May 30, 2006

Ndikimi në kthimin e personave të zhvendosur

Trazirat dhe sulmet kundër pakicave në marsin e vitit 2004 kanë lënë 4.100 pjesëtarë të komuniteteve pakicë të zhvendosur. Më shumë se një vit e gjysmë më vonë, përafërsisht 1.300 nga këta mbesin zyrtarisht të zhvendosur.[209] Hulumtimet në terren të bëra nga Human Rights Watch tregojnë se vetëm një numër i vogël i atyre që janë zhvendosur nga ngjarjet e marsit janë kthyer në shtëpitë e rindërtuara në komunitetet e tyre origjinale dhe në vend të kësaj kanë zgjedhur që të jetojnë në strehimoret kolektive afër komuniteteve të tyre të vjetra, në enklava mono-etnike në pjesë tjera të Kosovës apo jashtë Kosovës fare.[210]

Mbizotëron bindja, veçanërisht ndër komunitetin serb, se dështimi për të kërkuar përgjegjësi për krimet e marsit është rezultat i "mungesës së dëshirës" ndër aktorët ndërkombëtarë në Kosovë. Pikëpamjet e paraqitura më poshtë-nga njerëz të zhvendosur nga trazirat e marsit, shpesh nga fqinjët e tyre të cilët i kanë njohur-paraqesin ndjenjat edhe të komuniteteve tjera pakicë:

Shërbimet e zbulimit që veprojnë në Kosovë kanë fotografi por nuk i japin ato.[211]
Policia dhe të tjerët e dinë se kush e ka bërë këtë, por ata i mbajnë për vete fotografitë e atyre që i kanë djegur shtëpitë.[212]
Policia as që po i kërkon ata. Sa shumë vrasje kanë ndodhur në Kosovë e askush nuk është dënuar.[213]
Askush nuk ka kërkuar falje. Asgjë nuk është bërë. Na tregonin disa fotografi dhe na thoshin se këta janë të përfshirë në ngjarjet e marsit (dhe e dinin se ata kanë qenë të përfshirë) por asgjë nuk është bërë. Sikur serbët të kishin bërë diçka të këtillë, ata do t'i kishin kapur që moti. Nuk ka drejtësi nga KFOR-i, UNMIK-u e të tjerët dhe nuk mund të kërkoj asgjë nga shqiptarët.[214]

Pas marsit 2004 qe premtuar se gjërat do të "rregullohen": autorët e krimeve do të nxirren para drejtësisë ndërsa shtëpitë do të rindërtohen. Kthimi i të zhvendosurve varet nga këto dy elemente; duhet të ketë siguri që të mundësohet kthimi por edhe të ketë vende ku të kthyerit do të kthehen.[215]

Sado progres të jetë bërë në rindërtimin e shtëpive, fakti që ka pasur pak përparim, apo përparim që nuk është i dukshëm, në rastet e marsit-kundër autorëve të zakonshëm të krimeve por edhe atyre nga radhët e institucioneve të rendit-shton frikën ndër komunitetet pakicë se ngjarjet sikur ato të marsit 2004 mund të përsëriten. Kjo pikëpamje haset edhe në konkluzionet e analizës së paradokohshme të reagimit të sistemit juridik ndaj ngjarjeve të marsit bërë nga OSBE-ja, që thotë se "reagimi relativisht i dobët i gjykatave. . . mund të konsiderohet edhe joadekuat që të pengojë aktet e ngjashme të trazirave publike në të ardhmen".[216] 

Shumë njerëz të intervistuar nga Human Rights Watch kanë thënë se janë të lidhur fuqishëm me tokën e tyre dhe kanë dëshirë të madhe të kthehen por kanë pyetur se si mund të kthehen kur nuk ka siguri. Sipas fjalëve të një burri, i cili po qante derisa fliste: "do të kthehesha por si mund ta bëjë këtë i vetëm. Kush nuk dëshiron që të jetojë në shtëpinë e vet? Jetoj në një kontejner edhe pse shtëpia ime është afër".[217]

Një grua e përshkruan kështu gjendjen e saj:

