Skip to main content

Ballkani: Mbrojtja e të drejtave të njeriut mbetet në vend numëro

Për t’iu afruar BE-së, duhet të jenë prioritet të drejtat e njeriut

(Bruksel) –Mbrojtja e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor nuk përputhet me aspiratatat e rajonit për t’u integruar në BE, tha sot Human Rights Watch në raportin për vitin 2013. Human Rights Watch faktoi probleme në lidhje me të drejtat e njeriut në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Serbi dhe Kosovë gjatë vitit 2012.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka  shënuar  përparim në disa drejtime për sa i përket përgjegjësisë për krimet e luftës, tha Human Rights Watch.

Por pak progres është bërë kundër diskriminimit dhe abuzimeve ndaj pakicës rome apo në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për t’iu përgjigjur nevojave të refugjatëve dhe të të shpërngulurve. Gjithashtu Human Rights  Watch përmendi shqetësimin për kërcënimin e gazetarëve në gjithë rajonin dhe specifikisht me secilin vend, duke përfshirë të drejtat e LGBT në Serbi dhe dështimin e Kroacisë në çinstitucionalizimin e njerëzve me paaftësi mendore apo psikike.

“Nëse qeveritë e Ballkanit Perëndimor synojnë seriozisht të bëhen pjesë e Evropës, duhet të garantojnë që respektimi i të drejtave të njeriut të përputhet me standardet evropiane”, tha Lydia Gall, studiuese pranë Human Rights Watch për Ballkanin dhe Evropën Lindore. “Kjo vlen për anëtarin e ardhshëm të BE-së,  Kroacinë, njëlloj si për vendet kandidate, si Serbia”.

Serbisë iu dha statusi kandidat për në BE në mars të vitit 2012. Kroacia  u planifkua të bëhet anëtarja e 28-të e BE- së në korrik.

Në raportin prej 665 faqesh, Human Rights Watch vlerësoi progresin në respektimin e të drejtave të njeriut gjatë vitit të fundit në më shumë se 90 vende, duke përfshirë këtu edhe një analizë të pasojave të “pranverës arabe”. Vullneti për të respektuar të drejtat e njeriut nga ana e qeverive të reja do të përcaktojë nëse “pranvera arabe” do të sjellë lindjen e një demokracie të vërtetë apo thjesht veshjen e autoritarizmit me rroba të reja, tha Human Rights Watch.

Mbetet një çështje kyçe në rajon përgjegjësia për krimet e luftës në gjykatat kombëtare dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë, ICTY.

Në Bosnjë-Hercegovinë,  Dhoma për krimet e luftës pranë Gjykatës së Shtetit mori vendime për 13 raste, ndër të cilat 8 dënime dhe 5 shfajësime. Gjyqi pranë ICTY, i gjeneralit serbo-boshnjak gjatë kohës së luftës, Ratko Mlladiç, i akuzuar për gjenocidinin e 7 000 burrave dhe djemve nga Srebrencia në 1995, filloi në maj. Gjyqi i Radovan Karaxhiqit, presidentit serbo-boshnjak gjatë kohës së luftës, i cili akuzohet për të njëjtat krime si Mlladiç, ka vazhduar gjatë gjithë vitit.

Hetimet e krimeve gjatë kohës së luftës në Kroaci u përmirësuan gjatë vitit 2012, kur gjykatat vendore transferuan 15 raste krimesh lufte në katër gjykata të krimeve të luftës. Disa raste të gjykuara në mungesë kundër serbëve u pezulluan, duke zgjidhur kështu një problem të vjetër rreth paanshmërisë së procedurave. Dhoma e apelit e ICTY-së shfuqizoi vendimin e gjykatës së vitit 2011 për Ante Gotovinën dhe Mlladen Markaç, dy gjeneralë kroatë të akuzuar për abuzime ndaj serbëve të Kroacisë gjatë kohës së luftës së vitit 1995. Hetime të reja u bënë rreth një rasti ku përfshiheshin abuzime kundër serbëve në vitin 1993, që çoi në dënimin, në vitin 2008, të një gjenerali kroat në gjykatën kroate.

Serbia ka përparuar në gjykimin e krimeve të luftës, me 3 padi, 16 raste në proces, si dhe dënimin e 11 anëtarëve të UÇK-së, të akuzuar për krime gjatë  luftës në Kosovë në 1999 kryesisht kundër pakicave rome dhe ashkali. Por kryeprokurori i ICTY-së, Serge Brammertz, kritikoi Serbinë për mungesë përpjekjesh në zbulimin e rrjeteve që kanë ndihmuar të arratisurit e krimeve të luftës të cilët janë në kërkim nga gjykata në fjalë.

