(Beirut) – Qindra mijëra azil-kërkues dhe migrantë  u përballën me vështirësi thelbësore gjatë 2015 ndërsa përshkuan një rrugë  tranziti kyç përgjatë Ballkanit perëndimor, tha sot Human rights Watch në Raportin  Botëror 2016.

Problemet gjatë rrugës në Kroaci, Serbi, Slloveni, dhe Maqedoni me të cilat u përballën azilkërkuesit, përfshinin procedurat e ngadalta të regjistrimit dhe kushte të papërshtatshme pritjeje të rënduara nga mbyllje të njëpasnjëshme të kufinjve. Qeveritë në Ballkanin perëndimor duhet të fokusohen në përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtat e azil-kërkuesve, tha Human Rights Watch.

“Qeveritë e Ballkanit perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE duhet të bëjnë punë më të mirë për të qenë në lartësinë e obligimeve të tyre ndaj të drejtave të njeriut” tha Lydia Gall, studiuese për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Lindorë pranë Human Rights Watch. “Këtu përfshihet përgjëgjësia efektive për krimet e luftës në ish Jugosllavi, lufta ndaj diskriminimit të pakicave, dhe sigurimi i aksesit në mbrojtje të të drejtave të njeriut  dhe trajtim të njerëzishëm për azil-kërkuesit dhe migrantët.”

Në Raportin Botëror 659-faqësh, në botimin e tij të 26-të, Human Rights Watch vrojton zbatimin e të drejtave të njeriut në më shumë se 90 vende. Në esenë e tij hyrëse, drejtori ekzekutiv Keneth Roth shkruan se përhapja e sulmeve terroriste përtej Lindjes se Mesme dhe flukseve të mëdha të refugjatëve të shkaktuara nga shtypja dhe konflikti bënë që shumë qeveri të shkurtojnë  të drejtat e njeriut në përpjekje të gabuara për të mbrojtur sigurinë në vendet e tyre. Në të njëjtën kohë, qeveritë autoritare nëpër botë, të frikësuara nga mospëlqimi paqësor që shpesh është përforcuar nga pjesëmarrja në social media, ndërmorën kufizime ligjore nga më intensivet ndaj grupeve të pavarura, të shënuara kohëve të fundit.

Human Rights Watch dokumentoi shqetësime për të drejtat e njeriut në Bosnjë Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë gjatë 2015 për Raportin Botëror 2016. Shqetësimet në lidhje me situatën në Kroaci dhe impaktin e krizës europiane të refugjatëve nëpër Ballkanin Perëndimor janë përfshirë në një kapitull mbi Bashkimin Europian.

Çështje të tjera të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor përfshijnë hetimet e kufizuara në gjykatat kombëtare për krime lufte gjatë ndarjes së Jugosllavisë, një klimë armiqësore për mediat, diskriminim të vazhdueshëm ndaj romëve, kërcënime dhe kanosje ndaj individëve dhe grupimeve LGBT.

U shënua një përparim i kufizuar në përgjegjësinë e krimeve të luftës në gjykatat kombëtare në Bosnjë Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë. Prokurorët e krimeve të luftës në Bosnjë Hercegovinë dhe Serbi janë më pak të financuar se sa duhet dhe u mungojnë kapacitetet e nevojshme për tu marrë me çështjet. Ndërsa Kuvendi i Kosovës më në fund miratoi një ligj për një  gjykatë speciale për të shqyrtuar krimet serioze gjatë dhe pas luftës së vitit 1999,  gjykata nuk është ende aktive për shkak të vonesave në firmosjen e marrëveshjes me Hollandën si vend pritës të kësaj gjykate.

Njëzet vjet pas Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it në Bosnjë Hercegovinë, vendi ngelet i ndarë dhe i sunduar nga skleroza politike. Asnjë përparim nuk u shënua në implementimin e dy gjykimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, nga 2009 në 2013, ku i kërkohej Bosnje Hercegovinës të amendojë kushtetutën e saj diskriminuese, që u mohon grupeve të pakicave aftësinë për të arritur në poste të larta politike.

Vazhdojnë diskriminimet kundër romëve në  shërbimin shëndetësor dhe arsim në Bosnjë Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, dhe romët mbetën të pafuqishëm përpara shpërnguljeve me forcë dhe arbitrare. I kufizuar ishte në Kosovë përparimi në zbatimin e strategjive për integrimin e romëve, ashkalinjve dhe pakicës egjiptiane, si dhe ndihma ndaj njerëzve të kthyer me detyrim nga Europa Perëndimore. Grupet LGBT vazhduan të përballen me kërcënime, dhe kanosje në Bosnjë, Serbi dhe Kosovë.