May 30, 2006

Mungesa e transparencës në Sistemin e drejtësisë  

Parimi i drejtësisë së hapur kërkon që jo vetëm të bëhet drejtësi por edhe të shihet që ajo po bëhet. Deri sa viktimat, dëshmitarët dhe e tërë shoqëria nuk njoftohen për përpjekjet për të nxjerrë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për dhunën politike e etnike në Kosovë, drejtësia do të mbetet koncept abstrakt. Hulumtimet e Human Rights Watch kanë zbuluar një shkëputje të madhe mes përpjekjeve për të kërkuar përgjegjësi nëpërmjet sistemit të drejtësisë penale në një anë dhe të njohurive të viktimave dhe opinionit publik për këto përpjekje, në anën tjetër. Janë veçanërisht institucionet ndërkombëtare të ngarkuara me zhvillimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë ato që duket se nuk kanë strategji për kontakte me opinionin publik.

Nëse nuk shihet se ka drejtësi atëherë do të jetë shumë vështirë që të shkëputet qarku i frikësimit të dëshmitarëve dhe apatia e opinionit publik. Nëse opinioni publik nuk e kupton se ata që shkelin ligjin do të kenë gjykim të drejtë dhe do të marrin dënimin e merituar kur janë fajtor, atëherë janë të vogla gjasat që këta do të bashkëpunojnë dhe dëshmojnë.[197]

Dështimi bëhet më i madh pasi transparenca mungon edhe në rastet e operacioneve të ndërkombëtarëve si edhe ndër institucionet vendore të ngarkuara me menaxhimin e sistemit të drejtësisë penale. Gjatë hulumtimeve për këtë raport, Human Rights Watch-si edhe shumë OJQ tjera nga brenda dhe jashtë Kosovës-e ka pasur shumë të vështirë që të sigurojë madje edhe informatat më bazike për të arriturat në ndjekjen penale që kanë të bëjnë me marsin si dhe për krimet ndër-etnike para marsit 2004, përfshirë këtu edhe krimet e luftës. Kur kësaj i shtohet fakti që nuk ka as dosje e as regjistra të mirëmbajtur, siç është vërejtur më herët, atëherë qëndrimi i të qenët sekret që haset në shumë institucione në Kosovë është jokompatibil me parimin e drejtësisë së hapur.

Mungesa informimit për përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi

Hulumtimet në Kosovë kanë zbuluar mungesë serioze të njohurive për hetimet dhe ndjekjet penale në rastet e lidhura me marsin. Gati të gjithë personat e zhvendosur si dhe përfaqësuesit komunalë dhe të stacioneve policore të intervistuar nga Human Rights Watch kanë deklaruar se dinë shumë pak apo fare për atë se çfarë është bërë në çështjen e përgjegjësisë për marsin 2004. Të zhvendosurit e intervistuar nuk kanë qenë në gjendje që emërojnë apo të japin detajet më bazike për rastet për të cilat kanë ditur se janë duke u proceduar nga ndonjë prokuror, le më që të identifikojnë hapat aktivë që janë ndërmarrë në lidhje me rastet që kanë të bëjnë me ta, familjet e tyre apo me pjesëtarët tjerë të komunitetit. Disa nga ata që i kemi intervistuar janë shprehur se ata as që kanë të drejtë të dinë se çfarë ndodh me ndjekjet penale. Sipas një të zhvendosuri: "Ne nuk kemi informata për këtë. Kjo është e rezervuar për UNMIK-un"[198]

Ndër shumë njerëz të zhvendosur nga gjashtë komuna të ndryshme, që janë intervistuar nga Human Rights Watch për këtë raport, të vetmet ndjekje penale për ngjarjet e marsit për të cilat ata kanë ditur kanë qenë dy raste të profilit të lartë. E para ishte vrasja shumë e përfolur e Slobodan Periqit dhe rrahja e nënës së tij në Gjilan, që rezultoi me dënime të gjata, siç është treguar më lartë. Rasti i dytë ishte ai kundër një kryesuesi të trazirave në veri të Mitrovicës-skenë kjo e shkatërrimeve të mëdha të pronës gjatë dhunës së marsit-që ishte pezulluar para se të mbërrinte në gjyq për shkak se mungonin dëshmitë.

