May 30, 2006

Reagimi i Sistemit të Drejtësisë Penale ndaj marsit 2004

Është trajtuar shumë dobët. Komisionari i tashëm i Policisë së UNMIK-ut është shumë i zhgënjyer me punën që është bërë deri tani. Shumë pak raste kanë arritur në gjykata. Ata pothuajse nuk janë dënuar fare. Njerëzit këtë nuk po e kuptojnë. [Dhuna në] Svinjare-e tëra-është filmuar nga helikopterët. Si është e mundur kjo? [64]

Sulmet kundër pakicave dhe dështimi që këto të trajtohen në mënyrë gjegjëse nuk janë asgjë e re në Kosovë. Ajo që i dallon krimet e marsit 2004 është shkalla e dhunës e pasuar me premtimin publik të bashkësisë ndërkombëtare se ata që janë përgjegjës do të nxirren para drejtësisë. Përpjekjet e mëhershme që të preket dhuna kundër pakicave ndoshta ka qenë më e vështirë për shkak se gjyqësia dhe policia në Kosovë ishin duke bërë hapat e parë. Por, gati pesë vite pas instalimit të administratës ndërkombëtare, strukturat e duhura gjyqësore e hetuese është dashur të jenë në vend.

Në fillim u duk se reagimi ndaj marsit do të jetë diçka tjetër. Në ditët pas trazirave gazetat raportonin për shumë të arrestuar, përfshirë edhe personat që kanë qenë të implikuar në organizimin e protestave dhe trazirave nëpër Kosovë. [65] Rasteve të marsit iu dha prioritet në sistemin gjyqësor. Një operacion special policor-i kryesuar nga oficerë të lartë ndërkombëtarë-qe themeluar që të hetojë dhunën.

Megjithatë, më tepër se dy vite më vonë, është e qartë se nuk është bërë mjaft. Krahasuar me numrin e pjesëmarrësve në dhunë, me shkallën e shkatërrimit, me humbjet në jetë njerëzish, numri i atyre që janë përballur me akuza për vepra penale është i vogël. Shumica e atyre që janë akuzuar, janë akuzuar për vepra të vogla. Dy vite më vonë, shumë nga procedimet kanë ngecur apo janë hedhur poshtë krejtësisht. Dënimet që u janë shqiptuar atyre që janë shpallur fajtorë janë kritikuar si shumë të lehta.[66]

Është e qartë që reagimi i sistemit të drejtësisë penale ndaj ngjarjeve të marsit të vitit 2004 nuk ka qenë i atillë çfarë ka premtuar bashkësia ndërkombëtare. Arsyet për këtë dështim janë komplekse, por faktorët kryesorë janë:

  • Ndërmarrja e reformave të mëdha të sistemit gjyqësor vetëm tri janë pas trazirave të marsit, duke u dhënë policisë dhe prokurorëve përgjegjësi të reja në hetimin e rasteve të cilat këta nuk ishin në gjendje t'i vejnë në përdorim.
  • Dështimi i operacionit special të policisë ndërkombëtare i ngritur që të hetojë rastet e marsit, duke ia shtuar kësaj edhe faktin se operacioni qe ndarë nga pjesa tjetër e sistemit të drejtësisë penale.
  • Puna joefikase e policisë, përfshirë masat joadekuate për mbrojtjen e dëshmitarëve, mos-përfundimi i procedurave, koordinimin e dobët mes policisë ndërkombëtare dhe asaj vendore, si dhe mungesën e bashkëpunimit me prokurorët.
  • Reagimi joadekuat në të pandehmat për sjellje të keqe të pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës gjatë trazirave. Këto pandehma përfshijnë dështimin që të veprohet gjatë kryerjes së veprave penale por edhe për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në aktivitete kriminale.
  • Pasiviteti i prokurorëve edhe pse ata kanë rol qendror në hetimet kriminale.
  • Menaxhimi i dobët i rasteve nga ana e gjyqeve.
  • Praktika e shqiptimit të dënimeve të lehta.
  • Mbikëqyrja dhe prioritetizimi joadekuat i sistemit gjyqësor nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Si të matet progresi në ndjekjet penale

Me qëllim që të vlerësohet progresi i arritur në kërkimin e përgjegjësisë për dhunën e marsit 2004, së pari duhet pasur të dhënat themelore statistikore për numrin e hetimeve, procedurave penale dhe dënimeve të shqiptuara. Çuditërisht, nuk ekziston konsensus i qartë rreth këtyre numrave ndër agjencitë ndërkombëtare që kanë për detyrë që të mbikëqyrin sistemin e drejtësisë penale në Kosovë. Numri i personave kundër të cilëve janë ngritur akuzat për vepra penale dhe natyra e këtyre akuzave është çështje veçanërisht diskutabile. [67]

Seksioni për Monitorimin e Sistemit Juridik i OSBE-së ka të dhëna që përgjithësisht konsiderohen të jenë të dhënat më komplete për procedurat penale dhe vendimet e gjykatave; këto mbahen në bazën e të dhënave të këtij institucioni.[68] Sipas këtyre të dhënave, deri në fund të tetorit 2005, kundër 424 individëve janë ngritur aktakuza për krime të kryera gjatë ngjarjeve të marsit 2004.[69] Një raport për reagimin e sistemit gjyqësor ndaj trazirave të marsit 2004, i publikuar në dhjetor 2005, ka ngritur këtë numër në 426 të pandehur. Edhe pse pas publikimit të këtij raporti në dhjetor 2005 OSBE-ja nuk i përcjellë më në mënyrë aktive këto raste, zyrtarët e OSBE-së i kanë thënë Human Rights Watch se me sa dinë ata, deri në mars 2006, numri i individëve të akuzuar mbetet i njëjtë.[70]

Statistikat e Departamentit të Drejtësisë (DD) të UNMIK-ut, nga nëntori 2005, tregojnë se janë nisur procedurat për 348 raste. Sipas një zyrtari të DD-së, sipas definicionit raste janë ato procedura të cilat kanë arritur deri në pikën kur involvohet prokurori. [71] Sipas një dokumenti zyrtar të DD-së që një zyrtar i departamentit ia ka treguar Human Rights Watch, shihet se me rast u referohen vetëm individëve.[72] Por, zyrtarët e DD-së i kanë thënë Human Rights Watch se megjithatë rastet mund t'u referohen edhe më shumë të pandehurve dhe se Departamenti nuk mbanë të dhëna për numrin e individëve të akuzuar.[73] Për më tepër, të dhënat nga Divizioni për mbështetje të drejtësisë i Departamentit të Drejtësisë për rastet ku janë të inkuadruar ndërkombëtarët tregojnë se "rasti" mund të përfshijë procedurat penale edhe kundër më shumë se një individi të vetëm. [74]

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë, në një bisedë me Human Rights Watch në prill 2006, nuk ishte në gjendje që të sqarojë pse Departamenti ka dhënë shpjegime kontradiktore për atë se ç'gjeje i referohet numri 348 dhe tha se së shpejti do të takoheshin me OSBE-në për të sqaruar këtë çështje. [75]

Vërehet se që nga nëntori 2005, shkalla e rasteve të përmbyllura sipas OSBE-së dhe DD-së duhet të jetë e njëjtë. Mund të jetë se të dy numrat (426 dhe 348) u referohen numrit të njëjtë të procedurave kundër individëve. Sipas OSBE-së, deri në mesin e muajit nëntor 2005, janë përmbyllur procedurat e ndjekjes penale për 221 individë nga 426 sa janë nën akuza, 209 janë shpallur fajtorë dhe 12 janë liruar nga akuzat, që paraqet shkallë të realizimit prej 51 për qind. [76] Pjesën tjetër e përbëjnë individët akuzat kundër të cilëve janë ndërprerë, procedurat penale (nëntëdhjetepesë rastet) dhe ata që ende presin përfundimin e gjykimit (110) raste. Figurat e Departamentit të Drejtësisë, për të njëjtën periudhë, tregojnë se janë kompletuar 179 raste nga gjithsej 348 (me shkallë të realizimit gjithashtu 51 për qind). [77] Nga rastet e mbetura, sipas të dhënave të DD-së, nëntëdhjetetetë raste janë nën hetime ndërsa shtatëdhjetenjë presin të fillojë gjykimi.

Në shkurt 2006, Human Rights Watch ka provuar të verifikojë statistikat e rasteve që kanë të bëjnë me marsin me Departamentin e Administratës Gjyqësore (DAGJ), që mbanë disa të dhëna për punën e gjyqësisë vendore. Përgjigja ishte: "me këto raste merren ndërkombëtarët. Gjyqet tona (gjyqësia vendore) thonë se ne nuk merremi me këto raste, por vetëm prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë".[78] Stafi i departamentit të statistikave në DAGJ konfirmoi se ata kanë bindjen se rastet e marsit janë në duart e ndërkombëtarëve kështu që këto nuk do të përfshihen në raportet e tyre për rastet pa pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve. Kjo gjë është shqetësuese kur kihet parasysh se numri më i madh i rasteve të marsit janë trajtuar mu nga prokurorët dhe gjyqtarët vendorë pa pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve.

Kur kemi pyetur disa gjyqtarë dhe prokurorë në disa komuna për atë se sa raste të lidhura me marsin kanë pasur nën juridiksionin e tyre, ata rrallë kanë pasur të dhëna të gatshme por është dashur të kërkojnë nëpër dosje dhe të llogarisin me dorë numrin e rasteve. [79] Asnjë nga këta individë me të cilët kemi biseduar nuk ka qenë në gjendje të japë të dhëna të përgjithshme për numrin e të pandehurve të akuzuar për incidente në lidhje me marsin 2004.

Njësoj, gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë i kanë thënë Human Rights Watch-it se nuk dinë se çfarë po ndodhë me rastet e marsit me të cilat merren homologët e tyre vendorë pasi (siç është sqaruar më herët) ata funksionojnë në dy binarë paralelë, ndonëse në kudër të të njëjtit sistem. Ata kishin përshtypjen se OSBE-ja mban shënime për gjykatat, veçanërisht për rastet në duart e vendorëve.

Kur Human Rights Watch shtroi çështjen e vështirësive për të gjetur të dhëna të sakta para një prokurori ndërkombëtar, përgjigja ishte se "këtu numrat fluturojnë nga të gjitha anët".[80] Kur e ngritëm këtë çështje para një zyrtari të lartë të Departamentit të Drejtësisë, ai u përgjigj: "Kontrolli ynë i vendorëve do të thotë t'ua marrim rastet nga duart". Tutje ai bëri të ditur se nuk e di e as që është punë e tij të dijë numrin e përgjithshëm të rasteve të marsit që kanë arritur në gjyqe.[81]

Procedurat penale me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve

DD, nëpërmjet prokurorëve dhe gjyqtarëve ndërkombëtarë, ka juridiksion mbi pesëdhjetegjashtë raste të marsit, edhe pse siç u tha më lartë, numri i të pandehurve mbetet i paqartë. [82] Këto raste trajtohen nga prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë për shkak se konsiderohen të jenë raste më serioze apo më sensitive prandaj edhe kërkojnë angazhimin e ndërkombëtarëve ashtu që të sigurohet se do të jenë gjykime të drejta. Pesëdhjetegjashtë rastet përfshijnë nëntëmbëdhjetë rastet e vdekjes që kanë ndodhur gjatë dhunës, djegien e shtëpive, kisha dhe manastireve serbe, si dhe ato të organizimit dhe nxitjes së trazirave.

Shkalla e realizimit në këto pesëdhjetegjashtë raste shtron pyetjen nëse administrata ndërkombëtare në Kosovë ka vullnet dhe është e aftë që të ndjekë penalisht dhe të bëjë drejtësi për krimet e kryera kundër pakicave në mars 2004. Dy vite më vonë, vetëm trembëdhjetë raste-më pak se një e katërta-kanë rezultuar me aktvendime finale.[83] Dymbëdhjetë raste tjera janë "pezulluar apo hedhur poshtë".[84] Vetëm dy raste tjera duket se kanë potencial që të lëvizin përpara në kuadër të sistemit gjyqësor, me ngritjen e aktakuzës në një rast dhe një tjetër duke e pritur të ngritet aktakuza. Në njëzetenëntë rastet tjera as që kanë përfunduar hetimet preliminare-dhe nuk është e qartë nëse do të përfundojnë ndonjëherë. Sipas stafit të Departamentit të Drejtësisë të intervistuar nga Human Rights Watch, shtatë nga këto raste u janë dorëzuar prokurorëve vendorë në fillim të vitit 2006, për të parë nëse ndoshta ata do të mund të bëjnë diçka rreth këtyre rasteve.[85]

Progresi ka qenë i kufizuar në procedurat penale për rastet e nëntëmbëdhjetë të vrarëve, qoftë drejtpërdrejtë, qoftë tërthorazi, si rezultat i dhunës dhe trazirave gjatë marsit 2004. Procedura penale në dy raste të vrasjeve kanë arritur në fazën e procedimit gjyqësor ndërsa pesë vrasje tjera mbesin nën hetimet e policisë. Një rast tjetër është hedhur poshtë ndërsa tri raste, ndonëse ende nuk janë hedhur poshtë formalisht, kanë ngecur për shkak të çështjeve të imunitetit. Edhe pse hetimet në tetë rastet tjera të mbetura nuk janë mbyllur zyrtarisht, në kohën e shkrimit të këtij raporti, nuk ka pasur shenja se paditë do të ngrehen ndonjëherë.[86]

Ndjekjet penale vendore

Në kohën e përpilimit të këtij raporti, ishte e pamundur që me saktësi të gjendet numri i procedurave penale të ngritura për ngjarjet e marsit. Asnjë nga agjencitë ndërkombëtare që merret me sistemin e drejtësisë penale në Kosovë nuk ishte në gjendje t'i ofrojë Human Rights Watch numrin e përgjithshëm të të pandehurve të akuzuar apo për të futur në procedurë gjyqësore në të cilat marrin pjesë prokurorë dhe gjyqtarë vendorë. Departamenti i Administratës Gjyqësore nuk ka statistika komplete ndërsa prokurorët dhe gjyqtarët e intervistuar nga Human Rights Watch ishin në gjendje të japin të dhëna vetëm për numrin e procedimeve të tyre apo në gjykatat e tyre.

