R ekomandimet
Për misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)
Zyra e PSSP-së
· Ritheksoni publikisht nevojën për të pasur progres në çështjen e kërkimit të përgjegjësisë në Kosovë, veçanërisht për dhunën politike, sulmet kundër pakicave dhe krimet e luftës.
· Bëni një shqyrtim të mirëfilltë të progresit në kërkimin e përgjegjësisë në kuadër të sistemit të drejtësisë penale që nga viti 1999, përfshirë por jo duke u kufizuar në krimet me ngjyrime politike ose etnike si dhe krimet e luftës. Bazuar në rezultatet e shqyrtimit ndërmerrni hapa seriozë për riorganizimin dhe reformimin e strukturave dhe procedurave operacionale, përfshirë këtu, nëse është e nevojshme, angazhimin për të konsoliduar gjyqet dhe krijuar dhe për të futur në përdorim një sistem për menaxhimin e rasteve të gjykatave.
· Në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut dhe me OSBE-në përcaktoni nëse është i nevojshëm ekzistimi i një gjykate të veçantë në kuadër të gjykatave ekzistuese për t'u marrë me rastet serioze apo ato sensitive-përfshirë ato që kanë ngjyrime politike apo etnike dhe krimet e luftës. Sigurohuni se çfarëdo propozimi do të marrë parasysh resurset dhe personelin që do të nevojitej për këtë.
· Zhvilloni një plan veprues me orar të caktuar, në bashkëpunim me policinë dhe prokurorët vendorë e ndërkombëtarë, si dhe me Departamentin e Drejtësisë, që të themelohet dega gjyqësore e policisë që do të punonte drejtpërdrejtë me prokurorët hetues në hetimin e rasteve kriminale, siç edhe kërkohet me ligj. Ky plan veprues duhet të përmbajë komponentin e trajnimit intensiv teorik e praktik të policëve dhe prokurorëve.
· Sigurohuni se prokurorët vendorë e ndërkombëtarë janë mjaft të trajnuar për rolin e ri që do ta kenë si prokurorë hetues dhe se kanë bashkëpunim efikas me degën e re të policisë gjyqësore.
· Ndërmerrni hapa të menjëhershëm, në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut, me Policinë e UNMIK-ut dhe SHPK-në, me OSBE-në si dhe me Ministrinë e Drejtësisë të IPVQ-së që të ringjallet dhe përmirësohet programi ekzistues për mbrojtjen e dëshmitarëve, përfshirë miratimin e amendamenteve në legjislacion dhe miratimin e protokolleve të reja nëse për këtë ekziston nevoja.
· Vazhdoni të punoni me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe qeveritë tjera që të themelohet një mekanizëm i qëndrueshëm i mbrojtjes së dëshmitarëve.
· Riktheni mandatin e Institucionit të Ombudspersonit që të mbulojë funksionimin e organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, duke u njohur kështu vlerën kapaciteteve të pavarura monitoruese e shqyrtuese.
Departamenti i Drejtësisë i UNMIK-ut
· Menjëherë rivlerësoni strategjinë e Departamentit për të adresuar çështjen e përgjegjësisë për krimet, përfshirë krimet e luftës dhe dhunën etnike, duke bërë një vlerësim gjithëpërfshirës të përpjekjeve të tanishme për të ndërtuar një sistem gjyqësor funksional dhe duke njoftuar nivelet më të larta të administratës ndërkombëtare për nevojat në resurse, personel dhe nevojat tjera.
· Punoni me Zyrën e PSSP-së dhe OSBE-në për të parë nëse ekziston nevoja për një gjykatë apo dhomë speciale për t'iu dhënë prioritet rasteve serioze e atyre sensitive-përfshirë ato që kanë ngjyrime politike e etnike dhe krime e luftës.
· Jepini përparësi krijimit të një sistemi efikas për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, përfshirë trajnimet shtesë për personelin për t'i njoftuar me ligjin dhe praktikat në fuqi dhe duke punuar së bashku me Shtyllën I të UNMIK-ut dhe policinë në mbylljen e çfarëdo zbrazëtie dhe/ose shqetësimi që ekziston në lidhje me implementimin e masave për mbrojtjen e dëshmitarëve e që Departamenti i ka vërejtur gjatë punës së vet monitoruese, hetuese dhe prokuroriale.
· Bashkëpunoni me Grupin e Kontaktit dhe qeveritë e BE-së si dhe me TPNJ-në për ndihmë konkrete në zhvillimin e një sistemi efikas të mbrojtjes së dëshmitarëve.
· Zhvilloni, në bashkëpunim me Policinë e UNMIK-ut dhe KFOR-in, një strategji praktike për të mbledhur fakte dhe dëshmi nga personeli ushtarak dhe civil që ka shërbyer më herët në Kosovë.
· Në bashkëpunim me Shtyllën I të UNMIK-ut, Departamentin e Administratës Gjyqësore të IPVQ-së, OSBE-në, Ministrinë e Drejtësisë të IPVQ-së si dhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, sqaroni publikisht çfarë do të jenë aranzhmanet e ardhshme për monitorimin dhe mbikëqyrjen e gjyqësisë vendore. Aranzhmanet duhet të marrin parasysh ligjin e ri për Ministrinë e Drejtësisë dhe krijimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe tërheqjen graduale të ndërkombëtarëve nga sistemi gjyqësor vendor. Një vlerësim real i kapaciteteve aktuale të institucioneve ekzistuese për të bërë mbikëqyrje në detaje të punës së gjykatave duhet të jetë pjesë e këtij angazhimi për koordinim dhe vlerësim.
· Zhvilloni programe konkrete për bashkëpunim mes prokurorëve e gjyqtarëve vendorë e ndërkombëtarë, që do të kishin për qëllim t'i japin fund praktikës së veprimit në mënyrë të ndarë dhe përmirësimin e standardeve profesionale të prokurorëve dhe gjyqtarëve vendorë
· Jepini prioritet implementimit të kompetencave hetuese të prokurorëve dhe policisë vendore ashtu siç kërkon Kodi për procedurën penale.
· Ndërmerrni një fushatë të informimit të opinionit publik, në bashkëpunim me IPVQ-në, OSBE-në dhe sistemin gjyqësor vendor për t'u siguruar se opinioni publik mëson për rezultatet në rastet e rëndësishme, se mund të kenë qasje në të dhënat për dënimet e shqiptuara dhe di kujt t'i drejtohet për të kërkuar informata për hetimet apo procedurat penale, si dhe për t'u siguruar se opinioni publik mund të informohet për gjendjen e rasteve në të cilat ata janë palë apo dëshmitarë.
Për Misionin e OSBE-së në Kosovë
· Ndihmoni me të dhëna Departamentin e Drejtësisë dhe Zyrën e PSSP-së rreth çështjes nëse është e nevojshme një gjykatë apo një dhomë speciale për t'u dhënë prioritet rasteve serioze e sensitive-përfshirë ato që kanë ngjyrime politike apo etnike dhe krimet e luftës. Nëse shihet nevoja për një gjykatë apo dhomë të tillë, ofroni këshilla për strukturën dhe nevojat e një të tille, bazuar në përvojën e vazhdueshme të OSBE-së në monitorimin e sistemeve gjyqësore në tërë territorin e ish-Jugosllavisë.
· Bashkëpunoni me Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut, Policinë e UNMIK-ut dhe SHPK-në, si dhe me Ministrinë e Drejtësisë të IPVQ-së, për t'u siguruar se në Kosovë do të zhvillohet një sistem efikas i mbrojtjes së dëshmitarëve.
· Ndërmerrni trajnime të mëtutjeshme, përfshirë trajnimet në terren, për prokurorët për rolin e tyre të prokurorëve hetues. Punoni me Institutin Gjyqësor të Kosovës për zhvillimin e trajnimeve më efikase, përfshirë trajnimet e përbashkëta prokurorë-policë atëherë kur kjo është e mundur. Ndihmoni në gjetjen e trajnuesve dhe ligjëruesve të specializuar, edhe nga jashtë Kosovës, për Institutin Gjyqësor të Kosovës.
· Sigurohuni që mandati monitorues i misionit nuk pëson për shkak të aktiviteteve për shtimin e kapaciteteve, duke bërë dallim të qartë mes përgjegjësive të departamenteve, duke siguruar autonominë e Seksionit për Monitorimin e Sistemit Ligjor të OSBE-së dhe duke publikuar me kohë gjetjet e tij.
· Konsideroni ndërmarrjen e hapave shtesë për të mbështetur trajnimin në vend të punës dhe shtimin e kapaciteteve për monitoruesit e pavarur, joqeveritarë, të të drejtave të njeriut, për të ndihmuar monitorimin efikas afatgjatë të iniciativave gjyqësore ndërkombëtar e vendore në Kosovë.
