May 30, 2006

Rekomandimet kryesore

Human Rights Watch u apelon të gjithë aktorëve në procesin e negociatave për statusin që ta vënë në krye të agjendës së tyre çështjen e përgjegjësisë për krimet, përfshirë dhunën politike, sulmet kundër pakicave dhe krimet e luftës. (Për listën e plotë të rekomandimeve sipas institucioneve shih seksionin "Rekomandimet"). Rekomandimet kryesore janë:

Për institucionet e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), përfshirë Misionin e OSBE-së në Kosovë

  • Ndërmerrni hapa të menjëhershëm për themelimin e procedurave që do të sigurojnë mbikëqyre të mirëfilltë të gjyqësisë. Qartësoni, publikisht, rolin e secilit institucion-ndërkombëtar e vendor-të angazhuar në arritjen e këtij qëllimi. Mbikëqyrja duhet të përfshijë edhe përdorimin e obliguar të një baze të kompjuterizuar të të dhënave dhe mjetet për menaxhimin e rasteve nga të gjitha gjyqet. 
  • Zhvilloni një plan veprues, me afat të caktuar kohor për zbatim, në konsultime me policinë dhe prokurorët ndërkombëtarë e vendorë, që të themelohet dega e policisë gjyqësore që do të punojë drejtpërdrejtë me prokurorët hetues në hetimin e rasteve kriminale, ashtu siç kërkohet me ligj. Plani i veprimit duhet të ketë edhe komponentën e trajnimit intensiv teorik e praktik të policisë dhe prokurorëve.
  • Zhvilloni programe konkrete të bashkëpunimit mes prokurorëve e gjyqtarëve ndërkombëtarë e vendorë me qëllim që t'i jepet fund funksionimit të ndarë të tyre si dhe me qëllim të përmirësimit të standardeve profesionale ndër prokurorët dhe gjyqtarët vendorë.
  • Ndërmerrni fushata të informimit publik, në bashkëpunim me Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes dhe me sistemin e drejtësisë penale, që të siguroheni se opinioni publik është i informuar për rezultatet e rasteve të rëndësishme, se mund t'u qaset të dhënave për shkallën e dënimeve dhe se e di kujt duhet t'i drejtohet për të kërkuar informata për hetimet apo ndjekjet penale në të cilat ata janë palë apo dëshmitarë.
  • Ndërmerrni hapa të menjëhershëm për të ringjallë dhe për t'i dhënë prioritet programit për mbrojtjen e dëshmitarëve, përfshirë këtu miratimin e amendamenteve legjislative dhe miratimi e protokolleve të reja nëse kjo është e nevojshme.

Për Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes (IPVQ) dhe për aktorët vendorë të sistemit të drejtësisë penale në Kosovë

· Zyrtarët e lartë qeveritarë duhet që publikisht të mbështesin angazhimet e policisë dhe prokurorisë që të zgjidhen me sukses rastet e krimeve serioze, politike e ndër-etnike, përfshirë këtu theksimin e përgjegjësisë së qytetarëve, si pjesë e përgjegjësive të tyre qytetare, që të bashkëpunojnë me hetimet dhe procedurat penale.

· Themeloni një sistem qendror, të kompjuterizuar, të të dhënave për të gjitha rastet në të gjitha gjyqet e Kosovës, në konsultim me gjyqtarët, prokurorët, Departamentin e Administratës Gjyqësore në kuadër të IPVQ-së, Këshillin Gjyqësor Kosovar si dhe Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut. 

· Bëni një vlerësim për të mësuar nëse konsolidimi i numrit të gjyqeve në Kosovë do të ofronte një sistem gjyqësor më efikas dhe monitorim më të lehtë të veprimtarisë së tij.

Për Grupin e Kontaktit dhe Bashkimin Evropian (BE)

· Sigurohuni se një sistem i drejtësisë penale funksional, që nënkupton edhe përgjegjësinë për dhunën kundër pakicave dhe krimet e luftës, pranohet nga të gjitha palët si pjesë integrale e zgjidhjes së suksesshme të statusit të Kosovës. 

· Bashkimi Evropian duhet të kushtëzojë mbështetjen financiare për sistemin juridik me përmirësimet e dukshme në polici, prokurori dhe në punën e gjykatave. Raportimet e rregullta të OKB-së dhe IPVQ-së për progresin duhet të plotësohen me auditimet dhe vlerësimet e BE-së.

· Ofroni mbështetjen e nevojshme materiale që të mundësohet krijimi i një sistemi efikas për mbrojtjen dhe rilokimin e dëshmitarëve, përfshirë këtu zotimet publike për rilokimin e dëshmitarëve edhe jashtë Kosovës.