Informatat më të plota i ka raporti i OSBE-së për reagimin e sistemit të drejtësisë penale ndaj marsit. [87] Por, ndonëse raporti jep numrin e përgjithshëm të të pandehurve në rastet që kanë të bëjnë me marsin, ai nuk jep figura që tregojnë se sa është numri i procedurave penale dhe drejtësive të ndara nga ana e vendorëve dhe sa nga ana e ndërkombëtarëve. Raporti ka të dhënat të klasifikuara sipas gjykatave dhe komunave, por këto informata nuk mjaftojnë për të përcaktuar nëse në këto raste kanë qenë të inkuadruar edhe ndërkombëtarët. [88]

Numri i rasteve të udhëhequra nga vendorët nuk mund të përcaktohet as duke zbritur numrin e rasteve të kontrolluara nga ndërkombëtarët e DD-së pasi që nuk është e qartë nëse çdo rast i referohet një të pandehuri apo më shumë të pandehurve. Mund të zbritet numri i pesëdhjetegjashtë rasteve serioze nga numri i përgjithshëm prej 348 rasteve të mbyllura i raportuar nga DD, që do ta japë numrin prej 292 rasteve të kontrolluara nga vendorët. Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse ky numër u referohet të pandehurve individualë apo rasteve në të cilat ka pasur më shumë se një të pandehur.

Prandaj, e qartë është vetëm se shumica e procedura penale në lidhje me marsin janë nën juridiksionin e gjyqtarëve vendorë. Pasi këto raste janë më pak të ndërlikuara dhe nënkuptojnë akuza më të lehta, me të drejtë do të pritej që të ketë progres më të madh në këto raste se sa në rastet më të ndërlikuara që menaxhohen nga prokurorët ndërkombëtarë.

Por, njësoj sikur që është e vështirë të përcaktohet numri i gjykimeve për marsin pa involvimin e ndërkombëtarëve, njësoj është e vështirë të përcaktohet se sa përparim vërtetë është arritur. Të dhënat e ofruara nga OSBE-ja dhe UNMIK-u për shkallën e rasteve të mbyllura nuk i ndan ato në gjykime të kontrolluara nga vendorët apo ndërkombëtarët. Nëse gjykimet vendore përbëjnë numrin më të madh nga numri i përgjithshëm dhe nëse nisemi nga shkalla e përgjithshme e gjykimeve për përfunduara, do të arrijmë një shkallë të realizimit të përafërt me atë për numrin e përgjithshëm të rasteve (rreth gjysma). Nëse kjo do të ishte e saktë, do të ishte ky një rezultat dëshpërues, veçanërisht pasi rasteve të marsit u është thënë prioritet në sistemin gjyqësor.

Ndikimi i ristrukturimit të sistemit të drejtësisë penale

Hyrja në fuqi e Kodit të ri të procedurës penale dhe Kodit penal, në prill 2004, ka ristrukturuar në mënyrë fundamentale sistemin e drejtësisë penale në Kosovë. Kosova kaloi nga një sistem në të cilin përgjegjësia primare për sjelljen e rasteve në gjykatore binte mbi gjyqtarët hetues në një sistem në të cilin përgjegjësinë primare për të sjellë rastet në gjykatore për gjykim bie mbi prokurorët. [89] Rregullat e reja vlejnë si për prokurorët vendorë ashtu edhe për ata ndërkombëtarë.

Hyrja në fuqi e reformave kaq fundamentale për sistemin e drejtësisë penale vetëm disa javë pas dhunës më të keqe që ka parë Kosova që nga viti 1999 u bë pengesë në përpjekjet për të nxjerrë para drejtësisë ata që janë përgjegjës.

Prokurorët hetues

Sipas aranzhmaneve të reja, të gjithë prokurorët, vendorë e ndërkombëtarë, pritet që të luajnë rol qendror në fazën e hetimeve dhe involvimi i tyre është esencial për t'u siguruar që të gjitha faktet e nevojshme janë grumbulluar. Megjithatë, ndër gjyqtarët, policët dhe zyrtarët ndërkombëtarë mbretëron shqetësimi se prokurorët (veçanërisht ata vendorë) nuk janë përgatitur sa duhet për të kryer këtë rol të ri të "prokurorëve hetues" dhe nuk kuptojnë gjithmonë natyrën dhe mënyrën si zhvillohen hetimet. [90] Një zyrtar i lartë në Departamentin e Drejtësisë e përshkruan gjendje kështu: "prokurorët pa asnjë trajnim u bënë nga prokurorë që pothuajse nuk kishin punë në persona kryesorë  (të sistemit të drejtësisë penale)." [91]

Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGJK) i themeluar nga OSBE-ja është institucioni që ka mandat t'u "ofrojë gjyqtarëve dhe prokurorëve arsimin kualitativ juridik" dhe institucioni që ka marrë përgjegjësinë për të trajnuar prokurorët për ligjet e reja. [92] IGJK trajnon rregullisht të gjithë prokurorët vendorë në Kosovë. [93] Megjithatë, ndonëse ky institucion ka bërë trajnime me prokurorët vendorë për procedurat e reja penale dhe kodin penal, prokurorët vendorë ankohen se trajnimet ishin kryesisht sipërfaqësore dhe pak të përdorshme për prokurorët kombëtarë. [94] (Zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe aktorë të tjerë që veprojnë në kuadër të sistemit të drejtësisë penale në Kosovë i kanë thënë Human Rights Watch se ka pasur ankesa rreth kurrikulës dhe trajnimeve në përgjithësi të mbajtura nga Instituti. [95] )

Prokurori kryesor në një qark ku ne kemi bërë intervista tha se stafi vendor-prokurorët, gjyqtarët dhe stafi administrativ-nuk janë trajnuar seriozisht për ligjet e reja prandaj "nuk ishin gati për sfidat që i presin." [96] Një prokuror tjetër i lartë nga një qark tjetër jep një përfundim të ngjashëm, duke i shpjeguar Human Rights Watch:

Kemi pasur shumë kritika. Trajnuesit nuk ishin të kualifikuar. Prokurorët dhe gjyqtarët (që bënin trajnimin) nuk ishin gjithmonë të përgatitur mirë. Ligjëruesit nuk flisnin për tema konkrete dhe nuk bashkëvepronin. Ata (instituti trajnues) vetëm e ftonte dikë dhe i thoshte kjo është tema sot dhe ai do të vinte të ligjëronte ad hoc, në mënyrë joprofesionale. [97]

I njëjti prokuror më pas nënvizoi se prokurorët ndërkombëtarë rrallë marrin pjesë në këto trajnime e kur e bëjnë këtë, zakonisht janë ligjërues: "Të gjithë e fillojnë ligjëratën me 'në vendin tim.' Kemi gjashtëdhjetë vende këtu (tani). Ne (Kosova) kishim pesëdhjetë vite traditë. Jemi mësuar me metodologji tjetër dhe nuk mund të ndërrojmë brenda dy viteve". [98]

Stafi i Institutit Gjyqësor të Kosovës i ka thënë Human Rights Watch se mandati i tyre nuk përfshin trajnimet për prokurorë ndërkombëtarë dhe se nuk e dinë se kush do të duhej të bënte këto trajnime. Por, instituti i fton prokurorët ndërkombëtarë si ekspertë dhe ligjërues për trajnime të caktuara. [99]

Një shqetësim tjetër sa i përket kualitetit të trajnimit që i është përmendur Human Rights Watch-it është se për një numër trajnimesh të organizuara nga Instituti Gjyqësor i Kosovës është dashur të marrin si trajnues prokurorët dhe gjyqtarët vendorë (për shkak se të tjerë nuk ishin në dispozicion apo për shkak të mungesës së resurseve), madje edhe atëherë kur vet trajnuesit kanë pasur nevojë për t'u trajnuar për temat për të cilat kanë ligjëruar. [100]

Asnjë nga prokurorët e intervistuar nuk merrnin pjesë në trajnimet në terren për t'i ndihmuar ata që të kuptojnë rolin e tyre si prokurorë hetues, duke udhëhequr policinë gjyqësore në hetime. Në fakt, nuk duket se janë organizuar trajnime të këtilla. Kur Human Rights Watch ka ngritur çështjen e trajnimeve të përbashkëta të policisë dhe prokurorëve për mjekësinë ligjore dhe procedurat e hetimeve para IGJK-së, këta na janë përgjigjur se trajnime të tilla janë mbajtur dhe mbahen ende. [101]

Në anën tjetër, kur e kemi ngritur këtë çështje para zyrtarëve të lartë policor, përfshirë personat e angazhuar në organizimin e punës arsimore, na është thënë se trajnime të tilla nuk ka pasur e as që ishin planifikuar deri në kohën e përpilimit të këtij raporti. [102] Një zyrtar i lartë policor shpjegoi se kombinimi i trajnimeve të Institutit Gjyqësor të Kosovës me trajnimet në Shkollën e Policisë në Vushtrri do të ishte gjë e ndërlikuar për shkak se këto dy institucione kanë rol të ndryshëm. Ai tutje vëren se "shumë vende thonë se Kosova ka nevojë të bëjë diçka (rreth kualitetit të) prokurorëve por këto të njëjtat vende nuk ofrojnë fonde për këtë." [103]

Ka pasur vështirësi edhe në kalimin nga sistemi i vjetër në të riun. Gjatë tri javëve të para pas trazirave të marsit, gjyqtarët hetues ishin përgjegjës për procedimin e rasteve pasi ligjet e reja ende nuk kishin hyrë në fuqi.[104] Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Drejtësisë: "në mesnatën e 3 prillit, shumë prokurorëve vetëm u janë dorëzuar dosjet nga gjyqtarët." [105]

Policia gjyqësore

Për t'i ndihmuar prokurorët gjatë hetimeve, ligji i ri fut në përdorim konceptin e "policisë gjyqësore" si degë në kuadër të Shërbimit Policor të Kosovës. [106] Këta policë specialë kanë për detyrë të punojnë me prokurorët gjatë hetimeve të rasteve. Një memorandum i lëshuar disa ditë para miratimit të ligjit të ri i ka quajtur të gjithë policët në të gjitha stacionet e policisë "policë gjyqësorë" dhe bënte të kuptohej se çdo komandant i secilit stacion duhet të konsiderohet udhëheqës i policisë gjyqësore në secilin stacion. [107]

Por, përveç se është qarkulluar ky memorandum, nuk janë marrë hapa tjerë për të themeluar policinë gjyqësore. Asnjë oficer nuk është emëruar "polic gjyqësor". Nuk janë mbajtur trajnime për këtë degë të re të shërbimit policor apo për marrëdhënien që do ta kenë me prokurorët. Nuk janë vënë protokolle për të vënë raporte mes policisë dhe prokurorëve dhe nuk janë dhënë udhëzime tjera nga UNMIK-u apo DD për rolin dhe funksionin e "policisë gjyqësore". Sipas fjalëve të një zyrtari të lartë të UNMIK-ut: "koncepti (i policisë gjyqësore) ishte si një pagëzim religjioz-një uratë, pak ujë dhe përnjëherë të gjithë u bënë policë gjyqësorë". [108]

Në shkurt 2006, zyrtarë të lartë të Policisë së UNMIK-ut kanë pranuar se nuk ka plane për të operacionalizuar njësinë e veçantë të SHPK-së të policisë gjyqësore. Sipas një zyrtari të lartë: "çdo polic që vjen në Kosovë do të jetë edhe polic gjyqësor; SHPK-ja, të gjithë, do të jenë policë gjyqësorë". [109]

Prokurorët vendorë të intervistuar nga Human Rights Watch shprehën brengën e tyre për shkak të mungesës së bashkëpunimin me Shërbimin Policor të Kosovës, edhe pse kësaj force i është dhënë detyra që të mbështesë prokurorët gjatë hetimeve. Një prokuror thotë:

Paramendoni që kam një rast që tek unë arrin pas një viti. Unë nuk mund të përmirësoj asgjë, asnjë gabim që ka bërë policia. Sikur të kisha qenë i angazhuar prej fillimit, do të mund të isha përgjegjës, por tani nuk kam argumente. Nuk mund ta përfundoj rastin.[110]

Duke pasur parasysh dështimin për të krijuar si duhet policinë gjyqësore, nuk është për t'u habitur që ka shqetësime serioze për shkak të mosangazhimit të SHPK-së që të punojë me prokurorët gjatë hetimeve, qoftë në ato për ngjarjet e marsit por edhe për rastet tjera në përgjithësi. Zyrtarë të lartë të SHPK-së i kanë thënë Human Rights Watch se shkak për këtë është se nuk është sqaruar identiteti dhe roli i policisë gjyqësore në kuadër të secilit stacion policor, duke lënë të kuptohet se tani për tani u lihet vet prokurorëve të gjejnë policët që munden (dhe janë të gatshëm) t'u ndihmojnë rreth hetimeve.[111] Vlerësimet e tyre tregojnë për mungesë shqetësuese të pjesëmarrjes mbi këtë proces.

Mungesa e përparimit mund të shpjegohet pjesërisht me skepticizmin e zyrtarëve të lartë policorë ndërkombëtarë për rëndësinë e tërë iniciativës për të pasur polici gjyqësore. Zyrtarë të lartë, në intervista me Human Rights Watch, kanë shprehur brengën se dallimi i punës mes policëve "gjyqësorë" dhe atyre të "zakonshëm" në një forcë policore që ende është duke bërë hapat e parë rrezikon që të ulë iniciativat dhe efikasitetin në përgjithësi. [112]

Në anën tjetër, prokurorë vendorë e ndërkombëtarë i kanë thënë Human Rights Watch se e mbështesin krijimin e degës së policisë të specializuar dhe me mandat të qartë për të punuar me prokurorët. Prokurorët vendorë në veçanti janë shprehur të frustruar me gjendjen ekzistuese, duke thënë se kur kërkojnë informata apo punë të mëtutjeshme hetuese nga ndonjë polic, këta shpeshherë refuzojnë të ndihmojnë. [113]

Zyrtarët e Zyrës së Këshilltarit Ligjor të PSSP-së janë shprehur të habitur me faktin që kaq pak është bërë në krijimin e policisë gjyqësore dhe në bashkëpunimin efikas të policisë me prokurorët, duke vërejtur se përfshirja e konceptit të policisë gjyqësore në ligj ka shënuar një hap të Kosovës drejt asaj që njëri e quajti "sistem modern" dhe hap të rëndësishëm drejt administrimit efikas të drejtësisë. [114]

Roli i forcës policore civile të Kombeve të Bashkuara

Operacioni special policor i dështuar

Në maj 2004, policia e Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka themeluar operacionin hetues special të udhëhequr nga ndërkombëtarët-"Operacioni Thor"-për të kryer hetime penale në lidhje me ngjarjet e marsit. Arsye për këtë si duket ishte mungesa e besimit ndër policinë e OKB-së në aftësitë e policisë vendore që të grumbullojë dëshmitë e nevojshme për të ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës për dhunën e marsit 2004. Ekipet operacionale janë themeluar nëpër stacionet e policisë në të gjitha komunat e prekura dhe janë plotësuar me hetues specialë të marrë nga postet tjera nëpër Kosovë apo edhe janë rekrutuar jashtë Kosovës. Më shumë se njëqind hetues kanë qenë pjesë e operacionit "Thor" deri në fillim të janarit 2005 kur operacioni është ndërprerë.[115]

Shumë policë ndërkombëtarë dhe zyrtarë të gjyqësisë në intervista me Human Rights Watch kanë thënë se operacioni "Thor" është ndërprerë për shkak të mos-efikasitetit.[116] Një zyrtar i lartë i Policisë së UNMIK-ut i ka thënë Human Rights Watch se operacioni është anuluar për shkak të "menaxhimit të dobët dhe mungesës së rezultateve". [117] Sipas një zyrtari në Departamentin e Drejtësisë: "mbretëron bindja se Thor ka qenë reagim politik dhe nuk ka funksionuar mirë". [118]

Një zyrtar i lartë i policisë ndërkombëtare, i afërt me operacionin, i ka thënë Human Rights Watch se operacioni ishte "punë e rëndë dhe hetime të shumta me pak fryte". Ai lë të kuptohet se përkundër faktit që janë nisur më tepër se njëmijë hetime penale, ka pasur shumë pak rezultate të prekshme, që shihet nga përparimi i kufizuar në ngritjen e aktpadive për krime serioze apo më të lehta të kryera gjatë marsit.

I njëjti zyrtar i ka thënë Human Rights Watch se mungesa e bashkëpunimit të komunitetit shumicë dhe atyre pakicë në pjesën më të madhe shpjegon dështimin e operacionit që të sigurojë dëshmitë e nevojshme për të mundësuar ndjekjet penale. Ai gjithashtu identifikoi mungesën e qasjes tek viktimat apo dëshmitarët si një pengesë tjetër, veçanërisht mungesën e qasjes tek personat e zhvendosur për shkak të trazirave por edhe tek policët dhe ushtarakët ndërkombëtarë që tani kishin përfunduar misionin.[119]

Zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë të intervistuar nga Human Rights Watch përmendën shqetësime të njëjta. Ata gjithashtu nënvizuan vështirësitë në grumbullimin e fakteve për rastet e lidhura me trazirat për shkak se prioritet për policinë në atë kohë ishte që të ndalë trazirat e jo të ruajë dëshmitë dhe të identifikojë dëshmitarët.[120] Zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë gjithashtu thanë se rotacioni i shpeshtë i policisë ndërkombëtare pengon hetimet e vazhdueshme, duke cenuar edhe efikasitetin e operacionit Thor. [121]

Një zyrtar i OSBE-së vëren se rotacioni i personelit prek edhe rastet në fazën e gjykimit kur dëshmitarë ishin oficerët. [122] Në shumë raste, oficerët që dëshmuan u paraqitën në dëgjimet e para por ata tanimë kishin përfunduar misionin kur filluan gjykimet. Pasi që gjyqet nuk kishin marrë dëshmitë e tyre-qoftë gjatë procedurës hetimore apo në seanca dëgjimi të veçanta-në prezencë të mbrojtjes, dëshmitë e tyre nuk mund të përdoreshin gjatë gjykimit. Nuk ka fonde që këta dëshmitarë të sillen në Kosovë për të dhënë dëshminë (vendimi për t'u kthyer është lënë i hapur për dëshmitarët potencialë) e as që janë menduar alternativa për të bërë një dëshmi të drejtpërdrejtë me anë të një videokonference apo telekonference.

Një prokuror vendor i intervistuar nga Human Rights Watch ishte kritik ndaj dështimit për t'u fokusuar në grumbullimin e dëshmive që në fillim:

Kanë mundur të bëjnë më tepër xhirime gjatë trazirave. Nuk i kanë intervistuar dëshmitarët menjëherë. Nuk i kanë arrestuar njerëzit menjëherë. Pas disa ditëve, pasi kanë shikuar videoxhirimet e të tjerëve, kanë provuar që të bëjnë arrestime. Në gjykatën e qarkut (në rajonin tonë) nuk kemi më tepër se dhjetë raste. Më vjen turp pasi edhe unë vet jam dëshmitar. Kam parë mijëra njerëz dhe nga tërë kjo kam vetëm dhjetë raste. Është aq simbolike dhe është mashtrim.[123]

Një gjyqtar vendor shpreh shqetësime të ngjashme: "Hetimet nuk janë bërë si duhet. Nëse do të kishin qenë atëherë qytetarët dhe njerëzit këtu do të duhej të ishin marrë në pyetje".[124]

OSBE-ja, në një raport të dhjetorit 2005 për reagimin e sistemit të drejtësisë penale ndaj trazirave të marsit ia ka atribuuar rezultatet e dobëta të operacionit Thor organizimit të dobët dhe personelit po aq sa edhe çështjes së hetimeve dhe qasjes tek dëshmitarët. Sipas këtij raporti:

. . . hetuesit nuk i kishin përmbushur kërkesat profesionale për pozitat e tyre, sa i përket aftësive për të folur gjuhën angleze dhe të përvojës aktuale për hetuesi. Për më shumë, një numër i hetimeve ishte i ndikuar nga pengesat të paraqitura për shkak të faktit se hetuesit do të kryenin kontratat e tyre, dhe se do ta linin misionin. "Operacioni Thor" gjithashtu e kishte krijuar një bazë elektronike të të dhënave në të cilën duhej të regjistrohej çdo veprim që ndërlidhet me rastet e trazirave. Përveç pranimit të të dhënave, kjo bazë e të dhënave gjithashtu do të mund të shërbente për të zbuluar informacione nga ndonjë hetim që do të ishin të dobishme për hetime tjera. Megjithatë, OSBE ishte informuar nga përfaqësuesit e "Operacioni Thor" se kjo bazë e të dhënave faktikisht ishte e pa shfrytëzuar dhe gjithashtu e pashfrytëzueshme. [125]

Këto shqetësime janë përmendur edhe nga zyrtarë të lartë të policisë të intervistuar nga Human Rights Watch. Zyrtarët përshkruan edhe problemet me këtë bazë të të dhënave. Shumë shënime janë shkruar gabimisht, njësoj si edhe emrat e personave të identifikuar apo lokacionet, duke e bërë të pamundur kërkimin e të dhënave në bazën e të dhënave. Zyrtarët thanë se kjo bazë e të dhënave më nuk konsiderohet burim i informatave për hetimet.[126] Human Rights Watch ka dëgjuar nga disa edhe se baza e të dhënave më nuk mund të përdoret. [127]

Shkëputja e operacionit nga sistemi i drejtësisë penale

Duke folur për të arriturat e drejtësisë penale në rastet e marsit 2004, një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë pranon se ndoshta "Thor e ka bërë përkeqësuar gjendjen".[128] Një zyrtar i lartë i Policisë së UNMIK-ut në një intervistë për Human Rights Watch pranon se "atë kohë mendohej që të krijohej një sistem qendror i hetimeve, por i humbëm oficerët vendorë dhe zërat e tyre".[129]

Pasi që nuk ishte i integruar në sistemin e drejtësisë penale, dështimi i operacionit Thor pati ndikim jo vetëm në hetimet për marsin 2004 por pat efekt edhe më të madh duke prekur reformat e sistemit të drejtësisë penale. Të reagohet ndaj dhunës së marsit ishte sfidë e madhe për sistemin e ri të hetimeve të krimeve dhe për përgjegjësitë e reja të policisë dhe prokurorëve. Dhe, në vend se të investohej që ky sistem të bëhej efikas, UNMIK-u vendosi që të ndërmarrë një operacion të ndarë nga ai. Duke bërë këtë tëhuajsuan Shërbimin Policor të Kosovës dhe padyshim nuk lanë të shihet rëndësia e operacionalizimit të degës së re të policisë që do të duhej të mbështeste prokurorët në rolin e tyre hetues.

Është vështirë të mos arrihet në përfundimin se energjitë e shpenzuara në këtë operacion do të kishte qenë më mirë të shfrytëzohen për përmirësimin e efikasitetit të njësive dhe stacioneve policore ekzistuese duke i ndihmuar edhe që të operacionalizojnë përgjegjësitë e reja të mbështetjes së prokurorëve në përgatitjen e rasteve për gjykim.

Shqetësimet rreth mbrojtjes së dëshmitarëve

Gjatë punës hulumtuese, Human Rights Watch shpesh ka dëgjuar zyrtarët e UNMIK-ut të flasin për "murin e heshtjes"-apo refuzimin e komuniteteve të Kosovës që të bashkëpunojnë me policinë në hetimet penale. Edhe pse mund të ketë pak të vërtetë në këtë, Human Rights Watch frikësohet se institucionet ndërkombëtare në Kosovë kanë dështuar që seriozisht të adresojnë çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve që do të mund të kishte inkurajuar njerëzit që të flasin.

Sipas një këshilltari politik në Zyrën e PSSP-së: "Nuk ka mur të heshtjes. Njerëzit janë të gatshëm të flasin. Policia e UNMIK-ut e shfrytëzon këtë si arsyetim. Natyrisht që nuk do të shkojnë tek policët e UNMIK-ut dhe t'u tregojnë se çfarë kanë parë pa pasur garanca se do të jenë të sigurt". [130] Një gazetar dhe drejtor i një rrjeti gazetaresk në rajon flet ngjashëm:

Nuk mund t'i dëgjoj më këto arsyetime për murin e heshtjes. Nuk dua të dëgjoj më se njerëzit janë një kope idiotësh, se janë një fis dhe nuk flasin me të tjerët. Kam vizituar familje në perëndim të Kosovës (duke bërë hulumtime për një storie) dhe ata as që i ka pyetur ndokush ndonjë gjë. Nëse muri i heshtjes është problem atëherë asnjëherë nuk ka pasur një fushatë të policisë për të dalë të bisedojnë me njerëzit. Tregoni se keni një strategji dhe merruni me problemin. [131]

Ndonëse frikësimi i dëshmitarëve është pranuar që moti si pengesë serioze për funksionimin e duhur të sistemit të drejtësisë penale në Kosovë, çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve asnjëherë nuk është adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse nga aktorët ndërkombëtarë të ngarkuar me menaxhimin e sistemit e drejtësisë penale në Kosovë.

Zyrtarët e policisë ndërkombëtare argumentojnë se mbrojtja e dëshmitarëve është gjë e vështirë në një vend të vogël si Kosova, ku komunitetet janë relativisht të vogla në numër ndërsa rrjetet familjare e të komunitetit janë të gjëra, duke bërë pothuajse të pamundur që dëshmitarët të mbeten anonimë. Raporti i OSBE-së për trazirat e marsit tregon se kjo ishte veçanërisht shqetësuese për policët nga të cilët ishte kërkuar që të jenë dëshmitarë në gjykime. [132]

Disa oficerë policorë i kanë thënë Human Rights Watch se rilokimi i dëshmitarëve ofron zgjidhje më të mirë se sa masat për mbrojtjen e dëshmitarëve. [133] Një zyrtar i lartë i Policisë së UNMIK-ut argumenton se "sistemi aktual i mbrojtjes së dëshmitarëve (në Kosovë) më shumë i ngjan burgut pasi burgimi do të ishte mënyra e vetme për t'i mbrojtur (dëshmitarët)". [134]

Aktualisht nuk ka asnjë opcion për rilokim sepse qeveritë në BE dhe vendet tjera nuk janë të gatshme të marrin dëshmitarë nga Kosova. [135] Deri sa mbrojtja e dëshmitarëve nuk pranohet si pengesë në përparimin në kërkimin e përgjegjësisë dhe nuk vihet lartë në agjendën politike, vështirë se gjërat do të ndryshojnë.

Paralelisht me futjen e kësaj çështjeje në listën e  prioriteteve, të gjitha agjencitë përgjegjëse për sistemin e drejtësisë penale duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar mbrojtje për dëshmitarët në Kosovë. Vetëm rilokimi nuk mjafton që të zgjidhet problemi i frikësimit të dëshmitarëve dhe nuk mund të jetë zëvendësim për një regjim mbrojtës sistematik dhe të besueshëm që do të inkurajonte dëshmitarët që të flasin.

Programet konkrete për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë kërkojnë rregulla e procedura më të mira. Konkretisht, UNMIK-u, OSBE-ja, Policia e UNMIK-ut, SHPK-ja dhe Ministria e Drejtësisë duhet të bashkëpunojnë që të përmirësojnë mekanizmat për kontaktim të dëshmitarëve; të zhvillojnë masa mbrojtëse më të mira që do t'ua mundësonin dëshmitarëve të japin dëshmi pa u zbuluar identiteti i tyre, siç janë aparatet për ndryshimin e zërit apo dëshmitë e dhëna nëpërmjet video-linkut; të shkurtohet koha deri në fillimin e gjykimit që vë në rrezik dëshmitarët; të përmirësohet bashkëpunimi mes prokurorisë dhe policisë; të qartësohen edhe më shumë rregullat që ndalojnë zbulimin e identitetit të dëshmitarëve; si dhe të hetohen dhe ndjekjen penalisht të gjithë ata që marrin guximin të pengojnë dëshmitarët dhe të merren masa për t'u siguruar që përpjekjet për frikësimin e dëshmitarëve sjellin dënime me burgim me kohë të gjatë.[136]

Pasiviteti i policisë dhe mospërfundimi i hetimeve

Është më se e qartë që policët ndërkombëtarë që ishin caktuar në Operacionin Thor kanë luajtur rol tepër pasiv në hetime dhe shpesh pritnin që dëshmitarët potencialë apo informatorët të vijnë tek ta.[137] Kur Human Rights Watch ka intervistuar pakicat e zhvendosura gjatë trazirave të marsit 2004, në shtator dhe tetor 2005, ishte e qartë që ndonëse disa prej tyre ishin kontaktuar në javët pas dhunës nga gazetarë, OJQ humanitare dhe organizata për të drejtat e njeriut, vetëm një numër i vogël i tyre janë kontaktuar nga policia për të mësuar se çfarë dinë ata. Asnjë nga ata që ne kemi intervistuar nuk janë ftuar që të dëshmojnë në ndonjë proces gjyqësor.

Ata që kanë pasur kontakte me hetuesit i kanë shprehur Human Rights Watch frustrimin e tyre me pasivitetin e tyre dhe me mos përfundimin e tyre. N.N., një dyzetenëntëvjeçar i zhvendosur,[138] e përshkruan kështu përvojën e tij me hetuesit:

Policët ndërkombëtarë na ftonin ndaras për të dhënë deklarata por kurrë nuk na është thënë se çfarë ka ndodhur më pas. Mendoj se askush nuk është nxjerrë para drejtësisë dhe askush nuk ka për qëllim që t'i gjejë këta-sepse sikur të dëshironin, do t'i kishin gjetur deri tani, sidomos qeveria e Kosovës dhe SHPK-ja (të cilët) ishin dëshmitarët më të mirë... Policët vëzhgonin nga afër derisa (turma) hidhte gurë dhe nuk i ndalnin.[139]

Një çift i moshuar serb i zhvendosur nga dhuna e marsit, gjashtëdhjetëvjeçari A.A. dhe gruaja e tij pesëdhjetëvjeçare, i kanë treguar Human Rights Watch për një rast edhe më ekstrem të koordinimit dhe përcjelljes së dobët. Çifti është rrahur në një sulm më 17 mars në të cilin u shkatërrua tërë fshati i tyre. Por, përkundër asaj se janë intervistuar vazhdimisht nga policia, ende nuk është bërë asgjë. A.A. flet për përvojën e tij:

Turma erdh dhe na nxori jashtë dhe po na rrihnin. Nuk ishte natë por ditë kështu që të gjithë mund të shihnin. . . Më e keqja ishte se unë u tregova (policëve dhe ndërkombëtarëve) se kush i ka bërë gjithë këto gjëra e ata më pyetën këtë gjë aq shumë herë dhe çdo muaj vinin njerëz tjerë. Kishte plot ndërkombëtarë. Të gjithë ata që vinin merrnin shënime kështu si ju dhe kurrë nuk bënë asgjë. Askush nuk na ka ftuar. Na kanë premtuar se do të na ftojnë. [140]

A.A. tregon se në natën e sulmit ai dhe gruaja e tij i kanë dhënë deklarata një grupi të policëve ndërkombëtarë e vendorë për atë se çfarë ka ndodhur dhe cilët kanë qenë autorët e krimeve. Ai i ka thënë Human Rights Watch se çifti ka dhënë deklarata tjera para policëve ndërkombëtarë, çdo muaj, për gati dhjetë muaj rresht. Çifti tregon se janë intervistuar nga shumë policë të ndryshëm gjatë kësaj kohe e në disa raste edhe u janë treguar fotografi të kryesve të pandehur të veprave penale të cilët këta i kanë identifikuar para policisë. A.A. thotë se pas çdo intervistimi, policia u ka thënë "të shkojnë në shtëpi dhe ata do të bëjnë çdo gjë që është e mundur. Ata madje na kanë thënë (gruas time dhe mua) se do t'i sjellin njerëzit që ne identifikuam në stacion ashtu që të përballemi me ta, por kjo kur nuk ka ndodhur".

Më në fund, pas dhjetë vizitave në stacionin e policisë ku kanë dhënë të njëjtat deklarata para policëve ndërkombëtarë nëpërmjet përkthyesve, A.A. dhe gruaja e tij humbën besimin në këtë proces dhe i thanë policisë se ata nuk e njohin asnjë dhe nuk dinë asgjë për krimet. Policia i pyeti se "si nuk i njihni fqinjët tuaj të parë?". Kur A.A. u përgjigj se nuk di asgjë dhe se më nuk dëshiron të vijë në stacion, ata i ndërprenë vizitat.[141]

Human Rights Watch ishte në gjendje që të konfirmojë në takime me përfaqësuesit komunalë që punojnë në zonën prej nga janë dëbuar A.A. dhe gruaja e tij, por edhe nga policë në shtabin rajonal të policisë, se hetimet nuk janë vazhduar nga prokurorët, përkundër involvimit të gjatë të ndërkombëtarëve.[142] Asnjë nga zyrtarët e intervistuar nga Human Rights Watch nuk ka thënë se A.A. nuk është dëshmitar kredibil.

V.V. gjashtëdhjetepesë vjeçare, ende e zhvendosur nga trazirat e para dy viteve, i ka thënë Human Rights Watch se ajo do t'u kishte treguar policëve çfarë di për djegien e shtëpisë së saj dhe për atë se çfarë ka parë ajo, por "nuk dinim kujt t'i drejtohemi. Ata (ndërkombëtarët) vetëm na kanë sjellë këtu. . . Nuk dimë asgjë. Na thanë të rijmë këtu dhe të mbyllim gojën".[143]

Është e mundur që shumë raste që do të kishin qenë shumë të lehta për t'u zgjidhur, tani janë më të vështira sepse viktimat janë larguar nga Kosova apo është bërë më vështirë që të gjinden në Kosovë. Por Human Rights Watch ka vërejtur pasivitet dhe ngecje në punën e Policisë së UNMIK-ut edhe në rastet kur incidentet kanë qenë të dokumentuara shumë mirë ndërsa dëshmitarët ishin të gatshëm dhe ishin në dispozicion të dëshmojnë.[144]

Roli i Shërbimit Policor të Kosovës

Edhe pse Shërbimi Policor i Kosovës është dashur të ketë rol qendror në hetimet për dhunën e marsit, Operacioni Thor e ka anashkaluar atë në masë të madhe. Përgjegjësia primare për hetimet është transferuar në njësinë rajonale të krimeve në kuadër të SHPK-së vetëm atëherë kur Operacioni Thor është pezulluar. Kjo vonesë ka kontribuar në mungesën e përparimit në disa instanca pasi gjurmët janë humbur ndërsa dëshmitarët më nuk ka qenë aq lehtë të gjinden.

Në së paku një rast që ka rezultuar me ndjekje penale të suksesshme, hetimet janë bërë krejtësisht vetëm nga SHPK-ja.[145] Por, ka shqetësime serioze edhe për efikasitetin e Shërbimit Policor të Kosovës në hetimin e dhunës së marsit 2004.

Prokurorët i janë ankuar Human Rights Watch për pasivitet të policisë dhe mungesë të përcjelljes së rasteve që kishin të bënin me marsin. Sipas fjalëve të njërit: "pasiviteti i policisë është problem i madh. Policia na sjell shumë të dhëna, kërkon nga ne që t'i mbyllim rastet, por vet nuk bën asgjë. . . Ne po bëjmë presion për këto rastet e trazirave por policia ende nuk është e përkushtuar".[146] Shqetësues është edhe koordinimi i dobët me Policisë e UNMIK-ut për të cilën gjë nuk mund të fajësohet vetëm Operacioni Thor. Siç u tha më lartë (në seksionin "Ndikimi i ristrukturimit të Sistemit të drejtësisë penale në prill 2004"), hulumtimet tona tregojnë se SHPK-ja ka dështuar të marrë përgjegjësitë e reja që të ndihmojë prokurorët në hetimet e tyre për rastet e marsit, hap ky me pasoja të mëdha për hetimet.

Koordinimi i dobët me Policinë e UNMIK-ut

Human Rights Watch ka dëgjuar shumë ankesa për koordinim të dobët mes SHPK-së dhe Policisë së UNMIK-ut. Një nga rastet më shqetësuese është treguar nga Z.Z., një pesëdhjetenjë vjeçar me aftësi të kufizuara. Z.Z. i ka thënë Human Rights Watch se ai dhe nëna e tij janë rrahur rëndë në shtëpinë e tyre gjatë trazirave. Pas sulmit ai ka qenë dëshmitarë se si fqinjët e tij-të cilët i ka njohur mirë-kanë vjedhur e dëmtuar pjesën më të madhe të posedimeve të familjes. Ata pastaj i kanë vënë zjarrin shtëpisë derisa Z.Z. dhe nëna e tij ishin brenda. Nga flakët i nxorën ushtarët e KFOR-it. Z.Z. ka raportuar për rastin në SHPK menjëherë pas ngjarjes por, siç i tha Human Rights Watch, "asgjë nuk është bërë".

Kur Human Rights Watch ka pyetur Z.Z.. nëse Policia e UNMIK-ut ka qenë e involvuar në hetime, ai u përgjigj se "disa oficerë çekë kanë qenë disa herë dhe me kanë thënë t'u tregoj përsëri se çfarë ka ndodhur. U thashë që të marrin deklaratën time nga SHPK-ja. Ata asnjëherë nuk e kanë vazhduar punën-apo nëse e kanë bërë këtë, mua nuk më kanë treguar". Duke hezituar, më shikon dhe më pyet me sinqeritet: "A mos kam gabuar? Unë i dhashë të gjithë emrat".[147]

Human Rights Watch ka intervistuar policë vendorë dhe zyrtarë të komunës në rajonin prej nga është Z.Z. për sulmin kundër tij dhe nënës së tij, por nuk ka gjetur asnjë fakt që do të tregonte se është ndërmarrë çfarëdo hapi në lidhje me këtë rast.[148]

Reagimi joadekuat në pandehmat për sjellje të keqe të SHPK-së gjatë trazirave

Zyrtarë ndërkombëtarë i kanë thënë Human Rights Watch se personat e zhvendosur, e në disa raste, disa të kthyer, u kanë parashtruar pyetje gjatë vizitave në terren pse nuk ka përparim në ndjekjet penale dhe i kanë emëruar të dyshuarit që nuk janë akuzuar për ngjarjet e marsit.[149] Ndër ata që kanë bërë krime përmenden edhe pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës.

Kjo del në dëshmitë e marra nga Human Rights Watch gjatë hulumtimeve në pranverë të vitit 2004 për dhunën e marsit.[150] Kemi dëgjuar shumë pandehma për dështim të policëve të Shërbimit Policor të Kosovës që të veprojnë gjatë trazirave për të ndaluar dhunën dhe krimet të orientuara kundër komuniteteve pakicë por edhe pandehma për rastet kur vet policët kanë marrë pjesë në to.

Në disa vende thuhet se policët kanë qëndruar anash dhe vetëm kanë shikuar derisa shtëpitë e pakicave janë djegur e plaçkitur, ndërsa në një rast tjetër tregohet se si policia i është bashkuar turmës që sapo i kishte vënë zjarrin një shtëpie. Ka pasur raporte edhe se mosveprimi i policisë ka lejuar rrahjet e rënda të minoritarëve të sulmuar gjatë trazirave, dhe në një rast, një i intervistuar që vjen nga një komunitet që ishte cak i sulmeve të turmës tregoi se është rrahur, keqtrajtuar verbalisht dhe arrestuar pa të drejtë nga policia, derisa turma qëndronte anash duke dhënë përkrahjen e vet.

Këto shqetësime janë dëgjuar gjithandej nëpër Kosovë gjatë intervistave të Human Rights Watch të bëra në vjeshtë të vitit 2005 me pakicat e zhvendosura nga dhuna.[151] OSBE-ja ka marrë raporte të ngjashme nga pakicat e zhvendosura, që pandehin se oficerët e SHPK-së nuk kanë ndërmarrë masa që të pengojnë sulmet gjatë trazirave e në disa raste madje kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në aktet e dhunshme.[152]

Personeli i Policisë së UNMIK-ut ka deklaruar për Human Rights Watch se janë iniciuar gjashtëdhjeteshtatë procedura hetimore penale kundër oficerëve të SHPK-së por asnjë nga këto nuk ka rezultuar me fillimin e procedurës penale. Duke pasur parasysh seriozitetin dhe natyrën specifike të këtyre akuzave për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në dhunën e drejtuar kundër pakicave dhe kundër shtëpive të tyre që janë deponuar nga një numër i dëshmitarëve të intervistuar nga Human Rights Watch dhe të tjerët, është për t'u habitur që nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

Dyzetenjë ankesa i janë drejtuar Njësisë për standarde profesionale të Policisë së UNMIK-ut që është përgjegjëse të gjejë nëse duhet të ketë procedurë administrative. Njëzet oficerë qenë suspenduar në fillim deri sa të shqyrtohen rastet e tyre, por deri në shtator 2005 shtatë nga këta oficerë janë kthyer në vendet e tyre pa ndonjë pasojë.[153] Një hetues i lartë i ka thënë Human Rights Watch-it se në fund, vetëm dy oficerë mund të sanksionohen për rolin e tyre në trazirat e marsit.[154]

Në tetor 2005, Njësia e standardeve profesionale është bartur tek Shërbimi Policor i Kosovës. Në intervistat e bëra në shkurt 2006 me këtë njësi, Human Rights Watch nuk ishte në gjendje që të mësojë më tepër për statusin e hetimeve për të pandehmat për lëshime në detyrë nga ana e policisë gjatë dhunës së marsit 2004, përfshirë këtu edhe pandehmat për dështim në parandalimin e veprave kriminale gjatë trazirave apo edhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në aktet kriminale gjatë trazirave.[155]

Ndonëse transferimi i paradokohshëm i kësaj detyre si dhe mungesa e memories institucionale mund të jenë një pjesë e arsyes për mungesën e informatave për këtë çështje, është shqetësuese që zyrtarët e lartë në stacionin qendror nuk dinin për atë se deri ku kanë shkuar hetimet për sjelljen e policisë gjatë trazirave të marsit 2004. Arsyetimi i zyrtarëve të njësisë për standardet profesionale-se nuk ka mjaft komunikim përbrenda SHPK-së-nuk qëndron kur kihet parasysh sa të rëndësishme janë këto hetime për tërë kredibilitetin dhe integritetin e policisë dhe për konfidencën e opinionit publik në punën e tyre.[156]

Oficerët e SHPK-së dhe stafi administrativ që punon në stacionet policore komunale, të intervistuar nga Human Rights Watch-përfshirë disa oficerë që shërbejnë si kryesues të tërë forcës në atë komunë apo rajon-nuk ishin të informuar për hetime, procedura disiplinore apo sanksione në lidhje me sjelljen e SHPK-së gjatë trazirave të marsit. Përkundrazi, bindja e hasur më së shpeshti ishte se policia, e veçanërisht SHPK-ja, janë ata që i kanë shpëtuar gjërat dhe për këtë ata duhet të lavdërohen. Kur Human Rights Watch e ka pyetur një zëvendësshef të policisë rreth sanksioneve kundër policëve për dështimet profesionale gjatë ngjarjeve të marsit, personi nuk dinte fare për lëshimet profesionale apo për aksione disiplinore por tha se "duhet të jenë ndarë mirënjohje për kryerjen e punës me sukses"[157]

Kur Human Rights Watch ka pyetur një oficer që punon në Akademinë Policore për atë nëse ka pasur ndërrime në kurrikulë për shkak të trazirave të marsit 2004, na është thënë se nuk ka ndërruar asgjë dhe se, kur shikohet prapa, policia ka bërë çdo gjë që ka mundur dhe ditur në ato kushte. Ky oficer nënvizon se sikur të ndodhnin përsëri ngjarje të ngjashme, reagimi do të ishte i njëjtë, që tregon se dështimi është rezultat i rrethanave e jo reflektim i trajnimit, mungesës për të vepruar apo aftësisë së policisë për të vepruar.[158]

Edhe pse ka shumë raste të sjelljes shembullore të policisë dhe veprime të guximshme të individëve gjatë trazirave të marsit, është për t'u shqetësuar që zyrtarët sikur zëvendës-komandanti i policisë i përmendur më lartë-por edhe shumë të tjerë të intervistuar-refuzojnë të pranojnë se ka pasur raste kur policia nuk ka qenë në nivel të detyrës. Dështimi për t'u adresuar çështja e sjelljes joprofesionale nga ana e policëve ka gjasa të dëmtojë respektin për forcën policore, veçanërisht ndër komunitetet pakicë. Gjithashtu do të ketë ndikim edhe në gatishmërinë e dëshmitarëve potencialë që të japin informatat që kanë dhe do të forcojë bindjen se për viktimat të cilave u shkelen të drejtat e njeriut në Kosovë askush nuk jep përgjegjësi.

Roli i prokurorëve

Mu në hetimet për ngjarjet e marsit bëhet e qartë se prokurorët vendorë e ndërkombëtarë nuk kanë përvetësuar si duhet përgjegjësitë e tyre të reja-që të udhëheqin në hetime dhe të mbikëqyrin dhe drejtojnë punën e policisë që mbështet këto hetime. Ndonëse problemet me trajnime mund të jenë njëfarë arsyetimi për këtë dështim, të bën përshtypje edhe mosgatishmëria e prokurorëve të intervistuar nga Human Rights Watch që të ndihen përgjegjës për progresin e paktë në kërkimin e përgjegjësisë për marsin dhe preferojnë që në vend të kësaj të fajësojnë policinë.

Prokurorët vendorë

Prokurorët vendorë njëzëri shprehen se nuk kanë qenë pjesë e hetimeve as të policëve ndërkombëtarë as të atyre vendorë dhe rastet kanë arritur në duart e tyre disa muaj pas ngjarjeve të marsit. Në një rajon që ne e vizituam, pjesa me e madhe e rasteve që kanë të bëjnë me marsin nuk u ishin dorëzuar prokurorëve deri në vitin 2005-së paku në një rast kjo është bërë në dhjetor 2005, pra më shumë se një vit e gjysmë pasi kanë ndodhur incidentet.

Prokurorët kanë shprehur bindjen e tyre se sikur ata të kishin qenë të inkuadruar që nga fillimi "tani kjo punë do të ishte histori".[159] Por ky qëndrim zbulon edhe mungesën e iniciativës ndër prokurorët. Duke pasur parasysh kompetencat e reja që u janë dhënë, prokurorët është dashur që të kërkojnë të punojnë me policinë e jo vetëm të presin që t'u vijnë në dorë rastet.

Edhe pse rruga e zakonshme e hetimeve sipas ligjit të ri është që policia raporton tek prokurorët për krimet, mbetet e hapur edhe mundësia që prokurorët vet të iniciojnë hetimet. Ne nuk kemi gjetur asnjë dëshmi se kjo është bërë për rastet e marsit. Kjo bëhet veçanërisht shqetësuese kur është fjala për prokurorët vendorë që jetojnë dhe punojnë në komunitetet e prekura nga dhuna e marsit 2004.

Disa nga gjyqtarët me të cilët kemi biseduar kanë shprehur brengën e tyre me faktin që prokurorët që punojnë në gjyqet e tyre "vetëm sa dorëzojnë atë që atyre u jep policia. Ata vet nuk bëjnë hetime edhe pse sipas ligjit duhet të bëjnë hetime".[160] Më tutje ata shpjegojnë se kur ua kanë shprehur këto shqetësime prokurorëve, "ata (prokurorët) janë përgjigjur se janë pak dhe se nuk kanë kohë për të bërë hetime. Por kjo (hetimet e prokurorëve) është thelbësore për sistemin e drejtësisë. Njëherë duhet të verifikojmë dëshmitë e pastaj të shpallim dënimin. Fundi i fundit, jemi duke vendosur për fatin e një njeriu".[161] Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë vlerëson se kjo ka rezultuar me atë që gjyqtarët vendorë ende mbesin të involvuar në hetime më shumë se sa parashihet me ligj dhe shton se përkundër ndërrimeve në ligj, në shumë vende në Kosovës punohet "me të vjetrën".[162]

Një arsye për mungesën e iniciativës ndër prokurorët mund të jetë mungesa e përgatitjes dhe trajnimit për ligjin e ri dhe ndikimin që do të ketë në punën e tyre. Një prokuror pranon hapur për Human Rights Watch se "ne (prokurorët) jemi me kilometra larg nga detyrat që duhet t'i kemi sipas ligjit të ri. Nuk jemi të përgatitur për të luajtur atë rol... I kam 450.000 banorë që duhet përfaqësuar para gjykatave me vetëm katër prokurorë. Nuk kemi kualitet, vetëm kuantitet".[163]

Por, një prokuror tjetër vendor i intervistuar nga Human Rights Watch nuk dukej i gatshëm që të pranojë përgjegjësinë dhe në vend të kësaj mundohej që fajin t'ia hedhë policisë. Një prokuror vendor më i shtyrë në moshë thotë se "(në Kosovë) na nevojitet një polici më vigjilente dhe më efikase se sa shkelësit e ligjit... E si mund të bëni dikë polic me vetëm pesë muaj trajnim?"[164] Një tjetër, me dyzetepesë vjet përvojë, mendon njësoj kur thotë "nuk di se kush po i trajnon këta policë... Nëse policët nuk e bëjnë punën si duhet, atëherë as ne nuk mund të jemi të suksesshëm".[165] Një prokuror në një gjykatë të qarkut thotë se sipas mendimit të tij profesional, hetimet në rastet e marsit kanë dështuar sepse "policia nuk ka bërë punë sistematike në identifikimin e kryesve të krimeve si dhe në grumbullimin e dëshmive dhe kontaktimin dëshmitarëve dhe prokurorëve menjëherë".[166]

Prokurorët ndërkombëtarë

Personeli i Divizionit kriminal në Departamentin e Drejtësisë është i mendimit se progresi i kufizuar në rastet e marsit është rezultat i dështimit të policisë që nuk ka grumbulluar mjaft dëshmi për rastet që pastaj këto të mund të ndiqeshin penalisht. Njëri nga këta thotë: "si mund të ndjekim penalisht dikë që nuk e njohim?"[167] Një tjetër e përshkruan gjendjen kështu: "ne veprojmë në bazë të të dhënave që kemi. Nëse keni një forcë policore që është jokompetente, atëherë nuk mund të bëni shumë. Ky nuk është problem vetëm në rastet që kanë të bëjnë me trazirat e marsit".[168]

Sikur edhe në rastin e prokurorëve vendorë, gatishmëria për të fajësuar policinë për hetime të dobëta tregon për injorim të rolit kryesor që kanë prokurorët në hetime sipas kodit të ri të procedurës penale si dhe për të drejtën e prokurorëve që të iniciojnë vet hetimet.

Human Rights Watch ka hasur në nivel të ulët të gatishmërisë të stafit të Departamentit të Drejtësisë të angazhuar në ndjekjet penale si prokurorë që të pranojnë këtë dështim për të bërë më tepër. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë thotë se fajtor janë resurset e kufizuara dhe fakti që është pritur shumë:

Të gjithë kanë pritur më tepër nga ne, se do të hetonim shumë raste dhe kjo është arsyeja pse ata besojnë që nuk është bërë shumë në kërkimin e përgjegjësisë... Përkundër fjalëve të mëdha për rastet e marsit, ata (Shtylla I e UNMIK-ut) nuk na ka dhënë më tepër resurse. Ne ishim të ngarkuar me punë edhe përpara ndërsa tani jemi të stërngarkuar. . .[169]

Një jurist tjetër në DD mohon që Departamenti i Drejtësisë nuk ka qenë i suksesshëm në ndjekjet penale për dhunën e marsit 2004.

Puna jonë nuk mund të matet me numrin e dënimeve të shqiptuara. Shqiptimi i dënimeve nuk është biznes por çështje e drejtësisë dhe ndjekjes penale. A është gjendja e përsosur? Jo. A janë raportet mes policisë dhe prokurorëve të përsosura? Jo. Por nuk është reale të thuhet se kemi dështuar sepse gjërat janë në fazën e hetimeve. Këto janë raste të ndërlikuara.[170]

Por, ekziston frika se me kalimin e kohës bëhet më e vështirë që të përmbyllen këto raste. Jo vetëm që do të jetë më e vështirë-apo ndoshta e pamundur-që të gjenden dëshmitë materiale por edhe dëshmitarët e humbin vullnetin për të ndihmuar procedimet penale.

Roli i gjykatave

Menaxhimi i dobët i rasteve

Ndjekja penale e rasteve të marsit nga gjyqtarë vendorë e ndërkombëtarë është bërë edhe më e vështirë për shkak të menaxhimit të dobët të rasteve. Gjykatat nuk kanë një bazë të të dhënave funksionale që do të shërbente për menaxhimin e rasteve, përkundër disa përpjekjeve për ta krijuar një të tillë.[171] Rastet e udhëhequra nga prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë regjistrohen në një bazë të të dhënave të ndarë.

Prokurorët dhe gjyqtarët e intervistuar nga Human Rights Watch kanë identifikuar menaxhimin e rasteve dhe problemet me renditjen kohore të gjykimeve si një kufizim të veçantë në procedimin adekuat të rasteve, përfshirë këtu edhe rastet e marsit 2004. Prokurorët (dhe gjyqtarët) në Kosovë punojnë në disa gjykata të ndryshme dhe janë përgjegjës për një numër të madh të rasteve. Pa një menaxhim efikas të rasteve, sistemi nuk mund të funksionojë në mënyrë efikase. Një gjyqtar që punon në një gjykatë komunale e përshkruan këtë kështu: "Ta dini që prokurori vjen këtu një herë në javë dhe ne duhet t'i caktojmë të gjitha gjykimet të mbahen në atë ditë. Një prokuror për tre gjyqtarë dhe ne të gjithë kemi seanca. . . atëherë fillojmë të grindemi".[172]

Duket se nuk është bërë mjaft nga ana e gjykatave apo organeve të mbikëqyrjes siç janë DAGJ dhe DD që të vlerësohet efikasiteti i gjykatave në procedimin e rasteve dhe nëse ka vonesa, të shihet se çfarë e shkakton këtë. Ngjashëm, Human Rights Watch nuk ka parë se ekziston një strategji apo një protokoll për të përcaktuar se cilat raste duhet të vihen në rend të ditës për t'u shqyrtuar e kur jo.[173] Kjo vlen edhe për gjykatat individuale por edhe për tërë sistemin.

Dënimet e lehta

Një raport i OSBE-së që analizon vendimet e gjykatave në rastet që kanë të bëjnë me marsin zbulon tendencën që të shpallen dënime të lehta, pasi shumica e dënime të shpallura për rastet e marsit janë më afër dënimit minimal të parashikuar për veprën gjegjëse.[174] Raporti vëren edhe se gjykimet nuk kanë marrë përsyshë rrethanat rënduese apo lehtësuese në përcaktimin e dënimit për të dënuarit. Raporti i OSBE-së konkludon:

Mungesa e arsyetimit të duhur të vendimeve gjyqësore për lëndët në të cilat është shqiptuar dënimi i zbutur jo vetëm që paraqet shkelje të ligjit në fuqi por edhe nuk i shërben qëllimit të dënimit në raport me secilin të akuzuar. Për më tepër, kjo praktikë gjithashtu mund të ndikojë në perceptimin e opinionit publik për atë se si reagon sistemi gjyqësor ndaj shkeljeve të rendit dhe qetësisë publike.[175]

Në konkludimet në raportin e vet OSBE-ja vëren edhe se:

Duke shpallur dënime më të buta në shumicën e rasteve të ndërlidhura me trazirat, gjykatat kanë dështuar në dërgimin e mesazhit të qartë për dënimin e sjelljeve të tilla, dhe si duket nuk i kanë konsideruar veprat penale të cilat kanë rrjedhur nga trazirat e Marsit 2004 si aq serioze. Ky reagim relativisht i dobët i gjykatave ndaj veprave penale të kryera gjatë trazirave të marsit 2004, jo vetëm që i kontribuon përshtypjes së mosndëshkueshmërisë në popull për këtë lloj krimesh me motive etnike, por edhe mund të konsiderohet si reagim joadekuat për parandalimin e akteve të ngjashme të çrregullimeve publike në të ardhmen.[176]

Është praktika e shqiptimit të dënimeve të lehta në rastet e marsit ajo që shqetëson më së tepërmi. Kjo praktikë tregon për një çekuilibër mes pavarësisë së gjyqësorit për të marrë vendime në bazë të vlerësimeve të veta dhe dhënies së dënimit në përputhje me ligjin.

