Skip to main content

Serbi/Kosovë

Ngjarjet e vitit 2021

Prishtinë, Kosovë - 26 gusht: Një grua kosovare merr pjesë në një protestë më 26 gusht 2021 para Ministrisë së Drejtësisë, Prishtinë, Kosovë, organizuar nga një sindikatë e grupeve për të drejtat e grave, pasi një grua e re u torturua dhe dyshohej se u vra nga bashkëshorti më 23 gusht. Protestuesit marshuan me sloganin “Vrasja e grave duhet trajtuar si prioritet kombëtar!”.

© 2021 Photo by Ferdi Limani/Getty Images

Serbi

Gazetarët kritikë ndaj autoriteteve vazhduan të përballen me ngacmime, kërcënime, dhunë dhe kanosje. Shumica e ndjekjeve penale të krimeve të luftës përfshinin autorë të nivelit të ulët. Pak progres është bërë për të siguruar që personat me aftësi të kufizuara të mund të jetojnë të pavarur në komunitet. Lezbiket, homoseksualët, biseksualët dhe transgjinorët (LGBT) vazhduan të jenë subjekt i sulmeve dhe  kërcënimeve të pandëshkuara.

Liria e mediave

Gazetarët vazhduan të përballen me kërcënime dhe me reagim të dobët shtetëror nga autoritetet serbe.

Nga janari deri në fund të gushtit, Shoqata e gazetarëve të pavarur të Serbisë (NUNS) regjistroi 1 sulm fizik dhe 20 kërcënime ndaj gazetarëve.

Në prill, Dasko Milinovic, gazetar dhe drejtues i një emisioni satirik radiofonik, u sulmua me gaz lotsjellës nga dy burra në Novi Sad gjatë rrugës për në punë dhe si pasojë pësoi lëndime të lehta. Procedurat gjyqësore kundër agresorëve ishin në pritje në momentin e shkrimit të raportit.

Gazetari Vojislav Milovancevic, në vebfaqen e lajmeve Nova.rs, në janar mori mesazhe kërcënuese, duke përfshirë disa kërcënime me vdekje pas publikimit të raportimit të tij mbi një përdhunim të dyshuar nga një anëtar i klerit në Fakultetin Teologjik Ortodoks. Milovacevic e raportoi rastin në Zyrën e prokurorit special për krimet e teknologjisë së lartë në janar dhe  hetimi ishte në pritje në kohën  e shkrimit të raportit.

Në mars, pas publikimit të  një artikulli në internet që kritikonte përfshirjen e kriminelëve të dënuar të luftës në kulturën popullore në Serbi, gazetari dhe profesori Dinko Gruhonjic mori kërcënime me vdekje në Facebook.

Mediat pro-qeveritare vazhduan fushatat me shpifje kundër gazetarëve dhe mediave të pavarura.

Shpifjet kundër Rrjetit të pavarur të raportimit të krimit dhe korrupsionit (KRIK), një vebfaqe , i vuri në rrezik gazetarët e tij. Në mars, kanali pro-qeveritar TV Pink pretendoi se KRIK kishte lidhje me një bandë kriminale. Disa tabloide pro-qeveritare i bënë jehonë akuzës. Anëtarët e partisë në pushtet SNS dhe anëtarë të tjerë të parlamentit diskredituan publikisht KRIK-un, duke përfshirë akuza se nuk ka paguar taksat dhe se është një shoqatë kriminale.

Rigjykimi i katër të pandehurve të akuzuar për vrasjen e  gazetarit dhe redaktorit të shquar, Slavko Curuvija në vitin 1999, i cili filloi në tetor të vitit 2020, u shoqërua me disa vonesa dhe ishte në vazhdim në kohën e shkrimit të raportit.

Platforma e rrjetit social Twitter në gusht etiketoi llogaritë në Twitter të disa mediave kryesore serbe si të lidhura me shtetin, me arsyetimin se shteti ushtron kontroll editorial dhe financiar mbi to përmes presionit politik të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.