Ata që dinin për këto dy raste kishin mësuar për to nëpërmjet televizioneve dhe gazetave lokale. Madje edhe ata, komunitetet e të cilëve ishin prekur nga krimet, nuk ishin kontaktuar nga policia, prokurorët, zyrtarët lokalë, komunalë apo të tjerë, as në lidhje me hetimet as për t'i njoftuar për aktvendimet për rastet e mbyllura.

Asnjë nga të zhvendosurit apo nga të sapokthyerit nga komunitetet pakicë që janë intervistuar nga ne nuk është vizituar nga autoritetet për t'u informuar për progresin në rastet që kanë të bëjnë me shkatërrimin e pronës së tyre-apo që së paku t'i informojnë që nuk ka mjaft dëshmi për të ndjekur penalisht të pandehurit dhe se rasti është mbyllur. Në fakt, duket se për disa raste që kanë të bëjnë me marsin, individë kanë parashtruar ankesa për diskriminim para një njësie speciale të Departamentit të Drejtësisë, duke u ankuar se rasteve të tyre nuk u është dhënë përparësi, vetëm për të mësuar se në të vërtetë rastet që kanë të bëjnë me ta janë mbyllur që moti.[199]

Ne kemi gjetur edhe se në disa raste zyrtarët vendorë nuk janë informuar në mënyrë përkatëse për hetimet dhe procedurat penale nga juridiksioni i tyre.

Mungesa e këtyre informatave tregon mungesën e angazhimit për të kontaktuar dhe për të informuar opinionin publik, duke e bërë pothuajse të pamundur që të shihet se po bëhet drejtësi. Kjo vetëm sa e forcon bindjen ndër shumë njerëz se Kosova është një vend ku krimi nuk ndëshkohet, ku ata që kryejnë krime serioze asnjëherë nuk dalin para drejtësisë dhe kjo lë në hije çdo të arritur që bëhet në këtë sferë.

Mungesa e transparencës rreth punës së Sistemit të drejtësisë penale

Është vështirë të sigurohen të dhëna të sakta dhe të plotësuara rregullisht rreth hetimeve dhe ndjekjeve penale të krimeve të luftës dhe atyre ndër-etnike, veçanërisht për ato që kanë ndodhur para marsit 2004. Opinioni publik, gazetarët apo përfaqësuesit e OJQ-ve vendore e ndërkombëtare ballafaqohen me vështirësi të njëjta kur duhet marrë informata të tilla. Çdo institucion i sistemit të drejtësisë penale duhet të angazhohet që të sigurohet transparencë dhe informimi i rregullt për të arriturat në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave kriminale. Por, tash për tash, shpeshherë puna e tyre mbahet e mbështjellë me vello të sekretit. Mungesa e transparencës vetëm sa e bën më të madh dështimin që të ketë fushatë informative më të mirë.

Edhe pse Departamenti i Drejtësisë përpilon dhe boton raporte javore për rastet, ky është një dokument intern e jo për opinionin publik. Nuk ka ndonjë publikim tjetër alternativ e as ndonjë kanal tjetër komunikimi që do të siguronte rrjedhje të rregullt të informatave për rastet e marsit, krimet e luftës apo rastet tjera deri tek njerëzit jashtë UNMIK-ut. Zyrtarë të departamentit i kanë thënë Human Rights Watch se askush që kërkon ndonjë informatë të caktuar nuk mund t'i kontaktojë. Sipas tyre, nuk është obligim i tyre që të japin informata për vendimet për rastet apo për progresin në kërkimin e përgjegjësisë për çfarëdo krimi.[200]

Për më tepër, ka shumë pak gjasa që pjesëtarët e grupeve etnike pakicë, shumë nga të cilët e kanë të kufizuar lirinë e lëvizjes, dinë për të drejtën që të kërkojnë informata të tilla nga zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë në Prishtinë, e edhe më pak nga ta dinë si ta bëjnë këtë.

