Çështja e përgjegjësisë në Kosovë para marsit 2004
Edhe para marsit të vitit 2004 në Kosovë nuk ka pasur shumë raste kur është kërkuar përgjegjësi për krimet. Ata që kanë kryer krime nga i tërë spektri-që nga krimet e luftës dhe sulmet kundër pakicavce e deri tek veprat e vogla kriminale-shpesh nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Atmosfera e të qenët i paprekshëm, mbi ligjin, ka prekur të gjitha komunitete e Kosovës, si shqiptarët, si pakicat.
Gjykimet vendore për krimet e luftës
Dua që përsëri të besoj. Sinqerisht. Por, çfarëdo që më thotë mendja ime, zemra nuk e dëgjon. Ka mbetur shumë punë pa u kryer. [50]
Ndër shqiptarët e Kosovës mbizotëron përshtypja se shumë pak apo fare nuk është bërë drejtësi për krimet e kryera nga regjimi i Milosheviqit.
Gjatë konfliktit mes NATO-s dhe Jugosllavisë për Kosovën, në vitin 1999, shqiptarët e Kosovës pësuan nga një fushatë sistematike e vrasjeve masive, dhunimeve, dëbimeve të dhunshme dhe krimeve të tjera të luftës të kryera nga forcat serbe e jugosllave.[51]
Edhe pse krimet më serioze të asaj kohe trajtohen nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), [52] ato më të lehta janë përgjegjësi e gjyqeve të Kosovës. Deri më sot janë zhvilluar vetëm njëzetetre raste të krimeve të luftës në gjykatat e Kosovës. Shumica e këtyre rasteve (përfshirë të akuzuar serbë) së pari janë zhvilluar para paneleve të gjyqtarëve vendorë. Rastet e krimeve të luftës të trajtuara nga gjyqtarët vendorë janë karakterizuar me lëshime serioze në procedura siç janë dështimet për të ftuar dëshmitarët kryesorë gjatë gjykimit apo shpalljet e aktvendimeve që shpesh nuk ishin të mbështetura me argumente bindëse për shpalljen e të pandehurve fajtorë. [53]
Pas parashtrimit të ankesave dhe rigjykimit para paneleve me shumicë ndërkombëtare gati të gjitha rastet kanë rezultuar ose me lirimit të plotë nga akuzat ose me ulje të dënimit të shqiptuar. Disa raste tjera janë suspenduar apo anuluar krejtësisht për shkak se të pandehurit duhej të gjykoheshin në mungesë pasi kishin ikur nga njësitë e paraburgimit në Kosovë. Vetëm një numër i vogël i rasteve kanë rezultuar me dënime përfundimtare, përfshirë këtu një rast të zhvilluar in absentia. Shpesh ata që janë shpallur fajtorë janë dënuar për vepra penale të rëndomta e jo për krime lufte. [54]
Aktualisht, hetimet dhe gjykimet për krime lufte zhvillohen ekskluzivisht nga juristë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë që punojnë për Departamentin e Drejtësisë. [55] Përpjekjet për të themeluar një gjykatë apo dhomë vendore me juridiksion special mbi krimet e luftës dhe ato me motive etnike-gjë kjo e parë në Bosnjë, Serbi dhe Kroaci-janë ndërprerë që në fillim për shkak të arsyeve financiare dhe arsye tjera. [56] Në vend të kësaj, një departament i prokurorëve dhe gjyqtarëve ndërkombëtarë është ngarkuar me çështjen e trajtimit të këtyre rasteve, me shpresë se shqetësimet që ishin në fillim për shkak të anshmërisë dhe kompetencës do të mund të tejkaloheshin. [57]
Edhe pse disa raste të krimeve të luftës ende janë duke u proceduar, gjasat për të arritur një progres të mirëfilltë në kërkimin e përgjegjësisë për krimet e luftës janë të kufizuara. Aktualisht janë vetëm katër raste që janë aktive edhe pse janë qindra raste që janë nën hetime. Për më tepër, që nga maji i vitit 2002 janë nisur procedurat për vetëm gjashtë raste të krimeve të luftës. [58]
Ndjekjet penale janë bërë edhe më të vështira për shkak se shumë nga të dyshuarit për krime nuk janë më në Kosovë. Mbetet e paqartë se sa ka ndikuar në këtë sukses të kufizuar fakti se ndër qeveritë kryesore perëndimore nuk i është kushtuar kujdes i mjaftueshëm kësaj çështjeje dhe sa është kjo e tëra një dështim menaxherial i UNMIK-ut. [59]
Përgjegjësia për dhunën kundër pakicave
Para marsit 2004 bashkësia ndërkombëtare kishte përshtypjen se gjendja e pakicave në Kosovë ishte stabilizuar. Ndonëse pakicat përballeshin me dhunë të herë pas hershme, me keqtrajtime, frikësime, kjo ishte në shkallë shumë më të ulët se sa dhuna-përfshirë këtu vrasje, zjarrvënie dhe dëbime të dhunshme-e drejtuar kundër serbëve, romëve dhe pakicave të tjera menjëherë pas tërheqjes së forcave serbe e jugosllave në qershor 1999.