Dënimet në rastet me gjyqtarë ndërkombëtarë

Në rastet serioze të marsit 2004 që kanë rezultuar me aktvendime, dënimet e shpallura kanë qenë, në pjesën më të madhe, formale. Shumë raste kanë rezultuar me dënime me kusht.

Në një rast me akuza për zjarrvënje dhe plaçkitje të një lokacioni të trashëgimisë kulturore nga shekulli katërmbëdhjetë, tre të pandehurit janë shpallur fajtor dhe kanë marrë dënime nga dy deri tri vite heqje lirie. Pastaj dënimet e tyre janë pezulluar. Njësoj, në disa raste ku të pandehurit janë gjetur fajtor për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrës gjatë trazirave (që tërheq dënimin me deri tri vite burg) dhe për pjesëmarrje në turmën që ka kryer vepra penale (që dënohet me deri pesë vite burg), dënimet që u janë shqiptuar ishin nga disa muaj deri në një vit e gjysmë dhe të gjitha qenë pezulluar.[177]

Dënimet me nga gjashtëmbëdhjetë dhe njëmbëdhjetë vite burg të shqiptuara aktorëve të vrasjes së Slobodan Periqit, një burri pesëdhjetenjë vjeçar nga Gjilani dhe për sulm të rëndë kundër nënës së tij shtatëdhjetenjë vjeçare janë përjashtim e jo rregull.[178] Një përjashtim tjetër që vlen të përmendet është dënimi i një serbi të Kosovës për hedhjen e një granate në dy ushtarë të KFOR-it, duke i plagosur këta të dy. Ai ka marrë dënimin prej pesë viteve burgim.[179]

I pyetur për dënimet e lehta që janë shqiptuar në disa raste, një prokuror ndërkombëtar ka provuar të shpjegojë këtë duke thënë se në shumë raste "nuk ka pasur dëshmi" dhe se gjyqtarët është dashur të kenë parasysh edhe rrethanat rënduese apo ato lehtësuese, siç janë nëse kjo ka qenë hera e parë që i pandehuri ka shkelur ligjin apo nëse ai ka familje të madhe që varet nga ai. Sipas tij, kur të kihet parasysh kjo, dënimet e shqiptuara nuk janë të buta.[180] Por, arsyetimi se në përgjithësi nuk ka pasur mjaft fakte për të shqiptuar dënime më të ashpra është problematik pasi që dënimet shqiptohen pasi i pandehuri shpallet fajtor bazuar në faktet që dëshmojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën ai apo ajo akuzohet. Prandaj, kur dikush shpallet fajtor për një krim serioz, dëshmitë që kanë provuar fajësinë duhet të mjaftojnë të arsyetojnë edhe dënimin gjegjës me burg siç parasheh ligji, përveç nëse kemi të bëjmë me rrethana lehtësuese të jashtëzakonshme.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë është i mendimit se dënimet kanë qenë më të buta për shkak të ndenjës se "nuk është e drejtë që të ndiqen penalisht dy apo tre individë pasi kjo nuk ka luajtur rol në rrethanat kur dyqind apo treqind të tjerë kanë bërë trazira".[181]  Ky arsyetim injoron faktin se dënimet e lehta të paarsyeshme dërgojnë sinjale tek komuniteti se dhuna është e pranueshme por edhe se ligji nuk është i aftë që të mbrojë pakicat nga dhuna.

Dënimet e shqiptuara nga gjyqtarët vendorë

Dënimet e shqiptuara janë problematike edhe në rastet e marsit të zhvilluara para gjyqtarëve vendorë. Përdorimi i masës së qortimit, gjobat e ulëta dhe dënimet tjera të shqiptuara, shpesh më pak se sa udhëzimet për dënimin minimal, tregojnë për mosgatishmëri të gjyqtarëve vendorë që të dënojnë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë marsit 2004.[182]

Në intervista me Human Rights Watch, zyrtarë të OSBE-së kanë provuar të japin arsyetime kulturore për suksesin e kufizuar të gjykatave në rastet e marsit. Sipas një zyrtari: "ka pasur përparim dhe kjo çështje nuk është 'fshehur nën tepih', vetëm se nuk ka pasur aq përparim sa ne (bashkësia ndërkombëtare) kemi dëshiruar të shohim".[183] Zyrtari shton se shkak mund të jenë edhe konceptet e ndryshme për drejtësinë dhe dënimet në Kosovë, që rezulton me shqiptime të dënimeve shumë më të buta se sa kërkon ligji.[184] Ky interpretim, nëse asgjë tjetër, tregon se ekziston nevoja për më shumë trajnime për gjyqtarët.

Një prokuror vendor i intervistuar nga Human Rights Watch shpreh bindjen e tij se natyra politike e dhunës së marsit nënkupton se vetëm prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë mund të jenë të drejtë në ndarjen e drejtësisë:

Kur kemi parasysh ngjarjet e marsit, që para së gjithash kanë qenë diçka politike, mendoj se ka qenë detyrë e prokurorëve, gjyqtarëve dhe policisë ndërkombëtare që shpejtë dhe me efikasitet t'i ndjekin rastet. . . Kjo ishte sfidë tepër e madhe për prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë, edhe pse me këtë ata kanë mundur të tregojnë pse janë këtu, por ata kanë dështuar krejtësisht.[185]

Konkludimi i këtij prokurori, ndonëse është i kuptueshëm, është largim i fajit nga vetja. Sistemi i drejtësisë penale në Kosovë nuk mund të shpresojë të funksionojë me efikasitet deri sa prokurorët dhe gjyqtarët nuk besojnë se janë në gjendje të bëjnë drejtësi dhe nuk punojnë që të arrijnë këtë.

Një prokuror tjetër vendor, edhe pse pranon se objektiviteti ka qenë çështje problematike në gjykimet para paneleve të gjyqtarëve vendorë, nënvizon pasojat e praktikës së shqiptimit të dënimeve të buta dhe të numrit të kufizuar të prokurimeve:

Në njëfarë mënyre ne po i inkurajojmë (kriminelët/keqbërësit) me këto aktvendime qesharake. Këto janë ato emocionet për të cilat fola. Ne ende kemi shumë emocione nga e kaluara. Ne jemi larg nga mbajtja e gjykimeve të drejta. Të gjithë kemi qenë të prekur nga lufta. Këta gjyqtarë janë njerëz dhe sigurisht që janë prekur nga lufta. Tani e kanë të vështirë që të marrin vendime të rënda kundër shqiptarëve.[186]

Roli i UNMIK-ut

Përfaqësuesit e Shtyllës I të UNMIK-ut-përgjegjëse për çështjet e policisë dhe drejtësisë-pranojnë se reagimi ndaj ngjarjeve të marsit 2004 dhe ndjekjet penale më pas kanë qenë të mangëta. Sipas një zyrtari: "Qartë, reagimi nuk ka qenë i mjaftueshëm. Të jemi të sinqertë, unë nuk jam i kënaqur, por nuk mund të kthehemi prapa. Tani duhet të ndërtojmë besimin e ndërsjellë nëpërmjet negociatave (për statusin)".[187]

Human Rights Watch është i shqetësuar me të arriturat e pakta në ndjekjet penale të dhunës së marsit që është rezultat edhe i prioritetit të ulët që i është dhënë në përgjithësi kërkimit të përgjegjësisë për krimet nga ana e disa zyrtarëve të lartë në Administratën e Kombeve të Bashkuara. Në bisedat me një numër të këtyre zyrtarëve, Human Rights Watch ka dëgjuar se nuk është e këshillueshme që prioritet për misionin të jetë kërkimi i përgjegjësisë për krimet e kaluar por në vend të kësaj duhet shikuar kah e ardhmja dhe që bisedimet për statusin të bëhen mjet për të arritur paqe dhe drejtësi të qëndrueshme në Kosovë.[188] Sipas fjalëve të një zyrtari të UNMIK-ut:

A do të lejojmë që për shkak të ndjenjës së fajësisë të mbetemi nostalgjikë për të kaluarën? Duhet të jemi të mençur dhe të shikojmë përpara (kah e ardhmja). . . Sot ekziston rreziku që bashkësia ndërkombëtare të përvetësojë një qasje tepër radikale. Nuk shoh aq shumë njerëz që thonë "jemi në vitin 2006 dhe duhet të ecim përpara".[189]

Ky qëndrim ka dy probleme. E para, bashkësia ndërkombëtare ka dhënë një premtim të qartë se ata që janë përgjegjës do të sillen para drejtësisë. Ata kanë pasur përgjegjësi që të garantojnë se drejtësia do të shpihet në vend, sidomos pasi kanë marrë mbi vete të gjitha rastet që në fillim të procesit. Një grusht ndjekjesh penale për krime të rënda që nga marsi 2004 nuk është reagim adekuat. Frikësimi i dëshmitarëve dhe brengat për sigurinë, dilemat rreth resurseve si dhe natyra komplekse ligjore dhe hetimore e rasteve nuk mund të jenë arsyetim për dështimin për të bërë drejtësi. Është imperativ që bashkësia ndërkombëtare të rivlerësojë strategjinë e vet dhe të dalë me një plan të zbatueshëm e transparent për t'u siguruar se do të ketë drejtësi.

Problemi i dytë është se injorohet bindja e përgjithshme se opinioni publik duhet të shohë që sistemi i drejtësisë penale vepron dhe se ata që kanë bërë krime do të ndiqen penalisht ashtu që të ketë lëvizje përpara në sferat bazë siç janë sundimi i mirëfilltë i ligjit, pajtimi dhe bashkëjetesa si dhe kthimi i qëndrueshëm. Siç vëren edhe emisari special Kai Eide në vlerësimin e tij të gatishmërisë së Kosovës për të filluar bisedimet për statusin "një numër shumë i vogël i atyre që shkelin ligjin dalin para drejtësisë. . . Kjo e forcon ndjenjën se kriminelët mund të veprojnë pa u ndëshkuar".[190]

Një këshilltar politik vendor në Zyrën e PSSP-së shpreh shqetësime të njëjta kur thotë se "deri para pesë viteve, i tërë sistemi, përfshirë gjyqet, nuk ishte në shërbim të popullit por vepronte në funksion të realizimit të represionit. Këtu shteti gjithnjë ka qenë armik. Është e nevojshme që të krijojmë një kulturë të respektimit të ligjit dhe gjyqeve si dhe të bashkëpunojmë me to".[191] Dështimi në një gjë kaq të rëndësishme e të dukshme dëmton seriozisht përpjekjet për të ndërtuar një kulturë të respektimit të rendit e ligjit.

Disa zyrtarë të UNMIK-ut privatisht pranojnë se ka diç të vërtetë në pohimet e serbëve të Kosovës si dhe të qeverisë serbe se bashkësia ndërkombëtare thjeshtë "nuk ka dashur të merret me marsin" dhe se prapa premtimeve publike për t'u marrë me dhunën e marsit ka ekzistuar edhe dëshira që të mos veprohet ashtu që të mos provokohen shqiptarët.[192] Për një ndërkombëtar të caktuar, i intervistuar nga Human Rights Watch, dështimi që të mbrohen pakicat dhe shtëpitë e tyre nga dhuna në mars 2004-dhe pastaj reagimi "i pamjaftueshëm"-e obligon bashkësinë ndërkombëtare që të sigurohet se çfarëdo që të jetë statusi duhet të garantohet siguria dhe ekzistenca e qëndrueshme e komuniteteve pakicë në Kosovë.[193] Çështja me të cilën duhet të përballet bashkësia ndërkombëtare është se si të arrihet mbrojtja dhe prosperiteti i komuniteteve pakicë nëse nuk ka sundim të ligjit dhe përgjegjësi.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë thotë se sot për sot:

Statusi është gjëja më e rëndësishme. Sikur është paracaktuar se çfarë do të ndodhë. Atëherë u mbetet të tjerëve që të ngrenë zërin dhe të shohin nëse do të mund të sigurohen mjaft resurse për t'u marrë me krimet e luftës, dhunën kundër pakicave dhe rastet e marsit. [194]

Ai shton se gjatë punës së vet në Kosovë, misioni asnjëherë nuk ka pasur një strategji të qartë për të kërkuar përgjegjësi nëpërmjet ndjekjeve penale.

Nuk mendoj se OKB-ja e ka shikuar këtë si detyrë të vetën. Tani është tepër vonë. Tani jemi duke mbyllur misionin. . . Në përgjithësi nuk ka përgjegjësi. Por, kemi provuar të ndërtojmë struktura që në të ardhmen do të kenë potencial të kërkojnë përgjegjësi. . .  Tani jemi fundosur dhe e kemi kokën nën ujë. [195]

Sipas tij, Departamenti i Drejtësisë asnjëherë nuk ka qenë i strukturuar, i plotësuar apo i orientuar që të marrë mbi vete një mandat kaq të gjerë-e as arritja e përgjegjësisë nëpërmjet ndjekjeve penale nuk kanë qenë në qendër të angazhimit të Departamentit.[196] Kur kihet parasysh se Departamenti është qendra kryesore për ndërtimin e një gjyqësie efikase, është mjaft shqetësuese që një zyrtar i lartë i këtij departamenti nuk e sheh çështjen e përgjegjësisë të jetë si çështje qendrore e mandatit të tij.

