Sfondi
Premtimi për të kërkuar përgjegjësi për dhunën e marsit 2004 në Kosovë
[Bashkësia ndërkombëtare] është plotësisht e vendosur që të kapë autorët e krimeve, që të gjejë ata që qëndrojnë prapa gjërave të tilla, sepse këta kanë tentuar të shkatërrojnë tërë të ardhmen e Kosovës. Ata janë përgjegjës për krime kundër njerëzimit.[1]
-Harri Holkeri, PSSP i UNMIK-ut, 24 mars 2004
Dyzetetetë orë trazira nga ana e shqiptarëve të Kosovës mes 17 e 18 marsit 2004, në cilat kishin marrë pjesë përafërsisht 51.000 njerëz në tërë Kosovën, lanë nëntëmbëdhjetë të vdekur, 954 të plagosur dhe 4.100 të zhvendosur. Së paku 730 shtëpi të pronarëve nga komunitetet pakicë, njëzeteshtatë kisha e manastire ortodokse dhe dhjetë ndërtesa publike që u ofronin shërbime pakicave (përfshirë një spital, dy shkolla dhe një postë) janë djegur dhe plaçkitur. Dhuna ka prekur kryesisht komunitetet pakicë serbe, rome, ashkalinj dhe komunitet tjera jo-shqiptare, përfshirë edhe ata që sapo ishin kthyer në Kosovë, por ka prekur edhe komunitetin shqiptar[2] pasi nëntë nga ta kanë vdekur gjatë trazirave.[3]
(Trazirat janë përshkruar në detaje në raportin e Human Rights Watch të publikuar në verë të vitit 2004, i përpiluar pas hulumtimeve të bëra në Kosovë menjëherë pas ngjarjeve të marsit. Shih raportin e Human Rights Watch: "Dështimi për të mbrojtur: Dhuna kundër pakicave në Kosovë, mars 2004".[4])
Reagimi i sistemit të drejtësisë penale ndaj marsit 2004 është një tregues i mirë i progresit në kërkimin e përgjegjësisë në përgjithësi në Kosovë. E para, pas më tepër se gjashtë vite të administratës ndërkombëtare, më nuk mund të thuhet se bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur mjaft kohë që të merret me të metat në kornizën ligjore, polici, prokurori dhe në gjykata.[5] E dyta, bashkësia ndërkombëtare vet ka theksuar se marsi ka shënuar kthesë në përpjekjet për të krijuar një ambient në të cilin do të kërkohet përgjegjësi për dhunën etnike e politike në Kosovë.
Porosia që vazhdimisht dëgjohej nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga lidershipi politik i shqiptarëve të Kosovës në atë kohë ishte se dhuna e marsit ishte e papranueshme dhe se kjo punë do të "rregullohej". Në mënyrë të veçantë thuhej se shtëpitë do të rindërtohen dhe do të bëhen ashtu siç kanë qenë;[6] të zhvendosurit do të përkujdeseshin deri atëherë kur të jetë e mundur që të kthehen; mangësitë në strukturat e sigurisë dhe linjat e komunikimit që kanë sjellë deri te dështimi që të garantohet siguria do të korrigjohen; dhe se ata që janë përgjegjës do të nxirren para drejtësisë.
Më 17 mars 2004 Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Harri Holkeri, Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes (IPVQ), Presidenca e BE-së, i ashtuquajturi "Quint" (zyrat e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë) bënë një deklaratë të përbashkët. Ajo nënvizonte qartë përkushtimin për të kërkuar përgjegjësi: "Ngjarjet e sotme dhe të ditëve të fundit do të hetohen dhe ata që janë përgjegjës për vdekjet dhe aktet e dhunës do të ndiqen penalisht".[7]
Ditën tjetër, Këshilli i Sigurimit i OKB-së theksoi rëndësinë e kërkimit të përgjegjësisë, duke "theksuar nevojën urgjente që autoritetet e Kosovës të marrin hapa efikas që të vihet rendi dhe ligji, të garantohet siguria e duhur për të gjitha komunitetet etnike dhe të nxirren para drejtësisë të gjithë autorët e veprave kriminale".[8] Këshilli i Evropës ka bërë ftesë të ngjashme në samitin e vet të mbajtur më 25 e 26 mars 2004: "Këshilli i Evropës dënon fuqishëm dhunën e paradokohshme, e motivuar etnikisht, në Kosovë. . . Ata që janë përgjegjës për dhunën duhet të nxirren para drejtësisë."[9]
Plani për implementimin e standardeve-"standardet" janë kriteret politike të lidhura me negociatat politike për statusin e ardhshëm të Kosovës-që mban datë 31 mars 2004 po ashtu i referohet nevojës për të kërkuar përgjegjësi për dhunën e marsit. Në pikën e parë në listën e aksioneve me prioritet në standardin e sundimit të ligjit, plani thotë: "Sa më shpejtë që të jetë e mundur të nxirren para drejtësisë ata që janë përgjegjës për krime të dhunshme gjatë ngjarjeve të 17-29 marsit 2004 dhe të sigurohet se ata do të marrin dënimin e merituar".[10]
Në maj 2004, Komisionari për punë të jashtme i Bashkimit Evropian, Chris Patten, ka ripërsëritur nevojën për përgjegjësi: "Ngjarjet e dhunshme të marsit të kaluar janë një goditje e rëndë për Kosovën. Është esenciale që ata që janë përgjegjës të sillen para drejtësisë".[11]
Me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, i dërguari special Kai Eide bëri një vlerësim politik të gjendjes në Kosovë, në verë të vitit 2004. Në raportin e tij për Sekretarin e Përgjithshëm, Eide theksoi nevojën që lidershipi ndërkombëtar në Kosovë të tregojë "përparim të dukshëm në fushën e sigurisë, rindërtimit, ndjekjes penale të atyre që janë përgjegjës për ngjarjet e marsit dhe në reformimin e qeverisjes lokale".[12]
Kah fundi i vitit 2004 mbizotëronte bindja se vërtetë po shënohej përparim në këto fusha. Pat një valë të arrestimeve, plot pompë, për krime gjatë marsit menjëherë pas trazirave, si dhe alokim gjegjës të fondeve nga buxheti i Kosovës për rindërtim.
