Konkluzione
Ditët pas ngjarjeve të marsit 2004 dhanë një mundësi që të dëshmohet se në Kosovë sundon ligji. Por, në vend të kësaj, duket se kanë konfirmuar gjendjen e çrregulluar të drejtësisë në Kosovë. Kanë theksuar paaftësinë e policisë që me sukses të hetojë rastet e rënda dhe ka shtuar brengën se policia nuk është e aftë që hetojë akuzat për abuzime përbrenda rangjeve të saj. Kanë zbuluar mosgatishmërinë apo paaftësinë e prokurorëve që të marrin krejtësisht mbi vete përgjegjësitë e reja si prokurorë hetues dhe kanë konfirmuar raportet për keqmenaxhim të rasteve si dhe për mungesë të mbikëqyrjes së gjyqeve. Kanë theksuar mungesën e qartësisë në ndarjen e përgjegjësive në kuadër të departamenteve të UNMIK-ut. Si dhe kanë hedhur dritë në mungesën fundamentale të respektit për viktimën individuale. Thënë shkurt, ditët pas trazirave të marsit 2004 ishin një rast i humbur.
Dështimi që të sjellin para drejtësisë shumë nga ata që janë përgjegjës për dhunën dhe shkatërrimet i shtohet dështimit të mëhershëm që të kërkohet përgjegjësi për krimet e luftës dhe dhunën serioze kundër pakicave që janë kryer në vitet 1998-2000. Hulumtimet e Human Rights Watch tregojnë se mungesa e progresit në bërjen e drejtësisë për këto krime serioze është bërë pengesë edhe për përparimin e Kosovës drejt një shteti funksional. Ekziston rreziku real që nëse vazhdon të mbretërojë ndjenja e mosndëshkueshmërisë, Kosova të bëhet "shtet i dështuar" në të cilin do të sundojnë paligjësia dhe arbitrariteti e jo demokracia e transparenca, pa marrë parasysh se kush do të udhëheqë me Kosovën.
Boshllëku në drejtësi ka kontribuar që të zbehet respekti i pakicave por edhe i popullatës shumicë për prezencën ndërkombëtare në Kosovë. Është vitale që bashkësia ndërkombëtare të shfrytëzojë rastin ndoshta të fundit dhe të adresojë të metat e këtij aspekti të rëndësishëm të administrimit të provincës.
Ende nuk është vonë që të bëhet progres i vërtetë në kërkimin e përgjegjësisë dhe në shpresat për bashkëjetesë në paqe në të ardhmen. Por, për tu bërë kjo, bashkësia ndërkombëtare dhe të gjithë aktorët tjerë në bisedimet për statusin e Kosovës duhet të vejnë çështjen e përgjegjësisë dhe sundimit të ligjit në krye të agjendës. Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka obligim ligjor e moral që të bëjë drejtësi para se të bartë kompetencat dhe udhëheqjen.






