Human Rights News
Milosevic in The Hague - Focus on Human Rights FREE    Join the HRW Mailing List 
Raport i zgjeruar që dokumenton krimet e Milosevic-it
Statistika të reja nxjerrin në pah drejtimin nga Beogradi
(Prishtinë, Kosovë, 26 tetor 2001)-Ish-presidenti jugosllav Slobodan Milosevic dhe rrethi i tij i afërt i udhëheqësve politikë dhe ushtarakë janë përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë, deklaroi Human Rights Watch sot, tre ditë para seancës së rradhës së Milosevic-it në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë.


Under Orders
War Crimes in Kosovo

Table of Contents in Albanian

Executive Summary in Albanian

Executive Summary in Serbian


Related Material

In-Depth Report Documents Milosevic Crimes
Press Release, October 26, 2001

Under Orders: War Crimes in Kosovo
Human Rights Watch Report, October 2001

Human Rights Watch Documents on Yugoslavia

Fokus ne te drejtat e njeriut

Kosovo - Focus on Human Rights



"Ky raport implikon ish-udhëheqjen e Serbisë dhe Jugosllavisë në masakra të shumta. Është e qartë se fushata e 1999-ës në Kosovë ishte e koordinuar nga lart dhe disa prej atyre personave vazhdojnë dhe sot të mbajnë pozicione të rëndësishme."

Elizabeth Andersen
Executive Director
Europe and Central Asia division


 

Raporti prej 593 faqesh "Nën Urdhëra: Krimet e Luftës në Kosovë", i cili do të prezantohet sot, ka përdorur metoda të reja statistikore dhe hetime në shkallë të gjerë në terren për të dokumentuar torturat, vrasjet, përdhunimet dhe dëbimet me forcë te kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës nga forcat nën komandën e Milosevic-it në periudhën 24 mars-12 qershor 1999, periudhë e fushatës ajrore te NATO-s kundër Jugosllavisë. Më shumë se 600 viktima dhe dëshmitare te masakrave u intervistuan për këtë raport.

"Ky raport implikon ish-udhëheqjen e Serbisë dhe Jugosllavisë në masakra të shumta," tha Elizabeth Andersen, Drejtore Ekzekutive e Human Rights Watch për Evropën dhe Azinë Qendrore. "Është e qartë se fushata e 1999-ës në Kosovë ishte e koordinuar nga lart dhe disa prej atyre personave vazhdojnë dhe sot të mbajnë pozicione të rëndësishme."

Krimet e luftës të kryera nga forcat e sigurimit jugosllav dhe serb nuk qenë të vetmet krime në Kosovë, thuhet në raportin e Human Rights Watch. Tre kapituj të raportit dokumentojnë shkeljet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ka kryer rrëmbime dhe vrasje të civilëve gjatë dhe pas luftës, si dhe shkeljet e NATO-s, e cila nuk arriti të minimizonte viktimat civile gjatë bombardimit të Jugosllavisë. Në njërin prej kapitujve analizohet historia e kohëve te fundit të Kosovës si dhe paaftësia e komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar "një konflikt të parashikueshëm".

"Bashkësia ndërkombetare toleroi për një dekadë të tërë shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë në emër të stabilitetit rajonal," deklaroi Andersen. "Ky raport vë theksin mbi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut para se të shpërthejë një konflikt, si dhe mbi ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për shkeljet e kryera me qëllim që të ndalohet cikli i dhunës."

"Nën Urdhëra" sjell këndvështrime të reja me thellësinë dhe gjerësinë e dokumentimit, i cili përfshin case studies të detajuara të dhjetra fshatrave, një analizë statistikore të shkeljeve, fotografi të autorëve të krimeve, një përshkrim strategjik të ofensivës së qeverisë së Beogradit dhe të strukturave organizative të policisë serbe dhe ushtrisë jugosllave, të dyja të kontrolluara nga Milosevic.

Një analizë statistikore e ekzekutimeve në Kosovë, pregatitur në bashkëpunim me Shoqatën Amerikane për Përparimin e Shkencës (American Association for the Advancement of Science (AAAS)), nxjerr në pah natyrën e koordinuar të ofensivës. Tre valët e qarta të vrasjeve tregojnë që ekzekutimet nuk ishin rezultat i dhunës së rastësishme të ushtruar nga forcat e qeverisë. Përkundrazi, "ato ishin operacione të planifikuara dhe zbatuara me përpikmëri, të cilat i shërbenin qëllimeve strategjike të qeverisë së Beogradit" thuhet në raport.

Dëshmitë e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të tjerë nga njëri fshat në tjetrin përshkruajnë sesi trupat serbe dhe jugosllave në mënyrë sistematike dogjën shtëpi, plaçkitën pasuri, dëbuan civilët dhe vranë ata që dyshoheshin se bënin pjesë apo strehonin UÇK-në, duke përfshirë dhe gra e fëmijë. Në disa vende, dëshmitarët pohuan se trupat e të vrarëve ishin zhvendosur për të fshehur krimet. Kjo përpjekje për të mbuluar të vërtetën u konfirmua dukshem në vitin 2001, kur në Serbi u zbuluan shatë varre masive me trupa të shqiptarëve të Kosovës.