Struktura e Sistemit të drejtësisë penale në Kosovë
Polic ia
Policia e Kosovës është forcë hibride e përbërë nga policë ndërkombëtarë dhe vendorë. Pas hyrjes në Kosovë, më 1999, në kuadër të përgjegjësive të veta për sigurinë, UNMIK-u themeloi një forcë policore ndërkombëtare, përgjegjëse për kryerjen, përkohësisht, të funksioneve të ruajtjes së rendit e ligjit deri sa të krijohet Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK), "kredibil, profesional dhe i paanshëm".[13]
UNMIK-u morri përsipër edhe detyrën e themelimit të SHPK-së me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (që është përgjegjëse për "ndërtimin e institucioneve" në Kosovë). UNMIK-u dhe OSBE-ja kanë punuar së bashku që të trajnojnë rekrutët që do të bëhen oficerë të SHPK-së, proces ky që filloi në shtator të vitit 1999 me trajnimin e grupit të parë të 176 policëve të ardhshëm. [14] Deri në mars 2006 – gjashtë vjet e gjysmë më vonë – 6.846 oficerë janë trajnuar dhe kanë marrë detyrën në tërë Kosovën. [15] (Në kohën e trazirave kishte 5.700 oficerë të SHPK-së. [16] )
Derisa në mars 2004 shumica e oficerëve të SHPK-së punonin nën mbikëqyrjen dhe drejtimin e Policisë së UNMIK-ut, që nga atëherë shumë kompetenca në punët e policisë në Kosovë janë transferuar tek SHPK-ja. [17] Oficerët e policisë ndërkombëtare tani kanë detyra kryesisht monitoruese e këshillëdhënëse ndërsa numrat e tyre gradualisht po zvogëlohen pasi misioni është gati që të përfundojë mandatin e vet. Nga përafërsisht 4.450 oficerë sa kishte në fillim të vitit 2003, [18] në mars 2006 kishin mbetur 2.200 oficerë ndërkombëtarë që punojnë në Kosovë.[19]
Në prill 2004 – vetëm disa javë pas trazirave të marsit – hyri në fuqi Kodi i ri i procedurës penale në Kosovë, hap ky që në mënyrë fundamentale ka ndërruar strukturën e sistemit juridik penal në Kosovë, duke kaluar përgjegjësitë kryesore për përgatitjen e procedurave penale nga gjyqtarët hetues tek prokurorët. Ligji i ri fut në përdorim konceptin e "policisë gjyqësore", degë speciale e policisë e ngarkuar të mbështesë punët hetimore të prokurorëve. [20] (Shih më poshtë kapitullin: "Ndikimi i ristrukturimit të sistemit gjyqësor në prill 2004")
Shërbimi i Prokurorisë
Shërbimi i prokurorisë në Kosovë është gjithashtu hibrid, me vendorë e ndërkombëtarë që punojnë ndaras në kuadër të sistemit të njëjtë gjyqësor. Në kohën e përpilimit të këtij raporti dhjetë prokurorë ndërkombëtarë punonin në Divizionin e krimeve në Departamentin e Drejtësisë (DD). [21] Që nga fundi i vitit 2005, puna e prokurorëve ndërkombëtarë është centralizuar dhe të gjithë prokurorët ndërkombëtarë punojnë në ndërtesën e DD-së në Prishtinë, të mbikëqyrur nga zëvendësdrejtori i Departamentit. [22] Ndonëse punojnë sipas të njëjtave ligje si edhe prokurorët vendorë, prokurorët ndërkombëtarë kanë të drejtë që t'ua marrin rastet prokurorëve vendorë apo t'i mbajnë për vete rastet. Zakonisht rastet merren apo mbahen nga prokurorët ndërkombëtarë atëherë kur këto konsiderohen raste të ndjeshme për shkak se kanë ngjyrime ndër-etnike, politike apo të krimit të organizuar.
Tetëdhjetenëntë prokurorët ndërkombëtarë që punojnë në gjykatat e Kosovës janë të ndarë në trembëdhjetë zyre të prokurorëve. Këto zyre reflektojnë strukturën e gjykatave. Shërbimi ka tri nivele, në krye të së cilave është Zyra e Prokurorit Publik, me seli në Prishtinë, e pasuar nga pesë Zyre të qarkut dhe shtatë zyra komunale. Këto zyre zakonisht kanë selitë në ndërtesat e gjyqeve. [23]
Zyra e Prokurorit Publik të Kosovës ka mandatin që të mbikëqyrë dhe standardizojë punën e të gjithë prokurorëve në vend. Por, në praktikë kjo nuk ndodh. Edhe pse Zyra përpilon raporte për punën e prokurorëve vendorë që ia dërgon Departamentit të Drejtësisë, prokurori publik kryesor ia ka bërë të qartë Human Rights Watch se sipas tij mandati i Zyrës së Prokurorit Publik është që të merret me ankesat në Gjykatën supreme e jo që të mbikëqyrë punën e prokurorëve vendorë. [24]
Një prokuror vendor e quan bashkëpunimin mes prokurorëve vendorë e atyre ndërkombëtarë "sistem paralel". [25] Prokurorët ndërkombëtarë e konfirmojnë këtë ndarje të dy sistemeve të prokurorisë, duke shtuar se kjo ndodh kryesisht për shkak se punojnë në raste të ndryshme dhe për shkak se selitët e tyre janë të ndara edhe fizikisht.