Për Shërbimin Policor të Kosovës (SHPK), Policinë e UNMIK-ut dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të IPVQ-së
· Demonstroni përkushtim të qartë e të koordinuar për të kërkuar përgjegjësi për krimet serioze në Kosovë, përfshirë edhe abuzimet e kryera mes viteve 1998 e 2000.
· Themeloni një mekanizëm për shpërndarjen e informatave ashtu që të jenë në dispozicion informata të sakta për rrjedhën e hetimeve. Këto informata duhet të jepen me kohë, të jenë të qarta dhe transparente.
· Zhvilloni një strategji të përbashkët për koordinim të mëtutjeshëm mes SHPK-së dhe Policisë së UNMIK-ut në kuadër të hetimeve, përfshirë këtu pasjen e kanaleve të rregullta e transparente të raportimit për rastet mes stacioneve komunale dhe qendrës.
· Në kuadër të politikave hetuese, ndërmerrni hapa për të qenë më proaktivë gjatë hetimeve.
· Ndërmerrni hapa të përbashkët drejt themelimit të degës së policisë gjyqësore në kuadër të SHPK-së që do punonte drejtpërdrejtë me prokurorët në hetimin e rasteve kriminale në përputhje me Kodin e procedurës penale.
· Ndërmerrni trajnime për t'u siguruar që oficerët janë të përgatitur në mënyrë të duhur për rolin e tyre të ri që të mbështesin hetimet e prokurorëve dhe bëni vlerësim të rregullt, në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut, OSBE-në, Institutin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë dhe zyrat e prokurorëve ndërkombëtarë për të vlerësuar progresin e arritur.
· Vlerësoni, në bashkëpunim me OSBE-në, Departamentin e Drejtësisë dhe Shtyllën I të UNMIK-ut masat ekzistuese për mbrojtjen e dëshmitarëve duke i kushtuar vëmendje të veçantë pengesave në mbrojtjen e dëshmitarëve për një afat më të gjatë. Ndërmerrni hapat e nevojshëm për të ringjallur apo/dhe reformuar protokollet e tashme, përfshirë masat për të garantuar se rastet e frikësimit të dëshmitarëve merren seriozisht dhe se në to reagohet shpejtë dhe publikisht.
· Punoni me Ministrinë e Drejtësisë dhe Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut që të zhvilloni një strategji për të garantuar se personeli ka dorëzuar faktet e nevojshme apo kanë dhënë dëshmi zyrtare para se të largohen nga misioni. Duhet të zhvillohet edhe një strategji tjetër për të adresuar dështimin për të marrë këto dëshmi apo fakte në rastet kur tanimë personeli është larguar nga misioni.
· Zyra e Komisionarit të Policisë së UNMIK-ut duhet të hetojë rolin e SHPK-së dhe Policisë së UNMIK-ut për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë marsit 2004, përfshirë edhe rastet kur shkeljet pandehet se janë kryer nga pjesëtarët e SHPK-së.
· Njësia e standardeve profesionale e SHPK-së duhet të ofrojë rregullisht dhe publikisht të dhëna për atë se deri ku kanë shkuar hetimet për shkeljet e bëra nga policët gjatë trazirave të marsit 2004.
Për Ministrinë e Drejtësisë të IPVQ-së
· Riafirmoni rëndësinë e arritjes së progresit në çështjen e përgjegjësisë nëpërmjet procedimeve penale për të gjitha krimet, përfshirë krimet e luftës, krimet me motive etnike dhe krimin e "zakonshëm".
· Bashkëpunoni me Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, OSBE-në, Policinë e UNMIK-ut dhe SHPK-në që të sigurohet zhvillimi i një sistemi efikas për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë.
· Themeloni një sistem qendror të kompjuterizuar ku do të mbaheshin të dhënat për rastet që zhvillohen në të gjitha gjykatat në Kosovë, në konsultim me gjyqtarët, prokurorët, Departamentin e Administratës Gjyqësore të IPVQ-së, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut.
· Ndërmerrni hapa të menjëhershëm, në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut, Departamentin e Administratës Gjyqësore të IPVQ-së, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe sistemin gjyqësor drejt implementimit të një baze të të dhënave, të centralizuar, të aktgjykimeve finale, që do të ishin në dispozicion të opinionit publik qoftë në formë elektronike qoftë në formë të raporteve të shtypura. Duhet të themelohet edhe një procedurë standarde me anë të cilës opinioni publik do të kërkojë (dhe marrë) informata për rastet dhe për këtë të njoftohet gjerësisht opinioni publik ashtu që ky të bëhet një mjet i dobishëm për informimin e opinionit publik.