Llogaridhënia për krimet e luftës

Në periudhën janar-gusht, Prokuroria e Krimeve të Luftës nisi 9 hetime të reja kundër 11 individëve dhe ka ngritur 3 aktakuza kundër gjithsej 4 individëve. Një gjykatë apeli në Beograd dënoi një zyrtar të rangut të ulët për krime lufte. Gjykata e shkallës së parë në Beograd dha 7 dënime për krime lufte në të njëjtën periudhë kohore. Deri në gusht, 15 raste kundër 32 të pandehurve ishin në pritje në gjykatat serbe.

Gjykata e Apelit në Beograd në korrik e uli dënimin e ish-ushtarit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Dragomir Kezunovic nga katërmbëdhjetë në pesë vjet burg për rolin e tij në arrestimin dhe vrasjen e 28 civilëve në Bosnjë dhe Hercegovinë në qershor 1992. Kezunovic ishte dënuar në mungesë nga Gjykata Shtetërore në Bosnjë dhe Hercegovinë përpara se çështja të merrej përsipër nga gjykata serbe.

Në qershor, pas një rigjykimi, Gjykata e Lartë në Beograd dënoi ish-ushtarin serb të Bosnjës, Joja Plavanjac me 15 vjet burg dhe ish-ushtarin Zdravko Narancic me shtatë vjet burg për përfshirjen e tyre në vrasjen e 11 civilëve të burgosurve  në Bosanska Krupa, Bosnjë dhe Hercegovinë, në vitin 1992.

Gjithashtu në qershor, Gjykata e Lartë në Beograd hapi procedimet gjyqësore kundër Branko Basara, një ish-komandant serb i Bosnjës, për krime lufte kundër rreth 200 civilëve në zonën e Sanski Mostit në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1992, duke përfshirë vrasje dhe zhvendosje me forcë.

Në maj, Gjykata e Lartë në Beograd dënoi me nëntë vjet burg ish-ushtarin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Dalibor Krstovic, për përdhunimin e një gruaje të burgosur që mbahej në një shkollë fillore në qytetin e Kalinovik të Bosnjës dhe Hercegovinës në gusht  të vitit 1992.

Mekanizmi Ndërkombëtar i OKB-së për Gjykatat Penale në Hagë në qershor dënoi ish-shefin serb të Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanisic, dhe zëvendësin e tij, Franko Simatovic, me 12 vjet burg për asistim dhe nxitje të krimeve të luftës të kryera nga një njësi speciale e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë gjatë luftës në Bosnjë në vitin 1992.

Migrantët, përfshirë azilkërkuesit, personat e zhvendosur afatgjatë, refugjatët

Midis janarit dhe gushtit, 987 persona paraqitën qëllimin e tyre për të kërkuar azil në Serbi, një rënie e madhe nga 2,084 të tillë që parashtruan qëllimin e tyre për të kërkuar azil gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2020. Sistemi i azilit vazhdoi të ketë mangësi, me vështirësi për qasjen e azilkërkuesve në procedura, nivele të ulëta pranimi dhe vonesa të gjata. Midis janarit dhe gushtit, Serbia regjistroi zyrtarisht 107 kërkesa për azil, duke u dhënë statusin e refugjatit 3 personave dhe duke dhënë mbrojtje plotësuese për 6 persona. Në mesin e tetorit, asnjë nga pesë kampet e drejtuara nga qeveria nuk ishte i mbipopulluar.

Nga  fundi i shtatorit, 20 fëmijë të pashoqëruar u regjistruan me autoritetet serbe, krahasuar me 37 të tillë të regjistruar gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2020. Serbisë ende i mungojnë procedurat formale të vlerësimit të moshës për fëmijët e pashoqëruar, duke i vënë fëmijët më të rritur në rrezik që të trajtohen si të rritur në vend që të marrin mbrojtje të veçantë.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Një ndryshim ligjor i premtuar fillimisht në dhjetor të vitit 2020 për të lejuar çiftet e të njëjtës gjini  të lidhur  në partneritete civile nuk arriti progres gjatë vitit. Parada e Krenarisë u zhvillua në Beograd në shtator pa incidente. Personat LGBT vazhduan të përballen me dhunë dhe diskriminim.

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Fëmijët me aftësi të kufizuara vazhdojnë të jenë të mbipërfaqësuar në mjediset institucionale (73.9 përqind e fëmijëve në institucione janë me aftësi të kufizuara) dhe nuk kanë qasje në arsimin gjithëpërfshirës. Qeveria ende duhet të miratojë  një strategji deinstitucionalizimi për t’i nxjerrë personat me aftësi të kufizuara nga institucionet dhe për t’u siguruar atyre jetesë të pavarur në komunitet.

Aktorët kryesorë ndërkombëtarë

Në shkurt, përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, Teresa Ribeiro, u takua me Drejtoreshën Politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Roksanda Ninçiç, dhe theksoi rëndësinë e sigurisë për gazetarët,  televizion publik të pavarur dhe pluralizmin mediatik.

Progres raporti tëKomisionit të BE-së në tetor ngriti shqetësime të vazhdueshme për lirinë e medias në Serbi dhe theksoi nevojën për të forcuar mjedisin e përgjithshëm për lirinë e shprehjes dhe gazetarëve.Në shtator, presidenti serb Aleksandër Vuçiç e përshkruajti këmbënguljen e Bashkimit Evropian për institucione të forta demokratike në vendet kandidate dhe vendet anëtare të BE-së si "xhihad të sundimit të ligjit".

Kosovë

Gjykata Speciale për Kosovën me bazë në Hagë filloi gjyqin e saj të parë për krime lufte në shtator, ndërsa një gjykatë e Prishtinës siguroi dënimin e parë të Kosovës për përdhunim gjatë kohës së luftës. Gazetarët vazhduan të jenë në shënjestër të sulmeve, kërcënimeve dhe kanosjes, me autorët që rrallë mbahen përgjegjës. Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës u rritën pasi autoritetet e Kosovës  urdhëruan që automjetet të heqin targat e Serbisë kur hyjnë në Kosovë. Diskriminimi ndaj komuniteteve Rome, Ashkali dhe Egjiptiane të Ballkanit vazhdoi të mbetet  problem.

Llogaridhënie për krimet e luftës

Në shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë filluan gjyqin e parë për krime lufte. I pandehuri, ish-komandanti i një njësie të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, akuzohet për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe arrestimin arbitrar gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Në një vendim historik në korrik, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi ish-policin serb Zoran Vukotic për dhunë seksuale gjatë  kohës së luftës dhe përfshirje në dëbime me forcë në vitin 1999. Vukotic u dënua me 10 vjet burg.

Në mars, policia e Kosovës arrestoi një shqiptar të Kosovës me shtetësi serbe nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë një operacioni të forcave serbe në vitin 1999, në të cilin u vranë 147 civilë.

Gjithashtu në mars, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi dy ish-oficerë policie, Zlatan Krstic dhe Destan Shabanaj për përfshirjen e tyre në një sulm të vitit 1999 ku mbetën të vrarë katër anëtarë të një familjeje shqiptare etnike. Ata u dënuan përkatësisht me katërmbëdhjetë vjet e gjysmë dhe shtatë vjet burg.

Përgjegjësia e institucioneve ndërkombëtare

Gjatë vitit nuk pati progres përsa i përket kompensimit financiar të pjesëtarëve të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptianë të Ballkanit, të cilët ishin viktima të helmimit nga plumbi në kampet tashmë të mbyllura për personat e zhvendosur të ngritura nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut (HRAP), një organ i pavarur ndërkombëtar i krijuar për të shqyrtuar ankesat për abuzime nga UNMIK-u, në vitin 2016 rekomandoi që Kombet e Bashkuara të paguajnë kompensim individual dhe t'u kërkojnë falje viktimave – OKB-ja nuk ka bërë asnjërën nga këto. Që nga themelimi i tij në vitin 2017, vetëm një shtet ka kontribuar në Fondin vullnetar të mirëbesimit të OKB-së, të krijuar për projekte për ndihmën e komunitetit.

Trajtimi i pakicave

Diskriminimi ndaj romëve, ashkalive dhe egjiptianëve të ballkanit në Kosovë mbetet problem.