Nga kjo del se në praktikë secila zyre vendore e prokurorit punon në mënyrë autonome nga sistemi vendor dhe nga prokurorët ndërkombëtarë që punojnë në Kosovë. Mungesa e koordinimit mes zyrave të prokurorëve rëndon edhe më tepër punën e prokurorëve që edhe ashtu janë të rënduar me mungesën e stafit dhe me tepër shumë raste. [26]
Siç thotë Udhëheqësi i Zyrës së Prokurorit Publik:
Një prokuror ndërkombëtar është i emëruar (në këtë juridiksion). Atë nuk e shoh kurrë. Zyrtarisht ai punon për këtë zyre por unë atë nuk e shoh kurrë. Do të ishte ndryshe sikur ai të ishte këtu dhe sikur ne të takoheshim e të organizonim punën bashkë. . . kjo është më se e qartë. Ata madje as nuk mundohen ta fshehin faktin se ne jemi krejtësisht të ndarë. [27]
Mungesa e koordinimit kufizon shkëmbimin e përvojave mes vet prokurorëve vendorë apo mes prokurorëve vendorë e ndërkombëtarë si dhe pengon zhvillimin e praktikave më të mira.
Pas ndërrimeve të mëdha në sistemin juridik penal në prill 2004, të gjithë prokurorët, vendorë e ndërkombëtarë, tani pritet jo vetëm të bëjnë ndjekjet penale por edhe të angazhohen në cilësinë e hetuesve së bashku me policinë, duke "drejtuar dhe mbikëqyrur punën e policisë gjyqësore në fazën paragjyqësore të procedurës penale". [28] Ky rol i ri, që më parë e kanë kryer gjyqtarët hetues, e shton dukshëm nevojën për shërbime të prokurorisë dhe thekson nevojën për koordinim efikas të punës së prokurorëve edhe horizontalisht edhe vertikalisht. (Për më tepër detaje, shih kapitullin "Ndikimi i ristrukturimit të Sistemit juridik penal në prill 2004").
Gjyqet
Kosova ka sistem gjyqësor civil. Struktura e tashme gjyqësore është vazhdimësi e sistemit që ka ekzistuar para konfliktit, por me një dallim të rëndësishëm. Ky dallim del nga reforma e bërë në prill 2004 që ka kaluar përgjegjësitë për hetime nga gjyqtarët tek prokurorët. Në majë është Gjykata Supreme me juridiksion origjinal dhe të apelit. Gjykata supreme ka mandat të gjerë që të mbikëqyrë punën e gjykatave më të ulëta, por nuk e ka ushtruar këtë funksion që nga viti 1999. [29]
Nën Gjykatën Supreme janë pesë gjykata të qarkut, gjithashtu me juridiksion origjinal dhe të apelit. [30] Juridiksioni origjinal për rastet penale në gjykatat e qarkut ka të bëjë me krimet që marrin dënim nga pesë e më tepër vite heqje lirie. Nën gjykatat e qarkut janë njëzetekatër gjykata komunale në tërë Kosovën me juridiksionin e shkallës së parë për rastet penale që marrin dënime deri në pesë vjet heqje lirie. [31]
Janë edhe njëzetepesë gjykata për kundërvajtje që kanë juridiksion mbi rastet që mund të marrin jo më shumë se dy muaj burgim. Këto raste janë kryesisht të llojit të "prishjes së rendit publik", përfshirë përqindjen më të madhe të kundërvajtjeve në komunikacion. Këto raste nuk kërkojnë apo rrallë nënkuptojnë paraqitjen e prokurorëve apo avokatëve mbrojtës në kuadër të gjykimit. Ankesat për kundërvajtje mund të shqyrtohen nga Gjykata e lartë për Kundërvajtje.
Deri në fund të janarit 2006 numri i gjyqtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë që punonin në gjyqet e Kosovës ishte 306. Gjyqtarët ndërkombëtarë veprojnë vetëm në Gjykatën supreme dhe ato të qarkut, nganjëherë si anëtarë të paneleve të përbëra nga gjyqtarë vendorë e ndërkombëtarë e nganjëherë në panele ekskluzivisht me ndërkombëtarë (siç janë gjykimet për krime lufte). Këta shqyrtojnë rastet e udhëhequra nga prokurorët ndërkombëtarë.
Pesëdhjetenëntë gjyqet e Kosovës janë të vendosura në tridhjetegjashtë ndërtesa në tërë Kosovën. [32] Shpërndarja gjeografike e gjykatave është parë nga disa si pengesë për monitorimin efikas të punës së tyre nga ana e Departamentit të Drejtësisë, OSBE-ja, Departamenti i Administratës Gjyqësore dhe organizatat jo-qeveritare.
