Human Rights News

Rrahja dhe Burgosja e Avokatit Destan Rukiqi

(New York, 31 korrik) Sulmet e qeverisë serbe ndaj të drejtave njerëzore në Kosovë këtë javë qëlluan edhe mbrojtësit e këtyre të drejtave, pasi që një avokat i të drejtave njerëzore së pari u arrestua e pastaj edhe u rrah ashpër nga policia, njoftoi sot Këshilli i të drejtave njerëzore (Human Rights Watch). Një aktiviste tjetër për të drejtat e njeriut është burgosur me gjashtë javë burg.

Destan Rukiqi që ka mbrojtur dhjetëra shqiptarë gjatë proceseve politike në Kosovë viteve të fundit, është bartur dje nga burgu i Lipjanit për në spitalin e Prishtinës me lëndime të rënda në veshkë. E shoqja e tij e kishte vizituar në burg, por nuk e kishin lejuar të fliste me të. Ajo sot theksoi se i shoqi i saj ishte në gjendje të rëndë dhe në dializë.

"Rrahja e zotit Rukiqi është porosi e drejtëpërdrejtë komuniteteve humanitare në Kosovë", thotë Holly Cartner, drejtoreshë ekzekutive në Këshillin për të Drejta të Njeriut në Evropë dhe Azi Qendrore. "Qëllimi është që të heshtet për raportimet mbi autokracinë qeveritare".

Avokati Rukiqi ka marrë pjesë në disa procese të të drejtave të njeriut dhe ka njoftuar Tribinalin ndërkombëtar për krime të luftës në Ish-Jugosllavi që mbahet në Hagë me të dhëna për krimet që kanë bërë forcat serbe në Kosovë.

Rukiqi është burgosur më 23 korrik, të njejtën ditë kur është vendosur ligji për dënim me më së shumti 60 ditë për prishje të rendit publik (pika gjashtë, paragrafi tre i ligjit të Serbisë për Rendin publik). Ai ishte burgosur pasi që po atë ditë në mëngjes kishte ngritur zërin ndaj gjykatëses Danica Marinkoviq në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, meqë ajo nuk e kishte lejuar të shohë dosjen gjyqësore të klientit të tij. Gjyqtarja Marinkoviq ka gjykuar shumë të dënuar politikë, të cilët më vonë janë torturuar.

Një tjetër aktiviste e të drejtave njerëzore, Zahride Podrimçaku, është arrestuar në Prishinë më 9 korrik 1998. Zonja Podrimçaku është marrë në pyetje lidhur me ngjarjet në fshatin Poklek, kur policia kishte zënë peng dhjetë banorë shqiptarë gjatë sulmit në fshat. Trupi i njërit prej tyre, Ardian Deliut është gjetur të nesërmen, kurse për nëntë të tjerët ende nuk dihet gjë, vetëm supozohet se janë të vdekur. Podrimçaku është akuzuar për ndihmë terrorizmit dhe është duke e pritur gjykimin.

Sipas grupeve humanitare lokale, së paku 300 shqiptarë janë arrestuar apo paditur për akte terroriste sipas pikave 125, 136 dhe 139 të kodit penal të Jugosllavisë.

"Dëshmitë e shqiptarëve për keqtrajtime dhe rrahja e zotit Rukiqi dëftojnë se këta njerëz janë objekt I vazhdueshëm i torturës", pohon zonja Cartner.

Siper || Faqe e Kryesore