Pa marrë parasysh këtë interpretim të mandatit të Departamentit, ai padyshim ka rol qendror në përpjekjet për përgjegjësi dhe, për aq kohë sa zgjat mandati i tij, të zhvillojë një sistem efikas të drejtësisë penale në Kosovë. Kjo, në anën tjetër, varet nga efikasiteti në përcaktimin e synimeve, monitorimin e progresit dhe mbështetja e plotë nga ana e UNMIK-ut dhe bashkësisë ndërkombëtare.

[64] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të UNMIK-ut, Prishtinë, 16 shtator 2005. Në gjuhën shqipe fshati i lartpërmendur quhet Frashër.

[65] Policia e UNMIK-ut konfirmon se më shumë se dyqind persona janë arrestuar gjatë apo menjëherë pas trazirave. Intervistë e Human Rights Watch me zyrtarë të lartë në shtabin qendror të Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 27 shkurt 2006.

[66] Shih raportin e SMSJ të OSBE-së "Reagimi i Sistemit të drejtësisë penale ndaj trazirave të marsit 2004", dhjetor 2005.

[67] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të OSBE-së, Prishtinë, 2 nëntor 2005. Ky zyrtar i ka thënë Human Rights Watch-it edhe se nuk dihet numri i saktë i të arrestuarve dhe të ndaluarve menjëherë pas dhunës: "policët thonë vetëm 'nuk dimë'. Askush nuk ka mbajtur shënime".

[68] Si shtytësi kryesor në ndërtimin e institucioneve dhe demokratizim në kuadër të sistemit të OKB-së në Kosovë, OSBE-ja luan rol edhe në çështjet e drejtësisë dhe policisë. OSBE-ja mbështet Shtyllën I të UNMIK-ut (dhe DD-në) në ndërtimin dhe administrimin e gjyqësorit nëpërmjet monitorimit të sistemit ligjor, nëse është në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut dhe ligjin si dhe nëpërmjet trajnimeve dhe zhvillimin e programeve për profesionistët e drejtësisë. Instituti Gjyqëssor i Kosovës-i themeluar nga OSBE-ja-është përgjegjës për trajnimet në sferën e gjyqësisë dhe prokurorisë. Seksioni për Monitorimin e Sistemit Juridik i Departamentit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në kuadër të OSBE-së përpilon analiza tematike, periodike, mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend bazuar në monitorimin e gjykatave vendore. Shumica e konsiderojnë OSBE-në "element monitorues" të misionit në Kosovë. Për më tepër informata për mandatin e OSBE-së në Kosovë shih: http://www.osce.org/Kosovo (në gjuhën angleze), ndërsa për Institutin Gjyqësor të Kosovës shih: http://www.osce.org./kosovo/13217.html.

[69] Korrespondencë nëpërmjet postës elektronike e Human Rights Watch me një zyrtar të SMSJ të OSBE-së, 27 tetor 2005; Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të OSBE-së, Prishtinë, 2 nëntor 2005.

[70] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të OSBE-së, Prishtinë, 24 janar 2006. Korrespondencë nëpërmjet postës elektronike e Human Rights Watch me një zyrtar të SMSJ të OSBE-së, 15 mars 2006.

[71] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, shkurt 2006.

[72] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë dhe me një prokuror ndërkombëtar, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 16 nëntor 2005. Memorandum i brendshëm i Departamentit të Drejtësisë në UNMIK, "Ndjekja penale e krimeve të trazirave të marsit 2004", pa datë, në posedim të Human Rights Watch.

[73] Intervistë e Human Rights Watch me divizionin e krimeve, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 23 shkurt 2006.

[74] Baza e të dhënave që administrohet nga divizioni ndërkombëtar për mbështetje të gjyqësisë tregon se deri në mars 2006 tetë raste që kanë të bëjnë me marsin 2004, në të cilat përfshihen gjashtëmbëdhjetë të pandehur, janë paraqitur para gjyqtarëve ndërkombëtarë në gjykatat e Kosovës. Divizioni ndërkombëtar për mbështetje të gjyqësisë (DNMGJ) i Departamentit të Drejtësisë, "Krimet e luftës dhe trazirat e marsit", tabelë pa datë, në posedim të Human Rights Watch.

[75] Intervistë telefonike e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë, 12 prill 2006.

[76] SMSJ OSBE-së, "Reagimi i Sistemit Juridik ndaj trazirave të marsit 2004", dhjetor 2005.

[77] Departamenti i Drejtësisë i UNMIK-ut, "Ndjekja penale e krimeve të trazirave të marsit 2004".

[78] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Departamentit të Administratës Gjyqësore, Ministria e Shërbimeve Publike, Prishtinë, 15 shkurt 2006.

[79] Intervista të Human Rights Watch me gjyqtarë dhe prokurorë në Kosovë, janar-mars 2006.

[80] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror ndërkombëtar, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 22 shkurt 2006.

[81] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006.

[82] Edhe OSBE-ja edhe DD-ja raportojnë se divizioni kriminal ndërkombëtar i DD-së ka marrë "pesëdhjetegjashtë raste serioze". Të dhënat e OSBE-së nuk tregojnë numrin e përgjithshëm të personave të akuzuar.

[83] Departamentit i Drejtësisë, "Ndjekja penale e krimeve të trazirave të marsit 2004". Human Rights Watch ka marrë informata shtesë gjatë intervistave me zyrtarë të Divizionit kriminal të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 31 janar, 23 shkurt dhe 10 mars 2006. Duhet nënvizuar se baza e të dhënave e administruar nga Divizioni ndërkombëtar për mbështetjen e gjyqësisë tregon se deri në mars 2006 janë gjithsej tetë (e jo trembëdhjetë) raste që kanë të bëjnë me marsin, në të cilat janë përfshirë gjashtëdhjetë të pandehur, që kanë dalë para gjyqtarëve ndërkombëtarë në gjyqet e Kosovës. Korrespondencë me postë elektronike e Human Rights Watch me stafin e Divizionit gjyqësor të DD-së, 6 mars 2006. DNMGJ i DD-së, "Krimet e luftës dhe trazirat e marsit".

[84] Intervistë e Human Rights Watch me stafin e drejtësisë penale, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 10 mars 2006. Në nëntor 2005, DD ka bërë të ditur se përveç trembëdhjetë rasteve në të cilat janë shpallur aktvendimet, gjashtë raste janë pezulluar në përputhje me legjislacionin vendor ndërsa pesë raste janë ende në faza të ndryshme të procedurës penale. Departamenti i Drejtësisë i UNMIK-ut, "Ndjekja penale e krimeve të trazirave të marsit 2004". Pesë muaj më vonë duket se vetëm dy raste janë afër "procedimit gjyqësor".

[85] Intervistë e Human Rights Watch me personelin e Drejtësisë penale, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 10 mars 2006.

[86] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë dhe me një prokuror ndërkombëtar, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 16 nëntor 2005. Departamenti i Drejtësisë i UNMIK-ut, "Ndjekja penale e krimeve të trazirave të marsit 2004". Human Rights Watch ka marrë informata shtesë nga stafi i DD-së në shkurt 2006.

[87] Por, duhet theksuar se OSBE-ja nuk i konsideron statistikat e veta për trazirat e marsit të jenë statistika zyrtare pasi të dhënat e saj bazohen në dosjet e brendshme të përpiluara gjatë monitorimit të proceseve gjyqësore dhe intervistave me hetuesit policorë si dhe me disa gjyqtarë dhe prokurorë. Shih SMSJ OSBE, "Reagimi i Sistemit të drejtësisë ndaj trazirave të marsit 2004", dhjetor 2005.

[88] SMSJ OSBE, "Reagimi i Sistemit të drejtësisë penale ndaj trazirave të marsit 2004", dhjetor 2005.

[89] Sistemi i mëhershëm haset më shpesh në vendet me traditë të ligjit civil, ndërsa ky më i riu haset në vendet me traditë të së drejtës zakonore.

[90] Intervista të Human Rights Watch me gjyqtarë vendorë, Kosovë, shkurt 2006. Intervista të Human Rights Watch me stafin e Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, shkurt 2006; Intervistë telefonike e Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të policisë së UNMIK-ut, 21 shkurt 2006.

[91] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006.

[92] Instituti Gjyqësor i Kosovës është themeluar nga misioni i OSBE-së në vitin 2000. Sipas OSBE-së, "programi i vazhdueshëm arsimor i IGJK-së siguron që gjyqtarët kanë njohuri bashkëkohore për ligjin e aplikueshëm dhe për teknikat legale". Për më tepër informata shiko vebfaqen e OSBE-së në të cilën jepet një përshkrim i institutit (në gjuhën angleze) në: http://www.osce.org/kosovo/13217.html (shikuar më 14 prill 2006); instituti nuk ka vebfaqen e vet.

[93] Intervistë telefonike e Human Rights Watch me stafin e Institutit Gjyqësor të Kosovës, 14 prill 2006.

[94] Intervistë e Human Rights Watch me prokurorë në Kosovë, shkurt 2006.

[95] Intervistë e Human Rights Watch në Kosovë, shkurt 2006.

[96] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror ndërkombëtar, Kosovë, shkurt 2006.

[97] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror ndërkombëtar, Kosovë, shkurt 2006.

[98] Ibid.

[99] Intervistë telefonike e Human Rights Watch me stafin e Institutit Gjyqësor të Kosovës, 14 prill 2006.

[100] Intervista të Human Rights Watch në Kosovë, janar-shkurt 2006.

[101] Intervista telefonike të Human Rights Watch me stafin e Institutit Gjyqësor të Kosovës, 14 prill 2006.

[102] Intervista telefonike të Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 21 shkurt 2006; Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të shtabit qendror të Policisë së UNMIK-ut, 27 shkurt 2006.

[103] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë në shtabin qendror të Policisë së UNMIK-ut, 27 shkurt 2006.

[104] Në fillim ka pasur paqartësi edhe rreth asaj se sipas cilit ligj duhet ndjekur penalisht këta persona-sipas kodit të ri penal apo kodit të vjetër penal-pasi veprat kanë ndodhur në kohën kur në fuqi ka qenë ligji i vjetër, por gjatë hetimeve dhe fazave të gjykimit në fuqi ka qenë ligji i ri. Qe vendosur që të aplikohet ligji që do të jetë më i favorshëm për të akuzuarit. Intervistë e Human Rights Watch me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, 3 shkurt 2006.

[105] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006.

[106] Kodi i Përkohshëm për Procedurën Penale në Kosovë ka hyrë në fuqi më 6 prill 2004, me Rregulloren 2003/26 të UNMIK-ut. Shih: http://www.unmikonline.org/regulations/unmikgazette/03albanian/A2003regs/RA2003_26.pdf (shikuar më 14 prill 2006). Kodi përcakton se policë gjyqësorë janë "oficerët e policisë që, përveç punëve të tjera policore, janë të autorizuar të kryejnë hetime dhe punë të ngjashme nën mbikëqyrjen e prokurorit publik", ibid, Kapitulli XVIII, Neni 151, Pika 18. Në intervista me përfaqësues të Shtyllës I dhe Departamentit të Drejtësisë bëhej e qartë se koncepti i policisë gjyqësore nënkuptonte krijimin e një grupi të veçantë të oficerëve të policisë që do të punojnë si policë gjyqësorë. Intervista të Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të Shtyllës I të UNMIK-ut, mars 2006. Ligji vlen për hetimet e bëra edhe nga prokurorët vendorë edhe nga ata ndërkombëtarë që veprojnë në kuadër të sistemit të drejtësisë penale në Kosovë.

[107] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006.

[108] Intervistë telefonike e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Policisë së UNMIK-ut, 21 shkurt 2006.

[109] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë në shtabin qendror të Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 27 shkurt 2006.

[110] Intervista të Human Rights Watch me prokurorë vendorë, Kosovë, shkurt 2006.

[111] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të SHPK-së në shtabin qendror të Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 23 shkurt 2006. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë i ka thënë Human Rights Watch edhe se "ende ka tensione dhe mungesë të qartësisë ndër policët sa i përket shkallës dhe nivelit të instruksioneve që duhet të marrin nga prokurorët". Intervistë e Human Rights Watch, Prishtinë, 27 janar 2006.

[112] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë, shtabi qendror i Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 27 shkurt 2006.

[113] Intervista të Human Rights Watch me prokurorë vendorë në Kosovë, janar e shkurt 2006.

[114] Intervista të Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të Zyrës së Këshilltarit Ligjor (ZKL), Prishtinë, 8 mars 2006.

[115] Intervistë telefonike e Human Rights Watch me një zyrtar në shtabin qendror të Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 7 nëntor 2005; Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë në shtabin qendror të Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 27 shkurt 2006.

[116] Intervista të Human Rights Watch në Kosovë, shtator-nëntor 2005.

[117] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë në shtabin qendror të Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 27 shkurt 2006.

[118] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006.

[119] Intervistë telefonike e Human Rights Watch me një zyrtar në shtabin qendror të Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 7 nëntor 2005. Zyrtari u shpreh se një nga sukseset më të mëdha të Operacionit Thor ishte sigurimi i dyzetepesë vëllimeve me dëshmitë e personave të zhvendosur që aktualisht janë në Serbi. Por, problemi është se këto vëllime (dhe indeksi i tyre) janë në gjuhën serbe dhe ende janë duke u përkthyer. Çfarëdo plotësimi i këtyre informatave kërkon bashkëpunim ndër-rajonal të policisë.

[120] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë dhe një prokuror ndërkombëtar të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 16 nëntor 2005; Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Policisë së UNMIK-ut, shtabi qendror i Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 27 shkurt 2006.

[121] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror ndërkombëtar dhe me një zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 16 nëntor 2005; Intervista të Human Rights Watch me zyrtarë të lartë (takime të ndara), Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006.