Disa përparime u shënuan në Kosovë, me gjykimin e krimeve të luftës me 3 vendime gjykate për krime lufte nga gjykatësit e Misionit EULEX në gjykatat e Kosovës, si dhe 20 të tjerë nga gjykatësit vendas. Një investigim i veçantë i EULEX-it vazhoi në lidhje me grabitjet në periudhën e pasluftës, zhdukjen e personave, vrasjen e serbëve dhe trafikun e  organeve. Gjykata e Lartë e Kosovës urdhëroi rigjykimin e Fatmir Limajt dhe 3 anëtarëve të tjerë të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte ndaj serbëve të Kosovës dhe civilëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1999. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe dy bashkëtëpandehur u shpallën të pafajshëm nga ICTY në nëntor, pas rigjykimit të pjesshëm për krime kundër njerëzimit.

“Shumë mbetet ende për të bërë për përgjegjësinë e abuzimeve gjatë luftës në Ballkan, veçanërisht nga gjykatat kombëtare”, tha Gall. “Përparimi varet nga vullneti politik nga ana e qeverive në rajon dhe mbështetje të vazhdueshme nga BE dhe SHBA”.

Romët dhe pakicat e tjera etnike u përballën me diskriminim dhe mbetën të margjinalizuara në gjithë rajonin gjatë vitit 2012. Autoritetet serbe shpërngulën romët nga një vendstrehim informal, pa u siguruar atyre asistencën e nevojshme. Në Bosnjë-Hercegovinë, romët, hebrenjtë dhe pakicat e tjera etnike mbeten të përjashtuar nga Kushtetuta në arritjen e posteve të larta zyrtare dhe autoritetet bënë pak për të zgjidhur këtë çështje, me gjithë presionin nga ana e BE-së për të zbatuar një vendim gjykate detyrues të vitit 2009 nxjerrë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Pakicat rome, ashkali dhe egjiptiane, në Kosovë, gjithashtu u përballen me diskriminim dhe margjinalizim, një situatë kjo e vështirësuar rëndshëm nga kthimet e vazhdueshme mbrapsht nga Evropa Perëndimore në Kosovë, si dhe nga dështimi i autoriteteve lokale në ndihmë të romëve dhe të kthyerve të tjerë. BE intensifikoi thirrjet ndaj Serbisë për të ndalur hyrjen e azilkërkuesve, kryesisht romë, duke rrezikuar rivendosjen e sistemit të vizave në BE. Sipas disa raportimeve të besueshme, policët kufitarë serbë kanë ndaluar kalimin e kufirit hungarez nga ana e disa shtetasve serbë të perceptuar si  me origjinë rome, duke iu përgjigjur kështu presionit nga ana e BE-së, gjë që ngriti shqetësime për diskriminim etnik.

“Shpërnguljet e detyruara pa ndihmën e përshtatshme, jo vetëm që krijojnë probleme serioze për të drejtat e njeriut në lidhje me të kthyerit, por shtojnë vulnerabilitetin e pakicave në Kosovë, veçanërisht në rastin e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve”, tha Gall. “ Vendet perëndimore duhet te ndalin kthimin e pakicave mbrapsht në Kosovë, për sa kohë që Kosova nuk ka treguar aftësi për të mbështetur dhe riintegruar të kthyerit.”

Pak progres është shënuar në zgjidhjen afatgjatë të problemit të të shpërngulurve dhe refugjatëve për pasojë të luftërave në Ballkanin Perëndimor, tha Human Rights Watch. Kthimet vullnetare të refugjatëve në shtëpitë e tyre të paraluftës mbeten ende të pakëta.

Ka pakënaqësi edhe në lidhje me aftësinë e vendeve të rajonit në strehimin dhe procedimin e duhur të azilkërkuesve nga vende të tjera. UNHCR deklaroi në shtator se problemet e sistemit të azilit në Serbi bëjnë që Serbia nuk mund të konsiderohet një vend i sigurt për azil dhe shprehu shqetësim për kapacitetet pritëse të Kroacisë, numrin e pakët të dhënieve të azilit, si dhe trajtimin e fëmijëve migrantë të pashoqëruar.

Kërcënimi i gazetarëve të pavarur ishte një shqetësim serioz, tha Human Rights Watch, me incidente verbale dhe fizike ndaj gazetarëve në Bosnjë, Kroaci, Serbi dhe Kosovë gjatë vitit 2012.

Your tax deductible gift can help stop human rights violations and save lives around the world.