Mbikëqyrja politike e Sistemit të drejtësisë penale
Administrata ndërkombëtare civile e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është një sistem i ndërlikuar në të cilin përgjegjësia ndahet mes OKB-së, OSBE-së dhe Bashkimit Evropian. [33] Kryesues i misionit është Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) të OKB-së që ka në dorë tërë autoritetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë, përfshirë edhe administrimin e sistemin e drejtësisë penale. [34]
Në vitin 2001, siç qe paraparë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së kur pat marrë përgjegjësinë në Kosovë dy vite më herët, UNMIK-u filloi të transferojë disa nga kompetencat tek institucionet vendore. Ndër këto institucione janë Kuvendi i Kosovës i zgjedhur drejtpërdrejtë në zgjedhje, që pastaj zgjedh Kryetarin dhe emëron Qeverinë e Kosovës. Në dy vitet e fundit, transferimi i kompetencave tek Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes është shpejtuar. Përveç transferimit të mëhershëm dhe të gjerë të kompetencave në nivelin e komunave, janë edhe një numër i kompetencave të ministrive që janë transferuar nga duart e ndërkombëtarëve tek vendorët. [35]
Policia dhe Drejtësia në kuadër të UNMIK-ut
Shtylla I e UNMIK-ut-Policia dhe drejtësia ka qenë aktori kryesor në Kosovë në fushën e rendit e ligjit [36] . Kjo shtyllë jo vetëm që mban kompetencat e rezervuara që kanë të bëjnë me funksionimin e aspekteve të ndryshme të sistemit të drejtësisë penale, por po ashtu edhe dikton politikat e institucioneve që i përgjigjen asaj drejtpërdrejt. Shtylla I mban edhe kontrollin financiar të gjyqësisë vendore dhe kontrollon politikat e përgjithshme të vendimmarrjes. [37] Shtylla I ka Departamentin e policisë që kryesohet nga Komisionari i Policisë Ndërkombëtare dhe Departamentin e Drejtësisë, që është "qendra e angazhimeve të UNMIK-ut për vënien e rendit e ligjit në Kosovë." [38]
Mbikëqyrja e gjyqësisë vendore nga ana e Shtyllës I mbështetet nga Departamenti i Administratës Gjyqësore që vepron në kuadër të Ministrisë së Shërbimeve Publike në IPVQ. Ky Departament ka përgjegjësi teknike të administrimit të gjyqësisë vendore, por kryesisht është e angazhuar në menaxhimin e kërkesave për resurse materiale e njerëzore të gjyqtarëve dhe prokurorëve vendorë drejtuar Departamentit të Drejtësisë dhe Shtyllës I të UNMIK-ut.
Departamenti i Drejtësisë
Deri më sot, Departamenti i Drejtësisë i UNMIK-ut ka qenë përgjegjës për gjyqet në Kosovë, duke kryer detyrat e Ministrisë së Drejtësisë. Departamenti është i ngarkuar me ndjekjet penale dhe procedimin penal të shumicës së krimeve serioze nëpërmjet prokurorëve dhe gjyqtarëve ndërkombëtarë si dhe është përgjegjës për çështjet e përgjithshme juridike. Seksione të veçanta të Departamentit të Drejtësisë janë të ngarkuara me hetimet e krimeve dhe me zhvillimin e përgjithshëm të drejtësisë, përfshirë funksionimin e përgjithshëm të gjyqësisë vendore. [39] Departamenti është përgjegjës edhe për marrjen e shumë vendimeve të rëndësishme në fushën e ligjësisë dhe policisë . [40]
Edhe pse teoritikisht shumë nga përgjegjësitë për mbikëqyrjen e gjyqësisë në nivel të gjykatave dhe prokurorive bie në duart e IPVQ-së, në praktikë kjo nuk ka ndodhur. Në vend të kësaj, siç u tha më lartë, Departamenti i Administratës Gjyqësore (DAGJ) ka vepruar kryesisht si urë lidhëse mes gjyqeve dhe Departamentit të Drejtësisë në çështjet e nevojave materiale dhe të personelit. DAGJ mbanë disa shënime statistikore për punën e gjykatave por nuk bën menaxhimin dhe nuk kryen funksione administrative mbi to. [41] Këto funksione kryhen nga administrata e vet gjykatave apo vet kryetarët e gjykatave. Siç thotë një zyrtar i lartë i DAGJ:
Edhe pse ky departament është transferuar në Ministrinë e Shërbimeve Publike, në të vërtetë nuk është në krye të gjyqësisë, duke filluar këtu që nga çështja e buxhetit. Nëse nuk ke buxhet, nuk mund të marrësh asnjë vendim. Kështu që duhet të koordinohemi me Departamentin e Drejtësisë. . . Çdo gjë që ka të bëjë me punën e gjyqeve, me çështjet profesionale, i përkasin DD-së. Stafi i gjykatave dhe resurset-kjo i përket DAGJ-së. Deri tani DD ka vepruar si Ministri e Drejtësisë me kompetenca të rezervuara-dhe ende vepron kështu. . . [42]
Duke pasur parasysh se UNMIK-u ende kontrollon buxhetin dhe mban kompetenca të rezervuara në fushën e drejtësisë dhe policisë, përfshirë përgjegjësitë për policinë, prokurorët, gjykatat si dhe për vet përcaktimin e agjendave, dhe duke u bazuar në vlerësimin e zyrtarit të DAGJ-së të cituar më lartë, duket qartë se Shtylla I mbetet aktori kryesor në sistemin e drejtësisë në Kosovë. [43]
Themelimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme të IPVQ-së
Disa nga kompetencat e Departamentit të Drejtësisë janë duke u transferuar tek ministria e re e drejtësisë në kuadër të IPVQ-së. Pjesa më e madhe e përgjegjësive të Ministrisë së Drejtësisë në fillim do të jenë të natyrës administrative. Pritet që UNMIK-u do të vazhdojë të mbajë përgjegjësinë për rastet më të ndjeshme (siç janë ato që kanë të bëjnë me konfliktet ndër-etnike dhe me krimin e organizuar) edhe për një kohë të shkurtë apo pak më të gjatë. Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe kryesues i UNMIK-ut (aktualisht këtë post e mban Soren Jessen-Petersen) do të mbajë kompetencat e rezervuara për çështjet tepër të ndjeshme apo për çështjet politike. [44]
Kah mesi i muajit mars 2006 është emëruar ministri i parë i drejtësisë dhe ky vendim është miratuar nga PSSP-ja. Prioritetet e tij kryesore në tre muajt e parë në zyre, sipas mediave, janë plotësimi i vendeve të punës, krijimi i një grupi punues ndër-ministror si dhe negociimi i kushteve të punës së ministrisë me Shtyllën I të UNMIK-ut. [45] Pas themelimit të Ministrisë, DAGJ zyrtarisht është ndarë. Përgjegjësitë e Departamentit për çështjet e procedurave penale janë vënë nën juridiksionin e Ministrisë së Drejtësisë. Përgjegjësitë e saja për administrimin e gjyqeve i janë transferuar formalisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës (në përputhje me Rregullores 52/2005 të UNMIK-ut). [46] Në kohën kur po përpilohej ky raport, po zhvilloheshin diskutimet për transferimin e përgjegjësive për buxhetin e administratës së gjyqeve. [47]
Më 20 dhjetor 2005, UNMIK-u ka miratuar edhe rregulloren për themelimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Plani veprues për ministrinë e re, sikurse edhe në rastin e Ministrisë së Drejtësisë, parasheh që së pari të bëhet emërimi i ministrit dhe zëvendës-ministrit. Pas këtyre emërimeve, Ministria fillon të marrë përgjegjësitë ligjore, teknike, financiare dhe administrative të sferës së policisë. Transferimi i kompetencave më të rëndësishme siç është kontrolli i plotë operacional mbi SHPK-në dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK, që administron qendrat e burgimit) do të bëhet vetëm pasi të bëhet vlerësimi i efikasitetit të punës së ministrive pas tre muajve të parë të punës së tyre.
