Axhenda për të Drejtat e Njeriut në Kosovën e Re

Axhenda për të Drejtat e Njeriut në Kosovën e Re

Krijimi i një Sistemi Gjyqësor te Pamvarur
Lufta mbi Abuzimin ndaj Grave
Mbrojta e Minoriteteve nga Dhuna
Mundësi për Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur për Rikthim Të Sigurtë në Atdhe
Permirësimi i Kushteve të Jetesës për Komunitetet Rome, Ashkalinj dhe Egjiptiane
Të Garantohet që Misioni i Drejtuar nga BE-ja të jetë Transparent dhe të Respektoje të Drejtat e Njeriut
Përkrahje për Pajtimin

Mbas pothuajse nëntë vjetësh nën administratën e Kombeve të Bashkuara Kosova duket e vendosur për tu bërë shtet i pavarur. Pyetja që shtrohet nuk është më nëse Kosova do të bëhet një shtet por cfarë shteti do të jetë.

Sot Kosova është një vend ku të drejtat e njeriut vazhdojnë të shkelen në mënyre të përsëritur, ku dhuna politike, pandërshkueshmërija për krime të përgjithshme dhe politike, kërcënimet dhe diskriminimi janë mëse të zakonshme.

Ky dokument parashtron shtatë nga çështjet me thelbësore në lidhje me të drejtat e njeriut në Kosovë deri më sot dhe ofron rekomandime konkrete për ti adresuar ato. Ai përfshin disa rekomandime praktike nga organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut përqark komuniteteve të Kosovës[1].

Human Rights Watch i bën thirrje qeverisë së re të Kosovës dhe misionit ndërkombëtar të drejtuar nga BE-ja që ti përkushtohen shtatë çështjeve prioritare të identifikuara si më poshtë. Pa një ndërhyrje urgjente gjëndja e rënde e të drejtave të njeriut në Kosovë vetëm do të përkeqësohej.

Krijimi i një Sistemi Gjyqësor te Pamvarur

Abuzimet me të drejtat e njeriut në Kosovë e kanë prejardhjen pjesërisht nga sistemi i dobët gjyqësor dhe mungesa e vullnetit në të shkuarën nga ana e administratës së Kombeve te Bashkuara, duke filluar që nga 1999-a, për të ju kundërvëne atyre që ushtronin dhunë politike. Shumë nga abuzimet e kohës së luftës kanë mbetur të pandërshkuara dhe krimi i organizuar e korrupsioni janë kryesisht të pakontrolluara. Krimet e zakonshme shpeshherë kalojnë pa ndërshkim. Shteti ligjor nuk mund të hedhë rrënjë në një mjedis të tillë.

Mbas trazirave të marsit 2004 ku në shënjester ishin minoritetet duke lënë qindra njerëz të plagosur dhe mijëra te shpërngulur nga shtëpitë e tyre, nxjerrjes para ligjit të përgjegjësve ju dha prioritet parimor nga Kombet e Bashkuara. Sidoqoftë deri në 2007-tën akoma nuk ka pasur ndonjë progres të dukshëm për ti ofruar drejtësi viktimave. Në momentin e shkrimit të këtij dokumenti 35 të pandehur janë dënuar me akuzën e zjarrvënies së qëllishme, grabitjes, nxitjes së urrejtjes me bazë racilale, fetare, etnike dhe agresion, raste këto të shqyrtuara kryesisht nga prokurorët ndërkombëtare. Katërmbëdhjetë nga të dënuarit përfunduan në burg duke marrë dënime nga gjashtë muaj deri në tetëmbëdhjetë vjet. Një i dyshuar u la i lirë.

Dobësitë e të drejtës penale në Kosovë kanë shumë shkaqe. Bashkëpunimi i dobët ndërmjet njësive të ndryshme të sistemit (policisë, prokurorëve dhe gjykatësve) dhe mungesa e integrimit ndërmjet elementëve të tyre kombëtare dhe ndërkombëtarë janë vetëm një pjesë e pasqyrës. Kosovës akoma i mungon një sistem funksional për administrimin e rasteve në formë elektronike, duke bërë kështu thuajse të pamundur shpërndarjen e informacioneve dhe monitorimin e saktë të rasteve. Gjykatësit dhe prokurorët vendas nuk janë gjithmonë të trajnuar mirë dhe mbikqyrja nga autoritetet e pavarura është e papërshtatshme.

Mbrojtja e papërshtatshme e dëshmitarëve është një pengesë e madhe për drejtësine, veçanërisht kur bëhet fjalë për krimin e organizuar, krimet e luftës dhe sulmet mbi minoritetet. Duke marrë parasysh qe kërcënimet dhe ngacmimet ndaj dëshmitarëve janë tepër të përhapura, shumë nga dëshmitarët nuk janë të gatshëm të shfaqen nga frika për sigurinë e jetes së tyre. Për dëshmitarët në çështjet më delikate shpërngulja jashtë Kosovës është e vetmja mënyrë mbrojtjeje. Sidoqoftë deri tani qeveritë perëndimore nuk janë treguar të gatshme për të pranuar dëshmitarët në rrezik.

Misioni policor dhe gjyqësor i BE-së, i cili do të kërkojë njohjen ndërkombëtare të problemit në fjalë, do të jetë elementi kryesor i misionit të ri në Kosovë të drejtuar nga BE-ja. Por fundi i mosndërshkimit dhe ndërtimi i shtetit ligjor do të varen nga aftësija për të mësuar nga gabimet e të kaluarës dhe gadishmërija nga ana e qeverisë së Kosovës dhe misionit të ri ndërkombëtar për të kontrolluar, përndjekur dhe dënuar aktet kriminale, kudo dhe nga kushdo që të kryhen ato.

Rekomandime:

  • Të sigurohet integrimi i plotë i sistemit të së drejtës penale, me bashkëpunimin e frytshëm mes gjykatësve, prokurorëve, policisë ndërkombëtare dhe asaj vendore.
  • Të konsolidohet mbrojtja e dëshmitarëve, duke përfshirë këtu edhe dekretimin e një ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të garantohet nga ana e prokurorëve dhe gjykatësve përdorimi i masave mbrojtëse ekzistuese 
  • Qeveritë përkatëse të Bashkimit Evropian dhe ajo e Shteteve te Bashkuara duhet të bien dakort për zhvendosjen e dëshmitarëve në rrezik dhe të sigurojnë fondet e nevojshme për programin e zhvendosjes së dëshmitarëve.

Lufta mbi Abuzimin ndaj Grave

Dhuna në familje është një problem serioz dhe tepër i përhapur në Kosovë. Një studim nga Kombet e Bashkuara në vitin 2000 thekson që thuajse një e katërta e grave të anketuara u shprehën se kanë përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike mbas fundit të luftës më 1999. Sipas statistikave të policisë në Kosovë në vitin 2007 janë rregjistruar 1077 raste të dhunës në familje. Por vetëm një përqindje e vogel e rasteve raportohen në polici për shkak të presionit social dhe familjar mbi viktimat dhe për shkak të varësisë së tyre ekonomike nga familja. Si pasojë shumë nga rastet e dhunës në familje nuk nxirren para gjyqit dhe të dhënat zyrtare për praninë e dhunës mbeten të paqarta duke çuar kështu në anashkalimin e këtyre çështjeve në debatet politike.

Për më tepër, pak është bërë nga shteti për mbrojtjen e viktimave nga dhuna në familje. Në mungesë të fondeve të nevojshme publike, ndihma për viktimat e dhunës në familje dhe masat për sigurinë në shtëpi janë varur nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë, tashmë të mbingarkuara. Informimi publik për dhunën në familje mbetet i ulët.

Veç kësaj, trafikimi i grave mbetet një çështje serioze në Kosovë, si vend tranzit dhe me raste vend origjine për viktimat e trafikimit. Shërbimet për viktimat e trafikimit duke përfshirë këtu edhe strehimin dhe trajnimet profesionale varen kryesisht nga organizatat e grave.

Ndalimi i dhunës dhe abuzimeve ndaj grave në Kosovë kërkon përkushtimin afatgjatë të autoriteteve të Kosovës për të mbështetur dhe thelluar përpjekjet e bëra nga organizatat e grave në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe për të siguruar që dhuna në familje të trajtohet si krim. Edukata publike është gjithashtu e një rëndësije të veçantë.

Rekomandime:

  • Të ofrohen trajnime periodike për policët, prokurorët, gjykatësit dhe shërbimet në mbrojtjen e shëndetit publik për të përlehtësuar përfaqësimin në drejtësi dhe në shërbimet shëndetësore të viktimave të dhunës në familje, personave të trafikuar dhe të llojeve të ndryshme të të dhunuarve për shkak të seksit të kundërt.
  • Të organizohen fushata për informimin e publikut dhe me qëllim fuqizimin e grave dhe vajzave për të kërkuar drejtësi në rastet e dhunës në familje dhe llojeve të tjera të dhunës bazuar ne gjini.
  • Të ofrohen fonde të mjaftueshme publike për të siguruar që viktimat e dhunës në familje të kenë një strehim të sigurtë në çdo komunë.        

Mbrojta e Minoriteteve nga Dhuna

Dhuna ndaj minoriteteve ka qënë një veçori vazhdimisht prezente në historinë e pasluftës në Kosovë. Komunitetet e minoriteteve, duke përfshirë këtu edhe Ashkalinjtë shqipfolës, kanë qënë në shënjestër të parë gjatë trazirave të marsit të 2004-ës në Kosovë. Sot ka më pak incidente duke marrë parasysh që shumica e popullatës Shqiptare dhe Serbe janë të ndarë gjeografikisht. Por ngjarje pasigurie vazhdojnë të ndodhin në pjesët me etni te përziera, duke përfshire këtu agresione fizike, vjedhje dhe konflikte të dhunshme në lidhje me pronat. Aktet e vandalizmit kundër kishave Ortodokse dhe manastireve kanë vazhduar, duke dëmtuar kështu besimin dhe duke cënuar marrëdhëniet mes komuniteteve.

Reagimi i papërshtatshem i forcave paqeruajtëse (KFOR) të drejtuara nga NATO-ja, policisë së UNMIK-ut dhe Shërbimit policor të Kosovës mbas trazirave të marsit 2004 dhe dështimi për të nxjerrë para ligjit shumë prej autorëve te krimit gjatë dhunës inter-etnike, ka pasur si pasojë humbjen e besimit nga ana e komuniteteve minoritare ndaj institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. KFOR-i shprehet që i ka nxjerrë mësimet e duhura nga trazirat e marsit 2004, duke thjeshtuar zinxhirin e komandave për të lejuar një ndërhyrje më të shpejtë në raste trazirash.

Por ti japesh fund dhunës duhet më tepër sesa mbrojtje fizike. Pergjegjësit duhet të nxirren gjithashtu para ligjit. Kështuqë forcimi sistemit gjyqësor është një parim në përpjekjet për të rikthyer besimin e komuniteteve minoritare të Kosovës. Rritja e perfaqësimit të minoriteteve në Shërbimin Policor të Kosovës në një sfere miqësore është pjesë thelbësore e këtyre përpjekjeve.

Rekomandime:

  • KFOR-i, policia ndërkombëtare dhe Shërbimi Policor i Kosovës duhet ti përgjigjen sulmeve ndaj minoriteteve në mënyre të menjëhershme. Ato duhet të ofrojne mbrojtjen e përshtatshme, të sigurojnë ruajtjen e provave dhe identifikimin e dëshmitareve në vazhdimin e procesit të përndjekjes.
  • Të sigurohet që personat që kryejnë sulme ndaj minoriteteve të dalin para drejtësise.
  • Të rritet perfaqësimi i minoriteteve në Shërbimin Policor te Kosovës dhe përfshirja e tyre në iniciativat për krijimin e raporteve miqësore, duke promovuar kështu besimin mes komuniteteve minoritare ndaj zbatimit të ligjit.

Mundësi për Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur për Rikthim Të Sigurtë në Atdhe

Ndërkohe që shumica e Shqiptarëve të zhvendosur mbas luftimeve te 1999 janë rikthyer në atdhe, Serbët e Kosovës, Romët dhe minoritet e tjera të zhvendosura mbas qershorit 1999 kanë hezituar të rikthehen. Rreth 250 000 Serb dhe anëtare të minoriteteve të tjera janë zhvendosur nga Kosova duke filluar nga viti 1999. Shumë prej tyre kanë shkuar drejt veriut në Serbi, të tjerë drejt ish- Republikës Jugosllave të Maqedonise (FYROM), Malit të Zi dhe vendeve te tjera në rajon e përtej.

Vetëm pak prej tyre janë kthyer vullnetarisht në atdhe. Sipas vlerësimeve të Zyrës së Komisariatit të Lartë tëOKB-së për Refugjatët (UNHCR) deri më shkurt të 2008 janë rikthyer vetëm 17 938 persona të zhvendosur. Në 2007 u rregjistruan 1756 të rikthyer. Në të njëjten kohë vazhdon aplikimi i kthimeve të detyruara nga vendet perëndimore me përreth 2000 persona te rikthyer me force në 2007.

Për shumë persona të zhvendosur rikthimi pengohet nga: frika e sigurisë, shqetësimet mbi lirinë e qarkullimit, mundësinë e punësimit, strehimit, shkollimit dhe shërbimeve të tjera publike. Sipas UNHCR, Serbët, Romët dhe Shqiptarët vazhdojnë të rrezikohen nga përndjekjet nëse kthehen në zonat ku ato do të jenë në minoritet. Sulmet mbi të rikthyerit, siç ka ndodhur gjate 2006-ës në Klinë, e veshtirësojnë procesin. Mbetja pezull e statusit të Kosovës ka krijuar pasiguri dhe rrezik për zhvendosje të mëtejshme.

Zënia e tokave dhe pronave që i përkasin personave të zhvendosur është një pengesë madhore për rikthimin. Mosmarrëveshjet për pronat e zëna shpeshhere pasohen nga incidente të dhunshme, ndërkohe që rastet e shfaqura para gjyqit trajtohen jashtzakonisht ngadalë për arsye të dobësive të vazhdueshme në sistemin e së drejtës penale në Kosovë. Dokumentat personale (siç jane kartat Kosovare të identitetit ) mund të jenë vështirë për tu marre nga të zhvendosurit, veçanërisht për ata që nuk e flasin gjuhën Shqipe. Ata ankohen gjithashtu për procedura të tejzgjatura dhe tepër të vështira për marrjen e ndihmës nga organizatat ndërkombëtare, fakt ky që i dekurajon ato në organizimin vetjak të rikthimit.

Me qëllim që të kapërcehet kjo gjëndje aktuale amullie autoritetet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me misionin ndërkombetar të drejtuar nga BE-ja, KFOR-in dhe UNHCR-në, për të goditur problemin e zhvendosjes nga rrënjet, për të siguruar dhe permirësuar mundësine e punësimit, strehimit dhe shërbimeve publike. Kush sulmon të rikthyerit ose i pengon ata duhet të nxirret sa më shpejt para drejtësise. Qeverija e Kosovës duhet ti shtrije dorën të zhvendosurve dhe refugjatëve Serb, Romë Ashkali, Egjiptian dhe të bashëpunojë me qeveritë e shteteve fqinje për të përkrahur rikthimin e tyre me perspektivë. Edhe autoritetet në Serbi duhet të luajnë një rol konstruktiv për të inkurajuar rikthimin në rast se kushtet janë të favorshme.

Rekomandime:

  • Të goditen nga rrënjet shkaqet e zhvendosjes siç jane: pasigurija, mosndërshkimi i fajtorëve dhe diskriminimi në shërbimet sociale
  • Të krijohen kushtet për një rikthim të vullnetshëm, të sigurtë, me dinjitet dhe me perspektive, duke përfshire këtu edhe strehimin e përshtatshëm dhe mundësinë e pjesëmarrjes në shërbimet shëndetësore dhe të shkollimit.

Permirësimi i Kushteve të Jetesës për Komunitetet Rome, Ashkalinj dhe Egjiptiane

Komunitetet minoritare të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve (RAE) janë të pambrojtur dhe të margjinalizuara, të ekspozuar ndaj diskriminimit dhe ngacmimeve. Kërkesat e tyre politike, ekonomike dhe sociale nuk janë marrë aspak parasysh gjatë negociatave për statusin final. Komunitet RAE përballen me diskriminim të vazhdueshëm, veçanërisht në mundësinë e punësimit dhe në shërbimet publike dhe vuajnë nga papunësija më e larte, braktisja e shkollave dhe përqindjet e vdekshmërise. Shumë prej tyre banojnë nën stardartin e strehimit, qëndra kolektive apo vendbanime informale.

Në 2007-tën progresi për të ndihmuar RAE të zhvendosur brënda Kosovës ishte tepër i vonuar. Kampi  "Plementina", më i madhi i RAE, u çmontua plotësisht dhe banorëve të ndodhur aty ju ndërrua vendbanimi. Në të njëjtin vit filloi shpërngulja nga një zonë e ndotur nga përberjet e plumbit, drejt shtëpive të rindërtuara në lagjen e Romëve në Mitrovicë, lagje kjo e cila ishte djegur plotësisht në 1999. Disa nga familjet mbeten në pjesën e ndotur.

Kthimet e detyruara të RAE nga Evropa Perëndimore e kane rënduar situatën tashmë të zbehtë të komuniteteve RAE. Ndërkohe që RAE përbëjne vetëm dhjetë përqind të të kthyerve me detyrim në 2007-tën (Romët e Kosovës kryesisht janë dërguar në Serbi) dhe udhëzimet e UNHCR dëshmojne që Ashkalinjtë dhe Egjiptianët zakonisht nuk janë në rrezik përndjekjeje në rast rikthimi, ndikimi i të rikthyerve ne komunitetet pritëse është i një rëndësije të veçantë. Ndihma në shërbim të të rithkthyerve me forcë ka qënë e paktë. Shpeshherë ndodh që ata të përfundojnë ilegalisht në vendbanime të braktisura, apo të varen nga të afërmit të ngarkuar me problemet e tyre. Vetëm disa prej tyre kanë mundësitë e përshtatshme për të frekuentuar shërbimet shëndetësore, shkollat apo punësimin. Kjo ndodh pjesërisht nga mungesa e dokumentave të identitetit, por gjithashtu edhe nga diskriminimi i gjëre me të cilin ata përballen.

Goditja e margjinalizimit ekonomik, social dhe politik të komuniteteve të RAE për të siguruar të drejtat elementare të tyre, është një sfidë urgjente për qeverinë e re të Kosovës dhe për partnerët ndërkombëtarë të tyre. Këtu duhet përfshirë përpjekja për ti ofruar ndihmë RAE-ve të kthyer me forcë në Kosovë, duke i paisur ato me dokumenta personale dhe duke përmirësuar mundësite e tyre për strehim dhe edukim.

Rekomandime:

  • Të merren masat e nevojshme për të luftuar diskriminimin ndaj RAE për mundësi strehimit, punësimi dhe të shërbimeve sociale.
  • BE-ja duhet të bie dakort për ngrirjen e përkohshme të kthimeve të detyruara të RAE-ve nga vëndet anëtare, derisa gjëndja e tyre të përmirësohet. Çdo rikthim pasues duhet të bazohet në një analizë rreziqesh individuale dhe të marrë parasysh kapacitetin thithës të komunitetit pritës.
  • Programet efektive të asistencës duhet të vendosen në vijë përpara se të vijohet me kthime të mëtejshme të detyruara.

Të Garantohet që Misioni i Drejtuar nga BE-ja të jetë Transparent dhe të Respektoje të Drejtat e Njeriut

Nëse kërkon që të dalë i suksesshëm, misioni ndërkombëtar në Kosovë i drejtuar nga BE-ja duhet ti trajtojë çështjet e të drejtave të njeriut me kujdes tepër më të veçante sesa paraardhësit e tyre Kombet e Bashkuara. Kontrolli mbi ushtrimin e kompetencave të medha të misionit të Kombeve të Bashkuara ka qenë i paktë dhe kjo ka çuar në kufizimin e legjitimitetit të tyre në sytë e popullit.

Mungesa e pergjegjësise në Kosovë u shfaq hapur në 2007-tën kur policija e UNMIK-ut ju përgjigj një proteste të dhunshme në shkurt me forcë vdekjeprurëse, që solli si pasojë humbjen e jetes së dy pretestuesve. Kritikat e mëdha mbi misionin e Kombeve të Bashkuara për mënyren sesi e trajtuan periudhën pasuese nxorri në pah mungesën e mekanizmave të pavarur në lidhje me pergjegjshmërine dhe mbikqyrjen nga ana e policisë së Kombeve të Bashkuara. Ajo kishte nevojë për mbështetje në zgjidhjet ad hoc, për ti mos i shkaktuar kështu dëme të konsiderueshme reputacionit të institucioneve ndërkombëtare që u mungonte pergjegjësia efikase.

Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka qënë një makanizëm kyç i përgjegjësisë dhe që gëzon besim të gjëre në komunitetet e Kosovës, është penguar në punën e tij nga pasigurija e mandatit, mbas kalimit nga autoritetet ndërkombëtare në ato vendase në fillim të 2006-tës. Vetëm në dhjetor të 2007-tës UNMIK-u konfirmoi që mbetet nën mbikqyrjen e Institucionit të Avokatit të Popullit. U deshen pothuajse dy vjet për të përmbushur boshllëkun në të cilin Avokati i Popullit me vetëdije refuzonte të pranonte ankesat ndaj UNMIK-ut. Funksionimi i këtij Institucioni është penguar gjithashtu nga dështimi i Kuvendit të Kosovës (Parlamentit) për të rënë dakort në zgjedhjen e një kandidati të përshtatshëm dhe të kualifikuar për postin në fjalë.

Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të përmbushi me sukses ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës nëse nuk është i pregatitur në trajtimin e protokollit të caktuar me kujdes të posaçëm dhe me pavarësi. Rëndësi te veçantë ka  sidomos misioni policor dhe gjyqësor i  BE-së, duke marrë parasysh që vetë karakteri i këtyre funksioneve ka gjasa të shkaktojë shqetësime individuale në lidhje me të drejtat e njeriut.

Rekomandime:

  • Misioni policor dhe gjyqësor i BE-së duhet ti përkushtohet me kujdes të veçantë Institucionit të Avokatit të Popullit dhe të bashkëpunoje plotësisht me hetimet e tyre.
  • Autoritetet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë plotësisht me Institucionin e Avokatit të Popullit.  Kuvendi i Kosovës duhet të sigurojë qe kandidatët e përzgjedhur për postin e Avokatit të Popullit të zotërojne eksperiencën e nevojshme dhe të kenë dëshmuar përkushtim për të drejtat e njeriut.

Përkrahje për Pajtimin

Me qëllim që të ecë përpara si një shoqëri e bashkuar, Kosova duhet të përballet me të shkuarën e saj. Deri më sot pak progres është shënuar, megjithë përpjekjet për pajtim nga aktorët e jashtëm. Megjithëse impulset për pajtim duhet të vijnë nga  përbrënda vendit, aktorët ndërkombëtare mund të japin kontributin e tyre për të ndihmuar në krijimin e kushteve në të cilat pajtimi ka gjasa të bëhet realitet.

Vënja para pergjegjësise e kriminelëve për abuzimet në kohën e luftës është një hap i rëndësishëm. Sidoqoftë, deri më sot rezultatet e ndjekjeve penale mbi krimet e luftës në vend kanë qenë tepër të kufizuara. Vetëm  përafersisht 24 çështje janë mbyllur që nga viti 1999. Ndjekjet penale të gjykuara në mënyre të dobët nga gjykatat vendase, mungesa e të dyshuarve, kërcënimet ndaj dëshmitarëve dhe caktimi i prioriteteve të papërshtatshme janë vetëm disa nga arsyet.

Një element tjeter i rëndësishëm për tu përballur me të shkuarën është edhe drita që duhet hedhur mbi fatin e personave të humbur. Megjithëse është shënuar progres në këtë çështje deri në mesin e vitit 2007 akoma mbeten të humbur 2000 persona, shumica prej të cilëve me origjinë etnike Shqiptare. Të gjitha eshtrat e njohura të zhvarrosura në Serbi janë kthyer në Kosovë. 

Me qëllim që ti jepet e drejta të gjithë viktimave nga krimet e luftës në Kosovë, autoritetet vendase dhe ndërkombëtare duhet të shfaqin një dëshire të përtërirë politike për të vënë në plan të ditës akuzat kombëtare për çështjet e lidhura me krimet e luftës për aq kohe sa dëshmitaret janë akoma në jetë. Përpjekje të reja duhet të bëhen gjithashtu për të deklaruar fatin përfundimtar të të humburve. Nuk është akoma vonë për ti zgjatur dorën familjeve, miqve dhe shoqatave të viktimave. E vërteta për atë çfarë ka ndodhur duhet të dalë në pah dhe fajtorët duhet të përballen me ligjin.

Rekomandime:

  • Qeverija e Kosovës dhe misioni policor e gjyqësor i BE-së duhet të rishikojnë të gjitha hetimet e mbetura pezull në lidhje me çështjet e krimeve të luftës dhe të krijojnë një plan për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e saktë të tyre.
  • Autoritetet në Prishtine, me ndihmën e ndërkombëtarëve, duhet ti japin një hov të ri përpjekjeve për të hedhur drite mbi fatin e të humburve.
  • Te fillohet bashkëpunimi me Dhomën e Krimeve të Luftës në Beograd për hetimet dhe ndjekjet penale mbi krimet e luftës.

[1] Shoqata e PZHP "Bozur"  ("Bozur" IDP Association); Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive; Qëndra për të Drejten Humanitare; Rrjeti i grave te Kosovës (Kosova Women´s Network), Qëndra e dokumentacionit për Romët dhe Ashkalinjt (Roma and Ashkali Documentation Center); Shoqata e PZHP "Srecna Porodica" ("Srecna Porodica" IDP Association)