E pyetur pse DD nuk përpilon raporte të rregullta publike për të arriturat në ndjekjet penale në rastet e dhunës ndër-etnike, një zyrtare e lartë e departamentit u përgjigj se kjo bëhet vetëm "për rastet më serioze (dhe kjo) nuk është zyre politike".[201] Më tutje, ajo thekson:

Ne jemi gjyqtarë dhe prokurorë. Kjo nuk është detyrë e jona. . . Nëse kërkon informata për gjykatat vendore kjo është diçka tjetër. Ka një mekanizëm tjetër. Është OSBE-ja; ata kanë të dhëna të plota.[202]

Një zyrtar i rangut të mesëm në Departamentin e Drejtësisë i ka thënë Human Rights Watch se prokurorët ndërkombëtarë të Divizionit kriminal kanë kërkuar vazhdimisht që të krijohet një vebsajt i DD-së ku do të viheshin kopjet e dokumenteve për rastet si dhe dokumentet tjera relevante për procedurat penale e në të cilat do të kishin qasje të gjithë, sikur që është bërë në Sierra-Leone dhe siç ka bërë TPNJ-ja. Kur është pyetur pse nuk është bërë kjo, një i punësuar në Divizionin kriminal është përgjigjur: "është çështje e menaxhmentit. Askush nuk është ulur të mendojë për ta bërë këtë. Pastaj, është edhe çështja e resurseve dhe personelit".[203]

Edhe më sfiduese është të marrësh  informata për rastet në gjykatat komunale. Në mungesë të një baze kompjuterike të të dhënave për vendimet e gjyqit, mënyra e vetme për të mësuar për vendimet është që të kërkohen kopje të shtypura të aktvendimeve nga secila gjykatë.

Vetëm Seksioni për Monitorimin e Sistemit Juridik i OSBE-së monitoron në mënyrë të rregullt vendimet e gjykatave komunale. (Departamenti i Drejtësisë ka të drejtë të ketë qasje në këto vendimet por si duket nuk mban informata sistematike për këtë.[204] Departamenti i Administratës Gjyqësore, edhe pse teknikisht është përgjegjës për mbikëqyrjen dhe administrimin e gjyqësisë vendore, mban vetëm statistika sipërfaqësore dhe nuk grumbullon apo analizon vendimet në rastet gjyqësore). Megjithatë, OSBE-ja nuk ndan këto informata në mënyrë sistematike e të rregullt me opinionin publik. Edhe pse organizata është përgjegjëse për monitorimin e sistemit të të drejtave të njeriut dhe të drejtësisë, stafi dhe resurset e saj në të vërtetë janë të përqendruar në ndërtimin e kapaciteteve në kuadër të institucioneve vendore.

Gjendja që mbretëron rreth raporteve për rastet që kanë të bëjnë me dhunën e marsit 2004 ilustron këto shqetësime. Përkundër faktit që OSBE-ja mban të dhëna statistikore dhe procesverbale të detajuara të rasteve, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me dhunën e marsit, ata nuk ishin të gatshëm që t'i japin këto informata deri në dhjetor 2005 kur misioni publikoi një raport për këtë çështje. Informatat që përmban ai raport, ndonëse të dobishme, janë dhënë në formë të përgjithshme, pa detaje për rastet individuale.

Për më tepër, edhe pse OSBE-ja ka monitoruar gjykimet për krime lufte deri në vjeshtë të vitit 2002, që nga ajo kohë ka zhvendosur vëmendjen në shtimin e kapaciteteve dhe monitorimin e gjykatave komunale dhe atyre të qarkut ku ka panele vendore. OSBE-ja nuk pret se do të publikojë raporte tjera për të arriturat në gjykimet për krime lufte në gjykatat vendore,[205] që do të thotë se nuk ka burim alternativ informatash për këto raste. Nuk ka monitorim publik e të rregullt as të gjykimeve me prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë.[206]