Nëse vlerësimi do të jetë pozitiv, hapi tjetër do të jetë emërimi i zëvendës-komisionarit të policisë nga SHPK-ja që do të veprojë drejtpërdrejtë nën ministrin e punëve të brendshme, por që ende do të ishte nën autoritetin e përgjithshëm të Përfaqësuesit Special dhe komisionarit të policisë ndërkombëtare të UNMIK-ut. [48] Në kohën e përpilimit të raportit sapo është emëruar ministri i punëve të brendshme ndërsa dy departamente (i Emergjencës dhe Dokumenteve Civile) janë transferuar në Ministrinë e re. [49]
[1] Nebih Qena, "OKB-ja akuzon autorët e dhunës në Kosovë për 'krime kundër njerëzimit'", Agence France-Presse, 24 mars 2004.
[2] Duhet të vërehet se edhe pse marsi 2004 kryesisht ka prekur pakicat, disa qindra shqiptarë që jetonin si pakicë në pjesën veriore të Kosovës po ashtu janë detyruar të shpërngulen për shkak të trazirave.
[3] Numri i nëntë shqiptarëve të vrarë (nga gjithsej nëntëmbëdhjetë të vdekur) raportohet nga OSBE-ja; këto të dhëna shfrytëzohen gjerësisht në këtë raport. Departamenti i Drejtësisë i ka thënë Human Rights Watch-it se në trazirat e marsit kanë humbur jetën 20 persona, nga të cilët dymbëdhjetë janë shqiptarë. Intervistë e Human Rights Watch me një punëtor të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 23 shkurt 2005.
[4] "Dështimi për të mbrojtur: Dhuna kundër pakicave në Kosovë, mars 2004", raport i Human Rights Watch, Vol. 16, Numër 6, korrik 2005. Mund të gjendet në internet në: http://hrw.org/reports/2004/kosovo0704/. Shih edhe raportin për Evropë numër 155 të Grupit të Krizave, "Kolapsi në Kosovë", 22 prill 2004 në http://www.crisisgroup.org/home/index.cfm?id=2627&l=1 (shikuar më 2 maj 2006).
[5] Në shtator 2002, Misioni i OSBE-së në Kosovë vlerësonte se "një sistem gjyqësor i rregullt e funksional sa i përket veprave penale është ngritur në tërë Kosovën". Misioni i OSBE-së në Kosovë, Seksioni i Monitorimit të Sistemit Ligjor, "Gjykimet për Krime Lufte në Kosovë: Shqyrtim", shtator 2002, fq.10 (tutje "Raporti për Krime Lufte i OSBE-së i vitit 2002"].
[6] Çështja e rindërtimit pas marsit 2004 bie jashtë sferës së këtij raporti, ndonëse ky është aspekt i rëndësishëm i përgjegjësisë së përgjithshme në Kosovë e pas marsit 2004.
[7] Deklaratë e përbashkët e IPVQ-së, liderëve politikë, "Quintit", Presidencës së BE-së dhe PSSP-së Harri Holkeri, UNMIK/PR/114, 17 mars 2004, në internet (në gjuhën angleze): http://www.unmikonline.org/press/2004/pressr/pr1141.pdf (shikuar më 15 prill 2006).
[8] "Këshilli i Sigurimit, me anë të një deklarate presidenciale, fuqishëm dënon dhunën ndëretnike në Kosovë, kërkon ndërprerje të menjëhershme", informatë për shtyp e OKB-së, SC/8030, 18 mars 2004, në internet në (në gjuhën angleze) http://www.un.org/News/Press/docs/2004/sc8030.doc.htm (shikuar më 15 prill 2006).
[9] Këshilli i Evropës, Konkluzionet e Presidencës, 9048/04, POLGEN 20, CONCL 1, 25-26 mars 2004, në internet në (në gjuhën angleze): http://europa.eu.int/comm/environment/climat/pdf/spring_2004.pdf (shikuar më 15 prill 2006).
[10] Plani për implementimin e standardeve, në: http://www.unmikonline.org/standards/docs/ksip_alb.pdf
(shikuar më 15 prill 2006).
[11] "Patten viziton Beogradin dhe Prishtinën më 10 e 11 maj", informatë e Shtyllës së BE-së të UNMIK-ut, 7 maj 2004, në (në gjuhën angleze): http://www.euinkosovo.org/press/2004/pr07052004.html (shikuar më 15 dhjetor 2005).
[12] Kai Eide, "Gjendja në Kosovë – Raport për Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Përmbledhje dhe Rekomandimet", gusht 2004, faqe iv, paragrafi 15.