Ndjekja penale e gjashtë të pandehurve të akuzuar për vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq në vitin 2018, vazhdoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë me aktakuzën e konfirmuar në maj dhe gjykimin që filloi në korrik pas vonesave në vitin 2020. Katër të pandehur akuzohen se kanë qenë pjesë e një grup kriminel që organizoi vrasjen e Ivanoviqit. Dy të pandehur akuzohen për ndërhyrje në prova. Ivanoviqi u qëllua për vdekje nga autorë të panjohur jashtë zyrës së tij në Mitrovicë, në veri të Kosovës.

Të drejtat e grave

Të mbijetuarit e dhunës në familje vazhduan të përballen me pengesa në marrjen e mbrojtjes nga abuzimi, me reagim të pamjaftueshëm të shtetit, pak ndjekje penale dhe dështim të vazhdueshëm nga ana e gjyqtarëve për të dhënë urdhra mbrojtjeje ndaj partnerëve abuzues.

Një mekanizëm i krijuar në vitin 2018 për të ndihmuar në sigurimin e kompensimit financiar për rreth 20,000 të mbijetuarat e dhunës seksuale të kohës së luftës, vazhdoi të ketë  shtrirje të kufizuar. Midis shkurtit 2018 dhe prillit 2021, vetëm rreth 1,220 të mbijetuara kërkuan kompensim financiar, me mbi 900 raste të miratuara dhe mbi 230 të refuzuara.

Azilkërkuesit dhe personat e zhvendosur

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2021, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët regjistroi 261 kthime vullnetare të anëtarëve të pakicave etnike në Kosovë nga vendet e tjera, nga 245 që pati në të njëjtën periudhë në vitin 2020. Pesëdhjetë e katër ishin fëmijë.

Ministria e punëve të brendshme e Kosovës regjistroi 467 deportime në Kosovë nga janari deri në shtator. Ministria pretendoi se nuk ka të dhëna për përkatësinë etnike të të kthyerve.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Qendra për barazi dhe liri e komunitetit të lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT) në Kosovë (CEL), në tetor shprehu shqetësimin për hetimet joadekuate për kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes kundër personave dhe aktivistëve LGBT, veçanërisht në rrjetet sociale. Në korrik, CEL raportoi se një aktivisti të LGBT në Prishtinë iu afruan tre sulmues të panjohur, të cilët e pështynë në fytyrë, duke bërtitur: “Do të të vrasim”. Hetimi policor ishte në pritje në momentin e shkrimit të raportit.

Liria e medias

Në periudhën janar-shtator, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 18 raste kërcënimesh, kanosjeje dhe dhune ndaj gazetarëve dhe mediave. Të paktën nëntë raste ishin nën hetim në kohën e shkrimit të raportit, por hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalta.

Njëri prej rasteve ka të bëjë me sulmin ndaj gazetarit të Gazeta Insajderi, Visar Duriqi, i cili u sulmua fizikisht në Prishtinë në shkurt nga tre persona të panjohur. Sulmi besohet të jetë i lidhur me raportimin e tij. Duriqi pësoi thyerje të hundës dhe thyerje të dhëmbëve nga sulmi. Policia ishte ende duke e hetuar rastin në kohën e shkrimit.

Aktorët kryesorë ndërkombëtarë

Pas tensioneve dhe kufizimeve të lëvizjes pas një vendimi në  muajin shtator nga  autoritetet e e Kosovës për të urdhëruar heqjen e targave serbe nga automjetet që hyjnë  në Kosovë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të çpërshkallëzojnë tensionet duke tërhequr forcat speciale të policisë dhe duke larguar bllokadat e rrugëve dhe patrullimet e shtuara të paqeruajtësve të NATO-s. Palët thuhet se arritën një kompromis në fund të shtatorit, të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcek.

Progres raporti i Komisionit Evropian në tetor theksoi se duhet bërë më shumë për të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e pakicave, duke përfshirë romët, ashkalitë dhe njerëzit e zhvendosur dhe për të garantuar barazinë gjinore në praktikë. Ai më tej tha se vazhdojnë të mbeten shqetësimet për lirinë e shprehjes, duke përfshirë kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe fushatat e shpifjeve publike.