· Qartësoni me Zyrën e Prokurorit aranzhmanet për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e rasteve në zyrat e prokurorëve.
· Zhvilloni, në konsultim me Zyrën e Prokurorit dhe Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut, procedurat për shkëmbim të rregullt të informatave mes prokurorëve, përfshirë shkëmbimin e informatave mes prokurorëve ndërkombëtarë e vendorë, si dhe zhvilloni protokollin standard për këtë.
· Siguroni trajnime të vazhdueshme për gjyqtarët për shqiptimin e dënimeve, në bashkëpunim me Institutin Gjyqësor të Kosovës dhe OSBE-në, përfshirë aplikimin e udhëzimeve për dënimet.
· Vlerësoni rregullisht nëse praktikat e shqiptimit të dënimit janë konsistente me udhëzimet dhe sipas nevojës organizoni trajnime shtesë.
· Sigurohuni se prokurorët përfitojnë nga trajnimet shtesë, në bashkëpunim me institutin Gjyqësor të Kosovës dhe OSBE-në, veçanërisht për rolin e tyre si prokurorë hetues. Vlerësoni punën e tyre rregullisht dhe organizoni trajnime shtesë sipas nevojës.
· Bëni një vlerësim për të mësuar nëse konsolidimi i numrit të gjykatave në Kosovë do të ofronte një sistem gjyqësor më efikas dhe do të ndihmonte monitorimin e veprimtarisë së tij.
Për Zyrën e Prokurorit
· Qartësoni hierarkinë dhe mënyrën e funksionimit të zyrave të prokurorëve në Kosovë dhe punën e prokurorëve individualë në mënyrë që të lehtësohet menaxhimi dhe mbikëqyrja efikase e rasteve.
· Bëni të obligueshme pjesëmarrjen e të gjithë prokurorëve në trajnimet për rolin e tyre të ri të prokurorëve hetues në kuadër të sistemit të ri, duke u siguruar, në bashkëpunim me Institutin Gjyqësor të Kosovës dhe OSBE-në, që trajnimi përfshin edhe segmentet e punës në terren dhe të punës së përbashkët polici/prokurori.
· Zhvillo në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë mundësi për shkëmbimin e përvojave më të mira mes prokurorëve-vendor me vendorë dhe vendorë me ndërkombëtarë.
· Ndërmerrni një fushatë të informimit për të tërhequr një numër sa më të madh të kandidatëve për t'u trajnuar për prokurorë, me ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë, universitetet dhe organizatat për ndihmë juridike dhe reforma. Mendoni, për shembull, për themelimin dhe implementimin e një programi të kryerjes së praktikës për studentët e shkencave juridike.
Për Këshillin Gjyqësor të Kosovës
· Riafirmoni rëndësinë e arritjes së progresit në çështjen e përgjegjësisë nëpërmjet procedurave penale për të gjitha krimet, përfshirë krimet e luftës, krimet me motive etnike dhe krimin e "zakonshëm".
· Bashkëpunimi me Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut, OSBE-në, Policinë e UNMIK-ut dhe SHPK-në për të siguruar zhvillimin e një sistemi efikas të mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë.
· Themeloni dhe siguroni implementimin e një sistemi qendror të kompjuterizuar për menaxhimin e rasteve në të gjitha gjykatat në Kosovë, në konsultim me gjyqtarët, prokurorët, Departamentin e Administratës Gjyqësore të IPVQ-së, Ministrinë e Drejtësisë dhe Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut.
· Punoni me Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut, Departamentin e Administratës Gjyqësore të IPVQ-së dhe me gjyqet drejt implementimit të një sistemi të një baze të të dhënave për aktvendimet finale, që do të ishte në dispozicion të opinionit publik qoftë në formë elektronike qoftë në formë të raporteve. Duhet të themelohet edhe një procedurë standarde me anë të cilës opinioni publik do të kërkojë (dhe marrë) informata për rastet dhe për këtë të njoftohet gjerësisht opinioni publik ashtu që ky të bëhet një mjet i dobishëm për informimin e opinionit publik.
