Përmbledhje
Dhuna e marsit 2004 që përfshiu tërë Kosovën ishte goditja më e rëndë që nga viti 1999 për përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të ndërtuar një Kosovë shumë-etnike në të cilën edhe qeveria edhe shoqëria do të respektojnë të drejtat e njeriut. Trazirat e mëdha në të cilat llogaritet se kanë qenë të përfshirë rreth 51.000 njerëz në tërë Kosovën kanë lënë 19 të vdekur, gati njëmijë të plagosur dhe më shumë se katër mijë të zhvendosur e qindra prona të shkatërruara. Por në të njëjtën kohë, kjo tragjedi ka ofruar rastin që të dëshmohet se ata që shkelin ligjin në Kosovë përfundojnë para drejtësisë. Pas trazirave, bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka thënë se drejtësia do të vihet në vend.
Reagimi i drejtësisë penale ndaj marsit 2004 është një kut matës i mirë për tërë përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi nga të gjithë ata që e shkelin ligjin. Gati shtatë vjet pas instalimit të administratës ndërkombëtare nuk mund të thuhet më tej se bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur kohë të mjaftueshme që të merret me mangësitë në kornizën ligjore, me mangësitë në polici, prokurori dhe në gjykata.
Hulumtimet e Human Rights Watch tregojnë se përkundër zotimeve retorike të bashkësisë ndërkombëtare dhe lidershipit vendor se do të kërkohet përgjegjësi për dhunën e marsit-se këtë herë do të ketë drejtësi-e vërteta është se në Kosovë kjo ende është një gjë e largët.
Vlerësimi i arritjeve në kërkimin e përgjegjësisë për marsin e vitit 2004 bëhet më i vështirë për shkak se agjencitë ndërkombëtare të ngarkuara me mbikëqyrjen e sistemit të drejtësisë penale nuk kanë shifra të njëjta se sa është numri i përgjithshëm i proceseve gjyqësore. Të dhënat e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) thonë se 426 individë janë paditur për vepra penale të kryera në trazirat e marsit, kryesisht për kundravajtje të vogla siç janë vjedhjet, dhe vetëm pak më shumë se gjysma e këtyre rasteve kanë rezultuar me aktvendime përfundimtare. Të dhënat nga Departamenti i Drejtësisë i Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) thonë se 348 raste janë dërguar në gjykata dhe-ndryshe nga të dhënat e OSBE-së-shumicat e këtyre rasteve janë mbyllur, por këtu nuk është e qartë nëse "rastet" u referohen individëve apo edhe grupeve të tëra të të akuzuarve. Megjithatë, në cilat do të dhëna që të bazohemi, bëhet e qartë që përparimi është i vogël.
Edhe në pesëdhjetegjashtë rastet "serioze" (numri i të pandehurve nuk është i njohur) që hetohen dhe gjykohen nga prokurorë e gjyqtarë ndërkombëtarë, progresi ka qenë i kufizuar. Deri në mars 2006, vetëm trembëdhjetë raste-më pak se një e katërta-kanë rezultuar me aktvendime përfundimtare, ndërsa dymbëdhjetë të tjera janë pezulluar apo rastet janë hedhur poshtë. Duket se edhe dy raste të tjera do të arrijnë në gjykatore. Në njëzetenëntë rastet tjera ende nuk kanë përfunduar as hetimet.
Mësohet gjithashtu se në gjykimet që kanë rezultuar me dënime, të pandehurit kanë marrë dënime më të lehta madje edhe në rastet që kanë pasur gjyqtarë ndërkombëtarë. Në disa raste, dënimet e dhëna kanë qenë edhe më të buta se sa dënimi minimal i parashikuar me ligj.
Janë të shumta dhe të ndërlikuara arsyet e dështimit për sjelljen para drejtësisë të shumë prej atyre që janë përgjegjës për dhunën e marsit 2004. Faktor kryesor është hyrja në fuqi e Kodit të ri të procedurës penale, vetëm disa javë pas trazirave, që ndërroi në mënyrë thelbësore sistemin gjyqësor të Kosovës, duke u dhënë prokurorëve, në vend të gjyqtarëve hetues, përgjegjësinë kryesore për të bërë hetime dhe duke krijuar një degë të re policore për të mbështetur punën e tyre. Edhe pse këto ndërrime janë të një rëndësie më të madhe, nuk i është kushtuar vëmendje e mjaftueshme operacionalizimit të përgjegjësive të reja të prokurorëve dhe policisë.
Rol të rëndësishëm kishte edhe themelimi i një operacioni special të policisë ndërkombëtare që të hetojë dhunën e marsit. Operacioni nuk ka arritur qëllimin që ka pasur dhe në fund është ndërprerë për shkak të mos-efikasitetit. Pasi operacioni nuk ishte i integruar në sistemin e drejtësisë penale, dështimi i tij ka ndikuar jo vetëm mbi hetimet e marsit 2004 por ka dëmtuar edhe reformën e sistemit gjyqësor duke tëhuajsuar policët vendorë dhe duke mos lenë të shihet rëndësia e operacionalizimit të degës së re të policisë që ka për qëllim të mbështesë prokurorët në hetimet e tyre.