[13] UNMIK, "Policia dhe Drejtësia (Shtylla I)-Policia, Mandati," në: http://www.unmikonline.org/justice/police.htm (në gjuhën angleze) (shikuar më 6 mars 2006).
[14] Ibid.
[15] 411 të tjerë ishin duke u përgatitur në shkollën e policisë dhe pritet të diplomojnë në qershor 2006. SHPK-ja synon që të trajnojë dhe të ketë në detyrë rreth 7.200 oficerë në Kosovë – synim ky gati i realizuar krejtësisht, por që pritet të përmbyllet edhe me rekrutimin dhe trajnimin e një grupi të vogël të oficerëve për të plotësuar mungesat normale në kuadër të shërbimit. Intervistë e Human Rights Watch me departamentin e trajnimit të SHPK-së, Prishtinë, 1 mars 2006.
[16] Të dhëna nga UNMIK-u të cituara nga Human Rights Watch në raportin "Dështimi për të mbrojtur".
[17] Të gjitha stacionet policore, gjithsejtë 33, dhe pesë nga gjashtë stacionet policore rajonale (përveç Mitrovicës) janë transferuar nën kontrollin e SHPK-së, me oficerët ndërkombëtarë duke pasur rol vetëm monitorues dhe këshillëdhënës. Përveç kësaj, kah fundi i vitit 2005 janë vënë nën kontrollin e SHPK-së edhe këto njësi: K9 (njësiti i qenve), njësia e çështjeve gjinore, njësitë rajonale të krimeve, njësitë rajonale të trafikut, Bordi i Ankesave i SHPK-së, njësia e licencimit të armëve, policia e komuniteteve, njësia e standardeve profesionale dhe njësia e mjekësisë ligjore (forenzikët). "Report of the Secretary-General on the United Nations Interim Administration Mission in Kosovo to the Security Council" (Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm për Administratën e Përkohshme të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë para Këshillit të Sigurimit), dokumenti (në gjuhën angleze) S/2006/45, 25 janar 2006, Aneksi 1, "Technical assessment of progress in implementation of the standards for Kosovo" (Vlerësimi teknik i progresit në implementimin e standardeve në Kosovë), përgatitur nga PSSP, 20 dhjetor 2005, faqet 12-13, paragrafi 29.
[18] Faqja e UNMIK-ut (në gjuhën angleze) http://www.unmikonline.org/justice/police.htm (shikuar më 6 mars 2006). Për dallim nga kjo, në fund të vitit 2003 kishte 3.752 policë ndërkombëtarë në mision. Në mars 2004, numri i policëve të UNMIK-ut qe reduktuar në 3.248. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, "Report of the Secretary-General on the United Nations Interim Administration Mission in Kosovo" (Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm për Administratën e Përkohshme të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë), dokumenti i OKB-së S/2004/348, 30 prill 2004, Aneksi 1.
[19] Kjo përfshin 1.718 policë civilë ndërkombëtarë (CIVPOL), dy oficerë të njësive korrektuese dhe pesëqind pjesëtarë të Njësive Speciale të Policisë (SPU). Intervistë nëpërmjet telefonit e Human Rights Watch me një zyrtar të Policisë së UNMIK-ut, Prishtinë, 1 mars 2006. Policët e UNMIK-ut vijnë nga dyzetegjashtë vende kontribuuese, që nga Argjentina deri në Zimbabve, dhe dallojnë shumë në përvojat e tyre policore dhe respektimin për të drejtat e njeriut.
[20] Kodi i Përkohshëm i Procedurës Penale në Kosovë, i miratuar më 6 korrik 2003, ka hyrë në fuqi më 6 prill 2004. Në: http://www.unmikonline.org/regulations/unmikgazette/03albanian/A2003regs/RA2003_26_PCPCintranet.pdf (shikuar më 14 prill 2006).
[21] Në vjeshtën e vitit 2005 dhe në fillim të vitit 2006 ishin trembëdhjetë prokurorë ndërkombëtarë. Intervistë telefonike e Human Rights Watch me një pjesëtar të divizionit për krimet, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 20 shkurt 2006.
[22] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror ndërkombëtar, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 20 shkurt 2006. Më herët një prokuror ndërkombëtar ka qenë i caktuar të punojë në Gjykatën Supreme dhe një apo dy prokurorë ishin të vendosur në secilin rajon (gjykatat e qarkut). Për më tepër informata për historinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë në Kosovë shih (në gjuhën angleze): "Michael E. Hartmann, 'International Judges and Prosecutors in Kosovo: A new Model for Post-Conflict Peacekeeping'", raport special i "United States Institute of Peace", tetor 2003, në: http://www.usip.org/pubs/specialreports/sr112.html (shikuar më 14 mars 2006).
[23] Për më shumë informata për vendndodhjen dhe mandatin e këtyre zyrave, shih (në gjuhën angleze): Rubotham, Sejr, Tunheim, Wiggins, and Zimmer, "Kosovo Judicial System: Assessment and Proposed Options 2003-2004," raport i përgatitur me kërkesën e PSSP-së dhe ish-Këshilli Prokurorial dhe Gjyqësor i Kosovës, korrik 2005, fq.34-36 (tutje: "Rubotham and others, 'Kosovo Judicial System Assessment'").
[24] Intervistë e Human Rights Watch me personelin e Zyrës së Prokurorit Publik të Kosovës, Prishtinë, 1 shkurt 2006. Në pyetjen e drejtpërdrejtë nëse kjo zyre ka supremaci mbi zyrat tjera të prokurorëve nëpër Kosovë, udhëheqësi i kësaj zyre u përgjigj: "vetëm nganjëherë, në raste individuale". Tutje ai sqaroi se, për shembull, nëse parashtrohet një ankesë për një rast në gjykatat e qarkut, zyra e tij do të kishte supremacion mbi prokurorët e gjykatës së qarkut prandaj do të merrej me ankesën.
[25] Ibid.