· Bëni të obligueshëm arsimimin e vazhdueshëm të të gjithë gjyqtarëve në lëndën e ligjit penal, përfshirë shqiptimin e dënimit dhe procedurat siç i parasheh kodi i ri i procedurës penale dhe kodi penal. Rregullisht shqyrtoni praktika e shqiptimit të dënimit për të parë nëse janë në harmoni me udhëzimet dhe nëse ligji është zbatuar në mënyrë gjegjëse dhe sipas nevojës organizoni trajnime shtesë.
· Standardizoni format e komunikim dhe raportimit ashtu që informatat e dhëna për numrin e përgjithshëm të rasteve dhe numrin e rasteve të mbyllura në gjykata të ndihmojë detyrën e Këshillit për të mbikëqyrur punën e gjykatave.
· Vlerësoni, në bashkëpunim me UNMIK-un dhe Ministrinë e Drejtësisë të IPVQ-së nëse konsolidimi i numrit të gjykatave në Kosovë do të ofronte një sistem gjyqësor më efikas dhe do të ndihmonte monitorimin e veprimtarisë së tyre.
Për Institucionet e Përkohshme të Vetë-qeverisjes (IPVQ)
· Jepni prioritet arritjes së sukseseve të matshme në kërkimin e përgjegjësisë për krimet.
· Zyrtarët e lartë qeveritarë duhet të mbështesin publikisht punën e policisë dhe prokurorëve në zgjidhjen me sukses të krimeve serioze, politike dhe ndër-etnike, duke theksuar edhe obligimin e qytetarëve që të bashkëpunojnë në hetime dhe procese të tilla si pjesë e obligimeve të përgjithshme qytetare.
· Bashkëpunoni plotësisht me Zyrën e PSSP-së, Departamentin e Drejtësisë, Policinë e UNMIK-ut dhe SHPK-në në përpjekjet për të themeluar një sistem efikas të mbrojtjes së dëshmitarëve.
· Mbështetni zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit gjyqësor, duke bërë edhe alokimin e fondeve të nevojshme për krijimin e bazës qendrore të të dhënave, rekrutimin dhe trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për fushatat e informimit.
Për Grupin e Kontaktit dhe Bashkimin Evropian
· Sigurohuni se pasja e një sistemi penal funksional, që do të kërkojë përgjegjësi edhe për dhunën kundër pakicave edhe për krime lufte, pranohet nga të gjitha palët si pjesë integrale e zgjidhjes së suksesshme të statusit të Kosovës.
· Sigurohuni se Ekipi për Planifikim i BE-së për Misionin për Sundimin e Ligjit në Kosovë ndër të tjera fokusohet në mënyrë të veçantë në përgjegjësinë për dhunë ndër-etnike, përfshirë rastet e marsit 2004, si dhe krimet e luftës, në kuadër të përqendrimit të përgjithshëm në sistemin gjyqësor funksional.
· Sigurohuni se UNMIK-u dhe partnerët e tij implementues, përfshirë edhe ministritë e sapoformuara të drejtësisë dhe punëve të brendshme, gëzojnë mbështetjen e nevojshme materiale e politike në afat më të gjatë për të arritur qëllimet në drejtësi dhe polici.
· Bashkimi Evropian duhet të kushtëzojë ndihmën e vazhdueshme financiare për sistemin gjyqësor me përmirësimet e dukshme në polici, prokurori dhe në punën e gjykatave. Raportet e rregullta për progresin nga OKB-ja dhe IPVQ-ja duhet të plotësohen nga auditimet dhe vlerësimet e BE-së.
· Ofroni mbështetje materiale të nevojshme për të mundësuar krijimin e një sistemi efikas për mbrojtjen dhe rilokimin e dëshmitarëve, përfshirë këtu edhe zotimet publike për të zhvendosur dëshmitarët nga Kosova.
· Siguroni mbështetjen e nevojshme financiare dhe politike për të siguruar se personeli ndërkombëtar civil e ushtarak që është larguar nga Kosova do të jetë në gjendje të dëshmojë në procedurat penale në Kosovë qoftë duke qenë prezentë qoftë nëpërmjet video-linkut.
Për bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi
· Shfrytëzojeni çdo rast për të adresuar shqetësimet e prezantuara në këtë raport, përfshirë theksimin, në të gjitha bisedimet bilaterale dhe multilaterale për Kosovën, të rëndësisë së pasjes së një sistemi gjyqësor efikas dhe kërkimin e përgjegjësisë për dhunën politike, sulmet në pakica dhe krimet e luftës.