Njerëzit që i kanë bërë këto krime lëvizin të lirë. . . Askush nuk ka bërë asgjë. Asnjë nga (emri i qytetit i njohur për autoren e raportit) nuk ka ardhur të bisedojë me neve, as kryetari, as përfaqësuesit e komunitetit serb as ata të komunës. Ata mbajtën një mbledhje (emri i qytetit) para gjashtë muajve dhe na thanë se nëse dëshirojmë të kthehemi mund të kthehemi, por ne nuk mund t'u garantojmë sigurinë tuaj.[218]

Human Rights Watch ka gjetur se një numër i personave të zhvendosur, veçanërisht ata të moshuar apo ata me fëmijë, preferojnë të jetojnë në strehimoret kolektive-shpesh duke jetuar në kushte të rënda apo në kontejnerë metali me madhësi prej vetëm dy metrave me gjashtë metra-në vend se të rrezikojnë të kthehen. Asnjë nga të intervistuarit që ende ishin të zhvendosur nuk planifikonte që të kthehej në shtëpitë e rindërtuara.[219]

Mungesa e ndjekjeve penale të dukshme dhe përgjegjësisë për shkelësit e ligjit duket se ka dërguar edhe porosinë se ngacmimet dhe frikësimet e pakicave janë të lejueshme. Në një komunë që e ka vizituar Human Rights Watch, disa persona të moshuar, të zhvendosur, thanë se fqinjët u janë kërcënuar se "herën tjetër do të pësoni edhe më keq" nëse ata seriozisht mendojnë të kthehen.[220] Të tjerë tregojnë se si fëmijët i kanë sharë, i kanë pështyrë e madje edhe i kanë gjuajtur me gurë kur janë kthyer në fshatrat apo qytetet e tyre për të parë shtëpitë e rindërtuara.[221]

Për pakicat, veçanërisht për të zhvendosurit, rezultati përfundimtar është konfirmimi se përgjegjësi në kuptimin më të gjerë për atë që është bërë nuk ka pasur. Bashkësia ndërkombëtare dhe administrata vendore nuk e kanë mbajtur fjalën që të nxjerrin para drejtësisë ata që janë përgjegjës për dhunën dhe shkatërrimet që goditën komunitetet e tyre. Ata u treguan edhe një herë të paaftë që të mbajnë premtimet që të rindërtojnë një pjesë të asaj që është humbur-besimi dhe ndjenja e sigurisë apo mbrojtjes. Liderët vendorë dhe përfaqësuesit komunalë gjithashtu nuk ishin në nivel të detyrës, duke dështuar që në mënyrë aktive të promovojnë dhe mbështesin kthimin e atyre që janë zhvendosur në mars 2004.

Me këtë bagazh do të jetë e vështirë për udhëheqësit e ardhshëm të Kosovës që të arrijnë progres të vërtetë në sferën e kthimeve më të mëdha (e të qëndrueshme) të pakicave dhe të multi-etnicitetit përderisa nuk ndërron në mënyrë dramatike bindja e të qenët mbi ligjin.

[209] Intervistë e Human Rights Watch me Zyrën për Kthim dhe Komunitete të UNMIK-ut, Prishtinë, 16 shtator 2005; Intervistë e Human Rights Watch me UNHCR-në, Prishtinë, 26 shtator 2005. Shih edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, "Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm mbi Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë", S/2006/45.

[210] Human Rights Watch bazon analizat e veta në hulumtimet në terren, bisedat me personat e zhvendosur nga gjashtë komuna të ndryshme. Intervista të Human Rights Watch, Kosovë, 16-17 shtator 2005. Në bisedimet e mëvonshme me OJQ-të dhe agjencitë humanitare bëhet e qartë se numri i të kthyerve nga marsi 2004 është shumë i vogël. Një përfaqësues komunal nga rajoni i Mitrovicës tregon se "nëse janë kthyer 1 për qind kjo do të ishte teprim". Intervistë e Human Rights Watch me përfaqësuesin komunal të UNMIK-ut, rajoni i Mitrovicës, 21 shtator 2005. Duhet përmendur edhe se Vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes në Kosovë i bërë nga ambasadori Kai Eide në tetor 2005 (Raporti i Eides) konkludonte se "procesi i përgjithshëm i kthimeve pothuajse është ndërprerë krejtësisht".