Por, dështimi i bashkësisë ndërkombëtare që të mbrojë pakicat para marsit 2004, e veçanërisht në vitet 1999 e 2000, tregon dështimin e vazhdueshëm që të nxirren para drejtësisë ata që janë përgjegjës për dhunën. Në një raport të vitit 2002, OSBE-ja vërente se "numri më i madh i krimeve të rënda ndër-etnike që kanë ndodhur gjatë dy viteve e gjysmë të kaluara nuk kanë rezultuar as me identifikimin e as me arrestimin e aktorëve të dyshuar të veprave, kështu që shumica e krimeve etnike të kryera më 1999 e 2000 nuk janë ndjekur penalisht". [60]
Bisedat e paradokohshme të Human Rights Watch me zyrtarë të OSBE-së, të Departamentit të Drejtësisë, me Ombudspersonin, si dhe me organizata për të drejtat e njeriut dhe ligjin humanitar tregojnë se edhe pas publikimin të raportit të OSBE-së në vitin 2002, gjendja mbetet pothuajse e njëjtë. [61]
Mungesa e përgjegjësisë vërehet edhe në rastet e krimeve të luftës në të cilat viktimat janë nga komunitet pakicë. Deri në fund të vitit 2005 në gjykata me panele vendore nuk është nisur asnjë procedurë penale për rastet në të cilat viktimat kanë qenë serbë apo pakica tjera jo-shqiptare. [62]
Në intervista me Human Rights Watch, në vjeshtë të vitit 2005, pjesëtarët e komuniteteve pakicë kanë treguar për sulme kundër pakicave dhe pronës së tyre që kurrë nuk janë ndjekur penalisht, duke i përmendur këto si shembuj që tregojnë se bashkësia ndërkombëtare nuk ka vullnetin që të merret me nevojat dhe shqetësimet e tyre e lëre më që t'i mbrojë ata. [63]
[50] Intervistë e Human Rights Watch me personelin e një agjencie joqeveritare, Kosovë, 2 nëntor 2005.
[51] Për më shumë detaje për krimet e luftës të kryera nga forcat serbe e jugosllave gjatë konfliktit në Kosovë, shih raportin e Human Rights Watch (në gjuhën angleze): "Under Orders: War Crimes in Kosovo (New York, 2001).
[52] Shumë shqiptarë të Kosovës mendojnë se as TPNJ-ja nuk ka bërë drejtësi. Dy nga pesë rastet e ngritura para Tribunalit nën akuzat për krime lufte të kryera në Kosovës kanë qenë kundër shqiptarëve, pjesëtarë të ish-UÇK-së, që akuzohen për krime kundër civilëve serbë e shqiptarë. Tri aktakuzat tjera (kundër nëntë liderëve më të lartë jugosllavë e serbë) janë për krime të kryera kundër popullatës shqiptare gjatë konfliktit. Një nga këto aktakuza, në rastin e Slobodan Milosheviqit, është tërhequr pas vdekjes së Milosheviqit në mars 2006. Vendimi i parë në lidhje me konfliktin në Kosovë është marrë më 20 nëntor 2005. Fakti se dy nga tre të akuzuarit ("Fatmir Limaj et al") janë shpallur të pafajshëm ka mundur të ndihmojë të përmirësohet përshtypja për TPNJ-në ndër shqiptarët e Kosovës. Për më tepër informata për punën e TPNJ-së në Kosovë shih http://www.un.org/icty (shikuar më 15 prill 2006).
[53] Një raport i OSBE-së, i vitit 2002, për rastet e krimeve të luftës, dokumenton problemet serioze me të cilat ballafaqohen këto raste. Problemet e identifikuara janë: shqetësimet për qartësinë dhe saktësinë e aktakuzës; natyra joprofesionale dhe jokomplete e aktvendimit, përfshirë formulimin e dobët të arsyeve ligjore dhe citateve të dobëta të ligjeve relevante; dështimi i Gjykatës Supreme që të "ndihmojë të vihen bazat e një jurisprudence të pavarur, dinamike e kritike në gjykatat e Kosovës", alokimi i pamjaftueshëm i resurseve për prokurorë dhe gjyqtarë të rasteve të krimeve të luftës; shqetësimet rreth kredibilitetit të dëshmitarëve; dëshmitë që dëmtonin në vend se të ndihmonin procesin e vendimmarrjes, duke paraqitur nevojën për incizime fjalë për fjalë të dëshmive në gjykata; si dhe mungesa e dukshme e përpjekjeve që të gjenden dhe të sillen në gjykata dëshmitarët mbrojtës serbë. Shih raportin e Misionit të OSBE-së në Kosovë: "Gjykimet për Krime Lufte në Kosovë: Shqyrtim", në: http://www.osce.org/documents/mik/2002/09/857_sq.pdf. Shih edhe raportin e Grupit të Krizave "Finding the Balance: The Scales of Justice in Kosovo" (Gjetja e mesit: Sa është bërë drejtësi në Kosovë), Europe Report No. 134, 12 shtator 2002, (në gjuhën angleze) në: http://www.crisisgroup.org/home/index.cfm?id=1609&l=1 (shikuar më 18 nëntor 2005).
