetuar të dyja këto incidente gjatë momentit të hartimit të këtij raporti. Në kundërshtim me vendimet e Gjykatës kushtetuese dhe në  kundërshtim  me autoritetet e zbatimit  të ligjit, Kuvendi i Kosovës aprovoi një amnesti për disa krime të kryera deri në Qershor 2013, ,  që përfshijnë shkatërrimin e pasurisë, përkrahjen e keqbërësvë pas kryerjes së krimit dhe falsifikimin e dokumenteve. Përkrahësit e ligjit të amnistisë, argumentojnë se qëllimi i tij është të lehtësojë integrimin e pakicës serbe në Kosovë.

Mes Janarit dhe Gushtit, shërbimet policore kosovare raportuan vetëm 10 incidente ndër-etnike,  pa përcaktuar nëse këto incidente përfshinin të lënduar fizikisht apo dëme në pronë. Vrojtuesit ndërkombëtarë mbeten të shqetësuar nga fakti se shumë incidente ndër-etnike  nuk raportohen, nuk regjistrohen ose klasifikohen gabimisht.

Në Janar, rreth gjashtëdhjetë varre në katër varreza ortodokse u vandalizuan në zonën e pakicës serbe në Kilokot, Kastriot, Prizren, dhe Fushë Kosovë. Policia arrestoi 5 persona në Janar, duke përfshirë 4 persona nën 18 vjeç. Kryeministri Hashim Thaci dënoi aktin vandal, dhe caktoi 97 000 Euro (131 000 USD) për të riparuar varret. Në Shkurt, dy fëmijë serbë u plagosën kur një person i panjohur hodhi një granatë në një banesë, akt ky i dyshuar si dhunë etnike. Politica ishte duke hetuar rastin në momentin e hartimit të këtij teksti.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut

Në Mars, të paktën dy persona rrahën brutalisht mbrojtësen e të drejtave të njeriut Nazlie Bala, pranë banesës të saj.  Më parë ajo kishte marrë kërcenime për vdekje, duke iu referuar përkrahjes publike nga ana e saj, të një amendamenti të propozuar për një ligj ekzistues, i cili do të siguronte kompensim dhe rehabilitim për të mbijetuarit e krimeve të luftës nga dhuna seksuale. Në një letër gjetur poshtë derës së apartamentit shkruhej: “Mos mbro turpin. Përndryshe do të të vrasim.” Policia është ende duke hetuar çështjen në momentin e shkrimit të këtij teksti.

Një grup prej rreth 20 personash të armatosur me leva, shkatërruan pajisjet dhe rrahën një të punësuar, gjatë lançimit të numrit mbi seksualitetin të revistës “Kosovo 2.0” në Dhjetor 2012. Numri në fjalë përmbante artikuj të ndryshëm lidhur me çështjet e komunitetit LGBT. Në Shtator misioni i EULEX dhe prokurori i Kosovës akuzuan tre persona për dhunim fizik dhe nxitje të urrejtjes.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Personat LGBT në Kosovë, përballen me stigmatizim social dhe me kulturën e heshtjes. “Qesh”, e vetmja organizatë LGBT në Kosovë, raportoi marrjen e kërcënimeve të ndryshme nëpërmjet mediave sociale në lidhje me një event LGBT të mbajtur në Maj, në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë. Organizata raportoi një nga këto kërcënime dhe policia ishte duke hetuar në momentin e shkrimit të këtij teksti.

Azilkërkuesit dhe personat e shpërngulur

Gjatë tetë muajve të parë të vitit, Zyra e Komisionerit për refugjatët pranë Kombeve të Bashkuara (UNHCR) regjistroi 483 kthime të vullnetshme, duke përfshirë persona nga jashtë Kosovës dhe persona të shpërngulur brenda Kosovës, krahasuar me 589 të kthyer në të njëjtën periudhë në 2012.

Kthimet në Kosovë nga Europa Perëndimore vazhduan, me një asistencë të kufizuar pas kthimit. Mes Janarit dhe Gushtit, UNHCR regjistroi 2 149 kthime të detyruara në Kosovë, duke përfshirë 378 romë, 143 ashkalinj, dhe 6 egjiptianë. Shumica e anëtarëve të pakicave u kthyen nga Suedia (243) dhe Gjermania (150).

Kampi Osterode, i kontaminuar me plumb, jashtë Mitrovicës u mbyll në Dhjetor 2012 dhe pesë familjet e mbetura rome ashkali dhe egjiptiane u vendosën në një ndërtesë apartamentesh në Mitrovicën e Veriut.

Aktorët kyç ndërkombëtarë

Në një rezolutë të adoptuar në Janar, Parlamenti dhe Këshilli i Europës i bënë thirrje autoriteteve kosovare të luftojnë korrupsionin, të ndërmarrin reformat gjyqësore, të shqyrtojnë krimet e luftës, të mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, të sigurojnë pavarësinë e mediave dhe mbrojtjen e duhur të gazetarëve, të forcojnë luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Si edhe i kërkoi Bashkimit Europian, të përqëndrojë politikën e dialogut me Kosovën në përforcimin e zbatimit të ligjit.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme, Catherine Ashton, mirëpriti marrëveshjen e Prillit me Serbinë, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve dhe përparimin e integrimit evropian, por dështoi në theksimin e rëndësisë së forcimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Në Tetor, gjatë  progresraportit, një marrëveshje stabilizimi midis BE dhe Kosovës, Komisioni Europian ngriti shqetësime serioze në lidhje me zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e pakicave në Kosovë. Komisioni Europian i kërkoi autoriteve kosovare që të përballen me korrupsionin, krimin e organizuar, dhe sulmet ndaj gjyqësorit, duke forcuar legjislacionin dhe zbatimin e tij dhe përmes parashikimit të  masave të sigurisë dhe mbrojtjes për gjykatësit, prokurorët, dëshmitarët dhe paditësit.  Gjithashtu, u kërkoi autoriteteve të marrin masa të mëtejshme për të reduktuar çështjet e tejzgjatura gjyqësore duke forcuar zbatimin e vendimeve të gjyqësorit. Raporti u bënte thirrje autoriteteve të hetojnë sulmet me shkaqe etnike apo fetare, si edhe zbatimin e  menjëhershëm të strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit për komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane.

Gjatë një vizite në Qershor, Komisioneri i OKB për të drejtat e njeriut, Navi Pillay shprehu shqetësim serioz në lidhje me zbatimin e ligjit, duke përfshirë pavarësinë e gjyqësorit dhe zvarritjen e çështjeve, si edhe diskriminin e romëve, ashkalinjve, egjiptianëve, serbëve, goranëve dhe pakicave të tjera, dhe bëri thirrje për zbatim strikt të ligjeve dhe për një reagim më të ashpër ndaj diskursit të urrejtjes dhe jotolerancës etnike.

Në Korrik, sekretari i përgjithshëm i  OKB - së, Ban Ki-moon i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të bashkëpunojnë për të zgjidhur çështjen e personave të humbur në Kosovë. Deri më sot më shumë se 1 700 persona mbeten të humbur si pasojë e luftës me Serbinë.