[211] Intervistë e Human Rights Watch me një burrë gjashtëdhjetepesë vjeçar, 19 shtator 2005.

[212] Intervistë e Human Rights Watch me një burrë tridhjetenëntë vjeçar, 19 shtator 2005.

[213] Intervistë e Human Rights Watch me një burrë pesëdhjetedy vjeçar, 19 shtator 2005.

[214] Intervistë e Human Rights Watch, 21 shtator 2005.

[215] Çështjet që kanë të bëjnë me parakushtin e dytë të domosdoshëm për kthime (shtëpitë dhe angazhimi për rindërtim) bie jashtë sferës së këtij raporti. Por, duhet të vërehet se në dhjetor 2005, raporti për zhvillimet në Kosovë i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, konkludon se "këto dështime (në rindërtim dhe kompensim të udhëhequra nga IPVQ) dëmtojnë kthimin dhe gjasat për kthim si edhe mesazhin e qeverisë se dhuna është e papranueshme dhe nuk do të lejohet të përsëritet". Shih Këshilli i Sigurimit i OKB-së, "Report of the Secretary-General on the United Nations Interim Administration Mission in Kosovo" (Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë), S/2006/45, fq. 17, paragrafi 69 i Aneksit 1 "Technical assessment of progress in implementation of the standards for Kosovo" (Vlerësimi teknik i progresit në implementimin e standardeve për Kosovën), përgatitur nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, 20 dhjetor 2005.

[216] SMSJ OSBE, "Reagimi i Sistemit të drejtësisë ndaj trazirave të marsit 2004".

[217] Intervistë e Human Rights Watch me një burrë të zhvendosur, pesëdhjetenjë vjeçar, Kosovë, 20 shtator 2005. Një i zhvendosur shtatëdhjetekatër vjeçar shprehet ngjashëm: "Nuk dua të shkoj nga një burg në një burg tjetër. Nëse ndonjë nga fqinjët serbë do të kthehej, edhe unë do të kthehesha gjithsesi. . . (Por) të kthehem tani dhe të më vrasë dikush natën. . .?". Intervistë e Human Rights Watch, Kosovë, 18 shtator 2005.

[218] Intervistë e Human Rights Watch me një grua të zhvendosur, gjashtëdhjetegjashtë vjeçare, Kosovë, 20 shtator 2005.

[219] Duhet të theksohet se një debat i gjatë po zhvillohet në Kosovë rreth asaj se a duhet që të zhvendosurit të kthehen në vendbanimet e tyre origjinale apo në vendbanime tjera. UNHCR-ja ka marrë qëndrimin që përkundër udhëzimeve ekzistuese për kthim, që u jep të zhvendosurve mundësinë të zgjedhin mënyrën dhe lokacionin e kthimit, në kontekst të Kosovës kthim është vetëm kthimi në "vendin e origjinës". Rezoluta 1244 thotë se kthimi mund të bëhet vetëm në vendin prej nga vijnë ndërsa në realitet ka pak mundësi për riatdhesim pasi pjesët jashtë enklavave mono-etnike nuk konsiderohen të sigurta e prandaj nuk vijnë në konsiderim për kthim. Në tetor 2005, emisari special Kai Eide sugjeroi që të mendohet edhe për kthim në vende tjera, e jo vetëm në vendin e origjinës. Shih: "A Comprehensive Review of the Situation in Kosovo" (Vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes në Kosovë), raport i emisarit special Kai Eide i prezantuar para kryesuesit të Këshillit të Sigurimit nga Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, më 7 tetor 2005, fq.7. Është me rëndësi që kjo çështje të diskutohet gjerësisht në debatet për kthimin e qëndrueshëm në Kosovë.

[220] Intervistë e Human Rights Watch me një çift të zhvendosur, 19 shtator 2005

[221] Intervistë e Human Rights Watch me një grua të zhvendosur, Kosovë, 18 shtator 2005.