[54] Intervistë e Human Rights Watch me një përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Prishtinë, 11 nëntor 2005; intervistë e Human Rights Watch me një prokuror ndërkombëtar, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 16 nëntor 2005; intervistë e Human Rights Watch me Qendrën për të Drejtën Humanitare, Prishtinë, 22 dhjetor 2005; intervistë e Human Rights Watch me seksionin e prokurorëve ndërkombëtarë pranë Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 23 shkurt 2006. Në disa raste fitohet përshtypja se në vend të akuzave për krime lufte janë ngritur akuza për krime të zakonshme për arsye të ndryshme siç janë kufizimi i gjasave për të frikësuar dëshmitarët. Prandaj, mund të ndodhë që disa nga krimet e kohës së konfliktit mund të jenë hetuar dhe ndjekur penalisht nën akuza për krime të rëndomta dhe opinioni publik nuk është i njoftuar për këtë. Intervistë e Human Rights Watch me zyrtar për informim të UNMIK-ut, Prishtinë, shtator 2005; Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror ndërkombëtar, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 16 nëntor 2005.
[55] Ka përjashtime ndonjëherë kur gjyqtarë vendorë ftohen të marrin pjesë në panelet mikse për të marrë vendim-siç është paraburgimi-që nuk konsiderohet i rëndë dhe kështu nuk kërkon panel vetëm ndërkombëtar. Intervistë e Human Rights Watch me seksionin e prokurorëve ndërkombëtarë në Departamentin e Drejtësisë, Prishtinë, 23 shkurt 2006.
[56] Krijimi i një gjykate vendore që do të merrej me krimet e luftës është propozuar në dhjetor 1999 por është hedhur poshtë si ide në gusht të vitit 2000. Edhe pse ka pasur propozime tjera tash vonë drejtuar Shtyllës I për krijimin e një gjykate të specializuar për krimet serioze, përfshirë rastet e krimeve të luftës apo atyre të dhunës serioze ndër-etnike, në kohën e përpilimit të këtij raporti këto propozime ende mbeteshin të shqyrtohen. Intervistë e Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006; Intervistë e Human Rights Watch me një gjyqtar të Gjykatës Supreme, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 22 shkurt 2006.
[57] Grupi i Krizave: "Gjetja e mesit", fq. 25. Për analiza tjera, shih: "Hartmann, 'International Judges and Prosecutors in Kosovo'."
[58] Intervistë telefonike e Human Rights Watch me një zyrtar të SMSJ të OSBE-së, 14 nëntor 2005; Intervistë e Human Rights Watch me stafin e seksionit të prokurorëve në Departamentin e Drejtësisë, 23 shkurt 2006. Raporti i OSBE-së përmend pesë raste shtesë ndërsa Departamenti i Drejtësisë ka gjashtë raste të reja në dosjet e veta (mendohet për raste që nuk përshihen në gjashtëmbëdhjetë rastet e para të raportuara në raportin e vitit 2002 të SMSJ të OSBE-së).
[59] Personeli i Departamentit të Drejtësisë i ka thënë Human Rights Watch se vazhdojnë të mbesin pengesa serioze në hetimin dhe ngritjen e procedurave penale në rastet e krimeve të luftës, përfshirë, për shembull, mungesën e programeve për rilokimin dhe mbrojtjen e dëshmitarëve apo mungesën e masave diplomatike për të zgjidhur çështjen e të dyshuarve që jetojnë jashtë Kosovës.
[60] Raport i përbashkët i UNHCR-së dhe OSBE-së (në gjuhën angleze) "Ninth Assessment of the Situation of Ethnic Minorities in Kosovo, September 2001 – April 2002," (Vlerësimi i nëntë i gjendjes së pakicave etnike në Kosovë, shtator 2001 – prill 2003) fq.18, në posedim të Human Rights Watch.
[61] Intervistë e Human Rights Watch me ombudpersonin, Institucioni i Ombudspersonit, Prishtinë, 31 tetor 2005; bisedë joformale e Human Rights Watch me zyrtarë të OSBE-së, Prishtinë, tetor-nëntor 2005; Intervistë e Human Rights Watch me stafin e Zyrës së Komisionarit të Lartë për të Drejta të Njeriut, Prishtinë, 14 nëntor 2005; Intervistë e Human Rights Watch me përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 16 nëntor; Intervistë e Human Rights Watch me Qendrën për të Drejtën Humanitare, Prishtinë, 22 dhjetor 2005. Human Rights Watch ka verifikuar përsëri këtë informatë me seksionin e prokurorëve ndërkombëtarë në Departamentin e Drejtësisë në shkurt 2006.
[62] Intervistë telefonike e Human Rights Watch me Qendrën për të Drejtën Humanitare, Prishtinë, 22 dhjetor 2005.
[63] Intervista të Human Rights Watch në Kosovo, 16-25 shtator 2005.