[26] Departamenti i Drejtësisë i ka thënë Human Right Watch se ka qenë e vështirë që të gjendjen njerëz të kualifikuar për të plotësuar këto vende. Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të lartë, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006.
[27] Intervistë e Human Rights Watch me një prokuror vendor, Zyra e Prokurorit Publik të Kosovës, Prishtinë, 1 shkurt 2006.
[28] Shih: "Rubotham and others, "Kosovo Judicial System Assessment," fq.70-76, për një analizë të ndikimit të transferimit të përgjegjësive hetuese tek prokurorët në përputhje me kodin e ri.
[29] Shih: Rubotham and others, "Kosovo Judicial System Assessment," fq.26.
[30] Qarqe janë: Prishtina, Prizreni, Gjilani, Peja dhe Mitrovica.
[31] Për një përshkrim më në detaje të juridiksionit të këtyre gjykatave shih diskutimin në "Rubotham and others, 'Kosovo Judicial System Assessment'," fq.15-22. Duhet vërejtur se përveç njëzetekatër gjykatave komunale janë edhe departamentet tjera shtesë në dy zona me shumicë serbe: në Graçanicë, ku është një departament i gjykatës komunale të Prishtinës; dhe Shtërpcë, ku është një departament i gjykatës komunale të Ferizajit.
[32] Ky numër përfshinë edhe dy departamentet në Graçanicë dhe Shtërpcë si dhe Gjykatën e krimeve ekonomike në Prishtinë. Në këtë numër nuk është përfshirë gjykata jo-funksionale e krimeve ekonomike në Gjakovë.
[33] Sipas strukturës origjinale të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), i themeluar sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përgjegjësia qe ndarë mes katër "shtyllave". Shtylla I, e udhëhequr nga UNHCR-ja, ishte përgjegjëse për ndihmën humanitare; Shtylla II, nën kontrollin e UNMIK-ut, ishte përgjegjëse për administratën civile; Shtylla III, e kryesuar nga OSBE-ja, ishte përgjegjëse për ndërtimin e institucioneve; dhe shtylla IV, e menaxhuar nga BE-ja, kishte për detyrë të udhëheqë rindërtimin ekonomik. Shtylla humanitare është mbyllur në qershor 2000 dhe është zëvendësuar nga Shtylla I e re, ajo për Drejtësi dhe Polici, e themeluar në maj 2001. Çështjet policore dhe të drejtësisë nën shtyllën e administratës civile qenë transferuar tek shtylla e re. Shtylla II është shpërndarë në vjeshtë të vitit 2005 dhe funksionet e saj janë transferuar tek institucionet vendore apo janë shpërndarë tek shtyllat tjera të misionit. Për informata shtesë për fillet e UNMIK-ut dhe zhvillimet në Kosovë, shih raportin më të ri të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, publikuar më 10 shkurt 2006, në (në gjuhën angleze): http://www.securitycouncilreport.org/site/c.glKWLeMTIsG/b.1416071/k.D974/update_report_no3BRKosovoBR10_February_2006.htm (shikuar më 14 mars 2006).
[34] Administrata civile mbështetet nga një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare (KFOR-i i udhëhequr nga NATO) që ka për detyrë të mbajë paqen dhe sigurinë si dhe të mbrojë kufijtë e Kosovës.
[35] Këto ministri janë: Ministria e Qeverisjes Lokale; Ministria e Shërbimeve Publike; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ; Ministria e Shëndetësisë; Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit; Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor; Ministria e Financave dhe Ekonomisë; Ministria e Tregtisë dhe Industrisë; Ministria e Energjisë dhe Minierave, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacioneve; dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Procesi i transferimit të kompetencave në ministritë e reja, të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, po zhvillohej në kohën derisa përpilohej ky raport. (Shih nën-kapitullin: "Themelimi i ministrive të reja të IPVQ-së, të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme)
[36] Më 1 maj 2006, derisa ky raport po shtypej, Shtylla I ka përfunduar së ekzistuari. Funksionet e saj tani kryhen nga një zyre e re e çështjeve policore që vepron në kuadër të Zyrës së PSSP-së (Zyra e Politikave të Sundimit të Ligjit). Departamenti i Drejtësisë dhe Zyra e Komisionarit të Policisë tani i raportojnë drejtpërdrejtë zëvendësit të parë të PSSP-së e jo kryesuesit të Shtyllës I. Këto ndërrime janë bërë tepër vonë për t'u përfshirë në këtë raport. Për më tepër, analizat e bëra në këtë raport nuk ndikohen nga ristrukturimi pasi UNMIK-u ende mbanë rolin mbikëqyrës mbi çështjet e drejtësisë dhe policisë. Të gjitha referencat që në këtë raport i bëhen Shtyllës I duhet të kuptohen si referime Zyrës së PSSP-së. Për më tepër informata shih Udhëzimin e zyrës së PSSP-së mbi ristrukturimin e Shtyllës I, 10 maj 2006, që gjendet edhe në dosjen e Human Rights Watch.
[37] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të Departamentit të Administratës Gjyqësore, Prishtinë, 15 shkurt 2006.
[38] UNMIK, Shtylla I-Policia dhe Drejtësia, Hyrje, (pa datë, në gjuhën angleze), në: http://www.unmikonline.org/justice/index_pillar1.htm (shikuar më 17 prill 2006).
[39] Intervista të Human Rights Watch me personelin e Departamentit të Drejtësisë, Kosovë, tetor e nëntor 2005; Intervistë e Human Rights Watch me stafin e Divizionit për Politikat Ligjore, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, janar 2006; Intervistë e Human Rights Watch me stafin e Divizionit për Zhvillim Juridik, Departamenti i Drejtësisë, Prishtinë, shkurt 2006. Shih edhe përshkrimin për mandatin e Departamentit të Drejtësisë në vebsajtin e UNMIK-ut në (në gjuhën angleze): http://www.unmikonline.org/justice/index_pillar1.htm. Për analiza më të detajuara të sistemit juridik në Kosovë, shih: "Rubotham and others, 'Kosovo Judicial System Assessment.'"