[122] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Sundim të Ligjit, Misioni i OSBE-së në Kosovë, Prishtinë, 2 nëntor 2005. Raporti i OSBE-së i dhjetorit 2005 mbi reagimin e drejtësisë penale ndaj marsit 2004 vëren se gjykatat në përgjithësi nuk kanë qenë proaktive në marrjen e dëshmive të dëshmitarëve potencialë (edhe atëherë kur ata janë prezentë në territorin e gjykatës) e nganjëherë edhe që të sigurojnë praninë e të akuzuarve në sallë. Shih SMSJ OSBE, "Reagimi i sistemit të drejtësisë ndaj trazirave të marsit 2004".

[123] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror vendor, Kosovë, shkurt 2005.

[124] Intervista të Human Rights Watch me gjyqtarë vendorë, Kosovë, shkurt 2006.

[125] Citat i kopjuar nga përkthimi i OSBE-së në gjuhën shqipe i raportit të SMSJ të OSBE-së, "Reagimi i sistemit juridik ndaj trazirave të marsit 2004", fq.19, në internet në: http://www.osce.org/documents/mik/2005/12/17177_sq.pdf (i qasur më 17 maj 2006)

[126] Intervistë e Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të Policisë së UNMIK-ut, shtabi qendror i Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 27 shkurt 2006.

[127] Intervista të Human Rights Watch, Kosovë, janar-mars 2006.

[128] Intervista të Human Rights Watch me zyrtarë të lartë, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006.

[129] Intervistë e Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të Policisë së UNMIK-ut, shtabi qendror i Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 27 shkurt 2006.

[130] Intervistë e Human Rights Watch me një këshilltar politik në Zyrën e PSSP-së, Prishtinë, gusht 2005.

[131] Intervistë e Human Rights Watch me një gazetar, Kosovë, gusht 2005.

[132] Për diskutim më detajor për frikësimin e dëshmitarëve dhe mbrojtjes së tyre në rastet e marsit, shih SMSJ OSBE, "Reagimi i sistemit të drejtësisë ndaj trazirave të marsit 2004".

[133] Intervista të Human Rights Watch me zyrtarë të policisë, Kosovë, shkurt 2006.

[134] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Policisë së UNMIK-ut, shtabi qendror i Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 27 shkurt 2006.

[135] Human Rights Watch di vetëm për një rast të rilokimit jashtë rajonit.

[136] Për diskutim më të gjerë për çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve në rajon, shih (në gjuhën angleze) "Justice at Risk: War Crimes Trials in Croatia, Bosnia and Herzegovina, and Serbia," (Drejtësia në rrezik: Gjykimet për krime lufte në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi) Raport i Human Rights Watch Report, Vëllimi 16 Nr. 7(D), tetor 2004, në: http://hrw.org/reports/2004/icty1004/ (shikuar më 3 maj 2006).

[137] Intervistë e Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të Policisë së UNMIK-ut, shtabi qendror i Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 27 shkurt 2006.

[138] Me qëllim që të ruhet identiteti i viktimave, emrat janë zëvendësuar me iniciale (që nuk janë inicialet e vërteta të viktimës) në tërë raportin.

[139] Intervistë e Human Rights Watch me një burrë të zhvendosur pesëdhjetenëntë vjeçar, Kosovë, 18 shtator 2005.

[140] Intervistë e Human Rights Watch me një burrë dhe me gruan e tij të zhvendosur, Kosovë, 19 shtator 2005.

[141] Ibid.

[142] Intervista të Human Rights Watch me përfaqësues komunalë, Kosovë, 21 shtator 2005; Intervistë telefonike me hetuesin rajonal të policisë, 26 shtator 2005.

[143] Intervistë e Human Rights Watch me një person të zhvendosur, Kosovë, 20 shtator 2005.

[144] Hulumtuesit e Amnesty International i kanë thënë Human Rights Watch se as ata nuk kanë gjetur dëshmi për ndjekjet penale në lidhje me vende të caktuara të cilat i kanë hetuar pas trazirave. Intervistë e Human Rights Watch me Amnesty Internatinoal, 22 shtator 2005.

[145] Intervistë e Human Rights Watch me ish-komandantin rajonal të SHPK-së (emri i rajonit i njohur për autorin), shtabi qendror i Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 23 shkurt 2006.

[146] Intervistë e Human Rights Watch me një punëtor të Divizionit të krimit, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 23 shkurt 2006.

[147] Intervistë e Human Rights Watch me një të zhvendosur në Kosovë, 20 shtator 2005.

[148] Ibid. Intervistë e Human Rights Watch me policë vendorë dhe zyrtarë të komunës, 25 shtator 2005.

[149] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të UNMIK-ut, Prishtinë, 12 nëntor 2005.

[150] Shih raportin e Human Rights Watch, "Dështimi për të mbrojtur".

[151] Ibid.; Intervista të Human Rights Watch me pjesëtarë të komuniteteve pakicë të zhvendosur, Kosovë, tetor 2005.

[152] OSBE, "Sfidat e të drejtave të njeriut pas trazirave të muajit marsit", 25 maj 2004, në: http://www.osce.org/documents/mik/2004/05/2939_sq.pdf (shikuar më 26 prill 2006).

[153] Intervistë telefonike e Human Rights Watch me një hetues të lartë të Policisë së UNMIK-ut, që ka qenë pjesë e Operacionit Thor, 25 shtator 2005; Intervistë e Human Rights Watch me Amnesty International, 22 shtator 2005.

[154] Intervistë telefonike e Human Rights Watch me një hetues të lartë të Policisë së UNMIK-ut, që ka qenë pjesë e Operacionit Thor, 25 shtator 2005.

[155] Intervistë e Human Rights Watch me të stafin e Njësisë për standarde profesionale, Shtabi qendror i Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 23 shkurt 2006.

[156] Ibid.

[157] Intervistë e Human Rights Watch me zëvendës shefin e një stacioni të policisë në Kosovë, 21 shtator 2005.

[158] Intervistë e Human Rights Watch me një oficer të policisë, Kosovë, 21 shtator 2005.

[159] Intervista të Human Rights Watch me prokurorë vendorë, Kosovë, shkurt 2006.

[160] Intervista të Human Rights Watch me gjyqtarë vendorë, Kosovë, shkurt 2006.

[161] Ibid.

[162] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, shkurt 2006.

[163] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror vendor, Kosovë, shkurt 2006.

[164] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror vendor, Kosovë, shkurt 2006.

[165] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror vendor, Kosovë, shkurt 2006.

[166] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror vendor, Kosovë, shkurt 2006.

[167] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror ndërkombëtar, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 22 shkurt 2006. Intervista të Human Rights Watch me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 31 janar, 23 shkurt dhe 10 mars 2006.

[168] Intervistë e Human Rights Watch me punëtorë të divizionit kriminal, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 23 shkurt 2006.

[169] Intervistë e Human Rights Watch me menaxhmentin e lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006.

[170] Intervistë e Human Rights Watch me stafin e Divizionit kriminal, Departamenti i drejtësisë, Prishtinë, 31 janar 2006.

[171] Një pilot-projekt është duke u implementuar në katër gjykata të qarkut jashtë Prishtinës që duket se është i suksesshëm por kjo do të kërkojë të vazhdohet mbështetja për të. Sistemi i bazës së të dhënave është vendosur në gjykatën e Prishtinës për më se tri vite, por nuk shfrytëzohet. Disa nga pengesat që janë identifikuar janë reduktimet e energjisë elektrike që pengon punën me kompjuter, problemet me qasje në internet; nevojat për trajnim si dhe mungesa e një specialisti të teknologjisë informative për të korrigjuar problemet dhe për të ndihmuar trajnimet dhe për të dhënë udhëzime për punë. Një zyrtar shprehu brengën se pengesë kryesore është gatishmëria e gjykatave që të shfrytëzojnë këtë sistem: "Problemi qëndron në atë se njerëzit duhet të fillojnë të shfrytëzojnë këtë sistem. Kjo do të paraqiste ndërrim të madh të mënyrës si punojnë por edhe përgjegjësi. Njëherë kur të futet diçka në sistem, më nuk mund të ndërrohet. Ata kanë frikë se kështu do të kuptohet se ata nuk punojnë aq sa thonë". Intervistë e Human Rights Watch me një menaxher të lartë, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006; Intervistë e Human Rights Watch me me një të punësuar të Qendrës Kombëtare për Gjykatat Shtetërore, Prishtinë, 2 shkurt 2006; Intervistë e Human Rights Watch me të punësuar në Departamentin e Administratës Gjyqësore, Ministria e Shërbimeve Publike, Prishtinë, 14 shkurt 2005. Për më shumë informata për Sistemin Informues për Menaxhimin e Rasteve (Case Management Information System - CMIS) që do të shfrytëzohet në gjyqe, shih "Rubotham and others, 'Kosovo Judicial System Assessment'" fq. 45-46.

[172] Intervistë e Human Rights Watch me një gjyqtar vendor, Kosovë, shkurt 2006.

[173] Intervista të Human Rights Watch me gjyqtarë dhe prokurorë, Kosovë, shkurt-mars 2006.

[174] SMSJ OSBE "Reagimi i Sistemit të drejtësisë ndaj trazirave të marsit 2004".

[175] Citat i marrë nga SMSJ OSBE, "Reagimi i Sistemit juridik ndaj trazirave të marsit 2004", fq.34, i përkthyer nga OSBE-ja. Për një shtjellim më të gjerë të gjetjeve të OSBE-së në lidhje me rrethanat rënduese e lehtësuese shih edhe faqet 27-33 të po të njëjtit raport. Faqet 22-27 të po të njëjtit raport merren me çështjen e akuzave joadekuate në rastet që kanë të bëjnë me marsin 2004.

[176] Përkthimi në gjuhën shqipe i OSBE-së i raportit të SMSJ OSBE, "Reagimi i sistemit juridik ndaj trazirave të marsit 2004", fq. 35.

[177] Dokument intern i UNMIK-ut, "Data on March 2004 Riots and Follow-up Actions, information updated in March 2005 " (Të dhëna për trazirat e marsit 2004 dhe hapat e ndërmarrë, informatë e plotësuar në mars 2005), mars 2005, dokument në posedim të Human Right Watch. Shih edhe SMSJ OSBE, "Reagimi i Sistemit të drejtësisë ndaj trazirave të marsit 2004", fq.27.

[178] Në këtë gjykim gjashtë shqiptarë të Kosovës janë akuzuar për vrasje dhe sulm të rëndë. Paneli i dy gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe katër gjyqtarëve vendorë u shqiptoi dy të akuzuarve dënime me burgim më të gjatë, një i akuzuar tjetër u dënua me tri vite e gjysmë burg dhe tre të akuzuar tjerë morën secili dënime me dy vite e gjysmë burg. Informata të marra nga monitorimi i mediave evropiane nga BBC (në gjuhën angleze) "Six Kosovo Albanians Sentenced to 38 Years for Killing Two Serbs" (Gjashtë shqiptarë të Kosovës dënohen me 38 vite burg për vrasjen e dy serbëve", 20 maj 2005.

[179] Dokumenti i UNMIK-ut i përmendur në fusnotën 177, "Të dhëna për trazirat e marsit 2004 dhe hapat e ndërmarrë, informatë e plotësuar në mars 2005", në posedim të Human Right Watch.

[180] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror ndërkombëtar, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 22 shkurt 2006.

[181] Intervistë e Human Rights Watch me një menaxher të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtina, 3 shkurt 2006.

[182] Dokument intern i Departamentit të Drejtësisë të UNMIK-ut, "Prosecution of Crimes relating to March 2004 Riots" (Ndjekja penale e krimeve të trazirave të marsit 2004). Intervistë e Human Rights Watch me zyrtarë të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Departamenti i të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit, Prishtinë, 2 nëntor 2005. Shih edhe SMSJ OSBE, "Reagimi i Sistemit të drejtësisë ndaj trazirave të marsit 2004".

[183] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të OSBE-së, Kosovë, 2 nëntor 2005.

[184] Ibid. Një gjyqtar ndërkombëtar që punon në Gjykatën Supreme të cilin e intervistuam ne duket se e përkrahte këtë qëndrim, duke përshkruar një rast kur ai ishte në panel me dy gjyqtarë shqiptarë të cilët, edhe pse pajtoheshin se i akuzuari duhet të dënohej, kishin mendim krejtësisht tjetër për kohëzgjatjen e burgimit sepse i akuzuari "është hero i luftës së UÇK-së". Gjykatësi më tutje shprehu mendimin se kjo nuk është e jashtëzakonshme dhe se "ky është mentaliteti me të cilin keni punë këtu. Nëse rasti ka ngjyrim politik apo është vetëm pak i rrezikshëm apo nëse është fjala për para, ata (gjyqtarët vendorë) bëhen krejtësisht të luhatshëm". Intervistë e Human Rights Watch me një gjyqtar ndërkombëtar, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 22 shkurt 2006.

[185] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror vendor, Kosovë, shkurt 2006.

[186] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror vendor, Kosovë, shkurt 2006.

[187] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Shtyllës I të UNMIK-ut, Prishtinë, nëntor 2005.

[188] Intervista të Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të Shtyllës I të UNMIK-ut, Prishtinë, nëntor 2005. Duke u përgjigjur në pyetjen për atë se çfarë do të bëhet në të ardhmen për çështjen e përgjegjësisë, një nga këta i tha Human Rights Watch: "ne duhet të vazhdojmë të punojmë në çështjen e të zhdukurve dhe hetimet për marsin 2004, por ne të gjithë e dimë se nuk mund ta bëjmë këtë për dhjetë vite. Prej tash e tutje nuk do të lejojmë asnjë sulm me motive etnike".

[189] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të Shtyllës I të UNMIK-ut, Prishtinë, 12 nëntor 2005.

[190] "A Comprehensive Review of the Situation in Kosovo" (Vlerësim gjithëpërfshirës i gjendjes në Kosovë), raport i Emisarit special Kai Eide i prezantuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për shqyrtim para Këshillit të Sigurimit më 7 tetor 2005, fq.7.

[191] Intervistë e Human Rights Watch me një këshilltar politik, Zyra e PSSP-së, Prishtinë, gusht 2005.

[192] Intervista të Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të UNMIK-ut, Kosovë, nëntor-dhjetor 2005.

[193] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të UNMIK-ut, Prishtinë, nëntor 2005.

[194] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006.

[195] Ibid.

[196] Ibid.