Mosgatishmëria e OSBE-së që të bëjë publike të dhënat nga monitorimet duket se është rezultat i shqetësimeve përbrenda organizatës se nëse do të publikonin rregullisht informata që do të cenonin gjykatat, kjo do të rrezikonte tërë punën për të zhvilluar këto institucione të drejtësisë në Kosovë.[207] Rezultat përfundimtar është se organizata e vetme ndërkombëtare që ka kapacitet dhe mandat për të monitoruar dhe raportuar për punën e sistemit të drejtësisë penale nuk duket e gatshme që ta bëjë këtë publikisht.[208]

[197] Për më tepër informata për çështjen e frikësimit të dëshmitarëve dhe mbrojtjen e tyre në rastet që kanë të bëjnë me marsin 2004 shih SMSJ OSBE, "Reagimi i Sistemit të drejtësisë ndaj trazirave të marsit 2004".

[198] Intervistë e Human Rights Watch me një person të zhvendosur, Kosovë, 21 shtator 2005.

[199] Intervistë e Human Rights Watch me një të punësuar në Departamentin e Drejtësisë, Prishtinë, 15 nëntor 2005.

[200] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë dhe një prokuror ndërkombëtar në Departamentin e Drejtësisë, Prishtinë, 16 nëntor 2005.

[201] Ibid.

[202] Ibid. Një tjetër zyrtar i lartë i Departamentit mbështet këtë përshtypje, duke deklaruar për Human Rights Watch, se "ne jemi zyre e prokurorit e jo në biznes të përpilimit të raporteve. I kemi rastet dhe kur kemi material, shkojmë në gjykim". Intervistë e Human Rights Watch, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006.

[203] Intervistë e Human Rights Watch me një të punësuar në divizionin kriminal, Departamenti i Drejtësisë, 22 shkurt 2006.

[204] Intervistë e Human Rights Watch me personelin e Departamentit të Drejtësisë, Kosovë, 25 tetor 2005; Intervista të Human Rights Watch me personelin e Departamentit të të drejtave të njeriut dhe sundim të ligjit, OSBE-së, shtator-nëntor 2005; dhe intervistë e Human Rights Watch me zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 16 nëntor 2006.

[205] Intervistë telefonike e Human Rights Watch me një zyrtar të SMSJ OSBE, 14 nëntor 2005.

[206] Transformimi i Institucionit të Ombudspersonit nga institucion ndërkombëtar në institucion vendor rëndon kapacitetet vendore për të drejtat e njeriut dhe cenon këtë mekanizëm të rëndësishëm për përgjegjësinë në Kosovë, veçanërisht kur kihet parasysh rregullorja e paradokohshme e UNMIK-ut që kufizon juridiksionin e institucionit vetëm mbi IPVQ-në (e jo edhe mbi UNMIK-un). Rregullorja e UNMIK-ut 2006/6 "Mbi Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë", UNMIK/Reg/2006/6, që hyri në fuqi më 15 shkurt 2006, në: http://www.unmikonline.org/regulations/unmikgazette/03albanian/A2006regs/RA2006_06.pdf (shikuar më 14 prill 2006).

[207] Intervista të Human Rights Watch me stafin e Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe me organizata joqeveritare që veprojnë në Kosovë, nëntor-dhjetor 2005.

[208] Një punëtor i OSBE-së thotë: "ekziston një përzierje e kompetencave mes OSBE-së dhe DD-së, sikur edhe mes OSBE-së e UNMIK-ut në nivel të komunave. Mënyra e fragmentuar si është ndërtuar misioni i OKB-së nuk mundëson bashkëpunim dhe qartësi. Nëse një zyrtar i të drejtave të njeriut do të ndante menjëherë informatat që ai apo ajo ka grumbulluar, ndoshta kjo do të ishte gabim, por qartë duhet të ketë bashkëpunim dhe transparencë". Intervistë e Human Rights Watch me një të punësuar në OSBE, selia qendrore e OSBE-së, Prishtinë, 24 janar 2006.