[40] UNMIK, Shtylla I-Policia dhe Drejtësia, Hyrje, (pa datë, në gjuhën angleze) në: http://www.unmikonline.org/justice/index_pillar1.htm (shikuar më 17 prill 2006); Shih edhe raportin e Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së (në anglisht) "Report Submitted by the United Nations Interim Administration Mission in Kosovo to the Human Rights Committee on the Human Rights Situation since June 1999," (Raport prezantuar nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë para Komitetit për të Drejtat e Njeriut mbi Gjendjen e të Drejtave të Njeriut që nga qershori 1999), 15 shkurt 2006, CCPR/C/UNK/1, paragrafi 34.
[41] Intervistë e Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të Departamentit të Administratës Gjyqësore, Prishtinë, 15 shkurt 2006.
[42] Ibid.
[43] Një konkludim të njëjtë ka bërë edhe UNMIK-u, pasi ka vërejtur me sa vijon: "Përkundër riorganizimit të Departamentit (DAGJ) që të korrespondojë me kornizën kushtetuese, vështirësitë mbesin. Në esencë, korniza mbanë vendime legale e politike esenciale si funksione të rezervuara, ndonëse transferon administrimin e shumë këtyre politikave tek Departamenti i Administratës Gjyqësore në Ministrinë e Shërbimeve Publike". UNMIK, Policia dhe Drejtësia, "Effects of Constitutional Framework" (Efektet e Kornizës Kushtetuese) (pa datë, në gjuhën angleze) në: http://www.unmikonline.org/justice/justice.htm (shikuar më 17 prill 2006).
[44] Intervistë e Human Rights Watch me zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Prishtinë, 3 shkurt 2006. Zyra e Këshilltarit Ligjor (OLA sipas akronimit në gjuhën angleze) është e përfshirë në përpilimin dhe vlerësimin e ligjeve; po ashtu i raporton dhe e këshillon drejtpërdrejtë PSSP-në në çështjet ligjore që kanë të bëjnë me misionin. Shih edhe raportin e Këshillit të Sigurimit: "Report of the Secretary-General on the United Nations Interim Administration Mission in Kosovo to the Security Council," (Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm për Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë para Këshillit të Sigurimit), S/2006/45, 25 janar 2006. Për informata shtesë për transferimin e kompetencave tek ministritë e drejtësisë dhe punëve të brendshme shih: Edina Halapi "IPVQ merr përgjegjësi të reja", Focus Kosovo, Dhjetor 2005, në: http://www.unmikonline.org/albanian/pub/focuskos/jan06/focusklaw1.htm (shikuar më 17 prill 2006)
[45] Shih (në gjuhën angleze): "Kosovo Ministry of Justice and of Interior Get Competencies," (Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme në Kosovë marrin kompetencat) Balkan Update, 22 mars 2006, në internet në: http://balkanupdate.blogspot.com/2006/03/kosovo-ministry-of-justice-and-of.html (shikuar më 17 prill 2006); "Salihaj: Do t'i shërbej drejtësisë" Epoka e Re, monitorimi i mediave i Divizionit për Informim Publik pranë UNMIK-ut, 20 mars 2006 (në posedim të Human Rights Watch).
[46] Intervistë e Human Rights Watch me një zyrtar të Departamentit të Drejtësisë, Kosovë, 5 maj 2006. DAGJ ka informuar se transferimi do të prekë vijën e raportimit (KGJK në vend të DD) më tepër se sa vetëm punët e përditshme. Intervistë e Human Rights Watch me zyrtarë të Departamentit të Administratës Gjyqësore, Prishtinë, 15 shkurt 200.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të shërbejë si një krah administrativ, i pavarur, i degës së gjyqësisë. Anëtarët e këshillit do të betohen në ceremoni solemne në fillim të prillit 2006. Shih informatën për shtyp të UNMIK-ut (në gjuhën angleze) në: http://www.unmikonline.org/DPI/PressRelease.nsf/0/9609E94563A92028C12571450048F93D/$FILE/pr1523.pdf (shikuar më 17 prill 2006). Për më tepër informata për rolin e KGJK-së të sapoformuar shih: Arianna Lepore, "Recetë për pavarësinë e gjyqësisë", Focus Kosovo, dhjetor 2005,në: http://www.unmikonline.org/albanian/pub/focuskos/jan06/focusklaw2.htm (shikuar më 6 mars 2006).
[47] Korrespodencë me postë elektronike e Human Rights Watch me Departamentin e Administratës Gjyqësore, 21 mars 2006.
[48] Shih raportin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (në gjuhën angleze): "Report of the Secretary-General on the United Nations Interim Administration Mission in Kosovo to the Security Council," (Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm për Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë para Këshillit të Sigurimit) S/2006/45, fq. 6, paragrafi 13.
[49] "Ministria e Drejtësisë dhe e Brendshme marrin kompetencat", sipas monitorimit të mediave bërë nga Divizioni për Informim Publik i UNMIK-ut, 21 mars 2006. Pas takimit të parë mes ministrit të ri të brendshëm dhe PSSP-së, PSSP u shpreh: "jemi të vetëdijshëm se dy ministritë e reja kanë deficite logjistike në fillim, por UNMIK-u beson se vendorët janë kompetentë. Bazuar në atë që kemi dëgjuar dhe bazuar në përkushtimin që kemi parë, mendoj se mund të fillojmë shumë shpejtë fazën e dytë të transferimit të kompetencave". Vebfaqja zyrtare e UNMIK-ut nuk raporton për zhvillimet lidhur me ministritë e reja.






