January 12, 2009

K ri jimi i një Sistemi Gjyqësor te Pamvarur

Abuzimet me të drejtat e njeriut në Kosovë e kanë prejardhjen pjesërisht nga sistemi i dobët gjyqësor dhe mungesa e vullnetit në të shkuarën nga ana e administratës së Kombeve te Bashkuara, duke filluar që nga 1999-a, për të ju kundërvëne atyre që ushtronin dhunë politike. Shumë nga abuzimet e kohës së luftës kanë mbetur të pandërshkuara dhe krimi i organizuar e korrupsioni janë kryesisht të pakontrolluara. Krimet e zakonshme shpeshherë kalojnë pa ndërshkim. Shteti ligjor nuk mund të hedhë rrënjë në një mjedis të tillë.

Mbas trazirave të marsit 2004 ku në shënjester ishin minoritetet duke lënë qindra njerëz të plagosur dhe mijëra te shpërngulur nga shtëpitë e tyre, nxjerrjes para ligjit të përgjegjësve ju dha prioritet parimor nga Kombet e Bashkuara. Sidoqoftë deri në 2007-tën akoma nuk ka pasur ndonjë progres të dukshëm për ti ofruar drejtësi viktimave. Në momentin e shkrimit të këtij dokumenti 35 të pandehur janë dënuar me akuzën e zjarrvënies së qëllishme, grabitjes, nxitjes së urrejtjes me bazë racilale, fetare, etnike dhe agresion, raste këto të shqyrtuara kryesisht nga prokurorët ndërkombëtare. Katërmbëdhjetë nga të dënuarit përfunduan në burg duke marrë dënime nga gjashtë muaj deri në tetëmbëdhjetë vjet. Një i dyshuar u la i lirë.

Dobësitë e të drejtës penale në Kosovë kanë shumë shkaqe. Bashkëpunimi i dobët ndërmjet njësive të ndryshme të sistemit (policisë, prokurorëve dhe gjykatësve) dhe mungesa e integrimit ndërmjet elementëve të tyre kombëtare dhe ndërkombëtarë janë vetëm një pjesë e pasqyrës. Kosovës akoma i mungon një sistem funksional për administrimin e rasteve në formë elektronike, duke bërë kështu thuajse të pamundur shpërndarjen e informacioneve dhe monitorimin e saktë të rasteve. Gjykatësit dhe prokurorët vendas nuk janë gjithmonë të trajnuar mirë dhe mbikqyrja nga autoritetet e pavarura është e papërshtatshme.

Mbrojtja e papërshtatshme e dëshmitarëve është një pengesë e madhe për drejtësine, veçanërisht kur bëhet fjalë për krimin e organizuar, krimet e luftës dhe sulmet mbi minoritetet. Duke marrë parasysh qe kërcënimet dhe ngacmimet ndaj dëshmitarëve janë tepër të përhapura, shumë nga dëshmitarët nuk janë të gatshëm të shfaqen nga frika për sigurinë e jetes së tyre. Për dëshmitarët në çështjet më delikate shpërngulja jashtë Kosovës është e vetmja mënyrë mbrojtjeje. Sidoqoftë deri tani qeveritë perëndimore nuk janë treguar të gatshme për të pranuar dëshmitarët në rrezik.

Misioni policor dhe gjyqësor i BE-së, i cili do të kërkojë njohjen ndërkombëtare të problemit në fjalë, do të jetë elementi kryesor i misionit të ri në Kosovë të drejtuar nga BE-ja. Por fundi i mosndërshkimit dhe ndërtimi i shtetit ligjor do të varen nga aftësija për të mësuar nga gabimet e të kaluarës dhe gadishmërija nga ana e qeverisë së Kosovës dhe misionit të ri ndërkombëtar për të kontrolluar, përndjekur dhe dënuar aktet kriminale, kudo dhe nga kushdo që të kryhen ato.

Rekomandime:

  • Të sigurohet integrimi i plotë i sistemit të së drejtës penale, me bashkëpunimin e frytshëm mes gjykatësve, prokurorëve, policisë ndërkombëtare dhe asaj vendore.
  • Të konsolidohet mbrojtja e dëshmitarëve, duke përfshirë këtu edhe dekretimin e një ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të garantohet nga ana e prokurorëve dhe gjykatësve përdorimi i masave mbrojtëse ekzistuese 
  • Qeveritë përkatëse të Bashkimit Evropian dhe ajo e Shteteve te Bashkuara duhet të bien dakort për zhvendosjen e dëshmitarëve në rrezik dhe të sigurojnë fondet e nevojshme për programin e zhvendosjes së dëshmitarëve.