Dështimi i operacionit special zbulon lëshimet e përgjithshme në çështjet e policisë në përgjithësi në Kosovë, si të policisë ndërkombëtare ashtu edhe të asaj vendore. Policët ishin kryesisht pasivë në hetimet e rasteve të marsit, në shumë raste duke mos i kontaktuar fare apo duke mos i kontaktuar mjaft herë viktimat dhe dëshmitarët nga komunitetet pakicë. Mungesa e koordinimit mes policisë ndërkombëtare dhe asaj vendore gjithashtu ka penguar hetimet. Janë bërë pak përpjekje që të hetohen-e kur ka qenë e nevojshme edhe të merren masa-raportet për pasivitet të policisë apo edhe përfshirje të tyre në abuzimet e bëra gjatë trazirave.
Prokurorët kanë kontribuar në këtë dështim duke mos marrë përgjegjësitë e tyre të reja si prokurorë hetues dhe në vend të kësaj kanë preferuar që të fajësojnë policinë për moskryerje të detyrës apo të fajsojnë natyrën e vet hetimeve që sipas tyre nuk mund të bëhen aq shpejt. Problemet me menaxhimin e rasteve dhe praktika e shqiptimit të dënimeve të buta kanë zvogëluar gjasat e gjyqeve që të jenë më të suksesshme në bërjen e drejtësisë për ngjarjet e marsit, përfshirë këtu edhe rastet e kryesuara nga gjyqtarë ndërkombëtarë.
Tërë këtyre problemeve i duhet shtuar edhe mungesa e një mbikëqyrjeje efikase nga ana e institucioneve të ndryshme të administratës së Kombeve të Bashkuara të ngarkuara me zhvillimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Për më tepër, pak apo fare nuk janë bërë përpjekje që të informohen komunitetet e goditura për rezultatet e hetimeve dhe gjykimet e rasteve të dhunës së bërë në mars 2004.
Reagimi joadekuat i sistemit të drejtësisë penale ndaj dhunës së marsit 2004 simbolizon një nga problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova sot-mosndëshkimi në masë të madhe i krimit, veçanërisht atëherë kur ka ngjyrime politike apo etnike. Regjistrat e hetimeve dhe gjykimeve të rasteve të krimeve të luftës dhe atyre ndër-etnike, para marsit 2004, janë shumë të varfër, përkundër asaj se këtyre rasteve u qe dhënë prioritet në kuadër të sistemit gjyqësor.
Dështimi për të bërë drejtësi për marsin 2004 ndër serbët dhe pakicat e tjera ka forcuar bindjen se në Kosovë nuk ka vullnet për të kërkuar përgjegjësi për dhunën që ushtrohet kundër pakicave. Ndonëse bashkësia ndërkombëtare ka dëshirë të mburret me arritjet në rindërtimin e shtëpive të dëmtuara, dështimi që të kërkohet përgjegjësi pengon përpjekjet për të promovuar kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre dhe për të shtuar besimin e komuniteteve pakicë se dhuna e marsit nuk do të përsëritet.
Hendeku mes premtimit se ata që janë përgjegjës për marsin do të nxirren para drejtësisë dhe të asaj që vërtetë është bërë duhet të jetë vërejtje për bashkësinë ndërkombëtare se në Kosovë sistemi i drejtësisë është në krizë. Marrja me këtë krizë, kërkimi i përgjegjësisë për krimet, përfshirë krimet e luftës dhe sulmet kundër pakicave para marsit 2004, duhet të jetë në krye të agjendës politike, përfshirë edhe negociatat që janë duke u zhvilluar lidhur me statusin.
Sundimit i ligjit është synim thelbësor i administratës ndërkombëtare në Kosovë. Kjo nuk mund të arrihet në një ambient të mosndëshkimit të krimit. Është imperative që bashkësia ndërkombëtare të përmbushë detyrimin që ka për të mbrojtur ata që janë nën juridiksionin e saj dhe të sigurojë që autorët e të gjitha krimeve në Kosovë-përfshirë edhe krimet e luftës dhe ato kundër pakicave-vërtetë nxirren para drejtësisë, në kuadër të strategjisë për të vënë ligj e rend. Janë të nevojshëm hapa urgjentë dhe me përmbajtje që të preket kultura e mosndëshkimit që para përcaktimit të statusit. Përndryshe, Kosova-pa marrë parasysh se çfarë do të jetë në të ardhmen-do të ketë institucione gjyqësore të gjymtuara, të paafta që të garantojnë një proces të drejtë e transparent në gjithë territorin e saj.






