Lufta mbi Abuzimin ndaj Grave
Dhuna në familje është një problem serioz dhe tepër i përhapur në Kosovë. Një studim nga Kombet e Bashkuara në vitin 2000 thekson që thuajse një e katërta e grave të anketuara u shprehën se kanë përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike mbas fundit të luftës më 1999. Sipas statistikave të policisë në Kosovë në vitin 2007 janë rregjistruar 1077 raste të dhunës në familje. Por vetëm një përqindje e vogel e rasteve raportohen në polici për shkak të presionit social dhe familjar mbi viktimat dhe për shkak të varësisë së tyre ekonomike nga familja. Si pasojë shumë nga rastet e dhunës në familje nuk nxirren para gjyqit dhe të dhënat zyrtare për praninë e dhunës mbeten të paqarta duke çuar kështu në anashkalimin e këtyre çështjeve në debatet politike.
Për më tepër, pak është bërë nga shteti për mbrojtjen e viktimave nga dhuna në familje. Në mungesë të fondeve të nevojshme publike, ndihma për viktimat e dhunës në familje dhe masat për sigurinë në shtëpi janë varur nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë, tashmë të mbingarkuara. Informimi publik për dhunën në familje mbetet i ulët.
Veç kësaj, trafikimi i grave mbetet një çështje serioze në Kosovë, si vend tranzit dhe me raste vend origjine për viktimat e trafikimit. Shërbimet për viktimat e trafikimit duke përfshirë këtu edhe strehimin dhe trajnimet profesionale varen kryesisht nga organizatat e grave.
Ndalimi i dhunës dhe abuzimeve ndaj grave në Kosovë kërkon përkushtimin afatgjatë të autoriteteve të Kosovës për të mbështetur dhe thelluar përpjekjet e bëra nga organizatat e grave në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe për të siguruar që dhuna në familje të trajtohet si krim. Edukata publike është gjithashtu e një rëndësije të veçantë.
Rekomandime:
- Të ofrohen trajnime periodike për policët, prokurorët, gjykatësit dhe shërbimet në mbrojtjen e shëndetit publik për të përlehtësuar përfaqësimin në drejtësi dhe në shërbimet shëndetësore të viktimave të dhunës në familje, personave të trafikuar dhe të llojeve të ndryshme të të dhunuarve për shkak të seksit të kundërt.
- Të organizohen fushata për informimin e publikut dhe me qëllim fuqizimin e grave dhe vajzave për të kërkuar drejtësi në rastet e dhunës në familje dhe llojeve të tjera të dhunës bazuar ne gjini.
- Të ofrohen fonde të mjaftueshme publike për të siguruar që viktimat e dhunës në familje të kenë një strehim të sigurtë në çdo komunë.