Përdhunimet dhe dhuna seksuale, thuhet ne raport, ishin gjithashtu komponentë të kësaj fushate që u përdorën për të terrorizuar popullsinë civile, për të grabitur para nga familjet dhe për të shtrënguar njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre. Human Rights Watch ka dokumentuar 96 raste përdhunimesh dhe dhune seksuale në Kosovë, megjithëse numri i përgjithshem i tyre është sigurisht më i lartë. Human Rights Watch i ka bërë thirrje Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia (ICTY)) të përfshijë akuzat për përdhunim në padinë kundër Milosevic.

Në kapitullin me titull "Forcat e Konfliktit" detajohen trupat e ndryshme qeveritare të përfshira në konflikt, si dhe anëtarët kryesorë të UÇK-së. Komandantë të rëndësishëm në policinë serbe dhe ushtrinë jugosllave, të gjithë të përfshirë në diagramën organizative, ishin:

  • Gjen. Dragoljub Ojdanic, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave
  • Kol. Gjen. Nebojsa Pavkovic, ish-komandant i Armatës së Tretë së Ushtrisë Jugosllave
  • Maj. Gjen. Vladimir Lazarevic, ish-komandant i Korpusit të Prishtinës të Armatës së Trete
  • Vlajko Stojiljkovic, ish-Ministri Serb i Puneve te Brendshme
  • Kol. Gjen. Radomir Markovic, ish-shefi i shërbimit të sigurimit të shtetit të Sebisë
  • Kol. Sreten Lukic, ish-komandant i policisë serbe në Kosovë
  • Kol. Gjen. Vlastimir Djordjevic, ish-komandant i shërbimit të sigurimit publik të Serbisë
  • Lt. Gjen. Obrad Stevanovic, ish komandant i departamentit të policisë së Serbisë

    Pamvarësisht nga roli i tij direkt në fushatën e vitit 1999, Nebojsa Pavkovic është aktualisht Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave. Ndërsa Sreten Lukic është aktualisht shefi i sigurimit publik në policinë serbe. Ojdanic dhe Stojiljkovic, të dy te paditur nga Gjykata Nderkombetare Penale për krime në Kosovë, janë akoma të lirë, ashtu sic janë dhe dy të paditur të tjerë lidhur me çështjen e Kosovës, Nikola Sainovic, ish-Zëvendëskryeministri Jugosllav, dhe Milan Milutinovic, akoma President i Serbisë.

    Në raport dokumentohen gjithashtu dhunime të kryera nga NATO-ja dhe UÇK-ja. Bombat e NATO-s vranë përafërsisht 500 civilë jugosllavë në periudhën ndërmjet marsit dhe qershorit të vitit 1999 dhe NATO-ja nuk ndërmori hapat e duhur për të minimizuar këtë numër, përfundon raporti. Raporti kritikon edhe përdorimin e bombave thërrmuese nga NATO, megjithëse u pezullua gjatë konfliktit.

    Human Rights Watch akuzoi edhe UÇK-në për kryerjen e një sërë shkeljesh serioze në vitin 1998, gjatë luftimeve që çuan në bombardimet e NATO-s. Abuzimet e kryera nga UÇK-ja gjatë kësaj periudhe përfshijnë rrëmbime dhe vrasje të serbëve dhe shqiptarëve etnikë që konsideroheshin bashkëpunëtorë me shtetin. Elementë te UÇK-së janë përgjegjës për sulme të kryera pas përfundimit të konfliktit kundër serbëve, romëve dhe grupeve të tjera jo-shqiptare, si dhe ndaj rivalëve politikë shqiptarë.

    Gati 1000 serbë dhe romë janë vrarë apo figurojnë të zhdukur që kur bombardimet e NATO-s përfunduan me 12 qershor 1999. Banda kriminale apo individë hakmarrës mund të jenë fajtorë për disa prej këtyre incidenteve, por është e qartë që anëtarë të UÇK-së janë përgjegjës për shumë prej këtyre krimeve. Deri në fund të vitit 2000 më shumë se 210,000 serbë ishin larguan nga Kosova; pjesa më e madhe e tyre u largua gjatë gjashtë javëve të para pas hyrjes së NATO-s. Ndërsa pjesa e mbetur është përqëndruar në enklava mono-etnike.

    Reagimi i ngadaltë i komunitetit ndërkombëtar pas fushatës së bombardimeve duhet fajësuar pjesërisht për dhunën e pas-luftes, thuhet në raport. Kombet e Bashkuara dhe NATO nuk ndërmorën që në fillim veprime decisive për të frenuar zhvendosjen me forcë dhe vrasjet e popullsisë jo-shqiptare në Kosovë, e cila krijoi një precedent për periudhën e pas-luftës. Dy vjet pas luftës, nuk është vendosur akoma një sistem juridik efektiv dhe vazhdon një atmosferë mosndëshkimi.

    Në raport mirëpritet arrestimi i Milosevic-it në prill të vitit 2001 si dhe transferimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë. Megjithatë, Human Rights Watch u ka bërë thirrje autoriteteve serbe dhe komunitetit ndërkombëtar të nxjerrin para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe gjatë luftrave në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë.